Shqetësimi praktik i Jezusit për njerëzit

Jan 30 • Meditimi i ditës

30 janar 2018 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2Sam 18, 9-10.14b.24-25a.30-32 – 19, 3; Ps 86, 1-6; Mk 5, 21-43)

 

Prania e Hyjit

Jezusin mund ta kërkojmë në çdo kohë të ditës a të natës.
Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.
Çfarë bekimi i mrekullueshëm!
Nuk kam nevojë as për telefon, as e-mail, vetëm një pëshpëritje.

 

Liria

Kur e ndiej veten të robëruar dhe kur gjithçka më tendosë, më ngarkon,

madje edhe atëherë kur rrezet e diellit nuk arrijnë në vendin ku ndodhem,

edhe atëherë, në heshtjen e heshtjes, shpirti im është i lirë dhe i papenguar.

Në këtë liri të shpirtit po të drejtohem ty, o Zot.

 

Ndërgjegjësimi

Vetëdijesohem se jam në praninë e Hyjit.

Do të gjej mburojë në zemrën e tij që dashuron.

Ai është fuqia ime në momentet e dobësisë,

ngushëllues në momentet e trishtimit.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mk 5, 21-43

 

21 Kur Jezusi përsëri kaloi me barkë në anën tjetër, ngarendi tek ai turmë e madhe populli. Ai zuri vend në breg të detit. 22 Erdhi një nga kryetarët e sinagogës, që quhej Jair, e, kur e pa, ra në gjunjë para tij 23 dhe i lutej shumë: “E kam vajzën në fill të vdekjes! Eja, vëri duart mbi të që të shërohet e të jetojë!” 24 Jezusi shkoi me të.

I shkonte pas një turmë e madhe dhe furej rreth tij nga çdo anë.

25 Një grua ishte e sëmurë që prej dymbëdhjetë vjetësh nga derdhja e gjakut. 26 Hoqi shumë keq ndër mjekë të ndryshëm e shpenzoi gjithçka pati pa farë dobie ‑ por, ishte edhe më keq. 27 Ajo kishte dëgjuar për Jezusin, hyri në turmë e, pas shpinës, ia preku petkun Jezusit. 28 I thoshte mendja: “Nëse ia prek vetëm petkat, do të shërohem.”       29 Aty për aty iu ndal gjaku e në trupin e vet ndjeu se u shërua nga sëmundja.

30 Jezusi përnjëherë e ndjeu në vete fuqinë që shpërtheu prej tij, u soll në mes të turmës e tha:

“Kush m’i preku petkat?”

31 Nxënësit e tij iu përgjigjën:

“Po a s’e sheh popullin si të furet në katër anët e thua: ‘Kush më preku’“

32 Ai shikoi përreth për të parë atë që e kishte prekur.

33 Gruaja, plot frikë e tmerr, sepse e dinte se ç’i ndodhi, u afrua, ra me fytyrë për dhe para tij dhe tregoi tërë të vërtetën. 34 Ai i tha: “Bijë, feja jote të shpëtoi! Shko në paqe! Dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!”

35 Ndërsa Jezusi ende po fliste, erdhën prej shtëpisë së kryetarit të sinagogës dhe i thanë: “Vajza jote vdiq. Pse ta trazosh më Mësuesin?” 36 Kur Jezusi dëgjoi ç’thanë, i tha kryetarit të sinagogës: “Mos ki frikë! Ti vetëm beso!” 37 Jezusi nuk lejoi ta përcjellë askush tjetër, përveç Pjetrit, Jakobit e Gjonit, vëllait të Jakobit. 38 Arritën te shtëpia e kryetarit të sinagogës. Jezusi vuri re një pështjellim të madh e njerëz që qanin e vajtonin me zë të lartë. 39 Hyri dhe u tha: “Pse bërtitni e vajtoni? Fëmija nuk ka vdekur, por fle.” Ata e përqeshën.

40 Jezusi atëherë i nxori përjashta të gjithë. Me vete mori të atin e t’ëmën e fëmijës e përcjellësit e vet dhe hyri atje, ku ishte fëmija. 41 E kapi fëmijën për dore e i tha: “Talitha kum!” që do të thotë: “Vajzë, unë po të them: çohu!” 42 Vajza aty për aty u ngrit e nisi të ecë. Ishte dymbëdhjetë vjeçe. Të gjithë mbetën pa masë të habitur. 43 Jezusi u urdhëroi rreptësisht të mos ia tregojnë askujt ngjarjen dhe u tha t’i japin vajzës të hajë.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pjesën e sotshme të Shkrimit Shenjt:

 

  • Këtu ndriçohen besimi dhe shpresa në Jezusin. Dy njerëz të guximshëm i rrënojnë barrikadat fizike, shoqërore dhe fetare. Vuajtja njerëzore zgjon dhembshuri te Jezusi. Duke i thyer barrikadat dhe tabutë e ditës Jezusi bisedon me një grua dhe e prek trupin e vdekur.
  • Gruaja e sëmurë “kishte dëgjuar për Jezusin.” Ajo çka kishte dëgjuar i dha hirin e besimit se do të shërohej në qoftë se vetëm do t`ia prekte rrobat e tij. Sa e ka ngritur në mua besimin ajo që unë kam “dëgjuar” për Jezusin? Do të flas me gruan dhe të mësoj prej saj.
  • Jezusi u tha që “vajzës t`i japin diçka për të ngrënë.” Shpesh e  imagjinojmë Jezusin si dikë nga një botë tjetër, por ai në këtë tokë mbështetej fort me të dyja këmbët. Jep një këshillë praktike pas mrekullisë – që vajza të hajë! Do të lutem që të ndaj me të shqetësimin e tij praktik për njerëzit – trupattanë janë po aq të rëndësishëm sa shpirtrat tanë.
  • Ndërsa e sodis këtë skenë a mund t`ia shpreh Zotit brengosjen time më të thellë për veten time dhe për të tjerët? A mund të besoj se ai do të intervenojë dhe veprojë?

 

Lexoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, pa u ngutur, disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro më atë rast aq gjatë sa të flet, para se të vazhdosh tutje.

 

Bashkëbisedimi

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.

Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.

I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.

Po lëshohem në duart e tua.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »