Madhështia e Zotit nëpërmjet shërbimit të përvuajtur
15 janar 2019 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Heb 2,5-12; Ps 8,2a.5-9; Mk 1,21-28)
Prania e Hyjit
‘Krishti qoftë afër në të dyja anët’.
Le t’i bëj këto fjalë të thjeshta lutje time sot.
Le ta njoh praninë e Krishtit në jetën time, afërsinë e Krishtit për mua në çdo moment të kësaj dite dhe le ta mirëpres këtë prani me zemër të hapur.
Liria
”Jam i/e lirë”.
Kur i dëgjoj këto fjalë, më duket se krijojnë në mua një ndjenjë mrekullie.
Po, ndjenja e çuditshme e lirisë.
Faleminderit, o Zot.
Ndërgjegjësimi
Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,
mund t`i lejoj vetes të jem i/e sinqertë se si jam.
Si më kaloi dita dje? Si po e ndjej veten tani?
Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.
Fjala
E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.
Heb 2,5-12
5 Sepse Hyji nuk e ka vënë nën pushtet të engjëjve botën e ardhshme për të cilën po flasim. 6 Madje dikush diku bëri këtë dëshmi:
»Çka është njeriu që të bie ndër mend për të, biri i njeriut që të kujdesesh për të? 7 E bëre pak më të vogël se engjëjt, e kurorëzove me lavdi e nder, 8 çdo gjë vure nën këmbët e tij«.
Dhe duke [i] vënë çdo gjë nën këmbë, ai s’la asgjë që të mos i jetë e nënshtruar. Vërtet, tani nuk shohim ende se gjithçka është nën pushtetin e tij, 9 por Atë që qe përulur për pak kohë më poshtë se engjëjt, Jezusin, e shohim të kurorëzuar me lavdi e nder për arsye të vdekjes që pësoi që kështu, për hir të Hyjit, vdekja e shijuar prej tij të jetë në dobinë e të gjithë njerëzve.
10 Dhe, vërtet, i kishte hije Atij, për të cilin dhe prej të cilit është çdo gjë dhe që donte t’i çojë në lumturi shumë bij – ta bënte të përsosur me anë të vuajtjeve Udhëheqësin e shëlbimit të tyre. 11 Sepse si Shenjtëruesi ashtu të shenjtëruarit, janë të gjithë prej Njërit. Prandaj as nuk turpërohet t’i quajë vëllezër, 12 kur thotë:
»Vëllezërve të mi do t’ua shpall Emrin tënd;
do të të lavdëroj në mes të mbledhjes«.
Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimi i Shenjtë:
- Krishti ka ardhur për të na shpëtuar. Kur e shikojmë botën tonë është e qartë, o njeri, se kemi nevojë për shpëtim! Por sa shpesh mendojmë dhe e vlerësojmë madhështinë e dhuratës nga Hyji që ishte Biri i tij?
- Fragmenti biblik thotë se të gjitha gjërat ishin të nënshtruara atij, por kjo nuk ndodh nëpërmjet fuqisë dhe madhështisë, por nëpërmjet shërbimit dhe vdekjes. Ai është Zoti i të gjithëve, i cili na zbuloi veten si fëmijë i varfër dhe i pambrojtur, jo nëpërmjet mujshisë dhe dominimit. Si e shoh këtë fëmijë? Kush është ai për mua?
Ndërsa e dëgjon përsëri leximin, mendo për mënyrat në të cilat e pasqyron Krishtin në jetën tënde. Veprimet e tij ishin të dobishme për të gjithë njerëzit. A mund të thuash të njëjtën gjë për veprimet e tua?
Bashkëbisedimi
Nëse e ndjekim Jezusin, duhet të jetojmë thjesht – nuk do të thotë thjesht të heqim dorë nga zotërimet, gjërat që i kemi, por edhe ta vendosim Krishtin në qendër të jetës sonë. Kështu përqendrohemi në gjërat e duhura dhe në marrëdhëniet e duhura, në mes të presionit që të kemi më shumë, të bëjmë më shumë, të blejmë më shumë …. Ne quhemi vëllezër e motra në Krishtin. Si të bën të ndihesh kur mendon se je vëlla apo motër e Krishtit? Ofroja atë ndjenjë Hyjit tani në thjeshtësinë e lutjes tënde.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. Jezus, ti kur ke folur nuk ke bërtitur as nuk je fryrë se je i madh… Njerëzit të kanë dëgjuar të mahnitur dhe të mrekulluar. Ç`është ajo që i jep aq pushtet dhe fuqi fjalimit tënd?
Pushteti me të cilin, Jezus, i mësoje njerëzit është i veçantë – ti vetë je pushteti në të cilin duhet të mbështetem. Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Ç`do të thotë për ty të shkosh pas Jezusit? Sa i kultivoj marrëdhëniet e drejta me krijimin? »