Engjëjt

Jan 13 • Këndvështrime

Nga Fulton J. SHEEN

 

Shumë njerëz, kur shohin në televizion “engjëllin” tim duke e pastruar tabelën time, më pyesin kur më takojnë: “Si është engjëlli juaj?” Pra, le të flasim për engjëjt dhe rolin e tyre në jetët tona. Por, këtu e përdorim fjalën engjëll në një kuptim shumë të kufizuar – jo si një lajmëtar shpirtëror të padukshëm, jo si një ndriçim të veçantë apo një krijesë me krah që të bën thirrje, madje as si një vizion apo çfarëdo tjetër të tejnatyrshme. Me një engjëll nënkuptojmë këtu çfarëdo personi apo ndodhie që ka ndryshuar në tërësi rrjedhën e jetës sonë, ka ndikuar në mënyrën e sjelljes tonë, na ka bërë të kthehemi djathtas, kur ne kemi qenë duke u kthyer majtas, dhe, në përgjithësi, na ka bërë më të mirë. Ajo që e ngrit këtë koncept nga rrjedha natyrore, është se herët a vonë shihet si një vepër e Zotit.

Të marrim, për shembull, tregimin e Tobit të ri, i cili ishte dërguar nga i ati i tij, Tobieli, në tokën e Medisë, në një lloj misioni ekonomik. E ëma e tij ishte shumë e brengosur për dërgimin e djalit të saj në një rrugë aq të gjatë dhe doli e gjeti një bashkudhëtar, emri i të cilit ishte Rafael. Rafaeli jo vetëm që e mbrojti Tobinë nga rreziqet dhe i ndihmoi të mbledhë borxhin, por edhe ia gjeti një grua të mirë. Libri i Tobisë thotë: “Rafaeli ishte një engjëll, por ai këtë nuk e dinte.”

Zoti i vendos shumë engjëj në shtigjet tona, por shpesh ne nuk i njohim ata; në fakt, ne mund të kalojmë jetën duke mos e ditur kurrë që ata ishin agjentë apo lajmëtarë të Zotit, të cilët na çojnë drejt virtytit, apo që na ruajnë nga veset e këqija. Ata simbolizojnë intervenimin e vazhdueshëm dhe dashamirës të Zotit në historinë e njerëzimit, të cilët nuk na lënë të shkojmë në shtigjet e shkatërrimit apo na çojnë në rrugë kah suksesi, lumturia dhe virtyti.

Zoti përgjithësisht operon prapa qëllimeve sekundare, si një mirëbërës anonim. Drejtimi i jetëve tona prej Zotit është aq i fshehur, sa që shumica prej nesh janë të pavetëdijshëm se si jemi bërë engjëll që t’i ndihmojmë fqinjit, apo si fqinji është bërë engjëll për ne. Kur e mbarova kolegjin, e mora një bursë kombëtare me vlerë prej disa mijëra dollarësh. Dëshiroja të kompletoja edukimin tim me një Ph. D. (doktoraturë shkence), por në të njëjtën kohë, aq sa më kujtohej, unë kisha dëshirë të bëhesha prift. Me pranimin e bursës do të thoshte që unë duhej ta shtyja thirrjen time për prift e ndoshta edhe ta rrezikoja atë thirrje. Gjatë pushimeve verore pas diplomimit në kolegj, e vizitova profesorin tim të filozofisë dhe i tregova me një gëzim të madh që kisha fituar bursën për universitet. Ai më rrëmbeu për supe dhe më pyeti: “A beson ti në Zot?” I thashë që pyetja ishte trashanike. Por ai me sfidoi, “Por praktikisht a beson ti në Zot?” Kur iu përgjigja pozitivisht, ai me tha, “Ti e di detyrën tënde. Shko tash në seminar dhe filloji studimet për priftëri. Shlyeje bursën.” Unë protestova, “Pse tash s’mund të punoj për Doktoraturë e pastaj të shkoj në seminar?”

Ai me kundërshtoi, “Nëse ti e bën këtë flijim, të premtoj, që, pasi të pranohesh në radhët e priftërisë, do të fitosh një edukatë universitare shumë më të mirë se më parë.” E shleva bursën, iu binda detyrës sime dhe pas pranimit në radhët e priftërisë, kalova më se pesë vite në studimet universitare – shumica prej tyre në disa nga universitetet më të mira europiane. Profesori ishte engjëlli im. E kisha vërejtur atëherë këtë, por tash e shoh edhe më qartë.

Dr. Paul Tornier, që është njeri ndër psikiatrit më të mëdhenj modernë, thotë se për vite të tëra jeta e tij ishte banale dhe e hutuar dhe kurrë nuk i kishte besuar qartë udhëheqjes së Zotit. Që të dy, ai dhe gruaja e tij, u janë zotuar udhëheqjes qiellore dhe kanë gjetur lumturinë e shkëlqyer. Siç e ka thënë në njërën nga librat e tij, “Zoti na udhëhoqi hap pas hapi, nga një ndodhi në tjetrën. Vetëm me vonë, kur shikojmë prapa se si kemi arritur dhe si i kemi rishqyrtuar momentet e caktuara të rëndësishme në jetën tonë, nën dritën e asaj që ka pasuar, apo kur analizojmë progresin e plotë të jetës sonë, e ndiejmë se ishim të udhëhequr pa e ditur këtë, e ndjejmë që Zoti na ka udhëhequr në mënyrë misterioze. Ne ndoshta nuk e kemi ditur këtë në atë kohë. Është dashur të kalojë një kohë për të parë këtë. Por Ai e hapi një horizont të papritur për ne.”

Francis Thompson, duke folur për gjithanshmërinë e këtij lloji të engjëllit, tha: “Gjallëro një gur e lësho një krah.” Ata janë gjithkund – engjëjt e mirë – vetëm se në nuk i njohim ata si engjëj. Por është tragjedi se nganjëherë ka edhe engjëj të këqij – ata janë persona zemërligj që na tërheqin teposhtë kah veset e këqija. Bota është një fushëbetejë e engjëjve.

[Udhërrëfyesi për kënaqësi]

Hyjnia është gjithmonë aty ku ti më së paku e pret se do ta gjesh.

[Universi moral]

 

(Pjesë nga libri: Fulton J. SHEEN, From the Angel’s Blockboard, Liguori/Triumph, Luguori – Missuri 1995, fq. 233-236. Përktheu: Arbnora Gojani – Mazreku)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »