E diela XXIV gjatë vitit – viti C
Leximi i parë Dal 32, 7-11.13-14
Kur një mëkatar i afrohet Hyjit në lutje, është e natyrshme që ai i kërkon falje dhe merr mëshirën e tij. Kjo lutje është pjesërisht egoiste, sepse kërkon të rimarrë një paqe dhe një pafajësi të humbur. Por, Moisiu në lutje thërret dhe provokon vetë Hyjin në emër të hyjnisë së Tij që është mëshira dhe bamirësia. Dhe Hyji e dëgjon.
Lexim prej Librit të Daljes
Në ato ditë, Zoti i tha Moisiut: “Mos vono e zbrit poshtë, sepse populli yt që e nxore nga dheu i Egjiptit, u prish. E lanë me të shpejtë rrugën që ua kam caktuar. Punuan një viç të metaltë, e adhuruan dhe i kushtuan fli e thanë: “Këta janë zotat e tu, o Izrael, që të nxorën nga dheu i Egjiptit!” Mandej Zoti i tha Moisiut: “Po shoh se ky popull është popull kokëfortë. Më lësho të ndizet flakë hidhërimi im kundër tij e ta shfaros, e prej teje do të bëj një popull të madh.” Porse Moisiu i lutej Zotit, Hyjit të vet, e i thoshte: “Përse, o Zot, do të ndizet flakë hidhërimi yt kundër popullit tënd, të cilin e nxore nga dheu i Egjiptit me fuqi të madhe e dorë të fortë? Të bie ndër mend Abrahami, Izaku e Izraeli, shërbëtorët e tu, të cilëve u përbetove me vetvete, kur u the: ‘Do ta shtoj farën tuaj si yjet e qiellit dhe tërë këtë tokë, pët të cilën ju fola, do t’ia jap farës suaj; e do të jetë juaja përgjithmonë’.” Zoti pati mëshirë dhe nuk ia çoi të keqen me të cilën i ishte kërcënuar popullit të vet. Fjala e Zotit.
Psalmi 51
Ref: Na e jep, o Zot, gëzimin e faljes sate
————————————
Ki mëshirë për mua, o Hyj,
sipas mëshirës sate,
pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
Më laj krejtësisht prej mëkatit tim
e më pastro prej fajit tim.
————————————
Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër,
përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
Mos më flak larg fytyrës sate,
mos e hiq prej meje
shpirtin tënd të shenjtë.
————————————
Zhdrivilloj, o Zot, buzët e mia,
dhe goja ime do ta shpallë lavdinë tënde.
Flia e vërtetë për Hyjin: shpirti i penduar;
ti, o Hyj, nuk e përbuz zemrën e penduar, të thërmuar.
————————————
Leximi i dytë 1 Tim 1, 12-17
Falja e Hyjit është pafund. Shën Pali e pohon, sepse e di se jeta e tij është një shembull i gjallë i kësaj faljeje: Ai ka qenë një ndër mëkatarët më të këqij, e megjithatë Hyji e ka falur dhe e ka zgjedhur. Me gjithë mëkatet tona, Hyji zbulon nëpërmjet nesh faljen dhe dashurinë e tij.
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Timoteut
E falënderoj Atë që më dha fuqi, Krishtin Jezus, Zotin tonë, pse më çmoi të besueshëm duke më thirrur në shërbesë mua, që më parë isha blasfemues, salvues, mujshar. Por gjeta mëshirë pse veproja prej padijes, larg nga besimi i vërtetë. Dhe hiri i Zotit tonë qe pa masë i begatshëm bashkë me fe dhe me dashuri që është në Krishtin Jezus. Kjo fjalë është e vërtetë dhe meriton të besohet prej të gjithëve: Krishti Jezus erdhi në botë për të shëlbuar mëkatarët, ndër të cilët unë jam i pari. Ai pati mëshirë për mua me qëllim që në mua më të parin Jezu Krishti ta dëftojë tërë zemërgjerësinë e vet për t’u dhënë shembull të gjithë atyre që do të besojnë në Të për të fituar jetën e pasosur. Dhe Mbretit të shekujve, të pavdekshmit, të papashmit, një të vetmit Hyj i qoftë nder e lavdi në shekuj të shekujve. Amen! Fjala e Zotit.
Aleluja.
Ne e njohem e besuam në dashurinë që Zoti ka për ne.
Aleluja.
Ungjilli Lk 15, 1-32
Të jetë i gjithëpushtetshëm dhe të pranojë që djali i vogël të largohet nga shtëpia, për ta mikëpritur krahëhapur kur kthehet; të lërë gjithçka dhe të shkojë të kërkojë delen e humbur; të jetë pronar i gjithçkaje dhe të bëhet shërbëtor i shërbëtorëve të vet; kjo mënyrë hyjnore e të sjellurit quhet mëshirë. Krishti është mishërimi i mëshirës së Hyjit dhe ka themeluar një popull të ri, ky popull i përbërë nga bij të humbur dhe pastaj të rigjetur. Edhe Kisha duhet të jetë shenjë e kësaj mëshirë hyjnore.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar. Farisenjtë e skribët nynykatnin: “Ky i pranon mëkatarët – thoshin – dhe po ha me ta.” Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë: “Cili prej jush, po i pati njëqind dele dhe, nëse një prej tyre i tret, nuk i lë të nëntëdhjetenëntë tjerat vetëm në kullosë e nuk shkon pas të treturës derisa ta gjejë? Kur e gjen, plot gëzim, e vë në krah, dhe, posa arrin në shtëpi, i thërret miqtë e fqinjët e u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta delen time që më humbi.’ Unë po ju them: në qiell do të ketë po kështu më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet e kthehet se për të nëntëdhjetenëntë të drejtë, që s’kanë nevojë të kthehen. Ose cila grua që ka dhjetë drahma e po bëri e i treti njëra, nuk e ndez dritën e nuk e fshin shtëpinë dhe nuk e kërkon me kujdes derisa ta gjejë? Dhe, kur e gjen, i bashkon mikeshat dhe fqinjet dhe u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta drahmën që më pati humbur.’ Po kështu, unë po ju them: bëhet gëzim në mes të engjëjve të Hyjit për një mëkatar që kthehet.” Mandej vijoi: “Një njeri kishte dy djem. Djali i vogël i tha t’et: ‘Babë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon!’ Ai ua ndau pasurinë. Mbas pak ditësh, djali i vogël mblodhi çka pati dhe shkoi në dhe të largët e atje e shkapërderdhi pasurinë e vet duke jetuar i dhënë pas vesesh. Kur shpenzoi gjithçka pati, u bë zi e madhe buke në atë vend e djali filloi ta sprovoi skamjen. Atëherë shkoi e u lidh rrogëtar te një njeri i atij vendi. Ky e dërgoi në toka të veta t’i ruajë thitë. E dëshironte ta mbushte së paku ndonjë herë barkun me kokrra çiçibunesh që hanin thitë, por askush nuk ia jepte. Atëherë i erdhën mendtë e thoshte: ‘Sa mëditësve tim atë u tepron buka, kurse unë këtu po vdes urie! Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: ‘O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir; më prano si një ndër rrogëtarët e tu’. U çua dhe e mori rrugën të kthehet tek i ati. Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua vrap, e mori ngrykë dhe e puthi. Atëherë i biri i tha: ‘O atë, rashë në mëkat kundër qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir!’ Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: ‘Sillni shpejt petkat më të mirat e veshniani! Viniani unazën në dorë e sandalët në këmbë! Sillni viçin e majur e prenie të hamë e të gëzojmë, sepse ky, im bir, pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet!’ E filluan të dëfrehen. Djali i tij i madh ndodhi në fushë. Kur u kthye e iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle, thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’ndodhi. Ai i përgjigji: ‘U kthye vëllai yt e yt atë e preu viçin e majur pse iu kthye djali shëndosh e mirë.’ Ai u zemërua dhe nuk deshi të hyjë brenda. I ati doli jashtë dhe iu lut. Atëherë ai i tha t’et: ‘Qe se unë të shërbej tash sa kohë e kurrë nuk e shkela asnjë urdhër tënd. E ti kurrë s’më dhe as një edh të gostitem me miqtë e mi. Por, kur të erdhi ky – djali yt – që prishi pasurinë tënde me lavire, ti ia preve viçin e majur!’ ‘Biro – i tha i ati – ti je gjithmonë me mua, e gjithçka kam, është jotja. Porse, u desh të gëzohemi e të ngazëllohemi, sepse ky – vëllai yt – pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet’.” Fjala e Zotit.
POROSIA
Provojmë një gëzim të madh kur gjejmë një objekt të çmuar të humbur apo kur takojmë një person të dashur pas shumë kohësh. Jezusi niset nga kjo përvojë njerëzore, për të na treguar se sa shumë Hyji e do njeriun, që ka humbur, duke u larguar prej Tij.
Ai na prezanton tre shëmbëlltyrat e “gëzimit të Hyjit” që fal. “Cili prej jush, po i pati njëqind dele … ”. Ati i mëshirshëm nëpërmjet Birit të tij ka ardhur të kërkojë “delen e humbur” dhe “drahmën e humbur” dhe është shumë i lumtur kur e gjen. “Një njeri kishte dy djem … ”.
Jezusi na zbulon mëshirën e Atit dhe gëzimin e tij për të falur. Falja e Atit është tërësore, e menjëhershme, plot me dashamirësi: përqafon birin e vet përpara se ai t’i shprehë pendesën e tij. Në emër të dashurisë së pastër i dhuron atë për të cilën ai nuk kishte më të drejtë: plotësinë e dinjitetit e të bashkimit në një marrëdhënie të ripërtërirë bijësore.
Ati përqafon me dashuri “amënore” e gëzim të pafund çdo mëkatar që kthehet tek Ai. Jezusi është shtyrë të tregojë këtë shëmbëlltyrë sepse skribët dhe farisenjtë nuk pranojnë që Ai të jetë mik dhe të pranojë mëkatarët. Jezusi na zbulon që Hyji i do mëkatarët dhe i kërkon i pari. Nuk pret që të kthehet me forcat e tij, por vihet personalisht në kërkim të tij, e nuk gjen qetësi derisa ta gjejë. Së fundmi Jezusi do të na thotë: Ju nuk e imagjinoni se sa dhimbje i shkaktoni Hyjit kur largoheni prej Tij. E çfarë gëzim bën të lind në zemrën e tij kthimi juaj tek Ai!
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër e motra, t’ia hapim zemrën tonë Hyjit Atit të mëshirshëm. Atij t’ia drejtojmë thirrjet tona për Kishën dhe mbarë botën. Të lutemi me besim:
Na shpëto, o Zot, me forcën e dashurisë sate.
L. Për Kishën, e thirrur për t’i dërguar ndihmë deles së humbur: që të bëhet gjithnjë e më shumë dëshmitare e dhembshurisë së Hyjit për mëkatarët. Të lutemi
L. Për ata që janë largur nga Kisha e shenjtë: që të kthehen të bashkuar në fe dhe në dashuri me vëllezërit. Të lutemi
L. Për ata që veprojnë në shkolla: që të bashkëpunojnë me prindërit në veprën e formimit njerëzor dhe të krishterë të nxënësve. Të lutemi
L. Për bashkësinë tonë: që të dijë të rizbulojë gëzimin e faljes nëpërmjet sakramentit të pendesës. Të lutemi
M. O Hyj, plot me mëshirë dhe falje, Ti që nuk do vdekjen e mëkatarëve, por që ai të kthehet dhe të jetojë, na jep me faljen tënde një zemër të re, plot me dashuri për të gjithë. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.
(ecclesia.al)