At Gjergj Fishta: “Të Lémt e Zojës”

Me 8 shtator Kisha katolike romake kremton festën e Lindjes të së Lumes Mari Virgjër. Tradita e kësaj feste lindi në shekujt e parë në Lindje dhe ishte Papa Sergji I, në shekullin e VII, ai që e shtini këtë festë në kalendarin liturgjik të Kishës. Me përkujtimin e kësaj feste, që tradita kishtare e njeh me emrin “Të lindurit e Zojës”, kremtojmë ditëlindjen e Virgjërës Mari, Nënës së Tënzot, në kraharorin e së cilës u mishërua Jezu Krishti. Po e kujtojmё kёtё tё kremte liturgjike me françeskanin e poetin e madh kombёtar At Gjergj Fishtёn:

 

At Gjergj Fishta: “Të Lémt e Zojës”

 

1 Shka kanë rá, thue, mbramë do valle,

Qi atje larg, kah Nazareti,

Kanë jehue n’per male e zalle?

E pse qiella, toka e deti

Disi n’gaz sot janë stolisun,

Per të cillen Shkrola flet?

2 Po thonë Anës e Joakimit

Se ‘i hyll vajze u paska lé,

Si ajo drita prej agimit,

Si ajo voesa e nadjes s’ré:

Syni i sajë nji rreze di’llit,

Shtati i sajë gjeth drandofillit:

Nji Prendverë n’blerim të vet!

3 Kúr po i qeshka syni e ftyra

Neper rreze të bindueshme,

Thue po u ndêka atë herë pasqyra,

M’t’cillen prirun Mendja e amshueshme,

T’natyrës s’vet sheh t’kthelltat hije,

Edhe gjallë t’hyjnueshmen Dije

M’nja si vedin e perfton.

4 Disá bija t’Izraelit

N’shêj pa’n dá n’shekull, si bora,

Kah shkrepë dielli krés s’zabelit:

Si ‘ i Suzanë, si nji Debora,

Si Abigajli – e pastra lule,

Me Juditen n’atë Betule,

Kapidanat qi i shkurton.

5 Por, si Kjo, nuk duel kurrnjâna,

As kah hiri, as kah pashija;

Emen t’bukur edhe Nâna

Ksa’i ka njitë, tu’ e quejtë M a r i j a:

Nji send qi, kur t’xâsh ket’ êmen,

N’shpûzë të ferrit anmiqt trêmen,

Si me u shkrepë rrfeja e Tenzot.

6 Kuer m’ngujime t’t’naltë Empirit,

Ati i Dritës ketë Bí e páka,

Edhe Nânë m’i a zgjedhë të Birit

N’fllad t’Dashtnís së vet Ai dáka:

Kaq iu dukka synit t’ Tí,

Sá me e dashtë n’gjak e n’gjiní –

N’gjiní nierin me nji Zot!

7 Êjët atë herë marrin flutrimin

Kupa e qiellës mâ e ndeztë kah kthiellet,

E, si pasë e kishin msimin,

Dymbdhetë hyj shkepin prej qiellet,

per me ndreqë me ta nji keze

Të tânë dritë e të tânë rreze,

Zojës Mari m’i a çue per shêj.

8 Fíll kah hâna mandej zbrisin

Krah- praruem të trollit t’Zotit

Kû ata hîjn me ‘i herë t’i a shndrisin

Hânës argjanin, ndryshkë prej motit:

Perse hâna n’kohë qi t’vije,

Ksajë Bij, shkamb nen kambë do t’rrije

Si tha Njai, qi urdhnon mbi rêj.

9 E me rreze të ksajë hâne

E me ato rreze të diellit,

Ejët kanë nisë prap fíll t’a xâne

M’endë nji veshë mbas xêjes s’qiellit,

Me të cillen do t’kandritet

Vasha e vogel – kúr të rritet –

Si Mretneshë e qiellës e e dheut.

10 Pse Mbretneshë kjo Vashë do t’vêhet

Mbi rudina të Parrizit,

– Gurra e dritvet fill kû xêhet –

Si edhe m’rrahe të morrizit;

E perpara kësajë Zoje

Gjû ‘n natyra do t’lakoje:

Para Nânës së Nazareut.

11 Nazareu, po Fjala e t’Lumit,

Si e caktuemja t’mbrrîje stina,

Ka me dalë prej gjiut t’Amshu’mit,

E, si n’bashkë bjen serotina,

Ka me u djergë n’zemer t’ksajë Bije,

Neper ravë, qi Ai veç mund t’dije,

Per me marrun mish e gjak.

12 E m’atë herë kjo fjolle kemit

Kjo pinjollë – lule Jerikut

– Nâmi i dheut, e i Ruzalemit –

Ka m’i a shtypun kryet anmikut:

Kryet anmikut ka m’i a shtypun,

Qi ‘i herë n’Eden m’Landë tue hypun,

Mbarë njerzimin shtini n’lak.

13 Rritu, prá, deh! rritu, o e Lume!

Si filzat kah Prendvera,

Si qeprizat permbi lume,

Si njai lili, qi i vjen era:

E si rrezja endu shtatit,

Perse t’lémt nen hije t’mkatit

Syt t’U kqyrin per shelbim.

14 Ti na rresh, po, njatë Hyll dritet,

Qi i kje folë fisit t’Jakobit

E prej s’Cillit jeta pritet;

Se m’atë herë t’gjith bijt e kobit,

Qi n’per Ty do t’i shndrisë Feja,

Kanë me t’xânë Ty valle t’reja,

Kanë me t’kndue per jetë n’amshim.

 

Nga  ‘Vallja e Parrizit’

 

(marr nga radiovatikani)

Shpëndaje: