“Unë jam Rruga, e Vërteta dhe Jeta”

E diela V e Pashkëve – Viti A

 

Leximi i parë   Vap 6, 1-7

Duke lexuar këta rreshta mund të nënkuptojmë ekzistencën e konflikteve mes të krishterëve të Palestinës dhe atyre që jetonin jashtë saj. Përgjegjësit e bashkësisë së krishterë duhet të zgjidhnin problemin e shërbimit për të varfërit. Për këtë vendosën t’ia besojnë këtë detyrë një grupi vëllezërish. Bashkësia e krishterë nuk ka nevojë vetëm të shpallë Fjalën, por dhe t’u shërbejë vëllezërve në nevojë.

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në atë kohë, me të rritur të numrit të nxënësve, filluan ankesat e hebrenjve që flisnin greqisht kundër hebrenjve vendas pse në shërbimin e përditshëm po i lënin pas dore vejushat e tyre. Atëherë të Dymbëdhjetët bashkuan në një mbledhje të përgjithshme nxënësit e u thanë: “Nuk është e drejtë ta lëmë predikimin e fjalës së Hyjit për të shërbyer në tryezë. Gjeni, pra, o vëllezër, ndër ju shtatë vetë në zë të mirë, plot me Shpirt Shenjt e me urti, të cilët do t’i caktojmë për këtë detyrë, kurse ne do t’i kushtohemi krejtësisht uratës dhe shërbesës së fjalës.”  Propozimi i pëlqeu krejt mbledhjes së nxënësve. Ata atëherë zgjodhën Shtjefnin, njeri plot fe e Shpirt Shenjt, pastaj Filipin, Prohorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin dhe Nikollën, proselit prej Antiokisë. Këta i vunë para apostujve. Apostujt, pasi u lutën, vunë duart mbi ta. Fjala e Hyjit vazhdonte të përhapej. Shtohej shumë numri i nxënësve në Jerusalem dhe shumë priftërinj e pranonin fenë. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi  33

 

Ref: Kthehu drejt nesh, o Zot, sepse  në ty shpresojmë

——————————————

Galdoni, o të drejtë me Zotin,

të drejtëve u ka hija lavdërimi!

Lavdërojeni Zotin me kitarë,

bini gëzueshëm lirës me dhjetë korda!

——————————————

Sepse e drejtë është fjala e Zotit,

e të gjitha veprat e tija me besë.

E do drejtësinë e gjyqin,

plot është toka me mirësinë e Zotit.

——————————————

Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,

mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:

për t’i shpëtuar nga vdekja

e për t’i ushqyer në kohën e urisë.

——————————————

 

Leximi i dytë    1 Pjt 2, 4-9

Pjetri përkufizon Kishën si tempullin e ri.  Ajo nuk është më një ndërtesë që mirëpret lavdinë e Hyjit, por një bashkësi besimtarësh që dëshmojnë praninë e Zotit në jetën e përditshme dhe në çdo vend.  Të krishterët janë gurët e gjallë të Kishës, Krishti është themeli. 

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Pjetrit apostull

Fort të dashur, afrohuni Krishtit – Gurit të gjallë, njëmend të përbuzur prej njerëzve, por të zgjedhur dhe të çmueshëm para Hyjit, që edhe ju, si gurë të gjallë, të ndërtoheni shtëpi shpirtërore, për të qenë meshtari e shenjtë për të kushtuar fli shpirtërore, që i pëlqejnë Hyjit nëpër Jezu Krishtin.  Këndej thuhet në Shkrim shenjt: “Ja, po vë në Sion një gur këndi, të zgjedhur, të çmueshëm: kush beson në të, jo, nuk do të mbetet i turpëruar!” Për ju, pra, që besoni, nder; kurse për ata që nuk besojnë, “gur që përbuzën ndërtuesit, u bë gur i këndit.” E “gur në të cilin zihet në thua, buzë shkëmbi nga thyhet qafa.” Ata zënë në thua sepse nuk e dëgjojnë predikimin e Ungjillit, për çka edhe janë të caktuar. Porse ju jeni “Fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull që Hyji e fitoi për vete, për t’i shpallur veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme.” Fjala e Zotit.

 

Aleluja

Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta, thotë Zoti: askush nuk shkon tek Ati pos nëpër mua.

Aleluja

 

 

Ungjilli   Gjn 14, 1-12

Jezusi shpall largimin e tij nga kjo botë dhe parashpall fundin e tij dramatik në kryq. Edhe për ata që besojnë egziston turbullimi: Ati fshihet gjithmonë, udha është ajo e kalvarit, jeta takon vdekjen.  Hyjin askush se ka parë, por fytyra e vetme që ne mund të shohim është ajo e Jezusit.  Kush sheh Jezusin, sheh Atin. Në këtë mënyrë Hyji nuk është më i padukshëm, por kthehet në një njeri që ecën pranë nesh.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në atë kohë Jezusi u tha nxënësve të vet: “Mos t’ju shqetësohet zemra! Besoni në Hyjin edhe në mua besoni! Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa. Po të mos kishte, a do t’jua thosha: ‘Po shkoj t’ju bëj gati vendin’? Kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të vij prapë e do t’ju marr tek unë, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju. Ku shkoj unë, ju e dini rrugën.” “Zotëri – i tha Toma – ne  s’dimë ku po shkon. Si, pra, mund ta dimë udhën?” Jezusi u përgjigji: “Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta. Askush nuk shkon tek Ati pos nëpër mua. Nëse më njohët mua, do ta njihni edhe Atin tim. Qysh tash e njihni dhe e keni parë.”  Filipi i tha: “Zotëri, na e dëfto Atin e na mjafton!” “O Filip – i tha Jezusi – kaq shumë kohë jam me ju e nuk më njohe ende? Kush më ka parë mua, ka parë edhe Atin. Si thua, pra: ‘Na e dëfto Atin!’ Po a nuk beson se unë jam në Atin e Ati është në mua? Fjalët që jua them, nuk jua them prej vetvetes: Ati që banon në mua i kryen veprat e veta. Më besoni mua: Unë jam në Atin dhe Ati është në mua. Përndryshe, besoni për shkak të vet veprave!  Përnjë-mend, përnjëmend po ju them: kush beson në mua, veprat që i bëj unë edhe ai do t’i bëjë. Madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto, sepse unë po shkoj tek Ati.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Fjalët e fundit që shqiptohen në fund të jetës përmbledhin misterin e një qenieje. Në Ungjill gjenden fjalët e fundit të Njërit që e di se duhet të vdesë, por edhe të kthehet të jetojë.

“Mos t’ju shqetësohet zemra!” Jemi në Darkën e Fundit, dishepujt janë të trishtuar e të frikësuar për vdekjen e afërt të Mësuesit. Jezusi na lë porosi besimin, domethënë dorëzimin e plotë në Hyjin, Atin e gjithëpushtetshëm.

“Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa”. Ekziston një shtëpi e madhe atërore ku Jezusi na paraprin. Për Të të vdesësh nuk domethënë të rrokullisesh në një humnerë pa fund, por të kalosh nga kjo botë te Ati.

“Që aty ku jam unë, të jeni edhe ju”. Jezusi nuk arrin ta imagjinojë të ardhmen e tij pas vdekjes pa të tijtë: i do pjesëmarrës të lumturisë së vet.

“Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta”. Jezusi deklaron se Ai është rruga që miqtë e tij duhet të përshkojnë për të arritur Atin. Ai është edhe qëllimi i kësaj ecjeje, e dishepujt duhet të vihen në ecje drejt tij. Jezusi është e vërteta, domethënë zbulimi. Jezusi nuk është vetëm ai që zbulon Hyjin si Atë, por në të gjitha ato që thotë e bën, në të gjithë atë që është, është zbulimi i Hyjit Dashuri. Jezusi është jeta: jeta hyjnore, domethënë bashkimi i amshuar i dashurisë mes Atit dhe Birit të vet në Shpirtin Shenjt.

Ai qysh tani ua dhuron besimtarëve, duke i futur në bashkimin e Trinisë së Shenjtë. Sekreti i gjithë kësaj mbetet besimi: “Besoni në Hyjin edhe në mua besoni!”.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër, Jezusi është fytyra e shndritshme e Atit, fjala që e zbulon. T’i kërkojmë hirin që ta njohim si rrugën tonë, të vërtetën dhe jetën.

L. Të lutemi së bashku e të themi: Na dëgjo, o Zot.

L. Për Kishën e ngarkuar, që t’u zbulojë njerëzve pasuritë e bollshme të Krishtit: që të jetë besnike në misionin e saj. Të lutemi.

L. Për botën e sotme: që të çlirohet nga iluzioni që mund të bëjë edhe pa Krishtin në kërkimin e lumturisë. Të lutemi.

L. Për ata që kërkojnë sinqerisht të vërtetën: që të mund të takojnë Krishtin, dritën e botës dhe rrugën e vetme që të çon drejt shpëtimit. Të lutemi.

L. Për ne këtu të pranishëm: që të ushqyer nga Fjala dhe nga Buka e jetës, të marrim pjesë në mënyrë të vetëdijshme dhe aktive në jetën e Kishës. Të lutemi.

M. Bëj, o Zot, që lutja jonë të jetë gjithmonë në sintoni me vullnetin e Atit, që ti vetë ke ndihmuar në të gjithë jetën tënde dhe tani e realizon nëpërmjet Kishës. Ti je Hyji, e jeton e mbretëron për të gjithë shekuj të shekujve. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: