Të duash me dashuri konkrete

E diela VI e Pashkëve – viti A

 

 

Leximi i parë   Vap 8, 5-8.14-17

Pjesa biblike tregon zgjerimin misionar të Kishës. Banorëve të Samarisë diakoni Filip u shpall Ungjillin që vjen pastaj i përforcuar nga apostujt Pjetri e Gjoni, që shtrijnë duart mbi ta dhe u dhurojnë Shpirtin Shenjt.

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në ato ditë, Filipi zbriti në një qytet të Samarisë dhe filloi të predikojë Mesinë. Turmat ua vinin veshin me kujdes mësimeve të Filipit, sepse i dëgjonin dhe i shikonin shenjat e mrekullueshme që bënte. E njëmend, prej shumë të djallosurish dilnin shpirtrat e ndytë duke bërtitur me zë të madh, shëroheshin shumë të paralizuar e të çalë. Dhe u bë gëzim i madh në atë qytet.  Kur apostujt dëgjuan në Jerusalem se Samaria e kishte pranuar Fjalën e Hyjit i dërguan atje Pjetrin e Gjonin. Këta zbritën atje, u lutën për ta që ta merrnin Shpirtin Shenjt, sepse ende nuk kishte zbritur mbi asnjërin ndër ta; ata vetëm ishin pagëzuar në Emër të Jezusit Zot. Atëherë vunë duart mbi ta dhe ata morën Shpirtin Shenjt. Fjala e Zotit.

 

Psalmi  66

 

Ref: Veprat e Zotit janë të mëdha

————————————–

Mbarë toka le t’i brohoritë Hyjit,

këndoni lavdisë së Emrit të tij,

lartësojeni lavdinë e tij të pamasë!

Thuani Hyjit: “Sa të mrekullueshme

janë veprat e tua!”

————————————–

Le të të adhurojë mbarë toka e le të këndojë,

le t’ia thotë këngës për nder të Emrit tënd!

Ejani e shikoni veprat e Hyjit:

bëri mrekulli shtanguese mes bijve të njerëzve!

————————————–

Ai e shndërroi detin në terik,

këmbë e kaluan lumin:

për këtë galdojnë me gëzim.

Ai sundon për amshim me pushtetin e vet.

————————————–

Ejani, dëgjoni, të gjithë ju që e druani Hyjin,

do t’ju tregoj çka i bëri shpirtit tim.

Qoftë bekuar Hyji që s’ma hodhi poshtë lutjen time,

e nuk ma mohoi mëshirën e vet.

————————————–

 

Leximi i dytë    1 Pjt 3, 15-18

Të krishterëve që janë bërë objekt i shpifjeve dhe persekutimeve Pjetri u shkruan fjalë që u japin guxim, duke deklaruar që dëshmia e tyre nuk do të jetë e kotë. Të pyetur mbi besimin e tyre do të duhet të përgjigjen me qetësi dhe qartësi, duke treguar me fakte që janë dishepuj të Krishtit.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Pjetrit apostull

Fort të dashur, adhuroni me shenjtëri në zemrat tuaja Krishtin Zot! Jini gjithmonë të gatshëm t’i jepni përgjigje gjithsecilit që prej jush kërkon arsyen e shpresës që është në ju, por me butësi dhe nderim të duhur, me ndërgjegje të mirë, në mënyrë që ata, që flasin keq për jetën tuaj në Krishtin, shi në atë pikë, në të cilën juve ju shpifin, të mbesin të turpëruar. Përnjëmend është më mirë të hiqni keq – nëse është vullnesa e Hyjit – duke bërë mirë se duke bërë keq. E njëmend edhe Krishti një herë vdiq për mëkatet tona, i Drejti për të padrejtët, që t’ju shpiente te Hyji – njëmend i vrarë në trup, por i ngjallur me anë të Shpirtit. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja

Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, thotë Zoti. Ati im do ta duaj e tek ai do të banojmë.

Aleluja

 

 

Ungjilli   Gjn 14, 15-21

Jezusi në këtë Ungjill u premton atyre që e duan Shpirtin e së vërtetës, sepse Ai do të jetë për ata Zbuluesi. Jezusi i lavdishëm do të kthehet tek ata pas ngjalljes së tij për t’i siguruar për praninë e Shpirtit Shenjt. Krishti do të vijë për të banuar në ta së bashku me Atin për të jetuar gjithmonë me ta. 

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë: Shpirtin e së Vërtetës, që bota s’mund ta marrë, sepse nuk e sheh as nuk e njeh. Ju e njihni sepse Ai banon me ju e është në ju. Nuk do t’ju lë bonjakë; do të vij tek ju. Edhe pak kohë e bota nuk do të më shohë më, ndërsa ju do të më shihni, sepse unë jetoj. Edhe ju do të jetoni. Atë ditë do ta kuptoni se unë jam në Atin tim, ju në mua e unë në ju. Kush i ka urdhërimet e mia dhe i mban, ai më do; dhe atë që më do mua, do ta duaj edhe Ati im, edhe unë do ta dua dhe do t’i dëftohem.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Dashuria për njeriun na nxit të ndërtojmë qytetërimin e dashurisë. Dashuria për Hyjin angazhohet të aktualizojë në mënyrë konkrete urdhërimet e tij.

“Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia”. Dashuria e sinqertë dhe e vërtetë shfaqet me fakte. Dashuria ndaj Jezusit provohet me bindjen ndaj vullnetit të Atit, që Mësuesi ka përmbledhur në dashurinë konkrete ndaj Hyjit dhe ndaj të afërmit.

Dashurisë sonë do t’i përgjigjet Jezusi me dhuratën hyjnore të Shpirtit: “Edhe unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, … Shpirtin e së Vërtetës”. Shpirti është dhurata e Atit, që Jezusi e fiton me lutjen e tij e do të jetë një prani e përhershme. Ai është një Mbrojtës tjetër, domethënë një “Avokat mbrojtës” që do të asistojë, do të mbrojë dishepujt. Jezusi mbetet “Mbrojtësi” i parë. Ai që Ati po dhuron do të vazhdojë veprën e Jezusit, do të jetë si “një Jezus tjetër”. Ai shfaqet një Person qartësisht i dallueshëm nga Ati dhe Jezusi. Shpirti i së vërtetës, forca e pafund e dashurisë së Atit dhe e Birit, do të zbulojë Jezusin që është “e Vërteta”, zbulimi përfundimtar i Atit dhe i dashurisë së tij për njerëzit.

“Ju do të më shihni, sepse unë jetoj”. Pas vdekjes së tij dishepujt do ta shohin, sepse Jezusi do t’u shfaqet atyre si “i Gjalli”. Ata do të marrin pjesë në vetë jetë e tij, e do të kuptojnë çfarë bashkimi i thellë i lidh me Të dhe me Atin në Shpirtin. Mjeti për të arritur në bashkimin me Të mbetet praktika e dashurisë vepruese.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, çdo ditë rrezikojmë të jemi të tërhequr nga tundimi i së keqes. T’i kërkojmë Zotit të dërgojë mbi ne Shpirtin e tij, përcjellës të dritës, forcës dhe shpresës.

L. Të lutemi së bashku e të themi: Na jep Shpirtin tënd, o Zot.

L. Për Papën, Ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët: që të jenë të udhëhequr dhe të mbështetur nga Shpirti Shenjt në kryerjen e misionit të tyre si shpallës të Krishtit dhe të Ungjillit të tij. Të lutemi.

L. Për njerëzimin: që të mos mungojnë kurrë profetë dhe dëshmitarë që e ftojnë të projektojë një botë të ripërtërirë nga Pashkët e Krishtit. Të lutemi.

L. Për ato familje në të cilat jetohen situata të vështira: që forca, e cila rrjedh nga Shpirti Shenjt, t’i mbështesë në të kërkuarit e harmonisë. Të lutemi.

L. Për të gjithë të krishterët: që e vërteta e Krishtit të shuajë inatet, të ndriçojë mendjet dhe të hapë zemrat e të gjithëve ndaj pajtimit dhe dialogut. Të lutemi.

L. Për ne këtu të bashkuar për këtë liturgji lavdërimi: që Shpirti Shenjt të na japë forcën për të dëshmuar Ungjillin kudo. Të lutemi.

M. O Zot Jezus, dishepujve u premtove dhe pastaj u dërgove Shpirtin Shenjt. Dëgjoje tani lutjen tonë dhe dërgo edhe mbi ne Shpirtin Shenjt që të bëjmë një dëshmi të mirë para të gjithëve. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: