Shkoni e bëjini nxënës të mi të gjithë popujt!!

Ngritja e Jezu Krishtit në Qiell – Viti A

 

Leximi i parë   Vap 1, 1-11

Ungjilltari Luka na prezanton ngjitjen e Jezusit në qiell si fundin e një etape të planit të Hyjit, si shenjë të pranisë së përhershme të Jezusit në mes njerëzve.  Me një prani të tillë hapet një kohë e re, ajo e Shpirtit dhe e Kishës misionare. Nga ajo ditë Ungjilli u dorëzua në duart tona. 

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në librin e parë, o Teofil, fola për gjithçka Jezusi bëri dhe mësoi qysh prej fillimit e deri në ditën kur u ngrit në qiell, pasi që u dha porositë apostujve, të cilët i pati zgjedhur nëpërmjet të Shpirtit Shenjt. Ai, pas mundimit të vet, më shumë prova ua vërtetoi apostujve se ishte i gjallë duke u shfaqur për dyzet ditë para tyre dhe duke u folur për Mbretërinë e Hyjit.

Dhe, njëherë, ndërsa po hante bukë bashkë me ta, u urdhëroi të mos e lëshojnë Jerusalemin, por ta presin Premtimin e Atit: “Atë që dëgjuat prej meje: Gjoni ka pagëzuar me ujë, ndërsa ju, pas pak ditësh, do të pagëzoheni ,e Shpirt Shenjt.” Tani ata që ndodhën bashkë me të e pyetën: “Zotëri, a thua do ta ripërtërish në këtë kohë mbretërinë  e Izraelit?” Ai u përgjigj: “Nuk është puna juaj ta njihni kohën dhe momentin që Ati ia ka përcaktuar pushtetit të vet. Por ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbres në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në samari, madje dhe gjer në skajin e botës.” Dhe, kur i tha këto fjalë, ndër sy të tyre, u ngjit në qiell dhe një re menjëherë ua zuri para syve të tyre. Dhe, ndërsa ata me ngulm shikonin sesi ai ngjitej në qiell, ia bëhen dy njerëz të veshur me petka të bardha, zunë vend para tyre dhe u thanë: “ O burra galileas, përse rrini kështu duke shikuar kah qielli? Ky Jezusi,që prej jush u ngjit në qiell, do të kthehet pikërisht kështu, si e patë se shkoi në qiell! Fjala e Zotit

 

Psalmi 47 

Ref. Ngritet Zoti me këngë të hareshme.

—————————————

Duartrokitni, o popuj të gjithë

brohoritni Hyjit me zë gëzimi!

Sepse Hyji është i tejetlartë,

i tmerrshëm, Mbreti i madh mbi tokën mbarë.

—————————————

Ngritët Hyji me brohori

Zoti me zë trumbete

Këndoni Hyjit, këndoni,

këndoni mbretit tonë, këndoni!

—————————————

Sepse Hyji është mbreti i mbarë tokës:

këndoni këngë me mjeshtëri!

Hyji mbretëron mbi mbarë popujt,

Hyji rri mbi fronin e vet të shenjtë.

 —————————————

 

Leximi i dytë    Ef 1, 17-23

Krishti i fshihet shikimit tonë që ne të shohim nëpërmjet besimit gjërat siç janë realisht. Është e nevojshme të shihet jeta nëpërmjet Krishtit të ngjallur. Pa Të, jeta është me të vërtetë një zhgënjim; është e nevojshme të shihet njeriu nëpërmjet Krishtit: Ai lartëson natyrën njerëzore duke u bërë njeri dhe prezantohet si një model për ta imituar. Së fundi është e nevojshme të shihet Kisha nëpërmjet Krishtit: Ajo është Trupi i tij, Ajo u komunikon njerëzve përgjatë udhës së historisë jetën e Hyjit.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i Lavdisë, t’ju japë Shpirtin e dijes e të zbulesës për ta njohur Atë; t’ju japë syve të zemrës (tuaj) dritë, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që jep thirrja e tij, begatinë e pakufishme të trashëgimit të tij ndër shenjtër,  dhe madhërinë e pamasë të fuqisë së tij kundrejt nesh që besojmë, të matur sipas veprimtarisë së pushtetit dhe forcës së Tij, të cilën e tregoi me vepër në Krishtin duke e ngjallur nga të vdekurit dhe duke e vendosur në të djathtën e vet në qiell,  mbi çdo Principatë, Pushtet,  Fuqi, Zotërim dhe mbi çdo emër që mund të përmendet jo vetëm në këtë, por edhe në botën e ardhshme. Dhe çdo gjë vuri nën këmbët e tij e Atë e vendosi mbi çdo gjë ‑ për Krye të Kishës,  e cila është Trupi i tij,  plotësimi i Atij që plotëson gjithçka në të gjithë. Fjala e Zotit

 

Aleluja

Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt, thotë Zoti. Dhe, ja unë jam me ju gjithmonë – deri në të sosur të botës.

Aleluja

 

Ungjilli   Mt 28, 16-20

Jezusi i Nazaretit pas një jete persekutimesh dhe mundimesh shfaq lavdinë e tij të vërtetë: qielli e toka janë në duart e tij. Që tani e tutje misteri i këtij njeriu, që Izraeli nuk ka mundur ta njohë, i përket të gjitha kombeve. Jezusi u beson dishepujve këtë detyrë që ta dëshmojnë Atë dhe i ofron secilit prej nesh mundësinë për të jetuar praninë e tij gjithmonë të re

 

Lexim i Ungjillit të shenjtë sipas Mateu

Ndërkaq të njëmbëdhjetë nxënësit shkuan në Galile, në atë mal, ku u kishte urdhëruar Jezusi. Kur e panë, e adhuruan, por disa dyshuan. Jezusi u afrua e u tha: “Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Prandaj, shkoni e bëjini nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! Mësojini të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë ‑ deri në të sosur të botës!” Fjala e Zotit

 

POROSIA

Ç`do të thotë “Ngjitja e Zotit në qiell”? Ku paska shkuar Zoti? Ç`do të thotë: “Ai ka për të ardhur përsëri”? Prej atyre që shkojnë rregullisht në kishë dhe janë të rrënjosur në traditën e fesë mund të presim që ta dinë se për se bëhet fjalë. Te çdo meshë të dielave, por edhe në shumë raste të kremtesh shpallim duke thënë: “Besoj në Jezu Krishtin… Ai u ngjit në qiell, rri në të djathtën e Atit…” Shumica e dinë që para Rrëshajëve (Zbritjes së Shpirtit Shenjt mbi Apostuj) kremtohet Ngjitja e Zotit në qiell. Por çfarë do të thotë kjo? Thënë shkurt: Ngjitja e Jezusit në qiell do të thotë se Jezusi nuk është më në këtë botë ashtu si përpara, por ai jeton dhe është i pranishëm në jetën tonë. Ai nuk është larguar nga bota. Ai vetë ka thënë: “Unë jam me ju gjithmonë, deri në mbarim të botës.”

Jeta jonë është e përbërë nga përvoja e takimeve, përshëndetjeve, por edhe lamtumirave, ndarjeve. Kush nuk e ka përjetuar atë ndjenjën kur na është dashur t`i themi “mirupafshim” apo “lamtumirë” dikujt që e duam. Nga stacioni i autobusit apo ndonjë vendi tjetër të ndarjes, kur jemi kthyer në shtëpi, na ka kapluar një boshllëk i trishtuar, sepse ajo që e kishim pasur të përbashkët, sikur fillon të tretet… Dëshirojmë t`i mbajmë situatat e mëparshme të cilat i kishim të njohura. Nuk na pëlqejnë të panjohurat, gjendjet e reja që na duhet t`i mësojmë nga e para…

Me ndjenja të ngjashme iu desh të ballafaqoheshin edhe apostujt. Ngjitja e Jezusit në qiell është një ditë lamtumire. Nxënësit në fillim ndjen vetëm humbjen. E patën të vështirë ta përpijnë të Premten e madhe, pësimet dhe vdekjen e Jezusit. Nën barrën e zhgënjimit të madh Pjetri dhe dishepujt e tjerë iu kthyer profesionit të tyre të mëhershëm, peshkimit. Sa herë dishepujt e Emausit flasin me një ndjenjë rezignacioni për fundin mizor të Jezusit. Si është e mundur që përfundoi aq keq?!? – thoshin me vete – kurse ne shpresonim… U deshën disa takime me Krishtin e Ngjallur, për të kuptuar se Jezusi është ende i pranishëm, por jo siç kishte qenë para Ngjalljes.

Ngjitja e Jezusit në qiell na bën të qartë se Zoti i transformuar i shmanget shqisës së të prekurit dhe pikëshikimit tonë. Në paramendimet tona hapësinore ai lë një boshllëk, por kuptimi tij për nxënësit nuk zvogëlohet, por bëhet më i madh. Tek ta fillon të rritet një kuptim i ri, një hapje sysh nga Shpirti Shenjt.

Ngjitja e Zotërisë në qiell nuk është vetëm një ditë lamtumire, por një ditë pjekurie, një hap drejt pjekurisë, një pavarësie më të madhe. Jezusi inkurajon Apostujt, kur u thotë: “Shkoni te të gjithë njerëzit dhe bëni dishepuj të mi të gjitha popujt.”

Jezusi është “në qiell”, e megjithatë te ne. Si duhet kuptuar këtë? Me siguri jo që ai të jetë “gjysmë-gjysmë”, pakëz “atje lartë” dhe pakëz “këtu poshtë”. Ai nuk është një “endacak” midis dy botëve, siç iu duhet sot shumë vetëve shpesh herë të enden midis vendit ku banojnë dhe vendit të punës.

Ngjitja e Zotit në qiell mund të krahasohet me ndarjen e nevojshme nga prindërit, që na duhet ta bëjmë dhe ta përjetojmë për t`u bërë vetvetja, plot vetëbesim dhe vetë-respekt.

Çdo zhvillim bëhet përmes ndarjes dhe fillimit të ri: te lindja më parë na duhet prerë kërthizën për të lejuar një jetë të re, të pavarur. Diçka e ngjashme për të dytën herë ndodhë në pubertet, kur lihet shtëpia prindërore, në mënyrë që fëmija të piqet dhe të bëhet i rritur. Çmimi i identitetit dhe i forcës personale është që të përjetojmë shumë lamtumira!

Lumturia e fillimeve të reja mund të bllokohet në qoftë ngurrojmë dhe mbërthehemi vetëm në të kaluarën, në atë që ishte më parë.

“Dil, shko jashtë qytetit të vendlindjes sate”, kështu Abrahami e kishte marrë thirrjen e Hyjit. Kjo do të thotë: Ec përpara, dil nga mjedisi yt i zakonshëm, nga përcaktimi i vazhdueshëm i prindërve dhe normave farefisnore. Mos lejo të kufizohesh nga të menduarit e ngushtë dhe të qëndrosh i varur nga të tjerët, shoqëria. Nisu drejt një vendi të ri, të panjohur.

Kjo është një frazë mijëravjeçare nga Libri i Zanafillës (kapitulli 12), e cili është gjithmonë e re, ende vlen! Ndarjet dhe lamtumirat na çojnë për t’u takuar me jetën tonë personale.

E kremtja e Ngjitjes së Zotit në qiell na parashtron pyetje të tilla si: Ku anoj me frikë të sigurohem duke u ngjitur pas një gjëje? Kush apo çfarë më pengon në rrugën e zhvillimit tim?

Tendenca jonë për t`u mbajtur shtrëngueshëm për të kaluarën vepron fuqishëm. E pra, pa ngjitjen e Jezusit në qiell nxënësit kurrë nuk do të ishin të udhëhequr dhe të hedhur në “Shpirtin në ta.” Për shërimin dhe forcimin tonë “guru (mjeshtri) duhet të shkojë.”

Jezusi ndihmon të kapërcehet dhimbja e ndarjes, madje thekson: “Është mirë për ju, nëse unë shkoj. Sepse në qoftë se unë nuk shkoj, Ngushëlluesi (Shpirti i Shenjtë) nuk do të vijë te ju.” Në një mënyrë shpëtimtare, Jezusi tërhiqet nga nxënësit e vet. Ai thjesht i lë të “qëndrojnë”. Ata qëndrojë duket shikuar lart. Atyre do t`ju kumtohet nga engjëjt, se do të duhej të shikonin poshtë. Ata do të duhej të shkojnë poshtë, të zbresin nga mali, të kthehen në jetën e përditshme, dhe në të gjithë botën.

Krishti i ngushëlloi dishepujt e vet, duke thënë: “Është mirë për ju, që unë të shkoj” dhe “Unë jam me ju të gjitha ditët, deri në mbarim të botës.” Në një formë të re të transformuar ai mund t`i kapërcejë të gjitha kufijtë e kohës dhe hapësirës dhe të qëndrojë i afërt, në fakt të qëndrojë edhe më afër, për të vepruar në të gjithë besimtarët. Prindërit dhe edukatorët mund të jenë të lumtur në qoftë se përvojat dhe bindjet e tyre të vlefshme i përjetojnë edhe fëmijët, dhe ato të japin fryt, në mënyrë që edhe ata që janë më të rinj edhe vetë të bëhen bartës të dijes, besimit dhe jetës. Amen.

 

Lutjet e besimtarëve

M. O Zot, Ati ynë, ti e ke ngjallur Jezusin nga të vdekurit dhe kështu na ke rihapur qiellin. Ne po t`i drejtojmë lutjet tona:

O Zot, dëgjoje, lutjen tonë

L. Për të gjithë ata që dëshirat e flakta i lidhin për këtë tokë dhe u mbesin të paplotësuara: dhuroju shenja që i çojnë përtej kësaj bote,të lutemi.

L. Për të gjithë ata që mbyllen të frikësuar në botën e tyre të vogël: Hapu sytë për një shikim që sheh përtej të zakonshmes, përtej asaj me çka janë mësuar,të lutemi.

L. Për të gjithë ata që nuk arrijnë të kthjellohen në jetën e tyre: Jepu orientim dhe zemër për të bërë hapat e nevojshëm,të lutemi.

L. Për të gjithë ata që përhumben në iluzione dhe mashtrime: bëj që ta gjejnë atë kuptim të realitetit për të cilin kanë nevojë,të lutemi.

L. Për të gjithë ata që në këtë jetë nuk kanë shumë shpresa: dhuroju vëmendjen e njerëzve me të cilët jetojnë,të lutemi.

L. Për të gjithë ata që janë të zhgënjyer nga kisha jonë: bëj që të takojnë njerëz që u hapin pikëpamje të reja,të lutemi.

L. Për të gjithë të vdekurit: dhuroju jetën në plotësinë e lavdisë sate,të lutemi.

M. O Zot, Atë qiellor, dëgjoji këto lutje që t`i drejtuam. Ne po të lavdërojmë, sepse je i madh, por të falënderojmë se je edhe krejt afër nesh, tash e në shekuj të shekujve. Amen.

 

Pëgatiti: P. Shtjefën Dodes SJ

Shpëndaje: