E Diela e Rrëshajëve – viti A
Leximi i parë Vap 2, 1-11
Pashkët janë çlirimi i një populli; Rrëshajat i japin këtij populli realizimin konkret të kësaj lirie. Festa e krishterë e Rrëshajave është e treguar me të njëjtat fjalë që përshkruhet shfaqja e Hyjit mbi malin Sinaj. Por, shpallet një liri më e vlefshme dhe që zgjat: liria e Shpirtit që ka ngjallur Jezu Krishtin.
Lexim prej Veprave të Apostujve
Kur erdhi dita e Rrëshajëve, të gjithë ishin së bashku në të njëjtin vend. Dhe, ja, papritmas, u ndie një ushtimë nga qielli si shungullimë e erës së fortë dhe e mbushi të gjithë shtëpinë, ku ata ishin. Atyre atëherë ju dukën gjuhë, si të ishin zjarri. Këto u ndanë e zunë vend nga një mbi secilin prej tyre. Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme, ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste të shpreheshin. Dhe aso herë në Jerusalem banonin judenj, njerëz të përshpirtshëm, të ardhur prej të gjitha kombeve të botës. Dhe, kur u dëgjua ajo ushtimë, ngarendi një shumicë e madhe dhe mbetën të habitur, sepse secili i dëgjonte duke folur në gjuhën e vet. Të gjithë çuditeshin e u mrekullonin dhe thoshin: “Këta njerëz që po flasin, a thua vallë nuk janë të gjithë galileas? Po si atëherë secili prej nesh i dëgjon duke folur në gjuhën e vet amtare? Partë, medë, elamitë, banorë të Mesopotamisë, të Judesë, të Kapadokisë, të Pontit e të Azisë, të Frigjisë e të Pamfilisë, të Egjiptit, të krahinave të Libisë rreth Cirenës, njerëz të ardhur nga Roma, judenjt e proselitë, kretas e arabë – të gjithë ne po i dëgjojmë duke shpallur veprat e madhërueshme të Hyjit në gjuhët tona amtare.” Fjala e Zotit
Psalmi 104
Ref: Plot është toka me Shpirtin tënd, o Zot
———————————-
Bekoje, shpirti im, Zotin!
O Zot, Hyji im, sa i madh je!
Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua!
Plot është toka me krijesat e tua.
———————————-
Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen,
dhe kthehen në pluhur përsëri.
Po e dërgove frymën tënde,
përsëri përtërihen,
dhe e rinon fytyrën e dheut.
———————————-
E amshueshme qoftë lavdia e Zotit,
u gëzoftë Zoti në veprat e veta!
I pëlqeftë Zotit kënga ime,
kënaqjen time e kam vënë në Zotin!
———————————-
Leximi i dytë 1 Kor 12, 3-7.12-13
Shpirti Shenjt i dhuron çdokujt thirrje dhe dhurata të ndryshme, sipas personalitetit të secilit. Por lind problemi që të krishte-rët, të ndryshëm njëri nga tjetri mund të ndahen. Shpirti kërkon bashkimin që realizohet duke e kultivuar këtë bashkim dhe duke ruajtur për secilin personalitetin e vet.
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, askush që flet nën ndikimin e Shpirtit të Hyjit nuk thotë: “Qoftë mallkuar Jezusi!”, por edhe askush nuk mund të thotë as: “Jezusi është Zot!”, veçse nën veprimin e Shpirtit Shenjt. Dhuratat janë të ndryshme, por Shpirti Shenjt është i njëjtë – edhe shërbesat në përhapje të Ungjillit janë të ndryshme, por Zoti është i njëjtë – po edhe mënyrat e veprimit janë të ndryshme, por Hyji është i njëjtë – Ai bën gjithçka në të gjithë. Secili merr dhuratë të veçantë të zbulesës së Shpirtit Shenjt për të mirën e përbashkët. Dhe njëmend, sikurse një trup i vetëm ka shumë gjymtyrë e të gjitha gjymtyrët e trupit, edhe pse shumë, nuk trajtojnë por një trup të vetëm, ashtu edhe Krishti. Vërtet, në një të vetmin Shpirt Shenjt të gjithë jemi pagëzuar për të qenë një trup i vetëm, si hebrenjtë ashtu grekët, si robërit ashtu edhe të lirët, dhe të gjithë e kemi shuar etjen në të njëjtin Shpirt Shenjt. Fjala e Zotit.
NDJEKËSORJA
O Shpirt Shenjt, deh zbrit mbi ne,
e prej qiellit derdh mbi ne
rrezet tua plot me dritë.
Eja, o Atë, për nevojtarë,
eja, ti n’dhanti bujar,
eja, ti që mendjet shndrit.
Ti n’ngushtica ngush’llim bjen,
ti ndër zemra si mik vjen,
t’lodhunt n’jetë rishtas forcon.
N’mund e djersë ti je pushim,
n’vapë e luftë ti je freskim,
lot ti terë, zemrat ngushllon.
Dritë Hyjnore, plot shejtni,
shndritnai mendjet e n’dashuri
kalle flakë kënd n’ty shpreson.
Ku s’je ti, gjithçka dështon
n’natyrë t’njerit gjë s’qëndron
që t’jetë shenjte, si ti don.
Njollat hiq, dangat pastro,
n’shpritëra tanë hiret rigo,
varrët e mëkatit na i shero.
Çka ësht’ t’brishtë, këndshëm lako,
çka ësht’ t’ftohtë, me flakë rretho,
çka ësht’ t’shtrembët, ëmbël drejto.
Jepna ne që n’ty besojmë,
jepna ne që n’ty shresojmë,
shtatë dhantitë që aq dëshirojmë.
Mundin tonë ti na e shpërble,
n’mëkat me vdekë ti mos na le,
bën me ty n’amshim t’lumnojmë.
Aleluja
Eja, o Shpirt Shenjt, mbushi zemrat e besimtarëve të tu, dhe ndize në ta zjarrin e dashurisë sate.
Aleluja
Ungjilli Gjn 20, 19-23
Jezusi sapo është ngjallur dhe prezantohet menjëherë me një dhuratë për dishepujt që e kishin braktisur. Është dhurata e Shpirtit Shenjt. Është dhurata e ripërtëritjes, e pajtimit, e paqes. Duke dhuruar Shpirtin e tij, Krishti përsërit veprimin që Krijuesi bëri në Zanafillën dhe u jep apostujve fuqinë për të falur mëkatet.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në mbrëmje po të asaj dite – të parën ditë të javës – ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. Mandej u tha prapë: “Paqja me ju! Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.” Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen.” Fjala e Zotit.
POROSIA
Festa e Rrëshajave përmbyll pesëdhjetë ditët e Pashkëve e na zbulon lidhjen e ngushtë mes Jezusit të ngjallur, Shpirtit Shenjt dhe jetës së Kishës. Dhurata e Shpirtit rrjedh nga Pashkët, është dhuratë e Atit dhe e Birit dhe udhëheq Kishën në misionin e shpalljes së Ungjillit.
“Në mbrëmje po të asaj dite …”. Për Gjonin ngjallja dhe dhurata e Shpirtit janë një ngjarje e vetme, janë të vendosura në të njëjtën ditë.
“U tregoi duart dhe kraharorin”. I Ngjalluri tregon duart e plagën e kraharorit, nga ku kishte rrjedhur gjak dhe ujë, për të treguar burimin shpëtimprurës të vdekjes së tij.
“Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju”. Jezusi me ngjalljen e tij ofron dhuratën e paqes, i jep fillim kohës së shënuar nga gëzimi e u beson dishepujve detyrën e misionit: t’i japësh lavdi Atit duke bërë të njohur emrin e tij e duke zbuluar dashurinë e tij.
“Si foli kështu, hukati mbi ta”. Gjesti i hukatjes së Jezusit, përsërit atë të Krijuesit, kur hukati në njeriun frymën jetësore. Dhurata e Shpirtit dhurohet në qëllim të misionit të dishepujve e ndodh në të njëjtën ditë të Pashkëve: kështu Jezusi pagëzon në Shpir-tin Shenjt.
“Atyre që jua falni mëkatet …” Dhurata e mëshirës, është e lidhur ngushtë me dhuratën e Shpirtit. Falë fitores së Krishtit shpëtimi h
yjnor ka fituar mbi mëkatin dhe arrin çdo person, nëpërmjet ministerit të dishepujve. Shpëtim për atë që beson e pranon dhuratën e Jezusit, dënim për atë që nuk hapet ndaj Tij me besim.
Lutja e Besimtarëve
M. Ashtu si apostujt të bashkuar në Çenakull, ta lëmë mënjanë frikën tonë dhe t’ia drejtojmë Hyjit lutjen tonë:
L. Të themi së bashku: Dërgoje Shpirtin tënd, o Zot.
L. Për Kishën, bashkësinë e dishepujve, që e udhëhequr nga Shpirti Shenjt, t’i shpallë të gjithë botës Ungjillin e Zotit Jezus. Të lutemi.
L. Për qeveritarët, që të hapur ndaj veprimeve të Shpirtit Shenjt, të forcojnë solidaritetin mes popujve dhe të ndihmojnë për të mirën e përbashkët. Të lutemi.
L. Për njerëzit e vetmuar dhe të shkurajuar, që Ngushëlluesi t’i bëjë ata të ndjejnë dashurinë e Hyjit Atë për ta. Të lutemi.
L. Për adoleshentët që në sakramentin e Krezmimit do të marrin dhuratën e Shpirtit Shenjt: që prindërit, katekistët dhe famullitarët t’i ndihmojnë në këtë zgjedhje jete. Të lutemi.
L. Për bashkësinë tonë famullitare, që Shpirti Shenjt të ripërtërijë mes anëtarëve të saj dhuratën e besimit, të shpresës dhe të bamirësisë. Të lutemi.
M. Dritë, Zjarr, Erë tronditëse, fryj me bollëk mbi ne, na bëj dëshmitarët e tu, që të mund të shpallim fytyrën e shndritshme të Hyjit, që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.
(ecclesia.al)