E diela e Trinisë së Shenjtë – viti A
Leximi i parë Dal 34, 4-6.8-9
Moisiu ngjitet drejt malit të Zotit për të gjetur një fjalë të sigurtë se do të ruajë bashkimin në popull e do t’i japë paqe zemrës së tij. Ngjitet drejt Hyjit me dy rrasa guri, që Hyji të shkruante Fjalën e tij, por Hyji që takon nuk kënaqet thjesht me vënien në praktikë të Ligjit: Hyji shfaqet si një Hyj plot me mëshirë dhe dashuri.
Lexim prej Librit të Daljes
Në atë kohë, Moisiu i latoi dy rrasa si të parat; u çua herët në mëngjes e u ngjit në malin Sinaj me dy rrasat në dorë sikurse i kishte urdhëruar Zoti. Atëherë Zoti zbriti në re. Moisiu u ndal aty, ngjat tij dhe e thirri emrin e Zotit. Zoti kaloi përpara tij e shpalli: “Jahuè, Zoti, Hyji i mëshirshëm e i butë, i durueshëm e shumë i mëshirshëm dhe i vërtetë.” Moisiu ra vrik me fytyrë për dhe, adhuroi e tha: “O Zot, nëse kam gjetur hir para syve të tu, po të lutem, udhëto me ne. Njëmend, është një popull zverkngurtë, por ti na i fal fajet ona e mëkatet e na prano për pronën tënde.” Fjala e Zotit.
Psalmi Dan 3, 52-56
Ref: Ty, o Zot, të qoftë lavdi e nder në shekuj
——————————
I bekuar je, o Zot,
Hyji i etërve tanë.
I bekuar emri i shenjtë
i lavdisë sate.
——————————
I bekuar je në Tempullin
e lavdisë sate të shenjtë.
I bekuar je në fronin
e mbretërisë sate.
——————————
I bekuar je, ti që shqyrton
humnerat e që rri mbi kerubinë.
I bekuar je në kupën qiellore.
——————————
Leximi i dytë 2 Kor 13, 11-13
Ja, cila duhet të jetë klima e bashkësisë liturgjike: gëzim, vëllazërim, ndihmë e ndërsjelltë në bashkim me tre vetat hyjnore. Nëse ndërtojmë këtë klimë në kremtimet tona eukaristike do të zbulojmë bukurinë e puthjes së të krishterëve të parë që shprehte gëzimin e të qëndruarit së bashku.
Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Më në fund, o vëllezër, gëzohuni! Mos pushoni të përmirësoheni! Ngushëllohuni dhe jini në përkim njëri me tjetrin! Jetoni në paqe, e Hyji, prej të cilit buron dashuria e paqja, do të jetë me ju. Përshëndetni njëri-tjetrin me puthje të shenjtë! Ju bëjnë të fala të gjithë shenjtërit. Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Hyjit Atë, dhe bashkësia me Shpirtin Shenjt, qoftë me ju të gjithë. Fjala e Zotit.
Aleluja
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt: Hyjit që është, që ishte dhe që po vjen.
Aleluja
Ungjilli Gjn 3, 16-18
Nikodemi, ashtu si të gjithë hebrenjtë priste Mesinë, njeriun e fortë që do të bënte drejtësi dhe do të gjykonte botën me fuqi. Por, Jezusi i paraqitet atij si Mesia që pranon të jetë i gjykuar, më parë se të gjykojë. Ai erdhi nga qielli të shpëtojë dhe jo të dënojë. Gjykimi i vërtetë nuk vjen nga jashtë, por nga marrëdhënia personale që secili ka me të vërtetën e Hyjit.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në atë kohë Jezusi i tha Nikodemit: “Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën, sa që e dha një të vetmin Birin e vet, kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por ta ketë jetën e pasosur. Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të. Kush beson në të nuk dënohet, ndërsa kush nuk beson, ai është dënuar që tani, pse nuk besoi në Emrin e Njëlindurit, Birit të Hyjit.” Fjala e Zotit.
POROSIA
Shpesh e imagjinojmë Hyjin si një “Hyj” të largët, abstrakt, të ngjashëm me një sistem idesh: sidomos kur flasim për Trininë e Shenjtë. Por, jeta e Hyjit është bashkim, dashuri që dhurohet e që na thërret të hyjmë në jetën e tij imtime. Hyji është festë, familje, bashkim, marrëdhënie, dhuratë.
Hyji është tre Veta, që duhen aq shumë sa që ne shohim vetëm një Hyj, tre Veta që nuk mund të ngatërrohen, që nuk përjashtojnë njëri – tjetrin, por secili vepron në bashkim me dy të tjerët. I vetëm, njeriu nuk do të mund të kuptonte thellësinë e misterit të Hyjit, nëse Biri i Hyjit nuk do të ishte bërë njeri. Krishti na ka zbuluar fytyrën dhe jetën e Hyjit. Në plotësinë e dashurisë së tij “Hyji aq shumë e deshi botën sa dha Birin e Tij të vetëm”, për të shpëtuar mbarë gjithësinë.
Pikërisht ndërsa ishim mëkatarë, Ati ka dërguar Birin e vet për të na ofruar jetën e re në Shpirtin, lirisht dhe për dashuri. Krishti nuk na detyron ta pranojmë, i dorëzohet vendimit tonë. Por nëse hapemi ndaj dashurisë së tij, Krishti shfaqet si ai që na mbush me paqe, lumturi e i jep kuptim jetës sonë; ai na dhuron Shpirtin, që banon në ne e na bën të ngjashëm me Zotin Jezus.
Jeta e re, që na dhurohet, do të shfaqet në të gjithë lavdinë e tij përtej vdekjes. Fillon këtu, dhe është “jeta e amshuar”. Hyji i dashurisë derdh mbi njerëzimin hirin e tij në Krishtin dhe i fton njerëzit në bashkim me Të në Shpirtin Shenjt. Pagëzimi në fakt na ka bërë banesë të Trinisë së Shenjtë.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër e motra, në sakramentin e Pagëzimit kemi marrë një shpirt bijësor; për këtë t’i drejtohemi me besim Hyjit Atë që ka dërguar Jezu Krishtin si Shpëtimtarin e botës. Hyjit Atë, që është dashuri dhe bashkim, t’ia drejtojmë lutjen tonë:
Na dëgjo, o Zot!
L. Për Kishën, që t’i shfaqë botës mbarë realitetin e saj si popull i Hyjit, i thirrur nga dashuria e Atit, nëpërmjet Krishtit, në bashkim me një Shpirt të vetëm. Të lutemi.
L. Për të gjithë popujt e tokës, që të ndriçuar nga dituria e Shpirtit të rinjohin në Jezu Krishtin të dërguarin e Atit, dhe të jenë të mbledhur në të vetmen Kishë. Të lutemi.
L. Për të gjithë njerëzit të vrarë shpirtërisht dhe të tronditur nga dhuna e natyrës dhe nga konfliktet e luftës, që nëpërmjet veprimit të Shpirtit Shenjt të ndihen bij të të vetmit Atë dhe vëllezër në Krishtin. Të lutemi.
L. Për bashkësinë tonë, që të ndjejë nevojën të marrë pjesë në tryezën e Zotit dhe të zbulojë që e Diela është dita për të lavdëruar Hyjin dhe për t’i shërbyer të afërmit. Të lutemi.
M. Shikoje, o Atë, fytyrën e Birit tënd, dhe pranoje lutjen e kësaj familjeje, që e përforcuar nga dhurata e Shpirtit Shenjt, të bëhet shenjë e fryt i parë i njerëzimit, pjesmarrëse e misterit të dashurisë së Trinisë së Shenjtë. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.
(ecclesia.al)