Kush e ha këtë Bukë dhe pi nga ky Kelk do të jetojë në amshim!

Festa e Korpit dhe Gjakut të Krishtit – viti A

 

Leximi i parë   Lp 8, 2-3.14-16

Populli hebre është në krizë të plotë, kërkon identitetin e tij. Autori i shenjtë i kujton këtij populli që duhet të gjejë identitetin e tij në përvojat e kaluara.  Dashuria e Hyjit e eksperimentuar në të kaluarën, është një garanci për të tashmen dhe të ardhmen, edhe nëse sot ekziston vetëm vuajtje dhe dhimbje. Hyji është gjithmonë i pranishëm, sepse është i amshuar dhe besnik.

 

Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë

Moisiu iu drejtua popullit me fjalë: “Të bjerë në mend udhëtimi që Zoti, Hyji yt, ka bërë ta kalosh për këta dyzet vjet nëpër shkretëtirë, me qëllim që të përulte, të sprovonte e të shihte çka ndryhet në zemrën tënde: a do t’i mbash urdhërimet e tija apo jo. Të mundoi me uri, por mandej të ushqeu me manë, që s’e njihje ti as etërit e tu. Kishte për qëllim ta vërtetonte se për të jetuar njeriut nuk i del mjaft buka, por i lypet edhe secila fjalë që del prej gojes së Zotit. Mos e harro Zotin, Hyjin tënd, që të ka nxjerrë nga toka e Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë; që të ka prirë nëpër atë shkretëtirë të madhe e të tmerrshme, tokë gjarpërinjsh të helmuar e gallomash, vend të thatë e pa ujë; por qe Ai që për ty nxori përrenj uji të gjallë prej qetës graniti e të ushqeu në shkretëtirë me manë, që s’e kishin njohur etërit e tu, e, pasi të përuli dhe të sprovoi, në fund pati dhimbje për ty dhe të bëri të lumtur.” Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi  147

 

Ref: Qoftë bekuar Zoti, lavdia e popullit të vet

————————————-

Lavdëroje, Jerusalem, Zotin, 

madhëroje, o Sion, Hyjin tënd!

Sepse i forcoi shulat e dyerve të tua,

i bekoi bijtë e tu në ty!

————————————

Ai ua siguron kufijve të tu paqen,

ai të ushqen me palcën e grurit.

Ai e dërgon fjalën e vet mbi tokë,

lajmi i tij vrapon me shpejtësi.

————————————

Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit,

drejtësitë e gjyqet e veta Izraelit.

Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër:

asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta.

————————————

 

Leximi i dytë    1 Kor 10, 16-17

Shën Pali, duke u shkruar të krishterëve të Korintit nxjerr në dritë misterin e Eukaristisë: nuk është një rit i thjeshtë, por është një bashkim me trupin e Krishtit dhe është një shenjë bashkimi dhe miqësie mes njerëzve.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, gota e bekimit, të cilën ne e bekojmë, a nuk është bashkim me Gjakun e Krishtit? Po edhe buka të cilën ne e ndajmë, a nuk është bashkim me Trupin e Krishtit? Pasi është një bukë e vetme, ne, edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm: sepse të gjithë jemi pjesëtarë të një buke. Fjala e Zotit.

 

Aleluja

Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush e ha këtë bukë, do të jetojë për amshim.

Aleluja

 

 

Ungjilli   Gjn 6, 51-58

Në sinagogën e Kafarnaunit, Jezusi pohon se trupi i tij është ushqimi i vërtetë, gjaku i tij pija e vërtetë.  Kush e ha do të ketë jetën e amshuar. Është Jezusi buka e gjallë, ushqimi i pavdekshëm. Eukaristia është misteri i dashurisë së Hyjit që i dhurohet njerëzimit. Ata që hanë bukën e jetës pa fallsitet dhe jo për zakon provojnë gjithë plotësinë e jetës së krishterë, në pritje për të parashijuar gëzimin e pafund të amshimit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është korpi im, për jetën e botës.”  Atëherë judenjtë filluan të grinden me shoqi-shoqin e thoshin: “Si mundet ky të na japë korpin e vet për ushqim?”  Prandaj Jezusi u tha: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse nuk e hani korpin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete! Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ka jetën e pasosur. Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit. Sepse korpi im është ushqim i vërtetë, e gjaku im është pije e vërtetë. Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ai mbetet në mua dhe unë në të. Sikurse mua më dërgoi Ati i gjallë dhe unë jetoj për Atin, po ashtu edhe ai që ha mua do të jetojë për mua. Kjo është buka që zbriti prej qiellit, jo porsi ajo që hëngrën etërit e vdiqën: kush ushqehet me këtë bukë do të jetojë në amshim.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Çdo qenie e gjallë, duke ngrënë, ushqehet. Njeriu ushqen shpirtin e tij duke asimiluar vlerat. Besimtari në Krishtin ushqehet duke ngrënë mishin e Birit të Hyjit.

“Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit”. Jezusi dishepujve të tij u paraqet vetveten si Fjala e Hyjit të Mishëruar, për ta ngrënë dhe për t’ua dhuruar njerëzve, pasi ka qenë asimiluar.

“Si mundet ky të na japë korpin e vet për ushqim?” Judenjtë janë habitur, por marrëdhënia me Hyjin tashmë realizohet me marrëdhënien personale me Jezusin, buka e gjallë. Nëse Jezusi është “buka e gjallë”, takimi me Hyjin mund të konkretizohet në “të ngrënët e kësaj buke”.

“Nëse nuk e hani korpin e Birit të njeriut e nuk e pini gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete!”. Eukaristia është një marrëdhënie tërësore dashurie me Hyjin. Jezusi është njeriu që jeton nga jeta e Atit, është njeriu në të cilin Hyji u bë mishi. Dishepujve të tij Jezusi u kërkon të pranojnë jetën e Hyjit që ai do të dhurojë. Hyji komunikon jetën e tij në një marrëdhënie që përfshin gjithë personin, trup dhe shpirt.

Kush ushqehet me korpin tim dhe pi gjakun tim ai mbetet në mua dhe unë në të”. Përvoja e Hyjit, që na dhurohet tërësisht, e bën jetën tonë rrezatim të hirit, duke u komunikuar njerëzve jetën e marrë nga Hyji. Misteri i besimit, që ne jetojmë në Eukaristinë, na bën të hyjmë në bashkim me Mishin dhe Gjakun e Krishtit, Birin e Hyjit,e të para-shijojmë bukurinë e një Dashurie pafund.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, kemi dëgjuar mësimin e Jezusit rreth Eukaristisë, buka e jetës së amshuar dhe e bashkimit. T’i kërkojmë Zotit Jezus që të na japë gjithmonë bukën e gjallë të zbritur prej qiellit.

L. Plot me mirësi, të themi së bashku: Na dëgjo, o Zot.

L. O Zot Jezus, bëj që i gjithë populli i Hyjit të ulet me besim dhe me gëzim në “tryezën” tënde, atë të Fjalës dhe të Bukës së jetës. Të lutemi.

L. O Zot Jezus, jepu besimtarëve të tu, në kujtim të së Enjtes së madhe, kuptimin e tryezës. Marrëdhënia e bashkimit mes Teje dhe besimtarëve të tu mbështettë gjithmonë ekzistencën tonë. Të lutemi.

L. O Zot Jezus, çdo meshë është “përkujtim”, kujtim i gjallë i Pashkëve të vdekjes dhe të ngjalljes. Flija e Krishtit Shpëtimtar ndriçoftë jetën tonë. Të lutemi.

L. O Zot Jezus, ti je buka e gjallë e zbritur prej qiellit, shenjë dhe burim bashkimi. Eukaristia rrittë në bashkësitë e krishtera aftësinë e mirëpritjes dhe të shërbimit të anasjelltë. Të lutemi.

L. O Hyj, dëgjoji lutjet tona në këtë ditë të kushtuar Ty e me ndërmjetësinë e mistereve të shenjta jepi Kishës së shpërndarë mbi mbarë tokën gëzimin për t’u ndjerë një trup i vetëm në Krishtin. Ai jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: