Shikimi plotë dhembshuri i Jezusit

E diela XI gjatë vitit – viti A

 

 

Leximi i parë   Dal 19, 2-6

Me çlirimin nga skllavëria e Egjiptit, populli ka provuar që Hyji është krijues dhe Atë. Tani nëpërmjet Moisiut, Hyji zbulon që dëshiron të bëjë një besëlidhje me popullin e vet. Besëlidhja është kjo: Hyji kujton dhuratën e shpëtimit, kërkon angazhimin e njeriut dhe në fund i bën një premtim.

 

Lexim prej Librit të Daljes

Në ato ditë, populli i Izraelit arriti në shkretëtirë të Sinait, aty ngulën tëbanishtën kundruall malit. Moisiu u ngjit te Hyji. Zoti e thirri prej malit e i tha: “Thuaj kështu shtëpisë së Jakobit e kumtoj izraelitët: Ju vetë patë se çka u bëra egjiptianëve. Sesi juve ju kam bartur mbi krahët e shqiponjave e ju kam sjellë deri tek unë. Prandaj, nëse do të ma dëgjoni fjalën e do ta mbani besëlidhjen time, ju do të jeni ndër të gjithë popujt prona ime, – e imja është mbarë toka. Ju do të jeni për mua një mbretëri priftërinjsh, e një popull i shenjtë. Këto janë fjalët që do t’ua thuash bijve të Izraelit.” Fjala e Zotit.

 

 

 

Psalmi 100

 

Ref: Ne jemi populli i tij  dhe delet e kullotës së tij

————————————

Toka mbarë le t’i brohoritë Zotit,

shërbeni Zotit me hare,

dilni para tij me brohoritje!

————————————

Dijeni mirë se vetëm Zoti është Hyj:

Ai na krijoi e atij i përkasim:

jemi populli i tij dhe delet e kullotës së tij.

————————————

Sepse i mirë është Zoti,

e amshuar dashuria e tij,

nga breznia në brezni besnikëria e tij.

————————————

 

Leximi i dytë    Rom 5, 6-11

Dashuria dëshmohet nëpërmjet provës së fakteve. Dashuria e Hyjit për ne është e themeluar mbi një fakt të sigurtë: Krishti ka vdekur për ne mëkatarët. Një fakt që nuk gjen ngjashmëri me sjelljen e dashurisë njerëzore. Besimi ynë në Hyjin nuk mund të ketë një themel më të fortë e më të sigurt.

 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, ndërkohë, kur ne ishim të pafuqi, Krishti, në kohën e duhur, vdiq për bakëqijtë. E pra, vështirë do të pranonte kush të vdesë për njeri të drejtë, ndoshta për ndonjë njeri të mirë ndokush edhe do të merrte guxim të vdesë. Por Hyji e dëftoi dashurinë e vet kundrejt neve kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne. E mbasi tani ne jemi të shfajësuar me anë të gjakut të tij, është më se e sigurt se ai do të na shpëtojë nga dënimi. Pra, në qoftë se u pajtuam me Hyjin në saje të vdekjes së Birit të tij, kur ende ishim armiqtë e tij, sa me më shumë arsye, njëherë të pajtuar, do të shëlbohemi me anë të jetës së tij! Dhe jo vetëm kaq! Ne e vëmë mburrjen tonë në Hyjin në saje të Jezu Krishtit, Zotit tonë, me anë të cilit tani fituam pajtimin. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja

Është afër Mbretëria e qiellit: kthehuni e besoni Ungjillit.

Aleluja

 

 

Ungjilli   Mt 9, 36 – 10, 8

Misioni i Jezusit është ai që të udhëheqë dhe të shërojë njerëzimin. Ai u komunikon dishepujve detyrën që të vazhdojnë misionin e tij. Misioni i apostujve është një dhuratë që Krishti dhe Ati i bëjnë Kishës për tu komunikuar të gjithë njerëzve shpëtimin e Hyjit. Apostujt i janë dërguar njerëzimit për të mundur të keqen, për të shëruar sëmundjet dhe për të dhënë jetën.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, kur Jezusi e pa turmën e popullit, ndjeu dhembshuri për të, sepse ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pasdore si delet pa bari. Atëherë u tha nxënësve të vet: “Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak. Lutuni, pra, Zotërisë të të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta.” Pastaj Jezusi i mblodhi rreth vetes dymbëdhjetë nxënësit e vet e u dha pushtetin të mund t’i dëbojnë shpirtrat e ndytë dhe të mund të shërojnë çdo sëmundje e lëngatë. Emrat e dymbëdhjetë apostujve janë këta: i pari Simoni, që quhet Pjetër e vëllai i tij Andreu; Jakobi i Zebedeut dhe Gjoni, i vëllai; Filipi dhe Bartolomeu; Toma e Mateu, tagramble-dhësi; Jakobi i Alfeut dhe Tadeu; Simon Kananeu dhe Judë Iskarioti, ai që e tradhtoi. Shi këta të dymbëdhjetët Jezusi i dërgoi dhe u urdhëroi: “Mos shkoni ndër paganë as mos hyni në asnjë qytet të samaritanëve! Por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit. Gjatë udhëtimit predikoni: ‘Mbretëria e qiellit është ngjat!’ Shëroni të sëmurët, ngjallni të vdekurit, pastroni të gërbulurit, dëboni djajtë! Falas morët, falas edhe jepni!” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Zoti i shikon me dhembshuri besimtarët e tij: dje duke i çliruar nga skllavëria e Egjiptit, sot duke i çliruar nga skllavëria e ideologjive që shkatërrojnë njeriun.

“Jezusi e pa turmën e popullit, ndjeu dhembshuri për të, sepse ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pas dore”. “Ndjeu dhembshuri” është një folje që kujton “barkun e nënës”, dhe për këtë arsye një butësi e thellë. Në sytë e mëshirshëm të Jezusit shkëlqen butësia e pafund e Atit të mëshirshëm. “Atëherë u tha nxënësve të vet”: ai formon grupin e dishepujve dhe i dërgon ata në mision. Jezusi nuk dëshiron të punojë vetëm, por i përfshin dishepujt, i shoqëron ata me veten e tij në veprimtarinë e tij për të çliruar njerëzit nga të gjitha format e së keqes. Ai nuk dërgon të parët që takon, por ata që kanë jetuar me të për disa kohë: “të dymbëdhjetët e tij dishepujt … dymbëdhjetë apostujt”. Ne nuk mund të jemi “apostull”, të dërguar, nëse nuk jemi “dishepull”, domethënë të lidhur me Jezusin nga një marrëdhënie personale brenda komunitetit të vëllezërve. “Të korrat janë të shumtë, por punëtorët janë pak!”. Jezusi e njeh shpërpjesëtimin e thellë midis pafundësisë së fushës së punës apostolike dhe mungesës së punëtorëve ungjillorë. Fusha është e Zotit, puna është e tij dhe vetëm Ai mund të thërrasë dhe dërgojë punëtorët. Për ketë Jezusi fton dishepujt: “lutuni Zotit”. Në lutje mësojmë të ndajmë të njëjtin “pasion” të tij të dashurisë për të gjithë njerëzit.

 

 

Lutja e Besimtarëve

 M. Vëllezër e motra, të lutemi që Shpirti Shenjt të krijojë dishepuj të shumtë që mbjellin kudo mesazhin ungjillor.

L. Të lutemi së bashku e të themi: Ardhtë mbretëria jote, o Zot.

L. Për Papën, Ipeshkvinjtë, meshtarët dhe xhakonët: që secili të realizojë emrin e tij si bir i Hyjit duke u dëshmuar vëllezërve dashurinë e Atit. Të lutemi.

L. Për popullin e Hyjit: që të ketë vetëdijen për të qenë nëpërmjet Pagëzimit një “bashkësi meshtarësh”, kushtuar Hyjit dhe të mirave ndaj vëllezërve. Të lutemi.

L. Për personat që janë në kërkim: që të gjejnë bashkësi dhe persona koherentë, që t’i ndihmojnë në zgjedhjet e tyre për tu hapur ndaj misterit të Krishtit. Të lutemi.

L. Për bashkësitë tona: që, duke provuar gëzimin e faljes, të mund të shpallin mrekullitë e dashurisë së Hyjit Atë. Të lutemi.

M. Atë i mëshirës, për dashurinë e Birit tënd të zgjedhur, ardhur në botë për të kërkuar dhe shpëtuar atë që kishte humbur, dëgjoji lutjet tona: jepi atij që të kërkon gëzimin për të të takuar, atij që të ka tradhtuar hirin e faljes, atij që të është besnik të rritet në dituri ungjillore. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: