“TË GJITHË JEMI VËLLEZËR” – Enciklika e re e paralajmëruar e papa Françeskut

Sep 9 • Opinion, Res socialis

Nga Don Mikel Sopi

 

Të bashkuar për të tejkaluar kohën-sprovën që po vjen

Paralajmërohet enciklika e papa Françeskut me titull: “Te gjithë jemi vëllezër”, dokument ky që vjen shtatë vjet pas enciklikës së tij të parë, Lumen Fidei (hartimi i së cilës filloi nga Papa Benedikti XVI) dhe pesë vjet pas ‘Laudato si’. Kjo enciklikë e re paraqet edhe një ftesë të papa Françeskut për të reflektuar mbi nevojën e kapërcimit të të gjitha ndarjeve mes njerëzve, kombeve, shteteve apo religjioneve. Papa do të shkojë privatisht në Assisi (Asizi) më 3 tetor për të nënshkruar enciklikën e tij të re. Me këtë rast Ati Shenjtë do të kremtojë meshën privatisht tek varri i shën Françeskut dhe në fund ai do të nënshkruajë enciklikën. Kështu zyrtarisht njoftoi Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë me një deklaratë nga drejtori i saj, Matteo Bruni.

Nuk është hera e parë që Papa nënshkruan një dokument magjistral larg Vatikanit dhe Romës. Gjatë vizitës së tij në Loreto në mars të vitit të kaluar, papa Françesku nënshkroi Eksortacionin (dokumentin) apostolik post-sinodal, Christus vivit. Ndërsa kjo vizitë e Françeskut në Assisi do të jetë udhëtimi i parë i tij jashtë Romës që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit. Udhëtimi i fundit papnor daton në shkurt të vitit 2020 në Bari.

Të gjithë së bashku duhet të jemi të gatshëm për atë që vjen më pas. Ndonëse ajo kohë dhe situatë ende nuk ka ardhur, në forma të ndryshme janë duke u shfaqur shenjat e para të rrethanave të reja me të cilat do të ballafaqohet njerëzimi. Papa Françesku është shprehur se pas kësaj pandemie, njerëzit do t’i kenë vetëm dy rrugë: të jenë më të mirë ose të bëhen edhe më të këqij.

Kjo enciklikë e papa Françeskut, do t’i kushtohet vëllazërimit dhe miqësisë shoqërore. Vizita e tij në Assisi bëhet pa pjesëmarrjen e besimtarëve për shkak të pandemisë së koronavirusit. Me këtë rast Ati Shenjtë do të kremtojë meshën nga ora 15 pranë varrit të shën Françeskut, njoftoi drejtori i zyrës për media të Bazilikës së shën Françeskut Enzo Fortunato. Ndërkaq, kujdestari i Kuvendit të Shenjtë, At Mauro Gambetti, thotë se vizita e Papës është një fazë e rëndësishme që tregon rëndësinë dhe nevojën e vëllazërimit mes njerëzve, kulturave dhe besimeve.

Rruzullin tokësor është duke e ndjekur një pandemi që vë në provë kaq shumë kombe dhe po na bën të ndjehemi si vëllezër ne dhimbje, por njëherit duhet të ndiejmë nevojën vëllazërore për të dashuruar. Ne nuk do të shpëtohemi nëse nuk jemi së bashku.

Për aq sa tani dihet, enciklika Të gjithë jemi vëllezër, i fton të gjithë njerëzit vullnetmirë që të gjithë së bashku të jemi të gatshëm për atë që po vjen. Për promovimin e këtij dokumenti dhe apeli të Papës, Assisi u zgjodh jo rastësisht. Gjon Pali II, Assisin e vizitoi gjashtë herë, Benedikti XVI dy herë, ndërsa për papa Bergoglio kjo do të jetë vizita e katërt e tij kësaj qendre të madhe shpirtërore. Assisi tashmë paraqet altar dhe katedrale te takimeve ndërfetare-vëllazërore dhe qendër të madhe për promovimin e paqes dhe të vëllazërisë.

 

Parametrat e vëllazërimit ndërnjerëzor dhe karizma e papa Françeskut

Kjo kohë postmoderne e ditëve tona në forma të ndryshme po na afron, por njerëzimi ka nevojë mbi të gjitha për vëllazërim. Vëllazërinë mes njerëzve dhe kulturave, shteteve dhe kombeve, Françesku e percepton si bazë dhe rrugë të paqes, duke rikujtuar se vëllazëria nuk paraqet vetëm nevojë për kohën tonë, por është edhe porosi e vetë Hyjit. Madje këtë vëllazëri, ai e aktualizon edhe më tej dhe e përforcon me disa referime biblike si thirrje të vetë Zotit për këtë ideal. Po e hedhim një shikim të shkurtë mbi disa elemente bazë që e karakterizojnë konceptimin biblik/krishterë të vëllazërisë:

 

Zan 4,9: Ku është vëllai yt?

Të gjithë njerëzit vijnë nga Hyji, nga Adami dhe Eva (Zan 1,26). Ndërsa nga tregimi mbi raportet e ndërsjella mes dy djemve të Adamit dhe Evës, gjegjësisht të Kainit dhe Abelit, papa Bergoglio nxjerr mesazhin për raporte ndërnjerëzore, si për jetën familjare ashtu edhe për atë shoqërore dhe gjithënjerëzore. Ne duhet të pyesim veten për shkaqet e thella që e çuan Kainin të injorojë lidhjen vëllazërore dhe, në të njëjtën kohë, lidhjen e solidaritetit me vëllain e tij Abelin.

Hyji vetë e denoncon dhe e akuzon Kainin që ia la veten ndikimit të së keqes, “mëkatin e ke si kafshën e egër në pritë te dera…”(Zan 4,7) që me fjalë tjera do të thotë se me mospërfillje të planit të Zotit, pengohet thirrja e Hyjit për të qenë një fëmijë i tij si dhe pamundëson/shpërfillë jetesën në vëllazëri. Historia e Kainit dhe Abelit na mëson se njerëzimi mbart thirrjen ekzistenciale për vëllazëri, por njëherit edhe mundësinë dramatike të lëshimit apo të lëkundjes nga kjo thirrje. Këtë e konfirmojnë veprimet e përditshme të egoizmit, i cili, në sfond, sjell me vete shumë luftëra dhe padrejtësi…

 

 Mt 23,8: Të gjithë ju mes jush jeni vëllezër

Pyetja lind pothuaj vetvetiu: A munden ndonjëherë burrat dhe gratë e kësaj bote ta mposhtin krejtësisht indiferentizmin, egoizmin dhe urrejtjen, a mund të pranojnë dallimet legjitime që i karakterizojnë vëllezërit dhe motrat? Të gjithë njerëzit janë të dashur nga Hyji, ata janë të blerë të gjithë me gjakun e Krishtiti cili vdiq në kryq dhe u ringjall për secilin prej nesh (khs. Ef 2,14-16).

Kjo është arsyeja – vlerëson Françesku – pse askush nuk mund të mbetet indiferent ndaj fatit të vëllezërve. Në fund, kjo dashuri e Zotit ndaj njeriut bëhet origjina e re e të gjithë neve, ne jemi të thirrur të njihemi reciprokisht si vëllezër dhe motra, sepse ne jemi bijë të të njëjtit Prind – Hyjit.

 

Vëllazëria si themel dhe rrugë për paqe

Nga ajo që u tha sipër, kuptohet lehtë se vëllazërimi i njerëzve si persona por edhe si popuj mes tyre, është themel dhe rrugë për paqe. Enciklikat e mëhershme ofrojnë të dhëna të vlefshme në këtë drejtim, siç janë posaçërisht: Populorum Progressio, e Palit VI ose Sollicitudo rei Socialis, e Gjon Palit II, Caritas in veritate e Benediktit XVI, etj. Paqja është një e mirë madhore që iu takon të gjithëve.

 

Vëllazëria përbën parakushtin për çrrënjosjen e varfërisë

Mungesa e vëllazërisë mes njerëzve dhe popujve është një nga shkaktarët e rëndësishëm të skamjes dhe varfërisë në botë. Nga njëra anë ne shohim rënien e varfërisë absolute, nga ana tjetër të dhënat flasin për rritje serioze të varfërisë relative. Shkak i kësaj rritjeje është pabarazia ndërmjet personave dhe grupeve që jetojnë së bashku në një zonë të caktuar ose në një kontekst të veçantë historik dhe kulturor. Në këtë kuptim, shtrohet nevoja për politika efektive që promovojnë parimin e vëllazërisë duke i bërë njerëzit të ndjehen të barabartë në dinjitet dhe në të drejta themelore.

Njëra nga mënyrat më të rëndësishme për të nxitur vëllazërinë është ndarja e pasurive me vëllezërit e motrat e atyre që kanë vendosur të çojnë një jetë modeste (si psh. shumë rregulltarë, këtu po e veçojmë shën Nënë Terezën tonë, etj.) të cilët, në këtë mënyrë, përjetojnë bashkimin vëllazëror me të tjerët. Kjo logjikë e modestisë dhe e mospranimit të pasurive të tepruara ka përshkuar edhe shumë familje dhe shumë qytetarë të përgjegjshëm, të cilët besojnë dhe janë të vendosur se marrëdhëniet vëllazërore me fqinjët përfaqësojnë të mirën më të çmuar për njeriun.

 

Rizbulimi i vëllazërimit në ekonomi

Kriza e rëndë financiare dhe ekonomike, e cila origjinën e saj e ka tek largimi i njeriut nga Hyji dhe nga i afërmi i tij, për lakmime të të mirave materiale, nga njëra anë, dhe varfërimi i  marrëdhënieve mes njerëzve dhe komuniteteve, nga ana tjetër, kanë bërë që shumëkush të nxitet që të kërkojë kënaqësi, lumturi dhe siguri tek shpenzimet dhe tek përfitimet e bëra jashtë çdo logjike të shëndoshë të rregullave ekonomike dhe aq më pak njerëzore. Ky varg i krizave ekonomike që kanë pasuar njëra-tjetrën, duhet të çojë në rishikimin e modeleve të zhvillimit ekonomik dhe në ndryshimet e mënyrës së jetesës.

Kriza e sotme, pavarësisht nga fakti se ka pasoja të rënda për jetën e njerëzve, mund të jetë gjithashtu një mundësi e vlefshme për të rizbuluar vlerën e përkormërisë, të drejtësisë dhe të forcës morale. Këto virtyte mund të na ndihmojnë në kapërcimin e momenteve të vështira dhe të rizbulojmë lidhjet vëllazërore që na lidhin me njëri-tjetrin si vlera më të larta se interesat egoiste. Këto virtyte janë veçanërisht të nevojshme për të ndërtuar dhe për të ruajtur shoqërinë në përputhje me dinjitetin njerëzor.

 

 Vëllazëria shuan luftërat

Edhe në ditët tona shumë motra dhe vëllezër tanë vazhdojnë të vuajnë përvojën e luftës, e cila përbën një plagë të thellë për vëllazërinë mes njerëzve. Armët tona mbjellin dhunë dhe vdekje të ‘armikut’, por është tejet e rëndësishme të rizbulojmë, në fakt, se ‘armiku’ është vëllai ynë dhe nuk duhet të ngremë dorën kundër tij!

Duhet të heqim dorë nga armët dhe të takohemi me njëri-tjetrin me dialog, falje dhe pajtim për të ndërtuar rreth nesh drejtësinë, besimin dhe shpresën! Derisa të kemi këtë sasitë madhe të armëve në qarkullim, do të ketë gjithmonë shkaqe të reja për fillimin e armiqësive.

 

 Korrupsioni dhe krimi i organizuar cënojnë vëllazërinë

Vëllazëria lind paqen sociale, sepse ajo krijon një ekuilibër mes lirisë dhe drejtësisë, mes përgjegjësisë personale dhe solidaritetit, mes individit dhe së mirës së përbashkët. Për këtë, komuniteti politik duhet të veprojë në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme. Qytetarët duhet të ndjehen të përfaqësuar nga autoritetet publike në lidhje me lirinë e tyre. Megjithatë, shpesh ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve futen interesat e njëanshme që i shtrembërojnë këto marrëdhënie, duke kontribuar për krijimin e një klime konflikti të përhershëm.

Me frymën e vërtetë të vëllazërisë, fitohet kundër egoizmit individual, i cili iu merr njerëzve aftësinë për të jetuar në liri dhe harmoni të ndërsjellë. Ky egoizëm zhvillohet në shoqëri në shumë forma të korrupsionit, të cilat tani janë degëzuar në masë të madhe, qoftë në formën e organizatave kriminale, në grupe të vogla, deri tek ato të përhapura në gjithë botën. Këto grupe po e shkatërrojnë ligjishmërinë dhe drejtësinë, duke ndikuar në zemrën e dinjitetit të personit. Të korruptuarit në mënyrë të rëndë ofendojnë Hyjin, shkelin vëllezërit dhe dëmtojnë shoqërinë dhe botën e krijuar.

 

Vëllazërimi ndihmon në ruajtjen dhe kultivimin e natyrës

Familja njerëzore ka fituar një dhuratë të përbashkët nga Krijuesi: natyrën. Është e ligjshme të ndërhyhet në natyrë, nëse ndërhyrjet janë të dobishme, të përgjegjshme dhe nëse ato i shërbejnë së mirës së përbashkët. Natyra është në dispozicionin tonë dhe ne jemi të thirrur për ta menaxhuar atë me përgjegjësi.

Megjithatë, ne jemi drejtuar shpesh nga lakmia dhe arroganca e qeverisjes, nga lakmia për posedim, manipulim dhe shfrytëzim, duke mos e ruajtur natyrën. Duhet të kemi përgjegjësi dhe respekt, duke e konsideruar natyrën si dhuratë e cila duhet të ruhet duke na shërbyer neve por edhe të tjerëve, duke përfshirë këtu edhe brezat pas nesh. Nuk duhet harruar se sektori i bujqësisë është sektor parësori prodhimit, që fton për përpunim dhe ruajtje të burimeve natyrore, për të ushqyer njerëzimin.

Në këtë drejtim, turpi i vazhdueshëm i urisë në botë na inkurajon që bashkërisht të shqyrtojmë pyetjen: Si i përdorim ne burimet natyrore të Tokës? Shoqëritë e botës së sotme duhet të mendojnë për hierarkinë e përparësive të prodhimit. Është e ditur se prodhimi aktual është i mjaftueshëm, megjithatë miliona njerëz ende janë duke vuajtur dhe po vdesin nga uria. Ky fakt përbën një shkandull të vërtetë. Për këtë arsye është e nevojshme për t’u gjetur mënyra e duhur që të gjithë të mund t’i gëzojnë frytet e tokës, sepse këtë e kërkon drejtësia, barazia dhe respekti për çdo qenie njerëzore.

Me pak fjalë, vëllazërinë duhet ta zbulojmë, ta dashurojmë, ta përjetojmë, ta shpallim dhe ta dëshmojmë. Aty ku mungon hapja ndaj Hyjit çdo veprimtari njerëzore varfërohet dhe njerëzit reduktohen në objekte që mund të shfrytëzohen dhe të manipulohen.

 

Përfundim

Përpjekjet dhe apelet e vazhdueshme të Kishës për vëllazërim mes njerëzve, kombeve dhe besimeve, insistojnë në përmbajtje adekuate të vëllazërimit ndërnjerëzor. Papa Gjoni XXIII (në enciklikën Pacem in terris) vlerësoi se çmimi për paqe është dashuria ndaj çdo njeriut, respektimi i dinjitetit njerëzorë; Pali VI (në enciklikën Populorum progressio) cyt nevojën e patjetërsueshme të zhvillimit të kombeve; Gjon Pali II (në enciklikat Laborem exercens dhe Centesimus annus) proklamoi globalizimin e dashurisë si rrugë të mirëqenies, të paqes dhe të drejtësisë sociale; Benedikti XVI (në enciklikën Caritas in veritate) kërkoi norma humane, rregulla më njerëzorë në proceset ekonomiko-financiare…

Edhe kjo enciklikë e re e papa Françeskut (Të gjithë jemi vëllezër) është vazhdimësi e mësimit kishtar, e kujdesit të Kishës për njeriun e kohës. Ndërsa për një qasje dhe shqyrtim më të detajuar të saj, duhet të presim fillimin e muajit tetor kur edhe ky dokument i paralajmëruar të sheh dritën e botimit. Lipset kujdesi i shtuar që perceptimi i vëllazërimit mos të kalohet në një lloj ideologjie, që si e tillë do t’i rrezikonte qëllimet e vërteta dhe të mirën e përgjithshme të njerëzimit./drita.info

 

*Përgjegjës për ekumenizëm dhe dialog ndërfetar në Ipeshkvinë tonë Prizren-Prishtinë.

Shpërndaje

Comments are closed.

«