Shën Hieronimi dhe moderniteti

Nga Prend BUZHALA

Figura e Shën Hieronimit zgjohet nga lashtësia dhe vjen në kohën tonë si njëri ndër personalitetet qendrore të krishterimit, të kulturës e të qytetërimit evropian, nga njëra anë dhe si personalitet, veprimtaria diturore, përkthyese, bibliografike, letrare, kritike e polemike e të cilit bën pjesë edhe në botën shqiptare. Ai vjen në kohët moderne për ta ndriçuar atë thënien e lashtë sokratiane të përjetësuar ndër shekuj: “Njih vetveten!” Përballë hullive të shterpëzuara e të shtrofuara të historisë, që aq shpesh i kanë ngushtuar hapësirat e ekzistimit tonë, përballë paragjykuesve të ndryshëm të traditës hierionimiane, shpërfillësve e mohuesve të saj, emri i Euseb Sofron Hieronimit (340 – 420), vjen dhe e zgjon edhe herë krenarinë tonë në këtë fundshekull, si përkthyes legjendar i “Biblës” nga hebraishtja e greqishtja e vjetër në gjuhën latine, e cila ishte gjuhë e kulturës, e shkrimit dhe e universit evropian. Së bashku me gjithë ata emra iliro-shqiptarë të shenjtorëve (Shën Eluteri-papë, Shën Flori, Shën Lauri, Shën Prokuli, Shën Maksimi, Shën Asti, apo siç janë poeti, kompozitori e muzikologu i njohur Shën Niketë Dardani, Shën Kostandini, Shën Justiniani etj); së bashku me një plejadë të shquar emrash të perandorëve ilirë që e drejtuan Perandorinë romake, atë organizëm shtetëror që përbënte dhe i jepte vulë identitetit evropian, (Deci, Probi, Aureliani, Makimiliani, Klaudi II, Justini, Diokleciani, Kostandini i Madh, dhe Justiniani i Parë); së bashku me data e emra kremtesh të krishtera, kishash e katedralesh, ikonash e librash të shenjta, praktikash rituale e arkitekturash sakrale; së bashku me një histori të tërë të “Biblës” e me dokumente aq të shumta, – tradita hieronimiane ka marrë dhe merr pjesë në formimin e identitetit kulturor e në fondin e vlerave të kulturës sonë nacionale. Shtyllat e këtij identiteti dhe sfondin e po këtyre vlerave, do t’i formësojnë , gjithsesi, edhe shtresat e kulturës pagane me ato të krishterimit ilir, të cilës kulturë, në kapërcyell kohësh e epokash, iu dha trajtë, përmbajtje e pamje vetë Shën Hieronimi.

Konteksti evropian dhe konteksti iliro-shqiptar

Tradita dhe bashkëkohësia, në këtë mënyrë, bëhen burime për lindjen e dhjatave të reja historike, nacionale e kulturore; të atyre dhjatave që identifikojnë Jezusin e kryqëzuar në pamjet e historisë dhe që i identifikojnë kalvaret e pafund të tragjedive tona nacionale në kujtesën e historisë. Nga thellësitë e kësaj kujtese ende qëndrojnë pa dalë në dritë figura të panjohura për ne. Të paprekura rrinë periudha krejt të heshtura e të mbuluara nga mjegullnajat e nga shterpëzimit e kohëve. Historia, me shprehitë dhe me refleksionet e saj, ende e rëndon dhe e ndrydh edhe sot vetëdijen tonë. Pra, situatat dhe atmosfera shpirtërore, në të cilat jetojmë dhe të cilat i përjetojmë, janë edhe një dëshmi ende e pashfrytëzuar për figurën dhe të veprën e Shën Hieronimit. Edhe pas kaq shekujsh identifikohemi, me shumëçka, përmes kësaj figure: e spikatim vetëdijen shqiptare për përkatësinë e përkatësinë e rrënjëve të përbashkëta të krishterimit; vetëdijen, pothuajse, mitike, se Evropa krishterimin e mori nga ilirët; se Librin e Shenjtë Evropës ia dhanë të parët tanë etj.

Veprimtaria e tij në fushën e përkthimeve, veprimtaria e tij letrare, diturore, ekleziastike, historiografike dhe, përgjithësisht, veprimtaria e tij shkrimore e jetësore, rrezatojnë, pra, edhe sot, përmasa të reja. Përkthimi dhe përvetësimi i “Biblës” shënon fillet dhe vazhdën e traditës shkrimore e letrare të shumë popujve evropianë. Lënda biblike qëndron në themelet e letërsisë shqipe, por ajo qëndron, gjithashtu, edhe në themelet e kodit kulturor e shpirtëror të shqiptarëve. Prandaj, emri dhe vepra e Shën Hieronimit janë emri dhe vepra që ndërlidhen me Biblën dhe me përhapjen e saj, janë sinonim i një civilizimi të ri që u përhap nën emrin e krishterimit; janë, së këndejmi, fijet që e patën bashkuar Evropën për dy mijë vjet me radhë nga ana kulturore, shpirtërore dhe fetare. Këto fije, që nga Formula e Pagëzimit (1462) e Pal Engjëllit (1417-1470) e këndej, i ndërlidhin me traditat evropiane edhe shkrimin në gjuhën shqipe dhe letërsinë shqipe. E megjithatë, këto fije zgjaten tutje nëpër thellësitë e shekujve: që nga mesjeta e hershme arbërore e deri tek humanistët shqiptarë.

Nuk është e çuditshme, prandaj, pse kudo në Evropë, një traditë e tillë kulturore, letrare, përkthyese e ekleziastike të identifikohet me emrin e Shën Hieronimit, si traditë hieronimiane.

Emblemë ilire për Evropën

Përmasat universale të figurës së tij shquhen edhe me një rëndësi e peshë tjetër historike: atij, me përkthimin e “Vulgatës”, “i bie merita për zhvendosjen e qendrës së krishterimit nga Lindja drejt Romës”. Në këtë mënyrë personaliteti i tij nuk ka se si të mos i japë vulë identitetit kulturor-fetar të Evropës, por ai i jep vulë edhe krishterimit ndër shqiptarët.

Përmes emrit ë tij dje dhe përmes emrit të tij sot Evropa di më shumë për ilirët dhe për shqiptarët, ashtu sikundër di për ne përmes emrave emblematikë të Nënës Tereze apo të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Për këta dy mijë vjet, pra, nga gjiri iliro-shqiptar, në momentet e krizave, të kthesave historike e të përplasjeve nga më të ndryshmet, del një figurë që bëhet emblemë e identitetit nacional, emblemë e identitetit fetar-kulturor, emblemë e lirisë po edhe emblemë e bamirësisë apo e “dashurisë në vepër”. Nuk është e habitshme, prandaj, pse e përmendin emrin e tij dhe pse shkruajnë me devocion për Shën Hieronimin, pothuajse, në të gjitha enciklopeditë e leksikonet e përgjithshme e nacionale në Paris apo në Londër, në Gjermani apo në Itali, në Spanjë apo në Poloni, në Kroaci apo në Hungari, në Lindjen e Evropës apo në Perëndimin e saj. Do të shkruhet për të në historitë kishtare, po edhe në historitë e letërsive të përgjithshme apo të atyre nacionale. Do të përmendet si klasik i letërsisë së krishterë dhe si njëri ndër katër etërit kishtarë krahas Shën Ambrozit, Shën Augustinit dhe Shën Gregorit, një katërshe klasikësh që shëmbëllente katër autorët e ungjijve.

Që nga Mesjeta e këndej për Shën Hieronimin do të shkruhen trajtesa, artikuj, ese, vështrime, e, madje, do të shkruhen edhe monografi studimore, sikundër është monografia dyvëllimëshe në frëngjisht e P. Cavalera-s (“Saint Jerome” I-II, Louven 1922), vëllimet gjermanisht e latinisht që botoheshin në hapësirat gjermanishtfolëse: të R. Laqueur-it (“Eusebius als Historiker seiner zeit”, Berlin-1929 dhe në RE VIII 2 col. 15-65, 1912), të H. Lietzman-it (“Christliche literatur”) e të E. Lübeck-ut (“Hieronymus quot neverit scriptores”, Leipzig 1872); apo në Itali të A. Ficarra-s (“La posizione di S. Girolamo nella storia della cultura”, Palermo 1916) e të Eusebi Pamphili-t (“Chronici Canones latine vertit S. Eusebius Hieronymus”) etj.

Në historinë e letërsisë shqipe që nga Barleti e humanistët tjerë shqiptarë e këndej do të çmohet, vlerësohet dhe nderohet lart, sidomos te “Çeta e profetëve” e Pjetër Bogdanit, kurse Andreas Alexius Epirota, arkitekt e skulptor i madh humanist arbëror-shqiptar nga Durrësi, i cili jetoi në shekullin XV, e ka përjetësuar figurën e Shën Hieronimit në shumë vepra arti e nëpër tempuj kishtarë që i ndërtoi gjatë jetës së tij.

Në historinë dhe në kulturën e popullit kroat në kuadrin e “lëvizjes ilire”, atij do t’iu kushtohen trajtesa, piktura e vepra figurative, do t’i botohen të përkthyera veprat e tij dhe me emrin e tij do të formohet shoqata, ashtu sikundër e kishte formuar një shoqatë me emrin e Shën Hieronimit edhe poeti i shquar Dom Ndre Mjedja (simbas një ligjërate të dr. Engjëll Sedajt).

Studiuesi evropian Ludvig Traube e quan “Aristark të krishterimit”, kurse studiuesi i shquar gjerman i kohëve moderne, Ernest Robert Kurcius, në veprën e tij monumentale studimore historiko-letrare “Letërsia evropiane dhe mesjeta latine”, Shën Hieronimin e konsideron si njërin ndër personalitetet qendrore të krishterimit dhe të letërsisë e të kulturës evropiane deri në epokën e Mesjetës. Pa dyshim, Shën Hieronimi është njëri prej autorëve e njëri prej personaliteteve më të popullarizuara të krishterimit e të kulturës evropiane në përgjithësi.

Konteksti ilir brenda nesh

Interesimi i sotëm për figurën e Euseb Sofron Hieronimit në suazat historiko-letrare, është interesim për vetveten dhe për kulturën tonë. Edhe sot ilirët, siç do të shprehej Aleksandër Stipçeviq, “janë brenda nesh.” Pra, edhe rëndësia historiko-letrare dhe kulturore-fetare e veprës së Shën Hieronimit qëndron te ndikimi mijëravjeçar në jetën shpirtërore të popujve evropianë. Nga ana tjetër, më se njëherë, me mburrje, vetë Shën Hieronimi e ka theksuar përkatësinë e tij ilire. Në veprën e tij “De viris illustribus” (“Mbi njerëzit e shquar”) për veten e tij thotë: “Unë, Hieronimi, biri i Eusebit nga qyteti Stridon, i cili dikur gjendej në kufi mes Dalmacisë dhe Panonisë dhe që u shkatërrua nga gotët deri në këtë vit (në vitin 393, vër. P.B.) dhe pikërisht deri në të 14-tin vit të sundimit të perandorit Theodos, – shkrova këto vepra…” Në veprën tjetër të tij, “Epistolae” (“Letrat”, ai flet për veten e tij, për familjen, si dhe për Atdheun e tij, Ilirinë. Përkatësinë e tij ilire nuk e kontestojnë autorët evropianë.

Në veprën e tij ai jep jo pak dëshmi për ilirët, për pushtimet e tokave ilire nga Perandoria Romake. Dihet, se shumë vise ilire të urbanizuara, u romanizuan; në ato qendra flitej dhe shkruhej gjuha latine. Ndërkaq, siç na dëshmon edhe vetë Shën Hieronimi, jeta ishte krejt ndryshe në viset larg qendrave të urbanizuara. Ndonëse nën presionin e madh të akulturimit (siç saktëson A. Stipçeviq), ilirët vazhduan të flasin gjuhën e tyre popullore, t’i respektojnë hyjnitë e veta, t’i varrosin të vdekurit në mënyrën e tyre tradicionale, ta ruanin veshjen e tyre dhe fëmijët e tyre t’i pagëzonin me emra ilirë. Në shkrimin e tij “Komentar për Isaia-n” Shën Hieronimi dëshmon për përdorimin e gjuhës ilire tek populli i tij. Ai ishte dëshmitar i depërtimit të popujve barbarë në Panoni e në Dalmaci, të cilit u kishin shkaktuar ilirëve dhe romakëve vuajtje të mëdha dhe u sollën atyre shkatërrime të pafund (shekujt II e III). Në njërën nga “Epistolat” e tij, ai bën një përshkrim tronditës të atyre ngjarjeve:

“Më rrënqethet shtati, kur mendoj të tregoj për shkatërrimet në kohën tonë… goti, sarmati, kuadi, alani, huni, vandalët dhe markomanët shkretërojnë, plaçkisin dhe grabisin Sktythinë, Maqedoninë, Dardaninë, Dakinë, Thesalinë, Ahenë, Epirin, Dalmatinë dhe gjithë Panoninë. Sa gra fisnike, sa virgjëresha kushtuar Zotit, sa njerëz të lirë dhe fisnikë u dhunuan në këto luftëra! U morën robër peshkopë, u vranë presbiterë dhe shërbyes të tjerë të ndryshëm të kishës. U shkatërruan kishat. Pranë altareve të Krishtit u vendosën kuajt si në grazhd. Kockat e martirëve u nxorën nga varret. Kudo zi, kudo tmerr dhe hija e madhe e vdekjes.”

Këso dëshmish ai jep edhe në veprat “Libër komentarësh për profetin Sofron” dhe në “Kronikat botërore”. Në shkrimet e tij ai flet për përhapjen e krishterimit në tokat ilire, krahas njoftimeve “me karakter gjeografik e administrativ”.

Duke pasur parasysh disa nga dëshmitë e theksuara më lart, nga njëra anë, si dhe shkrimet e shumta, gjithnjë me të drejtën e patjetërsueshme të historianëve e të linguistëve shqiptarë e të huaj që të shkruajnë për historinë e popullit tonë që nga kohët e mugëta të njerëzimit; që të flasin për raportet e për vazhdimësinë në mes të ilirishtes e të shqipes në planin gjuhësor; atëherë kjo e drejtë nuk duhet të jetë e tjetërsuar as për studiuesit e letërsisë as për historianët e letërsisë shqipe. Nga kjo prizmë, po shtohen zërat që thonë se një histori e letërsisë shqipe duhet të shkruhet, duke u nisur nga literatura e epokës ilire. Jo vetëm emrat e Shën Hieronimit, apo të Shën Niketës, apo të Justinianit, po edhe teatrot e antikës ilire, mitologjia ilire, mbishkrimet greqisht e latinisht në tokat ilire, poezia epitymbike e asaj kohe, si dhe autorët ilirë që shkruanin latinisht e greqisht në ato kohë; do të përbënin kapituj të kësaj letërsie. Kush ishte Jeuseusi nga Cezareja, një i afërt i Konstantinit të Madh?

Zëdhënës në kapërcyell të dy epokave

Shën Hieronimi i kishte 18 vjet, kur shkoi të studiojë në Romë. Bëri udhëtime nëpër Gali e mandej qëndroi në Akvile, afër vendlindjes së tij. Sociologu, filozofi dhe matematikani anglez, Bertrand Rasell, në veprën e tij “Urtësia e Perëndimit”, për Shën Hieronimin thotë se aty i ndodhi një konflikt dhe për këtë arsye ai shkoi në Lindje dhe nëpër shpellat e Sirisë i kaloi pesë vjet, si eremit, me ç’rast e mësoi dhe e studioi hebraishten. Kur shkon në Konstantinopojë, e mëson greqishten. Me ftesën e Papa Damas-it kthehet në Romë. Aty, gjatë viteve 382-385, në rrethin e patricëve romakë, e studion Biblën. Papa ia beson revizionin e përkthimit latin të Biblës, sepse Ati i Shenjtë e dinte se Shën Hieronimi, kur kishte qenë student, e pati frekuentuar shkollën e retorikës te Donateu, duke gërshetuar, kështu, siç shkruan imzot Nikë Prela, kulturën themelore pagane me ndjenjën e thellë kristiane. Mbas vdekjes së Papës, ai do të bjerë përsëri në konflikt me autoritetet kishtare, do të largohet dhe do të arrijë në Kuvendin e Betlehemit, tani për herë të dytë, i përcjellur me çetën e nxënësve të tij, si dhe të shpurës së zotërinjve të nderuar. Me ta ishin nisur edhe një grup mikeshash romake, që i ishin përkushtuar perëndisë. Së andejmi ai do t’iu përvishet përsëri përkthimeve nga hebraishtja. Filloi ta përkthejë tërë Biblën nga tekstet burimore.

Mirëpo, përsëri zënë akuzat kundër tij. Qarqet klerikale tani e akuzojnë se Hieronim Eusebi po e përçmon kishën para dijes hebreje. E gjithë ajo shpurë e dinjitetshme përcjellësish, ashtu e disiplinuar dhe e përkorë, do t’i zbatojë urdhrat e kërkesat e tij, që kishin të bënin mbi celibatin dhe mbi vetëpërmbajtjen (maturinë). Aty, te ai kuvend hyjnor i Jezusit, do të qëndrojë deri në vdekje.

Për shkak të mënyrës së jetesës së tij, Shën Hieronimi ka ndikuar në përhapjen e lëvizjes eremite, duke u bërë mbrojtës i asketëve. Së andejmi, nxënësit e tij romakë, në Betlehem patën themeluar katër kuvende. Simbas shembullit të etërve kishtarë, ai shkroi shumë letra, të cilat. vërtet, do ta ngjizin dhe do ta ngërthejnë edhe fytyrën e letërsisë pagane. Rasell thotë se shumë ndër këto letra ua kishte drejtuar vajzave që e zgjodhën rrugën e virgjërisë; prandaj i porosit ato të qëndrojnë në rrugën e virtytit, të përkushtimit ndaj Hyjit e në rrugën e virgjërisë.

Mirëpo, “Letrat” e tij kanë edhe vlerë të madhe letrare e dokumentare. Ato dëshmojnë për urtësinë, për origjinalitetin dhe për stilin e zhdërvjelltë; ato dëshmojnë, gjithashtu, për talentin e për prirjen e tij në përshkrimin e gjendjeve shpirtërore të asaj kohe. I përshkon, këto përshkrime të situatave, ndjeshmëria e mendjemprehtësia e veçantë, siç e pamë edhe në letrën mbi sulmet barbare në Iliri. Vepra ka 126 letra (numërohen 150 me epistolarin që ka këmbyer me Shën Augustinin etj) dhe deri më sot janë përkthyer në shumë gjuhë të botës. Kurse ndaj këtyre shkrimeve të këtij iliriani ne jemi sjellë me shpërfillje e paragjykime!

Duke qenë një njohës i jashtëzakonshëm i letërsisë, i kulturës dhe i filozofisë pagane antike, greke e latine; duke qenë njohës i mirë edhe i Terencit, Palutit, Salustit, Virgjilit, Horacit, Lukanit e sidomos i Ciceronit, të cilin e adhuronte shumë; duke qenë njohës i disa gjuhëve, nga të cilat do t’i përkthejë librat e shenjtë, – ai qëndron në kapërcyellin e epokës antike e pagane në atë të krishterimit e të Mesjetës. Për t’i ndërlidhur të dy epokat dhe të dy kulturat, atë pagane me atë të krishterimit, Shën Hieronimi, më se njëherë, vë korrespondime në mes tyre dhe bën përpjekje që të gjejë analogji e ngjashmëri në mes tyre. Në Letrën e tij të popullarizuar dërguar Paulinit nga Nola, ai jep këshilla se si duhet të lexohet Shkrimi i Shenjtë; ai, Davidin, personazh të Biblës, e krahason me Simonidin, Pindarin, Alkeun, Horacin, Katulin dhe Serenin. Në këtë letër e dëshmon dhe e spikat njohjen e tij ndaj filozofisë së Pitagorës, Platobit dhe Aristotelit; gjithnjë duke i dhënë përparësi tekstit biblik, si për nga argumenti, si për nga lashtësia apo urtia.

Ndikimi i antikës shihet edhe në veprën “Mbi njerëzit e shquar”. Simbas shembullit të Sveton Trankillit, shkruan biografitë e shkurtra të poetëve, retorëve, gramatikanëve, historianëve, oratorëve dhe shenjtorëve. Ndërsa Komentimet e tij për Biblën, i ka bërë tek “Kronikat”, duke e krahasuar “Kishtarin” me kumbimin harmonik të poezisë së Pindarit e të Horacit, kurse te Libri mbi Jobin, ai do ta veçojë përsosmërinë.

Pra, në kontekstin historiko-letrar dhe në rrafshin e teorive letrare, do të mund të flitej, me siguri të plotë, për një teori e poetikë të Shën Hieronimit. Gjithnjë simbas frymës së krishterë patristike dhe hyjnore-shkollore (E. R. Kurcius). Në topikën e veprës së tij, Shën Hieronimi do ta përdorë arsenalin shprehës antik-ciceronian, sikundër janë formulat hyrëse e përfundimtare, formulat e thjeshtësisë, ligjërimin ngushëllues, si dhe ligjërimin me formula të nënshtrimit, të përkuljes, të lutjes e të devocionit.

Retorikën e krishterë biblike dhe poetikën biblike do ta zbatojë edhe te një varg shkrimesh tjera, të cilën poetikë “ai ia lë trashëgim Mesjetës” (Kurcius). Tradita e lashtë e muzave, si pajtore të arteve, do të shtegtojë edhe në kohën e Hieronimit. Mbi muzat është shkruar e folur gjithnjë, që nga Antika e deri në ditët tona. Për to ligjëron edhe Shën Hieronimi. Mirëpo, mbi të vërtetën që e ngjizin muzat, ai e vë mbi to dhe e parapëlqen të vërtetën hyjnore: “para kësaj të vërtete le të tërhiqet mënjanë kjo mrekulli e gënjeshtërt dhe e trilluar, qoftë në stilin grek, qoftë në stilin romak.”( nga “Epistula 3”). Në thjerrëzën e shkrimeve të tij do të gjenden autorë si Varroni, Lukreci, Virgjili e Tertuliani, si dhe romani satirik i Petronit. Edhe kur mbyllet në jetën asketike, nuk do të ngurrojë ta marrë me vete një bibliotekë të tërë, në të cilën, më së shumti, zënë vend autorët paganë (simbas M. Budimir e M. Flashar). Edhe atëherë kur e akuzuan se po lexonte autorë paganë, se ata po i adhuruaka tej mase; edhe atëherë, që, për shkak të kësaj akuze, kishte dashur ta mënjanonte një libër që nuk iu kishte pëlqyer autoriteteve kishtare, siç thotë në Letrën Pamakiusit; edhe atëherë kur ishte betuar se nuk do t’i lexojë më autorët paganë; ai nuk do t’i përmbahet këtij premtimi, siç thuhet, retorik. Procedimorin e tyre letrar, simbas shembullit të Shën Hieronimit, autorët e krishterë e arsyetonin me ndarjen e formës nga përmbajtja, kurse modeli pagan do të përbëjë vetëm mbulesën elegante të mveshjes së veprës së krishterë.

Vlen të theksojmë, së mbrami, se Shën Hieronimi kishte temperament polemik. Në lëmin e polemikës do të mbajë qëndrim satirk. Pena e tij nuk do t’i kursejë, qofshin ato edhe qarqet kishtare, ndërkohë që korrupsioni i shoqërisë romake do të përvëlohet nën flakët e ashpërsisë së kësaj satire. Këta dy rrathë tematiko-polemikë do t’i trajtojë në letrat që i shkroi në Siri. Akuzuesit e tij, e, në mesin e tyre, edhe Shën Augustini, tek e përbuznin punën e ti titanike të përkthimit të Biblës, do të bëjë që Libri i Shenjtë të mos pranohej deri në Kuvendin e Tridentit. Kundër këtyre akuzuesve, nuk do të kursejë për ta shfaqur temperamentin e tij të njohur polemik, por në këto polemika ai do të tregojë dije e njohuri të thella. Për deri sa Shën Hieronimi do të përpiqet t’i trajtojë e t’i bashkojë traditat hebraike me ato greke, t’i pajtojë kulturën e artin pagan me atë të krishterë, Shën Augustini do ta kundërshtojë këtë përpjekje; deri sa Shën Hieronimi ishte filolog, hulumtues, humanist, egzeget, përkthyes e dijetar, kurse Shën Augustini ishte mendimtar e filozof, mësues i retorikës dhe platonian.

Mirëpo, Shën Hieronimi, mbi të gjitha, do të mbetet shembull i dashurisë së madhe ndaj Ilirisë. I quajtur si murg i Mesjetës,  për shkak të idealit të tij të krishterë, e kanë shtrënguar ta mohojë artin e mendimin pagan, por ai do të vdesë si ciceronian./drita.info

Shpëndaje: