Nga Gjekë Gjonlekaj/New York
Revista e njohur amerikane “LIFE” botoi këto ditë një numër special. Kjo është njëra prej revistave amerikane më të ilustruara dhe është shumë e njohur për fotografi të të shkëlqyeshme.
Ç’prej Luftës së Dytë Botërore e deri në fund të viteve 70′ kryeredaktor i kësaj reviste për ilustrime fotografike ishte fotografi gjenial shqiptar Gjon Mili. Në vjeshtën e vitit 1961 Gjon Mili kishte botuar në këtë revistë një fotografi të një demonstrate shqiptaro-amerikane kundër shovinistëve greko-amerikanë të cilët atë ditë demonstronin kundër kryeministrit shqiptar Mehmet Shehu, i cili mbante fjalimin vjetor në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme në Kombet e Bashkuara. Shqiptaro-amerikanët shumë javë më përpara ishin përgatitur të protestonin kundër kryeministrit shqiptar Mehmet Shehu. Por përpara se të fillonin demonstratën e tyre atje, ishin vendosur demonstruesit greko-amerikan me parullat e tyre vorio-epiriote dhe kërkesat e tyre për Korçë e Gjirokastër dhe pjesët e tjera të Shqipërisë. Në këtë rast shqiptaro-amerikanët antikomunist u vërsulën kundër shovinistëve greko-amerikanë. Përleshja midis shqiptarëve dhe grekëve kishte qenë shumë e ashpër, bile në ato momente dhune kishte ndërhyrë policia amerikane. Gjon Mili kishte vajtur atje për të fotografuar zhvillimet përpara OKB-s. Një polic amerikan goditi në kokë me shkop të fortë prej gomi një shqiptar. Goditja kishte qenë tepër e rëndë dhe gjaku i kishte shkuar curril përpjetë dhe në atë çast Gjon Mili e kishte fotografuar atë sekondë të trishtuar. Pra ky ishte gjenialitetit i Gjon Milit që mund të fotografonte momentet të më pak se një sekondë. Këtë fonografi historike Gjon Mili e kishte botuar në LIFE magazine. Në kohën kur punoja për VOA (Zëri i Amerikës) e kam vizituar këtë revistë dhe kam gjetur atje shumë fotografi, bile edhe fotografinë e Enver Hoxhës duke mbajtur fjalim në Konferencën e Parisit në vitin 1946. Gjon Mili kishte qenë në atë Konferencë si fotograf i revistës LIFE.
Sivjet kjo revistë botoi në faqe të parë një tjetër fotografi të mrekullueshme të 12 personaliteteve të njohura të botës, por në krye të faqes botoi fotografinë e Nënës Tereze. Titulli i këtij numri special është: “100 NJERËZ QË SHNDËRRUAN BOTËN”.
Në këtë revistë prej 112 faqesh u botuan fotografitë dhe biografi të shkurtra të 100 personaliteteve më të njohura të botës. Kapitulli i parë i kësaj reviste mban titullin: “Figurat Fetare dhe Mbretërit e Filozofët”. Portreti i parë dhe kryesor është Nëna Tereze. Pastaj vijnë fotografitë dhe biografitë e Abrahamit, të Konfuços, të Aristotelit të Jezu Krishtit, të Muhamedit të Mahatma Gandit e kështu me radhë.
Në kapitullin e dytë janë botuar gjithashtu fotografitë dhe biografitë e “Udhëheqësve të zgjedhur ose jo”, të mbretit Khufu, pastaj Lekës së Madh, Kleopatrës, Konstandinit të Madh, Napoleonit, Hitlerit , George Washingtonit, Leninit Winston Churchillit e Mao Ce Dunit. Në këtë kapitull bën pjesë Martin Luther King Jr. dhe Gorbaçovi.
Ndërsa kapitulli “SHKENCA, SHPIKËSIT DHE ZBULUESIT” fillon me fotografinë dhe biografinë e Thomas Edisonit, të Gutenbergut, të Leonardo da Vinçit, të Kopernikut, të Galileos të Newtonit, të Pasteurit, të Rotengenit, të Freudit, të Fordit, të Curie, të Bellit, të Marconit, të Einsteinit, të Steve Jobs dhe disa të tjerëve që ishin shquar për shpikjet dhe zbulimet e tyre shkencore.
Kapitulli IV në këtë revistë titullohet: “IKONAT e KULTURËS”. Ky kapitull fillon me Homerin, vazhdon me Marco Polon, Mikelangjelon, Shekspirin, Beethovenin, Dikensin, Marksin,Tolstoin, Pikason, Joysin, Stravinskin, Eleonora Roosveltin, Çarli Çaplinin, Louis Armstrongun, Linbergun, Elvis Preslin, Muhamed Aliun, Ted Turner, Opra Winfrey dhe disa personalitete të tjera. Dhe në fund të revistës LIFE është botuar një fotografi dhe biografi e grupit muzikor: “THE BEATLES”. Në faqen e fundit është botuar fotografia e atletit më të madh të shekullit XX, Muhamed Ali.
Për kombin shqiptar është një nder i veçantë që revista LIFE ka përzgjedhur bijën tonë Gonxhe Bojaxhiun si krijesën më të përsosur morale, njerëzore të të gjithë kohërave. Nëna Tereze sipas kësaj reviste ka bërë ndryshimet më të mëdha për të mirën e njerëzimit. Është nder i madh për kombin tonë që Nëna Tereze-Shenjtëresha e Kalkutës vlerësohet në këtë mënyrë. Emri i saj e nderon popullin shqiptar sot përgjithmonë./drita.info