Imzot Dodë Gjergji: Krerët tanë të bëhen një mendje për të mirën e përbashkët të vendit!

Imzot Dodë Gjergji, sot, në festën e Shën Ndout në Gjakovë, gjatë predikimit të tij, bëri thirrje pushtetarëve të dy shteteve shqiptare, që nesër, gjatë takimit të dy qeverive në Gjakovë, të bashkohen në një mene, për të mirën e përbashkët.

 

Pjesa e plotë nga predikimi i tij:

Një fjalë e kam edhe për gjithë popullin tonë, i cili mbetet përsëri në udhëkryq të mashtrimit të vet, në tërësi.

Vërtet, ne jemi një popull, që për simbol ka Shqiponjën, e Papa Françesku thonte se ajo fluturon lartë, shumë larg, por kurrë nuk e harron folenë e vet. E në anën tjetër, meqë Shqiponja i ka dy krena, ne jemi popull me dy mene. Edhe kur fillojmë me mendue, shpeshherë mendojmë keq, e kur të marrim vendime, gjithmonë gabojmë. Sepse dy mene, tri mene e 7 milion mene tonat që na e ka dhanë Zoti në rajon, janë të bukura të gjitha, por detyra jonë është të bëhemi një mene për të mirën e përbashkët, për të ardhmen tonë, e të mos lejojmë të rrëshqasim atje ku kemi qenë. Se ajo nuk është e lejueshme.

Nesër, këtu në Gjakovë, do të bashkohen dy qeveri të dy shteteve tona, do të nënshkruajnë kontrata, marrëveshje, do të flasin nëpër televizione se si kanë bërë marrëveshje për këtë apo atë punë. Janë gjëra të mira këto. Le të ndodhin. Por, ne e lusim Zotin, që Shpirti Shenjt t’iu ndritë mendjen e të bëhen një mene për të mirën e përbashkët, t’ju shërojë zemrën që të mos jenë të përçarë. Por të mendojnë e ta gjejnë shtegun për të dalë e për të ecur përpara. Në letra do të mund të shkruajnë gjithçka, por ajo që shkruhet në zemra, ajo do të na çojë përpara.”/drita.info

Shpëndaje: