Nga Don Fatmir Koliqi
Krishtlindja është festa më e gëzueshme e krishterimit, e mbështjellë e tëra me një butësi e ngrohtësi të papërshkrueshme.
Në festën e lindjes së Jezusit, gjithnjë kam një përjetim të veçantë: një ngrohtësi që s’arrij asnjëherë ta përshkoj deri në fund, por që më tërheq pamasë çdoherë që i kthehem për ta kundruar Fytyrën e Zotit Fëmijë. Kjo tërheqje ka zanafillën në vitet e para të fëmijërisë, kur mrekullia e Krishtlindjes përjetohej si ndër gjërat më magjike, më emocionuese dhe më të hareshme se çdo gjë tjetër.
I mbaj ende të freskëta ato takime fëmijërore me Foshnjën e Beltehemit në famullinë time të lindjes, ato peizazhe idilike të fshatit me dimrat me borë, të ftohtë, me meloditë e muzikës kishtare shqipe që ngrohnin zemrat tona e na jepnin buzëqeshjen e buzëve të ngrira nga acari. Më kujtohen rreshtat e besimtarëve që i përngjan shtegtimit të përhershëm të njerëzimit për takim me t’Amshueshmin në drejtim për te Kisha, të gëzueshëm, duke i uruar njëri-tjetrit për shumë mot e me zemër të mirë lindja e Krishtit. Arritja në Kishë ishte sikur të hyje në një vend parajsor, i ndriçuar e plotë njerëz që rrezatonin dashni, e në një qoshe të kishës Beltlehemi i improvizuar, ku dominonte në qendër Jezusi foshnje, i rrethuar prej Marisë e Jozefit, prej engjëjve, barinjve e kafshëve.
Kemi jetuar prej kësaj mahnitjeje hyjnore, që shfaqej për çdo vjet me ngjyrime të llojllojshme dhe e begatonte jetën tonë fëmijërore, e kështu ajo u ba një djep i ngrohtë i rritës sonë.
Kjo ndjenjë nuk është shuar kurrë, por përvjetshëm ripërtërihet, duke u rindjerë një fëmijë përballë një Fëmije që vjen për të të dhënë prekjen e butë e të ngrohtë hyjnore. Mandej, fëmija në mua dhe gëzimi i tij ka ardhur duke u shtuar, transformuar në një përmasë tjetër, duke u përthelluar në kohë, njëherë si nisje e një rrugëtimi të veçantë, si një thirrje e brendshme për t’ia kushtuar jetën Atij, e pastaj si një realizim i saj, ndërsa tani si një shtegtim i vazhdueshëm me këtë Dashuri të Mishëruar, që s’ndalet kurrë të të mahnitë me praninë e tij e ta ngjallë parajsën fëmijërore në ty. Ky është Jezusi, Zoti që të mahnit e të dhuron dashurisë e patundur që njeriu e kërkon, si domosdoshmëri për jetën.
- Në Jezusin, e Amshueshmja vjen në kohë
Shkrimi i Shenjtë – Bibla – na e tregon se në plotësimin e kohës (khs. Gal 4, 4), “Fjala u bë njeri” (Gjn 1, 14) në Jezusin e Nazaretit, që është një njeri konkret, në një kohë e në një hapësirë konkrete. Kjo ngjarje është çasti kur përmbushen profecitë dhe premtimet shekullore të Hyjit; Besëlidhja e Vjetër arrin plotësinë e vet dhe bahet Besëlidhje e Re e përhershme.
Është momenti kur e amshueshmja hyn në kohë, dhe koha bëhet pjesë e së amshueshmes, një gërshetim sui generis i të krijuarës dhe amshimit. Në Jezusin, Hyji bashkon Njeriun dhe Zotin në një Person.
Me Mishërimin e Fjalës – Jezu Krishtin – e Amshueshmja ka hyrë në çdo kohë, dhe e ka bà kohën një logus teologie – një vend-hapësirë teologjike, një vend i fjalës (sonë) për Zotin, vendtakim i të qenunit me Zotin. Në këtë mënyrë historia njerëzore bàhet kairos shpëtimi, e në dritën e kësaj pranie, transformohet në vazhdimësi.
Për këtë arsye, themi se e Amshueshmja në njeriun, është pjesa më e mirë e tij, thelbi/esenca i/e ekzistencës së tij, që e bën të vetëdijshëm për dinjitetin që ka, pasi, siç do të thoshte ati i kishës Gregor Naziaceni, vetë Zoti banon në te, apo siç e kanë për qejfi ta pohojnë etërit e Lindjes, njeriu hyjnizohet përmes Mishërimit të Zotit.
Tek ribanimi hyjnor për ta rehabilituar të përkohshmen, krishterimi e gjen zemrën e vet. Krishterimi themelohet, i ka rrënjët e veta në Mishërim – Krishtlindje, që është vullneti i Hyjit për ta shëlbuar botën dhe kohën, t’u i përshkuar përbrenda tejpërtej.
Zoti vjen në përjetësinë e shekujve, ec dhe e shoqëron më të bukurën krijesë të duarve të Tij. Zoti vjen për t’i dhënë erë të mirë çdo jete në të tashmen e amshueshme!
- Zoti vjen për ta ngrohur planetin tokë
“Krishtlindje do të thotë: planeti ynë do të bëhet përsëri i ngrohtë. Dashuria e fuqishme depërton përsëri tek ne.” (Phil Bosmans). Kjo thënie më ka përcjell për një kohë të gjatë në meditimet e mia rreth njëmendësisë së lindjes së Krishtit. Autori, një shkrimtar i njohur i përshpirtërisë së krishterë, e ka prekur thelbin dhe e ka definuar bukur ardhjen e Jezusit në tokë, qëllimin e pranisë së tij të përhershme në mesin e njerëzve.
Ky depërtim i dashurinë së fuqishme në botë, është vetë mrekullia dhe shkaku i mahnitjes për shumëkënd. “Nuk është gjë mahnitëse se njeriu ka arritur të ecë mbi hënë. Gjëja e mrekullueshme është se Zoti ka arritur të ecë mbi tokë! Kjo është një mrekulli e vërtetë! Por çfarë ka ardhur të bëjë? Ka ardhur të sjellë një shkëndijë të dashurisë së njëmendtë, atë dashuri që Hyji është pronari i vërtetë e për të cilën bota, e bota jemi ne, secili prej nesh, ka nevojë në mënyrë dramatike.“ thoshte N. A. Armstrong, astronaut.
Prandaj, kjo lëvizje e Zotit, bëhet një banim konkret i tij në botë, i kuptuar si dhurim i plotë në përqafimin e njeriut, për t’ia ledhatuar qenien, pasi “krishterimi s’është heqje dorë e diçkaje, por rritje e pakufishme e qenies sonë”, thoshte me të drejtë Giovanni Vannucci.
Jean-Paul Sartre, një filozof i njohur ekzistencialist nikilist, jo i krishterë dhe jo besimtar, në vitin 1940 kishte shkruar një vepër mbi Krishtlindjen, i shtyrë nga disa të burgosur të krishterë në burgjet naziste. Libri përmban fragmente mbresëlënëse mbi Lindjen e Jezusit, që e paraqet bukur botën e brendshme, shpirtëroren e personazheve. Për Sartre, Jezusi është Personi që s’mund ta anashkalosh pa e marrë në shqyrtim, në meditim, edhe kur nuk e pranon për Zot. Në këtë pikëvështrim ai e përshkruan mrekullueshëm personazhin e Marisë Virgjër dhe komunikimin me Fëmijën e saj në një mënyrë të butë soditëse: “Jezu Krishti është biri i saj, mishi i mishit të saj dhe fryt i kraharorit të saj. Ajo e ka bartur për nëntë muaj dhe ajo do t’i jap gji e gjiri i saj do të bëhet gjaku i Zotit (…). Ajo e ndjen njëkohësisht se Krishti është biri i saj, fëmija i vogël i saj, dhe biri i Hyjit. Ajo e shikon dhe mendon: Ky Zot është biri im. Ky mish hyjnor është mish i im. Ai është bërë prej meje, i ka sytë e mi dhe kjo formë e gojës së tij e ka formën e gojës sime. Ky fëmijë më përngjan. Është Zot dhe më përngjan! Asnjë grua nuk e ka pasur Zotin për vete në këtë mënyrë. Një Zot i vogël, i cili mund të merret në duar e të përkëdhelet me puthje, një Zot krejt i ngrohtë që qeshet e ja ndjejmë frymëmarrjen, një Zot që mund ta prekësh e që jeton.”
Zoti, pra, bëhet i pranishëm në trupin e njeriut. Misteri i Zotit na shfaqet në qartësinë e një të porsalinduri, i cili na lejon ta kundrojmë e ta prekim, ta ndjejmë aromën e tij e ta sodisim fytyrën e tij.
Sot bota ka nevojë urgjente për këtë kundrim e për këtë ledhatim hyjnor për banorët e vet, që dhuron dashuri të vërtetë, të ngrohtë e pambarimisht dhuruese, që i këput prangat e një individualizmi ultra-indiferent dhe venitjen për të bukurën e shenjtë, për të shenjtën e mirë, për të mbinatyrshmen e këtushme dhe për të këtushmen hyjnore. A ka dikush që mund ta plotësojë një mungesë të kuptimit, një apati gërryese të kohës bashkëkohore, përpos një intervenimi qiellor në përvujtërinë e papërshkrueshme, një fëmije që rrezaton parajsën e humbur dhe tregon shteg-daljen për jetën e kuptimtë.
Deri më sot, ndonëse kemi pasur tentime shterpe për të gjetur shtegun e për ta kapur kuptimin e qenies, ato kanë qenë të ndryshme – herë shpirtërore e herë materiale – por asnjëherë se kanë plotësuar nevojën e njeriut, e jo rrallë e kanë katandisur në errësira, në rrugë regresive e ja kanë shua ëndrrat për një lirie frymëdhënëse e ledhatuese. Sa herë njeriu ka provuar, edhe ky i yni, një degradim të dinjitetit nga oferta skllavopronare, ideologji shpirtërore – ofertë false e këputëse të relacionit me Zotin e vet, një gjarpërim tundues për të poseduar, vjedhur lirinë e bijësisë hyjnore, që e kanë dërguar në egoizëm e mohues të dinjitetit të asaj pjesë më të bukur të njeriut që dhuron jetë?
Liria e ka shpirtin e vet. Liria e shpërdoruar apo e përdorur keq – liria e pashpirt – e vret njeriun, e frikëson nga vetvetja dhe e largon prej brumit të vet, për ta çuar në drejtime të parehatshme.
Prandaj është e ngutshme, gjithnjë e më e ngutshme, t’iu ndihmojmë njerëzve të kohës sonë të lirohen nga liria e tyre e burgosur, nga mullinjtë donkishotesk të iluzionizmit dhe nga ankthi i paaftësisë kafkiane për të mos e dashur lirinë, si nxitje e raporteve ndërnjerëzore të mbushura me kuptim dhe dashuri. Paraliza e lirisë, e mbytur në patologjinë e vetvetes, shndërrohet në urryese dhe gllabëruese të gjithçkaje fisnike dhe shkrin çdo nostalgji për shtegtim të guximshëm drejt humanitetit.
Krishtlindja është një paradigmë, e cila na tregon se liria krijohet/bëhet vetëm aty ku njeriu hap portat e vetvetes dhe zbulon se ajo është ecje (e brendshme) pas të mirës dhe të bukurës njeridashëse, që ka marrë formën e saj njerëzore në Beltlehem. Aty e gjejmë shpërfaqjen e burimit të lirisë dhe të dashurisë që e përmbushin qenien njeri në të gjitha përmasat e tij dhe e aftësojnë për shtegtim të jetës.
Çdoherë që kremtoj Krishtlindjen, unë ripërtërij përvojën time të fëmijërisë dhe e shijoj parajsën e ngrohtë të Betlehemit, që më dhurohet si përkëdhelje hyjnore e jetës, për të ndierë parfumin e Jezusit, te i cili e gjej përmbajtjen dhe kuptimin e të qenunit në Tenzonë./drita.info