Nënë Elvira (1937-2023) – themeluesja e Bashkësisë Cenacolo ka kaluar në amshim

Murgesha Elvira Petrozzi e njohur si Nënë Elvira ka kaluar në amshim dje në orët e para të mëngjesit, njofton Bashkësia Cenacolo.

“Kur të thonë: ‘Elvira vdiq!’, duhet të këndosh, kërcesh, festosh… se jam gjallë! Mjerë ti nëse thua: “E gjora ajo…” Jo, nuk ka “e gjora”! Shkoj plotësisht e qetë dhe e lumtur, duke kënduar, tashmë jam duke kënduar! Diçka e madhe do të shpaloset para meje… jeta nuk vdes!”

Me këto fjalë të përsëritura ndër vite, motra Elvira Petrozzi, e njohur si Nënë Elvira, përgatiti bashkëpunëtorët e saj dhe të rinjtë e Bashkësisë Cenacolo, që ajo themeloi, për kalimin e saj në jetën e përjetshme.

Ajo e përfundoi shtegtimin e saj tokësor në Shtëpinë e Formimit të Bashkësisë Cenacolo në Saluzzo (IT), ku jetoi në vitet e fundit të sëmundjes, me dashurinë dhe kujdesin e madh të Motrave të bashkësisë.

“E rraskapitur” nga një jetë e kaluar me bujari dhe intensitet të jashtëzakonshëm, duke dashur dhe duke u shërbyer të varfërve, veçanërisht të rinjve të braktisur e të humbur nga varësitë, dhe e shënuar vitet e fundit me kryq, Nënë Elvira vazhdoi deri në fund, me besim, vendosmëri dhe guxim, plotësisht në hirin e Tij, për të dëshmuar dashurinë e saj të pamasë për jetën.

“Të mos e ofendojmë Zotin duke e shmangur vazhdimisht, duke u sjellë rreth e rrotull. Nëse Zoti nuk u përgjigjet pyetjeve tuaja, kjo është një shenjë se ju jeni të gjunjëzuar përpara idhujve dhe jo përpara Jezu Krishtit Zot. Nëse ai Zot nuk ju frymëzon guximin, trimërinë, lirinë për t’u shkëputur nga vetja, nga frika, nga komplekset tuaja, nga mëkatet tuaja, nëse ai nuk ju frymëzon dëshirën për t’u hedhur në zjarr deri në fund dhe dëshmoni me jetën tuaj, ky nuk është Zoti i Jezu Krishtit. Ju i keni bërë vetes një zot të përshtatshëm për veten tuaj. Ju keni krijuar një mashtrim sipas masës tuaj. Ju jeni robëruar. Por nëse e takoni Zotin e Jezu Krishtit, keni takuar Zotin që ju pranon, Zotin që ju thërret, Zotin që ju përmbush, Zotin që ju dërgon. Ai ju dërgon t’u thoni të gjithëve: Zoti ekziston dhe unë e kam takuar!”

Epja, o Zot, pushimin e pasosur!

(Bashkësia Cenacolo)

Shpëndaje: