MESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT
PËR DITËN III BOTËRORE TË GJYSHERËVE DHE TË MOSHURVE
23 korrik 2023
«Mëshira e tij brezni më brezni» (Lk 1, 5)
Të dashur vëllezër dhe motra!
“Mëshira e tij brezni më brezni” (Lk 1,50): kjo është tema e Ditës së Tretë Botërore të Gjyshërve dhe Moshuarëve. Është një temë që na kthen në një takim të bekuar: atë mes Marisë së re dhe kushërirës së saj të moshuar Elizabetës (khs. Lk 1,39-56). Elizabeta, e mbushur me Shpirtin Shenjt, i drejton fjalë Nënës së Zotit, të cilat edhe pas mijëvjeçarësh i japin ritëm lutjes sonë të përditshme: “Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd” (rr. 42). Dhe Shpirti Shenjt, që tashmë kishte zbritur mbi Marinë, i sugjeron që të përgjigjet me Magnificat, në të cilën ajo shpall se mëshira e Zotit shtrihet brez pas brezi. Shpirti Shenjt e bekon dhe e shoqëron çdo takim të frytshëm midis brezave të ndryshëm, midis gjyshërve dhe nipërve, midis të rinjve dhe të moshuarve. Në fakt, Zoti dëshiron, siç bëri Maria me Elizabetën, që të rinjtë të gëzojnë zemrat e të moshuarve dhe të nxjerrin urti nga përvojat e tyre. Por, mbi të gjitha, Zoti nuk do që ne t’i lëmë të moshuarit të vetmuar, që të mos i hedhim në margjinat e jetës, siç ndodh fatkeqësisht shumë shpesh sot.
Sivjet, bie bukur afërsia mes festimit të Ditës Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve me atë të Rinisë; të dyja këto e kanë si temë “nxitimin” e Marisë (khs. rr. 39) për të vizituar Elizabetën, dhe kështu na bëjnë të reflektojmë mbi lidhjen mes të rinjve dhe të moshuarve. Zoti shpreson që, duke i takuar ata, të rinjtë do të pranojnë thirrjen për të ruajtur kujtesën e tyre dhe për të njohur, falë tyre, dhuratën e përkatësisë në një histori më të madhe. Miqësia e një të moshuari e ndihmon të riun të mos e reduktojë jetën në të tashmen dhe t’ia kujtojë se jo gjithçka varet nga aftësitë e tij. Nga ana tjetër, për të moshuarit, prania e një të riu u hap shpresën që ajo që kanë përjetuar nuk do të humbasë dhe ëndrrat e tyre do të realizohen. Shkurtimisht, vizita e Marisë te Elizabeta dhe vetëdija se mëshira e Zotit bartet nga një brez në tjetrin zbulon se ne nuk mund të shkojmë përpara vetëm – madje as të shpëtojmë veten – dhe se ndërhyrja e Zotit shfaqet gjithmonë në të tërën, në historinë e një populli. Është vetë Maria ajo që e thotë në Magnificat, duke u gëzuar në Zotin që ka bërë mrekulli të reja dhe të jashtëzakonshme, besnik ndaj premtimit që i është bërë Abrahamit (khs. rr. 51-55).
Për të mirëpritur më mirë stilin e veprimit të Zotit, le të kujtojmë se koha duhet jetuar në plotësinë e saj, sepse realitetet më të mëdha dhe ëndrrat më të bukura nuk realizohen në një çast, por përmes rritjes dhe maturimit: në rrugë, në dialog, në marrëdhënie. Prandaj, ata që përqendrohen vetëm në të menjëhershmen, në avantazhet e tyre që duhet të arrihen shpejt dhe me lakmi, “gjithçka dhe menjëherë”, humbasin nga sytë veprimin e Zotit. Plani i Tij i dashurisë përkundrazi kalon të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, përqafon dhe lidh brezat. Është një projekt që shkon përtej vetvetes, por në të cilin secili prej nesh është i rëndësishëm dhe mbi të gjitha është i thirrur të shkojë përtej. Për më të rinjtë, bëhet fjalë për të shkuar përtej kufijve të menjëhershëm të realitetit virtual, gjë që shpesh na largon nga veprimet konkrete; për më të moshuarit bëhet fjalë për të mos u ndalur tek pikat e forta që po dobësohen dhe për të mos u penduar për mundësitë e humbura. Ne shikojmë përpara! Le të lejojmë që të formohemi nga hiri i Zotit, i cili, brez pas brezi, na çliron nga palëvizshmëria në veprimet tona dhe nga keqardhjet e së shkuarës!
Në takimin mes Marisë dhe Elizabetës, mes të rinjve dhe të moshuarve, Zoti na jep të ardhmen e tij. Në të vërtetë, udhëtimi i Marisë dhe mirëpritja e Elizabetës hapin dyert për shfaqjen e shpëtimit: përmes përqafimit të tyre, mëshira e tij depërton në historinë njerëzore me butësi të gëzueshme. Ndaj dua t’i ftoj të gjithë të mendojnë për atë takim, për më tepër, të mbyllin sytë dhe të imagjinojnë, si në një fotografi çasti, atë përqafim midis Nënës së re të Zotit dhe nënës së moshuar të Shën Gjon Pagëzuesit; për ta përfaqësuar atë në mendje dhe për ta përfytyruar në zemër, për ta fiksuar në shpirt si një ikonë e brendshme ndriçuese.
Dhe më pas ju ftoj të kaloni nga imagjinata në konkreten për të bërë diçka për të përqafuar gjyshërit dhe të moshuarit. Le të mos i lëmë të vetmuar, prania e tyre në familje dhe bashkësi është e çmuar, na jep ndërgjegjësimin për të ndarë të njëjtën trashëgimi dhe për të qenë pjesë e një populli, rrënjët e të cilit janë të ruajtura. Po, janë të moshuarit ata që na bartin përkatësinë e të qenit populli i shenjtë i Zotit. Kisha, ashtu si shoqëria, ka nevojë për ta. Ata i japin të tashmes një të kaluar të nevojshme për të ndërtuar të ardhmen. Le t’i nderojmë ata, të mos e privojmë veten nga shoqëria e tyre dhe të mos i privojmë nga tonat, të mos lejojmë që të lihen mënjanë!
Dita Botërore e Gjyshërve dhe të Moshuarve është menduar të jetë një shenjë e vogël delikate shprese për ta dhe për të gjithë Kishën. Prandaj e ripërtërij ftesën time për të gjithë – dioqeza, famulli, shoqata, bashkësi – për ta kremtuar atë, duke vendosur në qendër gëzimin e tejmbushur të një takimi të ripërtërirë mes të rinjve dhe të moshuarve. Ju të rinjve që po përgatiteni të niseni për në Lisbonë ose që do të përjetoni Ditën Botërore të Rinisë në vendet tuaja, dua t’ju them: përpara se të niseni, shkoni vizitoni gjyshërit tuaj, bëni një vizitë vetëm tek një i moshuar! Lutja e tij do t’ju mbrojë dhe ju do ta mbani bekimin e atij takimi në zemrën tuaj. Ju lus ju të moshuar që të shoqëroni me lutjet tuaja të rinjtë që do të festojnë DBR. Ata djem e vajza janë përgjigja e Zotit ndaj kërkesave tuaja, fryti i asaj që keni mbjellë, shenja se Zoti nuk e braktis popullin e tij, por gjithmonë i ripërtërinë me imagjinatën e Shpirtit Shenjt.
Të dashur gjyshër, të dashur vëllezër e motra të moshuar, bekimi i përqafimit mes Marisë dhe Elizabetës mbërriftë tek ju dhe ju mbushtë zemrat me paqe. Ju bekoj me dashuri. Ju lutem, lutuni për mua.
Romë, Shën Gjoni në Lateran, 31 maj 2023, Festa e Vizitës së të Lumes Virgjërës Mari.
Françesku
Përktheu: Rev. “Drita”