Papa Françesku për ditën botërore të të sëmurit: “Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm” Të shërosh të sëmurin duke shëruar marrëdhëniet

MESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT
PËR DITËN XXXII BOTËRORE E TË SËMURIT

11 shkurt 2024

 

“Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm”
Të shërosh të sëmurin duke shëruar marrëdhëniet

 

“Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm” (Zan 2,18). Që në fillim, Hyji, i cili është dashuri, e krijoi njeriun për jetuar në bashkësi, duke e shkruar në qenien e tij dimensionin e marrëdhënieve. Kështu, jeta jonë, e formuar në përngjasimin e Trinisë, është e thirrur të realizohet plotësisht në dinamizmin e marrëdhënieve, miqësisë dhe dashurisë së ndërsjellë. Ne jemi krijuar për të jetuar bashkë, jo vetëm. Dhe pikërisht për shkak se ky projekt i të qenit bashkë është ngulitur aq thellë në zemrën e njeriut, përvoja e braktisjes dhe e vetmisë na tremb dhe na duket e dhimbshme, madje edhe çnjerëzore. Bëhet e tillë edhe më shumë në kohë brishtësie, paqartësie dhe pasigurie, të shkaktuara shpesh nga fillimi i ndonjë sëmundjeje të rëndë.

Mendoj, për shembull, për ata që ishin tmerrësisht vetëm gjatë pandemisë Covid-19: pacientë që nuk mund të prisnin vizitorë, por edhe infermierë, mjekë dhe staf ndihmës, të gjithë të mbingarkuar me punë dhe të mbyllur në reparte izolimi. Dhe sigurisht të mos harrojmë sa shumë u është dashur të përballojnë të vetëm orën e vdekjes, të ndihmuar nga personeli shëndetësor, por larg familjeve të tyre.

Në të njëjtën kohë, ndaj me dhimbje gjendjen e vuajtjes dhe vetmisë së atyre që për shkak të luftës dhe pasojave tragjike të saj, gjenden pa mbështetje dhe pa ndihmë: lufta është më e tmerrshmja nga sëmundjet sociale dhe njerëzit më të brishtë e paguajnë çmimin e saj më të lartë.

Megjithatë, duhet nënvizuar se, edhe në vendet që gëzojnë paqe dhe burime më të mëdha, koha e pleqërisë dhe e sëmundjes shpesh jetohet në vetmi dhe, ndonjëherë, edhe në braktisje. Ky realitet i trishtuar është mbi të gjitha pasojë e kulturës së individualizmit, e cila lartëson produktivitetin me çdo kusht dhe kultivon mitin e efikasitetit, duke u bërë indiferente dhe madje e pamëshirshme kur njerëzit nuk kanë më forcën e nevojshme për të vazhduar. Bëhet, pra, një kulturë e hedhjes, në të cilën “njerëzit nuk shihen më si një vlerë parësore për t’u respektuar dhe mbrojtur, veçanërisht nëse janë të varfër ose të paaftë, nëse “ata nuk janë ende të dobishëm” – si të palindurit – ose “nuk janë më të dobishëm” – si të moshuarit” (Enc. Fratelli tutti, 18). Fatkeqësisht, kjo logjikë përshkon edhe disa zgjedhje politike, të cilat nuk arrijnë të vendosin dinjitetin e personit njerëzor dhe nevojat e tij në qendër, dhe jo gjithmonë favorizojnë strategjitë dhe burimet e nevojshme për t’i garantuar çdo qenie njerëzore të drejtën themelore për shëndetin dhe qasjen në kujdesin shëndetësor. Në të njëjtën kohë, braktisja e të brishtëve dhe vetmia e tyre favorizohen edhe nga reduktimi i kujdesit vetëm tek shërbimet shëndetësore, pa u shoqëruar me mençuri nga një “aleancë terapeutike” mes mjekut, pacientit dhe familjarit.

Na bën mirë ta dëgjojmë sërish atë fjalën biblike: nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm! Hyji e shqipton atë në fillim të krijimit dhe kështu na zbulon kuptimin e thellë të planit të tij për njerëzimin, por, në të njëjtën kohë, plagën vdekjeprurëse të mëkatit, e cila futet, duke shkaktuar dyshime, thyerje, përçarje dhe, për rrjedhojë, izolim. Mëkati e sulmon njeriu në të gjitha marrëdhëniet e tij: me Hyjin, me veten, me të tjerët, me krijimin. Ky izolim na bën të humbasim kuptimin e ekzistencës, na heq gëzimin e dashurisë dhe na bën të përjetojmë një ndjenjë shtypëse të vetmisë në të gjitha pjesët vendimtare të jetës.

Vëllezër dhe motra, kujdesi i parë që na nevojitet në sëmundje është afërsia plot dhembshuri dhe butësi. Për këtë arsye, të kujdesesh për të sëmurin do të thotë para së gjithash të kujdesesh për marrëdhëniet e të sëmurit, për të gjitha marrëdhëniet e tij: me Hyjin, me të tjerët – familjen, miqtë, punonjësit e shëndetësisë –, me krijimin, me veten e tij. Është e mundur kjo? Po, është e mundur dhe të gjithë jemi të thirrur të punojmë shumë për ta realizuar këtë. Le të shohim ikonën e Samaritanit të Mirë (khs. Lk 10,25-37), aftësinë e tij për të ngadalësuar hapin dhe për t’u afruar, në butësinë me të cilën ai zbut plagët e vëllait të tij që vuan.

Le të kujtojmë këtë të vërtetë qendrore të jetës sonë: ne kemi ardhur në botë sepse dikush na pranoi, jemi krijuar për dashuri, jemi të thirrur në bashkim dhe vëllazëri. Ky dimension i qenies sonë na mbështet veçanërisht në kohë sëmundjeje dhe brishtësie dhe është terapia e parë që duhet të adoptojmë të gjithë së bashku për të shëruar sëmundjet e shoqërisë në të cilën jetojmë.

Juve që jeni duke përjetuar sëmundjen, qoftë e përkohshme apo kronike, dua t’ju them: mos u turpëroni nga dëshira juaj për afërsi dhe butësi! Mos e fshihni dhe mos mendoni kurrë se jeni barrë për të tjerët. Gjendja e të sëmurit i fton të gjithë të ngadalësojnë ritmet e ethshme në të cilat jemi zhytur dhe të ritakojmë vetveten.

Në këtë ndryshim të epokës që po përjetojmë, ne të krishterët jemi të thirrur veçanërisht të përvetësojmë vështrimin e dhembshur të Jezusit. Le të kujdesemi për ata që vuajnë dhe janë vetëm, ndoshta të margjinalizuar dhe të lënë vetëm. Me dashurinë e ndërsjellë që Krishti Zot na jep në lutje, veçanërisht në Eukaristi, t’i shërojmë plagët e vetmisë dhe të izolimit. Dhe kështu ne bashkëpunojmë për të kundërshtuar kulturën e individualizmit, indiferencës, hedhjes dhe për të rritur kulturën e butësisë dhe dhembshurisë.

Të sëmurët, të dobëtit, të varfrit janë në zemër të Kishës dhe duhet të jenë gjithashtu edhe në qendër të vëmendjes sonë njerëzore dhe kujdesit baritor. Të mos i harrojmë! Dhe t’ia besojmë jetën tonë të Lumes Mari, Shëndetit të të sëmurëve, që të ndërmjetësojë për ne dhe të na ndihmojë të jemi artizanët e afërsisë dhe marrëdhënieve vëllazërore.

 

Romë, Shën Gjoni në Lateran, më 10 janar 2024

FRANÇESKU

 

 

(Përktheu: Revista “Drita”)

Shpëndaje: