Urbi et Orbi – Romës e Botës, Papa: Zoti u dhëntë fund të gjitha luftërave që gjakosin botën

Në mesazhin tradicional për bekimin e Pashkëve, që ishte i pranishëm në lozhë edhe kardinali shqiptar Ernest Simani, Françesku i lypi Zotit dhuratën e paqes për Ukrainën, pasuar nga lutja: “Shpërndaje dritën e Pashkëve mbi popullin rus”. Një lutje për Sirinë, Libanin, Tokën Shenjte; më pas, thirrja për drejtësi ndaj Rohingya-ve në Mianmar dhe ngushëllim për viktimat e terrorizmit në Afrikë. Papa ia besoi Zotit “bashkësitë e krishtera që i kremtojnë sot Pashkët në kushte të veçanta, si Nikaragua e Eritrea.

 

“Sot shpallim se ai, Zoti i jetës sonë, është “ringjallja dhe jeta” e botës (krh. Gjn 11,25). Kremtojmë Pashkët, që do të thotë “kalim”, sepse në Jezusin u krye kalimi vendimtar i njerëzimit: nga vdekja, në jetë; nga mëkati, në hir; nga frika, në besim; nga braktisja, në bashkim. Përmes Tij, Zot i kohës dhe i historisë, dua t’u them të gjithëve me gëzim në zemër: Gëzuar Pashkët!”. Kështu u shpreh Papa Françesku gjatë mesazhit të Pashkëve drejtuar Romës e Botës, në lutjen mariane të Mbretëreshës Qiellore, kremtuar sot, të Dielën e Pashkëve, në mesditë, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në festë, Ditën e Ngjalljes së Jezu Krishtit, në prani të dhjetëra mijëra besimtarësh ardhur nga vende të ndryshme të botës.

Në mesazhin tradicional për bekimin e Pashkëve, Papa Françesku i lypi Zotit  dhuratën e paqes për Ukrainën e për botën mbarë, pasuar nga lutja: “Shpërndaje dritën e Pashkëve mbi popullin rus”. Pastaj një lutje për Sirinë, Libanin, Tokën Shenjte; më pas, thirrja e Papës për drejtësi ndaj Rohingya-ve në Mianmar dhe ngushëllim për viktimat e terrorizmit në Afrikë. Papa Bergoglio ia besoi Zotit “bashkësitë e krishtera që i kremtojnë sot Pashkët në kushte të veçanta, si në Nikaragua e Eritrea etj.  Por, ta dëgjojmë fjalën drejtuar Romës e Botës nga Papa, që sot kishte pranë edhe kardinalin shqiptar, Hirësinë e Tij, Ernest Troshani:

 

Papa Françesku: Bekimi Urbi et Orbi – Romës dhe Botës!

(Tekst i plotë)

 

Të dashur vëllezër dhe motra, Krishti u ngjall!

Sot shpallim se ai, Zoti i jetës sonë, është “ringjallja dhe jeta” e botës (krh. Gjn 11,25). Kremtojmë Pashkët, që do të thotë “kalim”, sepse në Jezusin u krye kalimi vendimtar i njerëzimit: nga vdekja, në jetë; nga mëkati, në hir; nga frika, në besim; nga braktisja, në bashkim. Përmes Tij, Zot i kohës dhe i historisë, dua t’u them të gjithëve me gëzim në zemër: Gëzuar Pashkët!

Qofshin për secilin prej jush, të dashur vëllezër e motra, veçanërisht për të sëmurët dhe të varfërit, për të moshuarit dhe për ata që po kalojnë çaste provash dhe lodhjeje, kalim nga mundimi, në ngushëllim. Nuk jemi vetëm: Jezusi, i Gjalli, është me ne përgjithmonë. Gëzofshin Kisha dhe bota, mbasi sot shpresat tona nuk mposhten më pas murit të vdekjes, sepse Zoti na hapi një urë drejt jetës. Po, vëllezër e motra, Pashkët e ndryshuan fatin e botës e sot, ditë që përkon me datën më të mundshme të ringjalljes së Krishtit, ne mund të gëzohemi duke festuar, me hir të pastër, ditën më të rëndësishme dhe më të bukur të historisë.

Krishti u ngjall, vërtetë u ngjall, siç shpallet në Kishat e Lindjes. Kjo vërtetë na kujton se shpresa nuk është e kotë, është e vërtetë! E se në rrugën e njerëzimit, përshkuar nga shpresa, nga Pashkët e këndej, ecet më shpejt. Këtë na e tregojnë dëshmitarët e parë të Ringjalljes me shembullin e tyre. Ungjijtë tregojnë për nxitimin me të cilin në ditën e Pashkëve “gratë shpjetuan për t’u dhënë lajmin dishepujve” (Mt 28:8). E, më pas, Maria Magdalenë “vrapoi dhe shkoi te Simon Pjetri” (Gjn 20:2), Gjoni dhe vetë Pjetri “vrapuan të dy bashkë” (krh. v. 4) për të arritur në vendin ku ishte varrosur Jezusi. E më pas, në mbrëmjen e Pashkëve, pasi takuan të Ngjallurin në rrugën për në Emaus, dy dishepujt “u nisën pa vonesë” (Lk 24:33) dhe përshkuan me nxitim disa kilometra në të përpjetë dhe në errësirë, të nxitur nga gëzimi i papërmbajtshëm i Pashkëve, që i vlonte në zemra (krh. v. 32). Po ai gëzim për të cilin Pjetri, në brigjet e detit të Galilesë, si pa Jezusin e ringjallur, nuk mundi të qëndronte më në barkë me të tjerët, por menjëherë u hodh në ujë që të notonte sa më shpejt për ta takuar Atë (krh. Gjoni 21:7). Me pak fjalë, për Pashkë, udhëtimi shpejtohet dhe bëhet nxitim, sepse njerëzimi sheh cakun e udhëtimit të tij, kuptimin e fatit të tij, Jezu Krishtin, dhe thirret të nxitojë drejt Tij, shpresës së botës.

Të nxitojmë edhe ne për t’u rritur në rrugën e besimit reciprok: në besimin ndërmjet njerëzve, ndërmjet popujve dhe kombeve. Le të mahnitemi nga lajmi i gëzuar i Pashkëve, nga drita që ndriçon errësirën e nga errësira në të cilën mbështillet shpesh bota.

Le të nxitojmë që t’i kapërcejmë konfliktet dhe ndarjet dhe t’ua hapim zemrat atyre, që kanë më shumë nevojë. Le të nxitojmë në shtigjet e paqes dhe të vëllazërisë. Të gëzohemi për shenjat konkrete të shpresës që na arrijnë nga shumë vende, duke nisur nga ato, që u japin ndihmë dhe mikpritje, atyre që ikin nga lufta dhe varfëria.

Gjatë rrugës, megjithatë, ka ende shumë pengesa, të cilat e bëjnë të mundimshëm nxitimin tonë drejt Zotit të Ngjallur. Atij ia drejtojmë lutjen tonë: na ndihmo të vrapojmë drejt teje! Ndihmona t’i hapim zemrat tona!

Ndihmoje popullin e dashur ukrainas në rrugën e tij drejt paqes dhe ndriçoje me dritën e Pashkëve popullin rus. Ngushëlloji të plagosurit dhe ata që humbën të dashurit në luftë dhe ndihmoji të burgosurit të kthehen të sigurt në familjet e tyre. Hapja zemrat gjithë bashkësisë ndërkombëtare për të punuar që t’i jepet fund kësaj lufte dhe të gjitha konflikteve që po gjakosin botën, duke nisur nga Siria, e cila vijon të presë paqen. Ndihmoji të prekurit nga tërmeti i tmerrshëm në Turqi dhe në Siri. Të lutemi për ata që humbën familjen dhe miqtë e mbetën pa strehë: i ngushëlloftë Zoti e i ndihmoftë familja e kombeve!

Në këtë ditë ne abesojmë ty, o Zot, qytetin e Jeruzalemit, dëshmitarin e parë të ringjalljes sate. Shqetësohem thellësisht për sulmet e ditëve të fundit, të cilat kërcënojnë atmosferën e dëshiruar të besimit dhe të respektit të anasjelltë, të nevojshme për rifillimin e dialogut ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, në mënyrë që paqja të mbretërojë në Qytetin e Shenjtë dhe në mbarë Rajonin.

Ndihmoje, o Zot, Libanin, ende në kërkim të stabilitetit dhe të unitetit, që të mund  t’i kapërcejë ndarjet dhe të gjithë qytetarët të punojnë së bashku për të mirën e përbashkët të vendit.

Mos e harro popullin e dashur të Tunizisë, veçanërisht të rinjtë dhe ata që vuajnë nga problemet sociale dhe ekonomike, që të mos humbasin shpresat dhe të bashkëpunojnë në ndërtimin e një ardhmërie me paqe e vëllazërim.

Silli sytë nga Haiti, i cili vuan prej disa vitesh nga një krizë e rëndë socio-politike dhe humanitare, e mbështete angazhimin e aktorëve politikë dhe të bashkësisë ndërkombëtare në kërkim të një zgjidhjeje përfundimtare për problemet e shumta që prekin atë popullsi shumë të trazuar.

Fuqizoji proceset e paqes dhe të pajtimit të nisura në Etiopi dhe në Sudanin e Jugut, e premto që të marrë fund dhuna në Republikën Demokratike të Kongos.

Përkrahi, o Zot, bashkësitë e krishtera që i kremtojnë sot Pashkët në rrethana të veçanta, si në Nikaragua dhe në Eritre, dhe kujtoji të gjithë ata që pengohen ta dëshmojnë lirisht dhe publikisht fenë e tyre. Ngushëlloji viktimat e terrorizmit ndërkombëtar, veçanërisht në Burkina Faso, Mali, Mozambik dhe Nigeri.

Ndihmoje, o Zot, Mianmarin të ecë në shtigjet e paqes dhe ndriçoji zemrat e atyre që janë përgjegjës, që Rohingya-të martirë të gjejnë drejtësi.

Ngushëlloji refugjatët, të dëbuarit, të burgosurit politikë dhe emigrantët, veçanërisht më të rrezikuarit, si dhe të gjithë ata që vuajnë nga uria, varfëria dhe pasojat e dëmshme të trafikut të drogës, trafikimit të qenieve njerëzore dhe të gjitha formave të skllavërisë. Frymëzoji, o Zot, krerët e kombeve, që asnjë burrë a grua të mos diskriminohet dhe t’i shkelet dinjiteti; në mënyrë që me respektimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe të demokracisë, të shërohen këto plagë sociale, të kërkohet gjithmonë dhe vetëm e mira e përbashkët e qytetarëve, të garantohet siguria dhe kushtet e nevojshme për dialog e bashkëjetesë paqësore.

Vëllezër, motra, le të rizbulojmë edhe ne shijen e udhës, t’i shpejtojmë rrahjet e zemrave plot shpresë, të shijojmë bukurinë e Qiellit! T’i përdorim energjitë për të ecur përpara në takimin e mirë me të Mirën, që nuk të zhgënjen. Dhe nëse, siç shkruante një Atë i lashtë, “mëkati më i madh është të mos besosh në energjitë e Ringjalljes” (Shën Isaku i Ninives, Predikime asketike, I,5), sot ne besojmë: “Po, jemi të sigurt: Krishti vërtetë u ngjall” (Sekuencë).

Besojmë në ty, o Zot Jezus, besojmë se me Ty shpresa rilind, udhëtimi vijon! Ti, o Zot i jetës, inkurajoji udhët tona dhe na përsërit edhe ne, si dishepujve në mbrëmjen e Pashkëve: “Paqja qoftë me ju!” (Gjn 20,19.21).

Marrë nga Radio Vatikani Shqip

Shpëndaje: