120 – vjetori i lindjes së Ernest Koliqit

Nga Ndue Ukaj

 

Në historinë e artit dhe të kulturës shqiptare, Ernest Koliqi shquhet si poet e tregimtar me ndjeshmëri të thella artistik, si profesor e drejtues i revistës me peshë kulturore “Shêjzat”, si ministër arsimi e drejtues institucionesh, si përkthyes nga italishtja në shqip dhe anasjelltas, si studiues i zellshëm që çmon punët e të tjerëve, siç është vlerësimi mbresëlënës për Faik Konicën, të cilit ia njeh meritat kryesore “për nji paraqitje kombëtare të veprimtarisë së letrareve shqiptarë”, por edhe si njeri i ndjeshëm e me shqetësime tronditëse, gjë të cilën e shpreh në një letër drejtuar Mustafa Krujës kur thotë: “ne shqiptarët, përgjithësisht, jemi bukur fort të prirun ka epshi i prozhmimit…Individualizmi i tepruem na i ndalon, përpara meritës së tejtërkuj, hovet e mêndes dhe të zêmrës.”

Koliqi ishte besimtar i artit dhe fuqinë e tij e konsideronte të epërme. Te teksti “Tre poetët më të mëdhenj shqiptarë” thotë se “De Rada (1814-1903), Naim Frashri (1846-1900) dhe Gjergj Fishta (1871-1940) mund të konsiderohen me plot arsye ndërtuesit e Shqipërisë së sotme.” Në këtë shkrim, Koliqi analizon rolin epërm, gati profetik që patën shkrimtarët shqiptarë në betejën e vështirë për vetëdijesim kombëtar, në një kohë kur gjendja e kombit ishte e mjerueshme dhe prapambeturia e thellë.

Kjo është aksiologjia e vlerave të tij dhe Koliqi meritat në formimin e kombit iu njeh shkrimtarëve të cilët sipas tij ngjajë në Orfeun “që i lëvizte gurët me tingullin e lirës dhe u jepte shpirt në mënyrë që ata vetë të vendoseshin njëri mbi tjetrin dhe të ndërtonin qytetin e rrethuar me mure të mrekullueshme, ashtu edhe tre poetët tanë i bindën me forcën e pastër të poezisë edhe fiset më të konfrontuara shqiptare.”

Vetë Koliqi dhe vepra e tij janë rrjedhojë e kësaj filozofie. Në fakt, këto koncepte krijuese e intelektuale bëhen njëfarë mënyrë boshti i angazhimeve të tij, gjë të cilën e pohon kur thotë: nji lis pa rrajë nuk qindron në kambë, dhe se nji komb qi përbuzë traditat e veta, vendos vetëvrasjen e vet.” 

Koliqi në veprën letrare e studimore e lidh bukur traditën me të tashmen dhe bëhet shprehje e së resë, duke themeluar tregimin modern shqiptar e duke krijuar institucione të vlefta kulturore.

Në të vërtetë, Koliqit përfaqëson një model unik kulturor në krijimtari, por edhe  në fushën studimeve. I lindur dhe i formuar në një qytet me traditë kulturore, ku u krijuan veprat ma mahnitëse të artit shqiptar të kohës, ai i lidh dy traditat më të rëndësishme e më të bukura të historisë së kulturës dhe artit shqiptar: traditën e madhe françeskane që kulturës shqiptare i dha veprat më përfaqësuese, me poetin kombëtar Gjergj Fishtën, dhe atë jezuite me përfaqësues poetin e madh Ndre Mjedën, dukuri e fenomene këto kulturore e estetiket të cilat Koliqi i njihte mirëfilli e për të cilat shkroi një studim me vlerë, “Dy shkollat letrare shkodrane.” Si shkrimtar, Koliqi është rrjedhoja më e bukur e këtyre dy llavave të forta kulturore, por edhe e mjediset etik e kulturor të Shkodrës, qytet ky që në historinë shqiptare ka përmasën e asaj që ka Firencja për kulturën italiane e perëndimore.

Në një gjendje të tillë, poetët shqiptarë, thotë Koliqi ngjajnë në Orfeun “që i lëvizte gurët me tingullin e lirës dhe u jepte shpirt në mënyrë që ata vetë të vendoseshin njëri mbi tjetrin dhe të ndërtonin qytetin e rrethuar me mure të mrekullueshme, ashtu edhe tre poetët tanë i bindën me forcën e pastër të poezisë edhe fiset më të konfrontuara shqiptare.”

Veprimtaria intelektuale dhe artistike e Koliqit është shprehje e personalitetit dhe e formimit të tij, e familjes dhe e  mjedisit etik e estetik ku u formua dhe u shkollua.

Ai lindi në Shkodër para 120 vjetëve në një familje të shquar që i dha kombit shqiptar kardinalin Mikel Koliqi dhe intelektualin Viktor Koliqi, në kohën kur shqiptarët e dërmuar nga sundimi i gjatë osman përgatitshin të pavarësoheshin. U edukua në mjediset e këtij qyteti, në një kohë kur në të e përreth tij jetonin intelektualë dhe krijues si Gurakuqi, Mjeda, Fishta, Harapi, Shantoja, Shllaku, etj. Pikërisht ky mjedis dhe fryma mahnitëse e kohës, dëshira e madhe për t’i dhënë kombit të mjerë dije e kulturë e mëkoi atë me dashuri dhe e ushqeu me ide e ideale për të bukurën, të dobishmen dhe estetikën.

Bazat e arsimimit i mori në Kolegjin Saverian, pastaj shkoi në Itali ku u thella në studime e lexime dhe u formua me koncepte moderne për kulturën, gjuhën e artin.

Pra, vepra artistike dhe studimore e Koliqit tregon se ai ishte një besimtar i devotshëm dhe i palëkundur i kulturës; i vetëdijshëm se kultura ishte arma ma fisnike e më e fuqishme për t’ia ndalë hovin së keqes. Dhe ai besonte te kjo armë, prandaj e përdorte forcën e saj t’iu dhënë kahe pozitive zhvillimeve shpirtërore, për të pasuruar me punë fisnike jetën e varfër shpirtërore e intelektuale të kohës, gjë të cilën e shprehte në shkrimet artistike, por edhe në studimet e analiza: “…sidomos kultura”- shkruante ai “asht arma ma e përshtatun për t’ia thye hovin shkulmit të parimeve shkombëtarizuese që mërzisin e molisin popullin e Shqipnis së mjerë.”

Ai ishte i bindur se një shoqëri vlen aq sa është e kulturuar, përparon aq sa i kushton vëmendje e rëndësi kulturës dhe pranohet në vlerat e përbotshme aq sa ka forcë t’i jep vlera ushqyese kulturës dhe civilizimit botëror, prandaj përpjekja e tij për t’i dhënë kombit vlera shumëdimensionale nuk pushoi kurrë.

Dhe këtë na thotë te novela “Gjaku” ku Koliqi e bënë pyetjen ma të ndërgjegjshme që mund të bëjë një shkrimtar e intelektual “A ka send mâ të mrekullueshëm në këtë botë se me i sjellë qytetnimn nji kombi zhytë n’ errsin e padijes?”  Dhe përgjigja është kjo:

Ai qi kalon nëpër popull tue hidhë faren për nji jetë mâ të mirë, ai qi e ndriçon me nji dritë mâ të bukur tokën qi na ushqen, ai qi bân me ngadhnjye agimet në muzgun e pacaktuem të shpirtnave, shkurt: kush i difton  nji udhë të rë qytetnije të vërtetë, â i denjë me qênë i nderum si gjysmë perendije.”

Dihet, rrethanat e vështira nëpër të cilat ka kaluar kombi shqiptar dhe pasojat e mjerueshme që la robëria e gjatë osmane ndikuan që shkrimtarët shqiptarë të ngarkohen me një mision fisnike, për çka flet Koliqi përmes zërit të personazhit të prozës “Gjaku”: të hapin udhë të re qytetnije, të hedhin farën e kulturës në një tokë të shkretuar, të ndezin dritën në terr të madh, të ujitin thatësitë e mëdha dhe të bëhen gurrë frymëzimi për të shuar etjen shekullore.

Koliqi me vetëdije intelektuale, intuitë krijuese dhe me dije estetike lidhi mjeshtërisht autoktonen e universalen, por duke besuar, siç shprehej Camaj, te cilësitë pozitive të kombit shqiptar. 

E, duke e kuptuar gjithë këtë shtrije të veprës së tij dhe gurët e fortë të këndit që ai i ka vendosë në historinë kulturore shqiptare, më vjen ndërmend një dedikim mbresëlënës që Marin Sirdani i bënte për Gjergj Fishtën kur thoshte se “dukej nieri i derguem prej Perëndis për të ringjallë e naltue kombin e vet të mjerem për sa shekuj.”

Duke e analizuar rolin e madh të Koliqit në historinë e artit, kulturës e arsimit shqiptar, i tillë tingëllon roli i tij. Sepse, veprimtaria e Koliqit është kolosale, kurse për Kosovën e dërmuar, të pushtuar nga serbët, pa shkolla, pa elita e në një terrinë të madhe, ndërmarrja e tij ngjan si një ndërhyrje e forcave të epërme, thjesht madhështore dhe me siguri më e rëndësishmja në historinë e këtij vendi, prandaj Kosova i detyrohet shumë punës së tij, kurse mësimet e tij shembullore duhet të na shërbejnë sot dhe nesër që të mos ecim të verbum “në nji tymnajë thânethashash pa krye e pa bisht, ku çdo Shqiptar krijon nji Shqipní mbas qejfit të vet, qi s’ka kurrnji lidhje me botën reale. E kënaqet sepse në kët Shqipni, sendërgjue prej fantazís s’ethun, ai e njeh veten te parë, âsht vetë Alì e vetë Kadì, mposhtë me mend ata qi i bâjnë hije dhe zgjâhet tue andrrue (në kllapí madhështore) nderime e shpërblime qi nuk barasohen kurrsesì me vleftën e tij morale e intelektuale.”

Veprën artistike të Koliqit e dominon tema e Shkodrës, qytet ky që ngjan në një Itakë malli e dashuri, ku shfaqen me ngjyra të bukura artistike peizazhet qytetit, mbrëmjet e mëngjeset shkodrane.  

E në historinë e prozë shqipe, atij i takon merita kryesore sepse është themelues i prozës moderne shqipe, të cilën e pasuroi në stil e në gjuhë, duke futë edhe një element të panjohur deri atëherë. Ai krijoi modele të reja, sidomos të prozës psikologjike e tregimit psikospektiv, në të cilat, siç thotë Aurel Plasari, vërehet dukshëm elementë të analizës psikologjike të llojit frojdist

Në veprën e tij që vërtit rreth maleve dhe hijeve që, Shkodrës, ndeshen e reja dhe prapanikja, e Koliqi si shkrimtar e sfidon lexuesin me nevojën e  ndryshimeve: triumfin e dashurisë kundrejt urrejtjes e zakoneve prapanike, dijes kundrejt injorancës, estetikës kundrejt shëmtisë, dashurisë së njëmend për atdheut kundrejt shtirjes. Dhe përherë e ngrit zanin kundrejt hovit të së keqes e shkulmit shkombëtarizues.

Fatkeqësisht, vepra e tij u këput prej rrjedhës kur atdheu i tij u prangos nga komunistët që e urryen veprën e tij, por ajo u zhvillua hovshëm e frytshme në Romë, ku ai zhvilloi një jetë aktive intelektuale e krijuese dhe u bë përbashkues i intelektualëve e krijuesve të mëdhenj arbëresh e të diasporës, siç është pikëtakimi me Martin Camajn, tek i cili la gjurmë të pashlyeshme.

Për Koliqin, thoshte Camaj “vetmohemi për çështje, ndjenja e përgjegjësisë, për të punue e jetue si Rilindas ishte e natyrshme dhe e vetvetishme. Ky qëndrim jetësor la ravë të qarta dhe në krijimtarinë letrare të Koliqit, së pari si krijues dhe mandej dhe si gjurmues i letërsisë shqipe. Në veprën e Koliqit u përjetësuen dhe kthesat e rrymave letrare sepse Ai qe i hapët gjithnji kah frymzime të reja, por tema thelbësore mbetet deri në fund çështja e eksistencës së kombit, “mbetja gjallë” ose “gjallnesa”. Ndërrojnë gjinitë letrare të Koliqit por kjo përmbajtje mbizotnon; dinte të përdoronte pendën e vet të mpreftë në shkrime me karakter polemik pa ngurrim se po bahej “i padashun”, kur ia merrte mendja se ishte në interes të çështjes.”

Sot, njëqindenjëzet vjet pas lindjes së këtij kolosi, gurët e këndit që ai i vendosi në ngrehinën e historisë sonë kulturore duhet t’i mirëmbajmë me kujdes, kurse gjurmëve të tija duhet të ecim syçelë për të mos humbë në mjegull, e veprën e tij artistike duhet ta bëjmë shujtë shpirtërore që t’i fisnikërojmë sjelljet tona dhe të përmirësojmë shëndetin kombëtar, sepse, ai është një personalitet poliedrik dhe me kontribute të shumanshme, e personalitet e tilla në historinë e një kombi s’janë shumë, por janë dritëdhënës e udhëndriçues që përcaktojnë kahet e zhvillimit të një kombi, prandaj mësimi për ta dhe mësimi prej veprave të tyre mbetet mësimi më i mirë për të sotmen e të nesërmen tonë kombëtare.

Koliqi tanimë e ka fituar kohën e pambarim./drita.info

 

(Ligjëratë me rastin e 120-vjetorit të lindjes së Ernest Koliqit, në Biblioteka “Ernest Koliqi”, Prishtinë, 20 maj 2023)

Shpëndaje: