In memoriam: Prof. Zef Chiaramonte (1946 – 2024)

Nga Don Lush GJERGJI

 

Më 11.02 2024 ndërroi jetë një nga personalitetet e shquara arbëreshe, Prof Giuseppe Zef Chiaramonte.

 

Prof. Zef Chiaramonte lindi më 29 Korrik 1946 ne Santa Cristina di Gela,  ishte arbëresh mjaft i njohur dhe shumë i popullarizuar i Sicilisë. Fatbardhësisht atë e kam njohur dhe jam shoqëruar me të vëllazërisht qysh gjatë studimeve në Romë (1968 – 1995), dhe nga atëherë kemi bashkëpunuar për çështjen tonë kombëtare arbëreshe – shqiptare, si theksonte shpesh ai.  Zefi ynë, kështu e quaja me dashuri, ishte pothuaj pjesëmarrës i rregulltë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhë, Kulturë dhe Letërsi në Prishtinë, duke i dhënë jetë dhe gjallëri pranisë arbëreshe në Kosovë.

Gjatë diktaturës së Slobodan Miloševićit, ishte “zëri dhe ndërgjegja jonë”  në Itali dhe më gjerë.

Prania e tij shumë aktive, tërheqëse dhe domethënëse në Kosovë ishte sidomos  gjatë viteve 1990, sidomos në Pajtimet e gjaqeve, në SHHBK “Nëna Tereze”, në përkrahjen e lëvizjeve për shkollim dhe mjekësi paralele, alternative – shqiptare.

Kishte një bindje, edhe më tepër, një besim të pathyeshëm së pari në Zotin, pastaj edhe në Popullin tonë, se herdo-kurdo e mira, e drejta, e vërteta, jeta, mbi të gjitha liria dhe demokracia, me këtë Dashuria, do të vijnë edhe për ne dhe do ta mposhtin urrejtje, dasitë, përçarjet, diktaturën.

Me natyrë të qetë dhe të hareshme, me bindje dhe përcaktime shqiptare – arbëreshe, me orientim perëndimor dhe demokratik, ishte vërtet atdhetar i shquar dhe i dalluar, me angazhime të gjithanshme në të mirë dhe dobi të Popullit.

Shpesh më thoshte kështu: “Është vërtet mrekulli ekzistenca dhe mbijetesa jonë shumëshekullore, kudo, sidomos për ne Arbëreshët. Ju e keni përballuar perandorinë turke – otomane, më vonë atë serbo – sllave, ndërsa  ne Italinë (latinët), dhe me çdo çmim kemi mbetur dhe jemi vetvetja… Tash na nevojitet si kurrë më parë “gjaku ynë i shprishur”, bashkimi dhe bashkëveprimi ynë, që në këtë globalizëm, mos të shkrihemi dhe të zhdukemi… Admiroj Presidentin e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën, kryeplakun Prof. Anton Çettën, shumë intelektualë dhe krijues shqiptar kudo, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në diasporë, në veçanti Imzot Nikë Prelën, njeriun e Provanisë hyjnore dhe të historisë sonë të afërt.  Historia jonë është vërtet mrekulli. Nga “gjaku ynë i shprishur” doli në pah botëror edhe Shën Nëna Tereze, si filizë e re e trungut tonë të moçëm…”

Ka ushtruar profesionin si mësues i shkollës së mesme, më pas ka punuar si drejtor në bibliotekën e Palermos. Gjithnjë ka jetuar dhe punuar në Palermo të Siçilisë, me zemër dhe prani kudo ishte e mundshme dhe e kërkonte nevoja e njerëzve tanë.

Prof. Zef Chiaramonte ishte studiues i kulturës se Evropës Lindore, duke i përsosur njohuritë e tij për Ballkanin në universitetet e Selanikut dhe të Prishtinës, me interesim të veçantë për “çështjet shqiptare dhe arbëreshe”..

Me këmbëngulje dhe bindje ishte për variantin  gjuhësor dhe kulturor arbërisht. Thoshte kështu: “mendo, fol, jeto dhe vepro arbërisht!”  Mu për këtë ishte i angazhuar në dhënien e kurseve të ndryshme gjuhësore dhe kulturore në Palermo dhe në pjesë të ndryshme të Siçilisë, për ta mbajtur të gjallë “shpirtin arbëror”. Këtë mision e kryente me shumë përkushtim dhe dashuri edhe në krye të Bibliotekës së Palermos, ku ishte fara  e mirë e dijes, dritës, atdhedashurisë dhe vëllazërisë tonë.

Gjatë “Kalvarit tonë në Kosovë”, ishte “engjëlli ynë”, me përkthime, angazhime, shpjegime, konferenca, pritje të të dëbuarëve tanë, me shkrime, duke zgjuar ndërgjegjen njerëzore tek italianët, edhe më gjerë, në botën demokratike evropiane, duke thënë kështu: “Disfata e Shqiptarëve në Kosovë, do të ishte katastrofa e mbarë njerëzimit, shkelja dhe asgjësimi i një Populli që ka dëshmuar strategjinë paqësore jo – dhunore – Dr. Ibrahim Rugova; Pajtimin e gjaqeve dhe faljen – Prof. Anton Çettën;  bamirësinë – Nënën Tereze – Don Lush Gjergjin. Mu për këtë bota nuk mund t’i mbyllë sytë para kësaj drame shqiptare, gjithënjerëzore..”.

Ai duke qenë njohës i mirë i gjuhës shqipe dhe italishte, bëri punën e  përkthyesit  zyrtar, për pranimin dhe sistemimin e, kryesisht nga Kosova nëpërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë, duke bashkëpunuar  me Prefekturën dhe Komisariatin e Policisë së Palermos, për të siguruar  Qendrën e Mikpritjes Albanesi të Buon-fornello (COAB).

Puna dhe angazhimi i tij pati edhe mirënjohje publike italiane. Ishte mik dhe bashkëpunëtor me Dr. Ibrahim Rugovën, Prof. Anton Çettën, Imzot Nikë Prelën, me Kishën dhe Popullin tonë, në gëzim dhe dobi të ndërsjellët.

Ishte anëtar i Komitetit Ekzekutiv Rajonal të A.I.B. (Shoqata e Bibliotekave Italiane), korrespondent i seksionit të gjuhës shqipe të  Radio Vatikanit, sekretar i Komitetit Italian “Pro Kosova”, përgjegjës për kulturën arbëreshe dhe shqiptare të Qendrës Ndërkombëtare për Studime mbi Mitin dhe shumëçka tjetër.

Me pak fjalë: ishte i gjithanshëm, tejet i bindur, i frymëzuar dhe motivuar për të qenë në shërbim dhe dobi të Popullit, me aq vrull, vullnet, mbi të gjitha gëzim, hare dhe dashuri, gjë kjo që binte në sy kudo dhe gjithnjë.

Prof. Zef Chiaramente është autor i veprave: Vijmë nga Shqipëria, bot. Sinnos, Romë, 1992; Toka e Konstandinit: Arbe bizantinë, Normanët dhe Shqiptarët, në S. Cristina Gela: burime dokumentare, Palermo, 2002.

Prof. Zefi, dallohej për iniciativat e tij, si edhe per mbështetjen e flaket te variantit arbërisht në shkollë, por edhe promovimin e arbërishtes ne administratë publike dhe shkollore.

Për këto nisje dhe veprimtari, sidomos për përkushtim dhe dashuri, jeta dhe vepra e tij është e pavdekshme. Zefi ynë e donte Arbërinë e tij, në Itali, një “pikë e vogël në detin e madh”, rrënjët e tij dhe tona, ilire, arbërore dhe shqiptare, sidomos Kosovën tonë martire.

Mu për këtë Kosova nuk do ta harrojë kurrë buzëqeshjen e tij, shtatin e tij të lartë, veshjen e tij kombëtare – shqiptare, plisin e tij të bardhë, edhe më shumë zemrën e tij të madhe dhe atdhedashëse.

Vullneti, vrulli, entuziazmi, atdhedashuria, gjallëria e tij, sot dhe gjithnjë janë kujtime dhe përjetime të paharrueshme. Zefi ynë vërtet ishte figurë emblematike dhe karizmatike, sa qe ndër ne, në këtë botë, e tash e tutje do të ndërmjetësoj te Zoti në amshim për mbarësinë e Popullit tonë.

Shpiri i tij i mirë pushoftë në paqen e amshuar!/drita.info

Shpëndaje: