Nga Don Frok ZEFI
Hyrje
E kaluara e Kosovës, ku jetojnë katolikë, myslimanë e ortodoksë, e kohën e re edhe bashkësi tjera të vogla fetare, nuk mund të prezantohet pa hulumtuar dokumentet e ruajtura në arkivat e Vatikanit, të cilat pata kënaqësinë dhe fatin t’i gjejë. Me rastin e Pavarësisë së Kosovës, që këto ditë po përgatitemi të festojmë, me shumë përmallim e dashuri po nxjerr në dritë disa dukuri dhe ngjarje në të shkuarën e Kosovës sonë nga shekulli XVII e më vonë, duke i përdorur ekskluzivisht këto dokumente. Shpresoj se do të jetë një pasuri dhe zgjerim njohurish rreth vendit tonë, për të cilin janë sakrifikuar shumë gjenerata që ne sot të gëzojmë mëvetësinë e shtetit tonë. Shënimet mbi popullsinë, ndarjet fetare dhe atë politike, janë të kohës së shekujve për të cilët flasin dokumentet historike.
- Popullsia
Në Kosovë banojnë kryesisht shqiptar, serb dhe kroat; më vonë erdhën të banonin edhe çerkez e rom. Përveç disa qyteteve, e gjithë zona është e mbuluar me fshatra. Në aspektin fetar popullsia ndahet në:
- mysliman;
- katolik; (dhe)
- besimtar ortodoks.
Politikisht kjo zonë i përkiste kryesisht vilajetit turk, me qendër në Prizren, ku banonte veziri, në mesin e shekullit të 19të. Ndërsa shqiptarët katolik e kroat në kuptimin kishtar fillimisht i përkisnin ipeshkvisë së Prizrenit, e më pas argjipeshkvisë së Shkupit.
- Rastet e katolikëve në Kosovë (1669)
Argjipeshkvi i parë i Shkupit, Imzot Andre Bogdani, më 28 shtator 1669, informon se turku, “ai barbar i ferrit”, po kërkon dhe po gjen vazhdimisht mënyra për të zhdukur besimin katolik. Nga urrejtja për besimin katolik, kërkon me zemërim të madh që katolikët të paguajnë taksë për tri vitet e fundit, dhe ta paguajnë menjëherë. Duke qenë se nuk mund ta paguajnë këtë taksë, ata duhet të largohen nga besimi katolik. Megjithatë, me dëshirën për të qëndruar të palëkundur në besim e në fe, shumë besimtarë katolikë preferojnë të lënë gjithçka që kanë dhe të shkojnë në vende të huaja, vetëm që të mos largohen nga besimi katolik. Në Kosovë nuk mbesin më vende të banuara. Njerëzit shkojnë në Vllahi, Moldavi dhe në brigjet e Danubit, duke e lënë vendin të shkretë. Të gjitha taksat, që duhej të paguheshin nga ata që u larguan, tashmë u ndanë mes atyre që mbetën në Kosovë. Kjo shkaktoi konfuzion të madh mes tyre dhe në të njëjtën kohë i varfëroi aq shumë sa nuk kishin më mundësi të mbanin as famullitarët e tyre.[1]
- Dekreti i Sulltanit për mbajtjen e verës
Në kohën e argjipeshkvit Andre Bogdani, [në vitin 1670], sulltani nxori një dekret sipas të cilit ndalohej mbajtja e verës atje “ku ka xhami” [siç shkruan Don Jeronim Kukumariqi], si dhe “në vende që i nënshtrohen pushtetit tij” [siç shkruan Don Gjergj Toliqi]. Meqenëse për kremtimin e meshës nevojitej verë, dekreti i sulltanit shkaktoi një problem i madh për meshtarët (priftërinjtë), kështu që ata lajmëruan Kongregatën për Përhapjen e Fesë, në Romë, e cila që nga themelimi, në vitin 1622, ndër të tjera, kujdesej edhe për katolikët në Kosovë. Don Gjergji [i lartpërmendur] thotë në letrën e tij se dekreti i sulltanit i dënon me ata që mbajnë verë.[2] Kongregata përmes ambasadorëve të krishterë në Portën e Lartë, ndërhyri në favor të katolikëve të Kosovës.
- Raporti i argjipeshkvit Andre Bogdani (1670)
Argjipeshkvi Andre Bogdani, më 7 shkurt të vitit 1672, i raportoi Kongregatës se besimtarët katolik në Shkup kishin mbetur vetëm me një famulli të vogël, pasi kishat tjera që kishin ekzistuar në qytet, ishin kthyer në xhami.
Tri kambanat e kishës në Janjevë janë groposur pas altarit të kishës, ndërsa kambana e madhe është fshehur në një cep të kishës. Vendndodhjen e kambanave e dinë vetëm argjipeshkvi dhe këshilltarët, me qëllim që turqit mos t’i vjedhin dhe mos t’i përdorin për qëllime lufte. Në Novobërd, kisha e Nënës së Zotit është dëmtuar rëndë. Pjesa e dëmtuar e kishës mund të shembet dhe besimtarët nuk guxojnë ta riparojnë pa lejen e sulltanit; tani është shumë e vështirë të merret leja për riparim si dhe ka shpenzime të mëdha, të cilat besimtarët vendas nuk mund t’i përballojnë.
Në Trepçë, ku ndodhet kisha madhështore e Shën Pjetrit, nuk ka famullitar, sepse besimtarët nuk munden ta mbështesin. Në Mal të Zi, (Crna Gore, Letnica e sotme), shumë besimtarë katolikë ikën në vitin 1669, sepse nuk mundën të përballonin rritjen e taksave nga turku. Në Prishtinë ka plot jeniçer që i bezdisin shumë katolikët. Në Hasi, (Zym i sotëm) kisha nuk i ka gjërat e nevojshme për meshë, sepse turqit i vodhën, duke shkaktuar pikëllim të madh mes popullit katolikë. Në Gjakovë ka mbetur vetëm një shtëpi katolike. Besimtarët e tjerë të kësaj famullie, të detyruar forcërisht nga turku, u shpërndanë nëpër kodra.[3]
- Raportet e argjipeshkvit Pjetër Bogdani
Pjetër Bogdani, nip i argjipeshkvit Andre Bogdani, si ipeshkëv i Shkodrës, e lut Kongregatët për përhapjen e fesë, që të transferohet në Shkup, në vend të xhaxhait tij të plakur. Në lutjen e shkruar në Shkodër, më 1 tetor 1676, argjipeshkvi Pjetër Bogani thotë se përveç gjithë mundimeve, burgjeve e torturave, duhej t’u paguante turqve edhe një taksë të majme, vetëm që të mos largohej e të mos e linte grigjën që i ishte besuar kujdesit të tij. Mirëpo, kur u detyrua t’i kthente shpinën urrejtjes së myslimanëve, u strehua nëpër kodrat e papushtuara pranë Kelmendasve, afër Kastratëve në vendin e quajtur Riol. Por, në fund, u vendos dënimi me vdekje, duke u premtuar një shpërblim i madh për atë që do t’i hiqte kokën.
Kjo është arsyeja se përse ipeshkvi lëvizte nëpër dioqezë gjatë natës. U burgos tre herë, një herë u torturua deri në vdekje, por më pas u shpërblye me para. Turqit ia vodhën kalin tetë herë. Dhe në fund, më 30 qershor 1676, ndërsa argjipeshkvi ishte në rrugë, nga një shkurre aty pranë, e gjuajtën me plumba nga dy pushkë. Me plumbin e parë vranë Don Lukë Kabashin, i cili ishte shoqërues i tij, ndërsa argjipeshkvi prej Zotit shpëtoi mrekullisht. Megjithatë, ai i vuan pasojat e rënda, e po ashtu edhe vrasjet që mund të ndodhin. Sjell ndërmend fjalët e Krishtit: “Nëse të përzënë nga një qytet, ik në tjetrin”.[4]
Argjipeshkvi Pjetër Bogdani nuk e pati qetësinë e dëshiruar as në argjipeshkvinë e Shkupit. Te hollat e tij u vodhën para se t’i dorëzoheshin. Banditët e grabitën korrierin, që sillte paratë që duheshin për nevojat e argjipeshkvisë. Më 3 mars 1685, argjipeshkvi i shkroi Kongregatës nga Venediku për përkeqësimin e kushteve në argjipeshkvinë e tij. Në maj të vitit të kaluar, kur ia vodhën edhe paratë, gjatë rrugës takoi shtatë oficer të Bejlerbeut të Sofjes, të cilët me një ushtri të madhe po shkonin drejt Budës. E rrethuan argjipeshkvin dhe ia bllokuan rrugën. Argjipeshkvi arriti të ikte me kal dhe të shpëtonte, por ata e kapën misionarin nga Trepça dhe Gjergji Andrijasheviqin, klerikun – xhakon te argjipeshkvisë. Këta të dy thanë se argjipeshkvi është një nga përfaqësuesit e Dubrovnikut që po shkon në Kostandinopojë. Të dy u liruan, me pagesë. Shpenzimet e argjipeshkvit bashkë me taksat e tjera shkojnë në rreth 100 skud.
Pashai i Shkupit mendoi se në situatën e krijuar nuk ishte mirë që argjipeshkvi Pjetër Bogdani të qëndronte në argjipeshkvinë e tij, sepse “merrte vazhdimisht gjurmët e argjipeshkvit”, prandaj vendosi ta burgoste. Për këtë qëllim dërgoi shumë njerëz për ta arrestuar në rezidencën e tij. Argjipeshkvi arriti të fshihej në kopsht dhe të nesërmen iku në pyll ku qëndroi një javë. Prej aty shkon në Has, ku ndërton një shtëpi të vogël misionarësh ku edhe vazhdon të qëndroj. Në Prizren u përhap lajmi se argjipeshkvi ishte në Has. Kur pashai e vizitoi atë zonë, argjipeshkvi iku natën për në rezidencën e tij në Janjevë.
Kur në fillim të gushtit erdhi lajmi nga Hungaria se të krishterët po përparonin në luftën kundër turqve, argjipeshkvi kuptoi se i duhej të ikte përsëri. Pashai përsëri dërgoi njerëzit në Janjevë për ta arrestuar. Mirëpo, banorët, së bashku me fëmijët, vrapuan te dera dhe filluan të bërtisnin: “Imzot, ik, ik, turqit!” Ai doli nga një dalje e fshehtë, hipi mbi kalë dhe u nis drejtë kodrave, ku qëndroi dhjetë ditë, vazhdimisht me çizmet mbathur, e me një kalë tashmë të egërsuar. Ishte i lodhur nga uria, sepse as familja e tij nuk e dinte ku fshihej. Kështu u detyrua të dërgonte diakonin Gjergj Andrijasheviq për t’i marrë bukë dhe ujë të freskët, mirëpo diakonin e zunë dhe e burgosën turqit. Gjergji ishte shtetas i Republikës së Dubrovnikut, e për këtë arsye u lirua në këmbim të një gjobe prej 20 realësh, të cilën duhej ta paguanin katolikët e varfër të Janjevës. Diakoni u tha turqve se argjipeshkvi kishte ikur, dhe se ai nuk e dinte ku kishte shkuar.
Të nesërmen te argjipeshkvi erdhi diakon Gjergji me pesë veta nga Janjeva. Iu luten argjipeshkvit që të largohej nga territori i tyre, sepse ishte në rrezik vdekje, kurse ata vetë mund të pësonin dëme të mëdha. Kështu, argjipeshkvi mori me vete disa gjëra liturgjike, dhe u nis drejtë Novobërdës. Pasi dëgjoi se atje kishte shumë turq që mblidhnin taksa me dhunë të egër, argjipeshkvi u tërhoq sipër në kodra, afër mullinjve të Novobërdës, që administroheshin nga katolikët. Të nesërmen ishte festa e Zojës së Madhe, dhe shumë njerëz u mblodhën për meshë tek mullinjtë. Ndërsa po shkonte andej përgjatë kodrës së quajtur Medvjeđa, sipër asaj kodre pa jeniçerët aziatik, që po ia mbathnin hipur majë kuajve për shkak të dështimit të luftës në Budë. Duke parë argjipeshkvin me një turmë të madhe, menduan se ishte një nga ministrat e dërguar për të penguar ikjen e ushtrisë, kështu që shkuan në drejtim të kundërt.
Pa iu afruar Prokuplës, argjipeshkvi njoftoi tregtarët dubrovnikas, për t’u treguar se çfarë duhej të bënin, dhe ata e ftuan ta kalonte natën mes tyre, duke qenë se vuanin shumë nga turqit për shkak të dështimit në luftë.
Argjipeshkvi mësoi se donin t’i merrnin nipin Lukën, për ta bërë jeniçer e për ta dërguar sa më parë në Budë, kështu që pas gjashtë javësh shkoi në Janjevë. Pasi Luka arriti të shmangej, pashai urdhëroi gjykatësin vendas ta kapte argjipeshkvin dhe ta sillte tek ai. Për këtë arsye, argjipeshkvi qëndroi i mbyllur në shtëpi në Janjevë për gjashtë ditë, duke i u lutur Zotit që ta ndriçonte se çka duhej të bënte.
Kështu kërkoi mbrojtjen e Kongregatës për përhapjen e fesë, së cilës iu lut për ndihma materiale, që të mbante veten dhe dy nipat që shpëtuan nga turku dhe tani ishin me të në Venedik. Mandej kërkoi lejen për të kryer shërbime pontifikale në dioqeza të huaja me pëlqimin e Ordinarit vendas.[5]
Argjipeshkvi Pjetër Bogdani e kaloi kohën ku ishte në mërgim duke mbikëqyrur shtypjen e librit të tij “Cuneus Prophetarum” në Padova.[6]
Argjipeshkvi Pjetëri Bogdani u arrestua nga turqit kur u kthye në argjipeshkvi në Novibërdë. Populli protestoi dhe demonstroi kundër arrestimit, kështu që argjipeshkvi u lirua pasi pagoi një gjobë prej 80 real. Për këtë ngjarje, argjipeshkvi lajmëroi Sekretarin e Kongregatës për përhapjen e fesë, më 15 nëntor 1686.[7]
Më 5 prill 1687, argjipeshkvi Pjetër Bogdani lajmëroi Kongregatën për përhapjen e fesë se përfaqësuesit e pushtetit turk në Gjakovë, në të dielën e parë të Kreshmëve, arrestuan Don Andria Kalamashin (Gjardi) me akuzën se kishte ofenduar profetin Muhamed. Ditën e tretë pas arrestimit e torturuan barbarisht deri në vdekje, dhe kufomën ia lanë për një javë në shesh. Duke qenë të bindur se Don Andria Kalamashi kishte vdekur, ia zgjidhën duart dhe ia hoqën prangat nga këmbët. Pak pas kësaj, famullitari i Gjakovës, Don Andria, u ngrit dhe me të dyja duart liroi litarin që i kishte mbetur rreth qafës, bëri kryqin tri herë dhe me zë të lartë thirri: “Këmbëngulni, këmbëngulni të krishterë, Jezu Krishti është i Plotfuqishëm!” Pasi tha këto fjalë, ra i vdekur në tokë para njerëzve të befasuar dhe të frikësuar.
Tirani i Gjakovës ia preu njërën dorë Don Andrieas së vdekur, ia rropi dhe lëkurën e kokës, e ia dërgoi vezirit të madh me qëllim që ai ta kuptonte se po i dërgonte shenja nga një komandant i rëndësishëm rebel në atë rajon. Veziri i madh iu përgjigj tiranit se do të kishte qenë më mirë që ta kishte çuar të gjallë para gjykatës së tij, nëse do të kishte qenë një kriminel i tillë dhe e urdhëroi që të mos kryente më një dhunë të tillë dhe të mos i ngacmonte më tej të krishterët, sepse tani ai dëshironte paqe me të krishterët.
I lartpërmenduri tiran abuzoi edhe për argjipeshkvin, duke u premtuar shumë para atyre që do ta dorëzonin atë në duart e tij. Por, argjipeshkvin e ndihmoi një mysliman i shquar, të cilit familja Bogdani i premtoi vasalitet me dhurata të jashtëzakonshme. Argjipeshkvit iu shpëtua jeta duke qëndruar i fshehur në shtëpinë e tij derisa tiranit iu pagua një shumë e caktuar parash. Argjipeshkvi u tregoi pasaportën e lëshuar në Kostandinopoja dhe në bazë të atij dokumenti u lejua të largohet. Më pas, tirani nisi ta persekutonte myslimanin e shquar të lartpërmendur, sepse ai nuk komplotoi kundër argjipeshkvit “në interes të shtetit dhe politikës”. Tani argjipeshkvi mundej t’i kryente më lehtë detyrat e tij.
Edhe Don Tomë Raspasani, famullitarin e Prizrenit, i cili tani fshihet në një shtëpi private në Prishtinë, dy ditë ecje në këmbë larg nga Prizreni, pa pasur shpresa që të kthehet në famulli, e kanë keqtrajtuar.
Don Pjetër Zogut, famullitar në Has, deri kur familja e tij të “zgjidh problemin me tiranin” i duhet të kullos delet nëpër kodra si bari.
Meqenëse famullia e Prizrenit nuk ka famullitar, pushteti turk lejon që argjipeshkvi të kremtoj meshën atje në të dielën e të shurdhërve. Duke qenë se Don Pjetër Zogu lindi në zonën e Gjakovës, argjipeshkvi e urdhëroi të largohej nga Hasi dhe t’u shërbente besimtarëve të famullisë së Gjakovës, në vend të Don Andria Kalamashit (Gjardit) të vrarë.
Don Mark Mazarekin e detyroi të shkonte nga Novobërda në Has, sepse asnjë prift tjetër nuk e di gjuhën shqipe që flitej në atë mision. Don Ivan Fisković ose Don Pavao Skopa u lejua të shërbente në Novobërdë. Kështu, argjipeshkvi, mund të rri i qetë, nëse nuk afrohet ndonjë stuhi e re[8].
Në kohë lufte ndodhin gjëra të paparashikueshme. Më 15 dhjetor të vitit 1687, argjipeshkvi Pjetër Bogdani i shkruante Sekretarit të Kongregatës se ai, së bashku me bashkatdhetarët e tij, gjendeshin në kohë fatkeqe, plot rreziqe dhe frikë.
Nipi i argjipeshkvit, Luka Bogdani, një djalë i ri 25 vjeçar, i cili bënte tregti në Klisurë të Kaçanikut afër Shkupit, u vra gabimisht nga Këlmentinët (katolikët) nga Shqipëria, të cilët ishin përhapur nëpër gjithë Kosovën dhe Serbinë dhe po grabisnin e vrisnin turqit. Gjatë verës vendi u shkatërrua, dhe u pushtua nga grabitësit. Kurse në dimër, kur ushtria po kthehej në dimërim, gjithë njerëzit iknin nëpër shpella.
Frika e tyre është e dyfishtë: Frikësohen nga turqit dhe tatarët, të cilët duke ikur nga ushtria austriake, grabisin popullin dhe i marrin familjet për skllevër. Frikësohen nga heretikët (protestantët) nga veriu si dhe nga malësorët shqiptar nga perëndimi.
Të gjithë katolikët kërkuan që argjipeshkvi të qëndronte mes tyre për ta pasur si mbrojtje kur të vinte ushtria austriake. Me propozimin e argjipeshkvit, çdo shtëpi katolike u udhëzua që të mbante një kryq të dukshëm në derë, që të shihej kur të vinte ushtria katolike.
Kongregata do të vepronte shumë mirë nëse do ta prezantonte argjipeshkvin dhe besimtarët e tij me komandantët ushtarak të perandorit austriak në mënyrë që ushtria të mos i shqetësonte dhe t’u ruhej jeta.[9]
Më 28 maj1688, argjipeshkvi Pjetër Bogdani i shkruante Kongregatës për vuajtjet e atij viti të shkaktuara nga aziatiku Jegen Pasha. Atë pasha sulltani e kishte emëruar serasker, por pashai ishte ngritur kundër sulltanit dhe me dhjetë mijë ushtarë, arriti ta dobësonte ushtrinë e sulltanit duke shkatërruar Greqinë, Kosovën dhe Serbinë. Pasuria e Jegen pashait ishte më e madhe se pasuria e shtetit në Kostandinopojë.
Gjatë Kreshmës, ndodhën ngjarje, që shkaktuan vetëm vajtime në shtëpitë e besimtarëve katolikë. Vdekja, rrënimi, abuzimi shiheshit kudo, ndërsa pakënaqësia shihej tek të gjithë njerëzit.
Kishat u mbyllën, meshtarët (priftërinjtë) dhe njerëzit u shpërndanë. Argjipeshkvi e kuptoi se “armiku i racës njerëzore ua mbylli gojën atyre që lavdërojnë Zotin” në një periudhë kaq të rëndësishme të vitit kishtar.
Së bashku me një numër të madh besimtarësh, argjipeshkvi iu ngjit kodrave ku bora iu bë dyshek për të fjetur. Pas një jave, turqit arrinin ta zbulonin duke ndjekur gjurmët e kuajve, prandaj në ato kohë të vështira ndërronte vazhdimisht vendqëndrim, duke u fshehur nëpër shtëpi private e bodrume të braktisura teksa përjetonte dhimbje e uri të patregueshme.
Argjipeshkvit të Shkupit i nevojiteshin kompetenca për dioqezat fqinje, sepse ipeshkvi e Nikopolit, Beogradit dhe i Bosnjës ishin tërhequr në Vjenë. Argjipeshkvi i Sofjes, ishte i sëmurë me dhimbje këmbësh, gjysmë i gjallë rrinte i shtrirë në shtrat dhe për shkak të moshës se pleqërisë tashmë konsiderohej i vdekur. Ipeshkvijtë e Shqipërisë ishin shpallur të dyshimtë nga pushteti turk, prandaj argjipeshkvi Pjetri kërkoi nga Papa t’i jepte kompetencat e nevojshme për të gjitha këto dioqeza.
Pashai i lartpërmendur kishte vrarë një katolik të shquar në Shkup, prandaj argjipeshkvi nuk rrezikoi të shkonte në Shkup, por të enjten e Madhe rreth mesnatës hyri fshehurazi në periferi të Prishtinës me disa besimtarë katolikë dhe në një shtëpi private, me ndihmën e vetëm dy meshtarëve, shuguroi vajrat një orë para agimit. Ai shuguroi shumë vaj, jo vetëm për argjipeshkvinë e Shkupit dhe dioqezën e Pultit, të cilën e administronte, por edhe për të gjitha dioqezat e përmendura në Shqipëri, Bullgari dhe Bosnje, të cilat ishin të privuara nga ipeshkvijtë e tyre. Argjipeshkvi u kujdes që të gjitha dioqezat të furnizoheshin me vajin e shenjtë.
Me pseudonimin Cuneus Prophetarum, (siç shkruhet në titullin e librit të tij të botuar në Padova, më 15 maj 1689), argjipeshkëv Pjetri lajmëroi Kongregatën se nëpër Kosovë ishte përhapur lajmi se e kishin vrarë turqit. Me siguri ky zë kishte arritur në Romë, prandaj mendoi se ishte mirë që ta njoftonte Kongregaten se ishte ende gjallë duke ju falënderuar mrekullisë dhe hirit të Zotit.
Në kreshmët e vitit të shkuar kishte qenë në Prizren në kufi me dioqezën e Pultit, e aty shuguroi vajin të Enjten e Madhe.
Atë ditë në mbrëmje pashait të Dukagjinit, i cili banonte në Pejë, i erdhi lajmi se Novi Pazari ishte plaçkitur të mërkurën e madhe, dhe se ushtarët austriak kishin vrarë të gjithë turqit atje dhe po kështu kishin vrarë edhe Don Juraj Tuliqin, ish-vikar i dioqezës së Pultit. Pashai i Dukagjinit e sulmoi argjipeshkvin të Premten e Madhe rreth orës tre, e pasi ia kishin plaçkitur tre herë shtëpinë, e kishin zënë. Atë ditë ai ishte në Janjevë, dhe e çuan të zhveshur e të zbathur në Prizren për ta vrarë. U përcoll me lot në sy nga dy klerik të tij, por për habinë e të gjithëve, u lirua pa u dënuar dhe pa paguar shpërblim. [10]
Duke njoftuar Kongregatën për vdekjen e xhaxhait të tij, argjipeshkvit të Shkupit, Pjetër Bogdanit, nipi i tij, abati Don Gjon Bogdani, më 6 dhjetor 1689, nga Prishtina, ndër të tjera, shkruante se, “argjipeshkvi i ndjerë, kur ‘ushtria fitimtare e perandorit’ erdhi në ato troje, personalisht shkoi përballë asaj ushtrie për ta frenuar, që të mos dëmtonte dhe vriste katolikët. Për fat të mirë, pati sukses. Mandej u tërhoq në Prizren, në vendlindje për të pushuar në shoqërinë e gjeneral Pikolominit. Gjenerali u sëmur nga murtaja dhe ra në shtrat. Duke i ndarë gjeneralit sakramentet e të vdekurit, argjipeshkvi u infektua dhe u sëmur nga murtaja. Për shkak të sëmundjes, të afërsisë së armikut turk dhe për shkak të trazirave të shkaktuara nga vdekja e gjeneralit, komandantët e luftës e këshilluan argjipeshkvin të tërhiqej në Prishtinë, në një vend më të sigurt ku do të mund të arrinte më lehtë te mjekët austriak.
Kur argjipeshkvi mbërriti në Prishtinë, të gjithë personalitetet ushtarake e pritën me shumë dashuri. Ditën e pestë pasi kishte ardhur në Prishtinë, më 6 dhjetor 1689, në mëngjes, ia dorëzoi shpirtin Zotit i pajisur me sakramentet e të sëmurëve dhe me sakramentin e rrëfimit nga jezuiti Fran Xaver Koffler, një kapelan ushtarak.
I shoqëruar nga shumica e priftërinjve të tij, trupi i argjipeshkvit u varros në xhaminë perandorake në Prishtinë, e cila ishte rimodeluar për kishën e Shën Françesk Ksaverit. Trupi u vendos në anën e djathtë pranë altarit kryesor, me solemnitet e dhimbje shumë të madhe. Meshtarët dhe besimtarët ishin shumë të trishtuar për humbjen e një bariu kaq të zellshëm. Gjithë ushtria perandorake ndjeu dhimbje për këtë humbje. Ky prelat i mirë la pas vetes një vepër të madhe, si me shembullin e jetës ashtu edhe me botimin e librit të rëndësishëm, të shtypur në Padova shumë vite më parë,” përfundon Abat Don Gjoni.[11]
Pas dështimit të ushtrisë austriake dhe tërheqjes së saj, myslimanët kryen një krim të tmerrshëm. Don Gjergj Bogdani, nipi i vogël i argjipeshkvit të ndjerë Pjetrit, lajmëron Kongregatën për përhapjen e fesë se myslimanët të indinjuar e morën trupin e argjipeshkvit nga varri, e copëtuan dhe ua hodhën qenve në tregun e Prishtinës.[12]
6. Sulmet e përfaqësuesve të kishës ortodokse serbe ndaj katolikëve të Kosovës
Në vitin 1670, argjipeshkvi Andre Bogdani lajmëron Kongregatën se katolikët janë të ngarkuar financiarisht më shumë se ortodoksët dhe myslimanët, sepse duhet t’i paguajnë një taksë jo të vogël Patriarkut Ortodoks në Pejë. Për shkak të taksave dhe të ngjashmërisë së besimit, shumë mund të konvertoheshin në ortodoks, nëse nuk do të kishin pranë argjipeshkvin dhe misionarët e tyre.[13]
Më 24 shtator të vitit 1678, argjipeshkvi Pjetër Bogdani e informon Kongregatën se një ipeshkëv serb, “engjëlli rebel i patriarkut shizmatik në Pejë”, i cili është armik i paqes së krishterë, përsëri po ju shpall luftë meshtarëve dhe besimtarëve katolikë të argjipeshkvisë së Shkupit, duke u vendosur taksa të rënda dhe të padurueshme në pare. Këtë e bën me ndihmën e fuqisë turke. Turqit janë aq të korruptuar sa hyjnë me forcë në shtëpitë katolike dhe marrin drithë, duke treguar kështu tiraninë faraonike. Këtë e bën patriarku nëpërmjet ipeshkvit të përmendur për të treguar se kush është kreu i katolikëve. Patriarku detyron meshtarët e argjipeshkvisë së Shkupit të paguajnë një taksë vjetore. Dhe kur mungon taksa, me forcën e turkut, mbyll kishat katolike, duke ua ndaluar shërbesat fetare, ashtu siç e mbylli kishën në Kratovë, sepse katolikët e varfër të Kratovës nuk kishin ta mbushnin grykësinë e shizmatikut. Pas kërkesës së argjipeshkvit për rikthimin e kishës së Kratovës, ipeshkvi ngatërrestar kërcënoi se, nëse nuk i paguhej taksa e dëshiruar, do të vendoste priftërinj serb në kishat katolike, të cilët do t’i rimodelonin për liturgjinë ortodokse serbe. Të gjitha këto i bën vetëm për të grumbulluar sa më shumë para, edhe pse është shumë i pasur.
Ngaqë nuk dëshironte të linte askënd në paqe, patriarku donte ta tërhiqte argjipeshkvin në komplot. Kështu dërgoi ipeshkvin e tij, Atë Vladiken, ipeshkvin e padenjë, për ta pyetur argjipeshkëv Pjetrin se kush e emëroi atë argjipeshkëv. Argjipeshkvi iu përgjigj, “Zoti dhe zëvendësi i Tij.” E peshkopi ia ktheu, “Pra, Papa qenka më i madh se sulltani!”, duke dashur ta sfidoj argjipeshkvin për ta paditur më pas në gjykatën turke. Edhe pse armiku mund t’i kishte bërë shumë të këqija së bashku me barbarët, synim i mbeti vetëm në mendje, sepse nuk arriti ta provokoj argjipeshkvin.
Argjipeshkvi Pjetri kërkoi nga Kongregata që të ndërmjetësonte te ambasadorët katolikë te Porta për mbrojtjen e katolikëve të argjipeshkvisë së Shkupit. Ndër të tjera, argjipeshkvi thotë se në Kostandinopojë zakonisht lëshonin tre lloj urdhrash për mbrojtje. Më i miri dhe më i sigurti ishte hatisherifi, i cili firmosej nga vetë sulltani dhe kushtonte 500 cekina. Ky ishte një shpenzim jashtëzakonisht i majmë për katolikët e argjipeshkvisë së Shkupit. Për këtë arsye kërkoi ndihmën e Kongregatës. Lloji i dytë i urdhërimit quhej berat, i treti quhej embar, që tashmë e kishin, por që nuk vlente asgjë. Me ndihmën e ambasadorit venecian, nëse merrej urdhri i tipit të parë, do të ndalohej pafytyrësia e Vladikut, ipeshkvit të lartpërmendur, “ajo gjymtyrë e kalbur e patriarkut skizmatik”.[14]
Në letrën e përmendur të datës 28 maj 1688, argjipeshkvi Pjetër Bogdani shkruan për çka pësoi gjithë ato vite nga aziatiku Jegen Pasha. Përveç kësaj, tregon se gjatë kreshmës së fundit, patriarku serb, duke dashur të korrigjojë një prift shumë të aftë, e rrahu në mënyrë të turpshme, sipas metodës turke. Prifti murg serb nga dëshpërimi u konvertua në fenë islame. Më pas, erdhi natën bashkë me disa shokë të tij dhe grabiti kishën shumë luksoze serbe të Graçanicës, ku thesari i grumbulluar që nga despoti Gjurgj qe fshehur në kupolën e mbuluar me plumb. Ish-murgu prift serb vodhi gjëra me vlerë rreth njëqind mijë talira, ndër të tjera vodhi argjend, një kryq të artë me gurë shumë të çmuar, shkopinj peshkopij, mitra të dekoruara dhe shumë gjëra të tjera më të çmuara.
Pasi i vodhi, i ngarkoi të gjitha mbi nëntë kuaj dhe iku. Më pas, të gjitha këto gjëra ranë në duart e Jegen Pashës dhe pashai e arrestoi patriarkun. Thuhet se me atë rast ka qenë hipur mbi gomar. Pashai donte ti priste kokën patriarkut, sepse murgu-prift i lartpërmendur e akuzoi se kishte marrë para prej Perandorit austriak nga Viena për mbledhjen e një ushtrie kundër turqve. E akuzoi gjithashtu se kishe shumë më shumë thesare të fshehura përveç atij që kishte pasur në kupolën e kishës. Për të shpëtuar jetën dhe për të mundësuar që turqit të mos e shkatërronin kishën në Graçanicë, patriarku duhej të paguante dhjetë mijë talira.
U mor vesh se përveç nënshtetasve të tij, patriarku u kishte kërkuar ndihmë edhe meshtarëve (priftërinjve) katolik për të kompensuar pjesërisht dënimin. Në të njëjtën kohë tregon se argjipeshkvi ishte patriark latin dhe se duhej ti paguante taksë kolegut patriark, (patriarkut serb). Kur e dëgjoi këtë, argjipeshkvi u tregua shumë i kujdesshëm dhe u përpoq tu “bënte të gjithëve çdo të mirë”. Dëshironte që Zoti ta mbronte nga abuzimi i këtij rebeli në kohën kur katolikët kishin shumë nevojë për argjipeshkvin.[15]
Për katolikët e Kosovës që jetonin mes gurit dhe kudhrës së myslimanëve dhe ortodoksëve u kujdes vetëm kisha katolike dhe askush tjetër. Këto dokumente që kemi paraqitur janë vetëm një ilustrim i gjithçkaje që ka ndodhur si ripërtëritje, në një formë edhe më të keqe, gjatë dyqind viteve që do të pasonin në kohë, deri në fund të shekullit të 19të.
Është e pamundur ti tregojmë të gjitha dokumentet, por gjithsesi duhet të përmendim se edhe argjipeshkvi Pjetër Karagiqi e pagoi turkun për të pasur mbrojtje. Argjipeshkvit i duhej ta mirëpriste pronarin në Zym, kur vinte me shokët e vet për gjueti, i duhej ti ushqente se bashku me qentë e tyre.[16]
Argjipeshkvit Mikel Summa iu desh të largohej nga argjipeshkvia në vitin 1737, sepse u kërcënua me vdekje për shkak të bashkëpunimit me ushtrinë austriake për çlirimin e Kosovës nga sundimi turk.[17]
Pas largimit të Imzot Mikel Summës, turqit i torturuan rëndë meshtarët-priftërinj, veçanërisht françeskanët në Shqipëri. Vikarin e përgjithshëm të argjipeshkvisë së Shkupit dhe më vonë në argjipeshkvinë e Shkupit Gjon Nikoll Kazazin e gjuajtën me pushkë.[18]
Kur argjipeshkvi Tomë Tomiqiqi arriti prej Novi Pazarit në Janjevë me tregtarët dubrovnikas, planifikuan ta vrisnin menjëherë. Argjipeshkvi Tomë Tomiqiqi, fal guximit të besimtarëve të Janjevës, mundi të shpëtonte, por myslimanët e vranë mikpritësin e tij, Nikolla Gashin, i njohur si Marinoviq.[19]
Pushteti turk e thirri argjipeshkvin Matej Mazareku në hetuesi, dhe po kështu u veprua edhe me meshtarët e besimtarët. Materialisht i kanë lodhur, duke shfrytëzuar më te voglin rast për gjoba e grabitje. Argjipeshkvi e informon gjerësisht Kongregatën për përhapjen e fesë, duke u rrëfyer edhe detajet më tragjike.
Argjipeshkvi Matej Krasniqi e udhëhoqi argjipeshkvinë e Shkupit për 12 vjet e në kohë shumë të vështira për katolikët.[20]
Administratori apostolik, ipeshkvi titullar i Europensis, fra Urban Bogdanoviqi, më 26 mars 1846 lajmëron nga Dubrovniku kryetarin kardinal të Kongregatës se pashai i Shkupit urdhëroi të silleshin në Shkup dhe të burgoseshin shumë katolikë nga rajoni i Gjilanit, nga famullia e Crna Gorës (Letnica), që deri më tani konsideroheshin si kriptokatolikë, por që tani të deklaruar publikisht se janë katolikë. Me ta është edhe At Anton Marojeviq, një françeskan, famullitar në Crna Gore (Letnicë). Zëvendëskonsulli austriak në Shkodër u përpoq për lirimin e At Anton Marojeviqit, duke dërguar përkthyesin e parë në internuciaturën e Austrisë në Kostandinopojë.
Disa nga të burgosurit, duke ndjekur shembullin e të krishterëve të parë, vdiqën me pranga në qafë, ndërsa ipeshkvi nuk mundet ta dijë se kur do të ndryshojnë rrethanat. Zëvendëskonsulli austriak i shkroi që të mos vinte në argjipeshkvi pa fermanin, për të cilin e kishte lutur disa herë nuncin e Selisë së Shenjtë në Vjenë. Pa fermanin, ipeshkvi do të rrezikonte veten, ndërsa besimtarët nuk do të kishin dobi. Ipeshkvi i lutet kardinalit t’i shkruajë se çfarë duhet të bëjë, sepse kundër dëshirës po e shtyn ardhjen nga Dubrovniku për në argjipeshkvi, ku nuk mundet të hyjë pa ferman. Me rastin e ardhjes në argjipeshkvi, duhet t’u ndaj dhurata përfaqësuesve të pushtetit turk, prandaj kërkon ndihmë nga kardinali për t’i pasur këto dhurata.[21]
Argjipeshkvi fra Dario Bucciarelli, edhe pse italian, i donte shumë shqiptarët katolikë dhe e informonte gjerësisht Kongregatën për vuajtjet e tyre.
Kroati, fra Fulgencije Carev, arqipeshkvi i Shkupit, aq shumë i mbrojti shqiptarët katolikë, sa e burgosën në Shkup,[22] e më vonë, me ndikimin e përfaqësuesve të qeverisë franceze, u shpall “persona non grata” (person i padëshirueshëm), nga pushteti turk. Kështu që Selia e Shenjtë e zhvendosi dhe e transferoi në Hvar si ipeshkëv për kroatët.[23]
Në një letër të datës 22 janar të vitit 1889, argjipeshkvi shqiptar Andre Logoreci i shkruan kardinalit Epror se pashai i Shkupit nisi akuzat e ashpra kundër tij. “Dje kam marrë një letër kërcënuese nga Pashai. Ndonëse nuk e ngarkonte për akuzat, në një letër anonime, pashai e urdhëron të mbrohet në gjykatë,” është e qartë, thotë argjipeshkvi Logorec, se “Pashai me urrejtje i bën të gjitha këto për t’i dhënë fund persekutimit të nisur ndaj argjipeshkvit Fulgencije Carev. Argjipeshkvi Logoreci është shtetas turk; ai është i ekspozuar përballë rreziqesh më të mëdha dhe përjeton pasoja më të mjerueshme se argjipeshkvi Carev. Ndjen një ankth të madh dhe kërkon një përgjigje të shpejtë dhe të qartë si të veprojë.”[24]
- Serbët dhe shqiptarët
Turqit i pushtuan serbët në betejën e këndushme dhe të mrekullueshme serbe, që u zhvillua në Fushë Kosovë në vitin 1389. Kjo është një ngjarje që nuk ka shembull në kujtesën kolektive të serbëve.
Për më shumë se katër shekuj, Sioni serb ishte në Pejë, aty ishte edhe selia e patriarkëve serb, të cilët në fillim të shekullit të 18të mblodhën popullin në Vendbanimin e Dëshmisë dhe u arratisën drejtë viseve Habsburge.
Prandaj, nuk është çudi që serbët dhe malazezët në vitet 1912 – 1913, kur mori fund sundimi osman mbi këto zona, menduan sikur po hynin sërish si në Jerusalem. Kur mbreti fitimtar Pjetri (Petar) vizitoi Deçanin në vitin 1913, ndezi një qiri gjigant, i cili sipas traditës supozohej të ndizej vetëm kur të bëhej hakmarrje për betejën e Kosovës.
Serbët ishin aq shumë të trullosur nga ai shkëlqim i ndritshëm për tokat e rifituara, sa thuajse nuk e kuptuan se në atë “Serbi të vjetër” kishin mbetur shumë pak serb, pasi shumica e popullsisë ishin shqiptarë.
Edhe pse rendi osman përfshin shqiptarët në të shtatë mbretëritë e krishtera, që humbën betejën e Kosovës, gjatë sundimit osman ata u islamizuan thuajse plotësisht, me përjashtim të një grupi malësorësh katolikë në veri dhe të disa grupeve ortodokse në Shqipërinë jugore.
Për Beogradin, shumë më tepër se për Cetinjen, fushatat e luftës së viteve 1912-1913 përfaqësonin dy probleme kontradiktore:
- Ndërkohë që Austro-Hungaria ishte e pushtuar në Dalmaci, Serbia mund ta plotësonte dëshirën e saj për dalje në det vetëm përmes bregdetit shqiptar, dhe për këtë arsye planet e saj në lidhje me Shqipërinë veriore kundërshtonin krijimin e një shteti Shqiptar.
- Në Kosovë, në Maqedoninë Perëndimore dhe në pjesë të tjera të vendbanimeve veriore shqiptare, ekspansionizmi serb u përplas për herë të parë me një popullsi kompakte, të huaj (kryesisht myslimane) që formonte shumicën dominuese lokale.
Nuk mund të ndodh që gjithë shqiptarët të largohen nga vendlindja, siç u detyruan të emigrojnë disa herë në shek.19, myslimanë nga Serbia.
Pasoja e kësaj ishte që nga njëra anë propaganda serbe i dehumanizoi sistematikisht shqiptarët, duke i paraqitur si qenie të paafta për të udhëhequr vetveten, si një lloj elementi që duhej shfarosur, ndërsa nga ana tjetër i glorifikon aq shumë sa lejohet asimilimi i tyre.
Ndërkohë, këta lëkurëkuqtë evropian, në fakt, duhet të jenë serbë të asimiluar. Historiografia serbe e mohon se paraardhësit e shqiptarëve të Kosovës të kenë qenë vendas të “Serbisë së vjetër”, në të vërtetë ata ishin, përndryshe si mund të shpjegohet që numri i banorëve shqiptarë është më i madh në këto zona, e po ashtu edhe në Kosovë.
Përveç regjistrimit të emigrimeve të vërtetuara serbe, veçanërisht emigrimeve masive pas vitit 1690, shpjegimi kryesor u fokusua tek asimilimi i shqiptarëve.
Logjika e këtij mendimi është në kundërshtim me opinionin se shqiptarët janë popull i rendit të dytë, ajo përputhet më shumë me legjendën se shqiptarët janë gjakpirës.
Sipas shkencës serbe, shqiptarët nuk kanë kombësi, nacionalizmi i tyre ishte produkt austriak dhe italian, e megjithatë i asimiluan serbët.
Por meqenëse krenaria e madhe shqiptare, legjendari Skënderbe, ishte “gjysmë serb” (‘Skënderbeg’, emri i heroit shqiptar….gjithë jeta jote tregon se je nga raca jonë”), prapë merr kuptim mendimi për t’u bërë sërish serb, “vëllezër të rilindur” në territoret e sapo kthyera.
Kundërshtimi ndaj teorive të së drejtës historike u shua në “rajonet jugore”, kur krerët serb, me fjalë thumbuese, mendonin si ta ndalonin “rrjedhën arnautike që rrjedh si lum “shkatërrues”, në troje të zbutura e të qytetëruara, dhe lumin “e shkretë” ta kthenin në shtratin e tij natyror, në malet e zeza e të paarritshme.[25]
Në qershor të viti 1989, në Kosovë, ‘në Jerusalemin serb’ erdhën me dhjetëra mijëra shtegtarë për t’i bërë homazhe një miti, por edhe për të manifestuar disponimin për kthimin e “lumit të shkretë” në malet e zeza e të paarritshme, e për t’u përgatitur për një pelegrinazh të madh në “Jerusalemin serb”. Për nevojat e megafestës, punojnë së bashku, Kisha Ortodokse Serbe me në krye Patriarkun e Pejës, shteti dhe ushtria. Urdhri i rreptë që ndalonte tubimet masive u shkel në heshtje. Para kësaj, i shëtisin reliktet e princit Llazar, (car Lazarit) si shenjë disfate dhe mjerimi në të gjithë Jugosllavinë e asaj kohe, me përjashtim të Sllovenisë.
Edhe pse para tubimit të Gazimestanit po rritet rreziku për mundësinë që tensionet në Kosovë të mos shpërthejnë në momentin e emocioneve të shtuara, gjithçka kalon pa ndonjë incident të rëndësishëm.
Natyrisht, pa përjashtuar fjalimin e Sllobodan Millosheviçit, i cili kërcënoi ish-Jugosllavinë me “beteja të armatosura”, por edhe Serbinë, duke treguar se në historinë e atij kombi, nga Llazari e deri te ai, ka pasur vetëm përçarje dhe tradhti. Dobrica Ćosić tha se ata që zgjedhin të ardhmen e tyre duhet së pari të zgjedhin të kaluarën e tyre. Millosheviçi e bëri në mënyrën më të keqe, duke folur për fatin e keq të popullit serb në pesë shekuj.
Gjakatarët serb nuk u mjaftuan vetëm me kthimin e “lumit të shkretë” në malet e zeza dhe të paarritshme, por gjurmët e tankeve dërrmuan gjithçka para tyre, fillimisht në Kroaci dhe më pas në Bosnje, duke ndjekur gjurmët e shënuara në shëtitjen Princit Llazar, (Car Lazarit) edhe në Kosovë.
Të gjithë këto fushata vrastare i udhëhoqi Sllobodan Millosheviçi, i cili u shpall kriminel lufte nga Perëndimi.
Por “lumi i shkretë” u kthye nga malet e zeza e të paarritshme pavarësisht gjithçkaje.
Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë, që ishte zgjidhja e vetme për popullatën e Kosovës./drita.info
——————————————–
Bibliografia
[1] Arkivi historik i Kongregacionit për Ungjillëzimin e Popujve (ose për përhapjen e besimit), më tej:
ASCPF, vëll.439, f. 273 rv.
[2] ASCPF, SC SERVIA, vol. 434, ff . 84rv, 8v,9,v.
[3] ASCPF, SC SERVIA, vol. 1, ff. 30r – 31 v : SOCG, vol. 431, ff. 144r – 147v.
[4] ASCPF, SOCG, vol. 462, f. 174 rv.
[5] ASCPF, SOCG, vol. 501, ff. 205 rv, – 209.
[6] ASCPF, SOCG, vol. 494, ff. 366r – 367 r..
[7] ASCPF, SOCG, 497, ff. 23, 25.
[8] ASCPF, SOCG, vol. 499, ff. 270 r – 271 v.
[9] ASCPF, SOCG, vol. 502, f. 392 rv.
[10] ASCPF, SOCG, vol. 504, ff. 369, 370.
[11] ASCPF, SOCG, vol. 506, ff. 252 r – 252.
[12] ASCPF, SC ALBANIA, vol. 5, f. 160.
[13] ASCPF, SOCG, vol. 431, f. 144. Visitatio 1670.
[14] ASCPF, SOCG, vpl. 472, ff. 233 r – 235 v.
[15] ASCPF, SC SERVIA, Vol. 1, f. 185 rv.
[16] ARKIVI SEKRET I VATIKANIT, më tutje: ASV, SACRA CONGREGATIO CONCILII, Relationes, Scopiensis, vol. 728, Relatio 1710 dhe 1716.
[17] Frok, ZEFI, Mihael Summa, nadbiskup skopski ( 1695. – 1777. ), Osijek 1994, f. 67.-72;
[18] ASCPF, ACTA, vol. 108, diskutuar në mbledhjen e Kongregatës më 14 prill 1738.
[19] ASCPD, SOCG, vol. 762, ff. 206 – 207; SC, SERVIA, vol. 2, f. 114 rv.
[20] Gasper GJINI, Skopsko-prizerenska biskupija kroz stoljeća, Zagreb 1986., f. 191.
[21] ASCPF, SC SERVIA, vol. 4, ff. 209 r – 210, Tragjedia e kriptokatolikëve, përshkruar nga meshtari Gjergj Gjergji Gashi, i cili fitoi gradën akademike të doktoraturës; GJERGJ GJERGJI GASHI, Martirët Shqiptar, Gjatë viteve 1846 – 1848, Drita, Ferizaj 1994, f. 1 – 294;
[22] ASCPF, SC SERVIA, vol. 5, f. 115 rv.
[23] ASCPF, SC SERVIA, vol. 5, f. 1158.
[24] ASCOF, SC SERVIA, vol. 5, f. 1196.
[25] Ivo BANAC, Nacionalno pitanje u Jugoslaviji, Zagreb 1988., f. 274. – 287.