Lazër Mjeda dhe laramanizmi në Argjipeshkvinë Shkup-Prizren

Nga Albert Ramaj

 

Me ardhjen e turqve në Ballkan, çështja fetare ndryshoi shumë gjëra. Pra, përhapja e fesë së pushtuesve në vendet ballkanike, e sidomos tek shqiptarët ishte që mori hov të madh. Ndonjëherë islamizmi pranohej sipërfaqësisht nga kryefamiljari e më vonë edhe nga meshkujt tjerë të rritur të familjes (por jo edhe nga femrat – gratë), të cilët para pushtetit osman do të njihen me emra të rinj mysliman për t’u paraqitur para pushtuesit si mysliman për shkaqe tatimore, kurse në qarqet familjare fshehurazi ishin krejtësisht të krishterë, sikur të gjithë të krishterët tjerë. Nuk shkonin haptas në kishë apo nuk i merrnin sakramentet, porse gjatë natës në fshehtësi, meshtari ishte i detyruar t’i vizitonte, pagëzonte dhe të kryente çdo shërbesë fetare që ata kërkonin. Pra, jeta e tyre fetare ishte e dyfishtë, në publik paraqiteshin nga frika se janë mysliman, kurse fshehtas në gjirin familjar mbanin fenë e krishterë. Ky fenomen është i pranishëm në disa vende, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë dhe quhet laramanizëm apo kriptokrishtenizëm (kriptokatolicizëm)[1].

Në koncilin kombëtar kishtar të 1703 i mbajtur në Mërçi, i quajtur Kuvendi i Arbnit, është trajtuar po ashtu edhe kjo temë. Edhe koncili tjetër kishtar shqiptar i 1871 dhe i vitit 1895 trajtonin këto tema. Janë të njohura edhe enciklikat e Vatikanit lidhur me këtë fenomen sikur “Inter Omnigenas“ e vitit 1744, dhe “Quod Provinciale Concilium“ e vitit 1754 të firmosur nga Papa Benedikti XIV dhe dekreti “Decretum que reprobantur nonnullae praxes christianorum occultorum muhamethanum sectam simultantium“ i 19.02.1774 i nënshkruar nga prefekti Kongregatës Propaganda Fide Mons. Castelli.

Një ndër studiuesit e thukët të historisë shqiptare është diplomati dhe konsulli austriak, Johann Georg von HAHN që kishte shkruar për këtë fenomen dhe jep të dhëna në librat e tija lidhur me këtë fenomen në “Albanesische Studien“, “Reise von Belgrad nach Salonik“ dhe “Reise durch die Gebiete von Drin und Wardar”.[2]

Në Letnicë ruhen librat e pagëzimeve të kriptokatolikëve apo laramanëve që quhen: Liber baptizatorum occultorum I. (1906-1915) dhe II. (1920-1936) dhe në Stubëll “Matricularum baptizatorum Cryptocatholicorum Ecclesiarum Beatae Mariae Virginis Crnagorensis in Letnica Atque Sancti Joseph, Sponsi Beatae Mariae Virg. in Stubla Stubalae”. Librat kanë të bëjnë me pagëzimin e kriptokrishterëve nga zona e Karadakut, sidomos prej vitit 1893 deri në kohën e Luftës së II Botërore. Në këto libra gjejmë të pagëzuar shumë persona kur Lazër Mjeda ishte argjipeshkëv në Kosovë[3].

Dhe Lovro Mihačević shkruan për “laramanët“ kështu: “Kur prifti katolik e përshkon famullinë për t’i bekuar shtëpitë, duhet patjetër të kthehet edhe nëpër shtëpitë e myslimanëve, që t’i spërkas (bekoj) edhe ato, e ata i japin lëmoshë sikur edhe katolikët; do të ndiheshin të ofenduar, nëse ai nuk e bën.”[4]

Në kohën e Lazër Mjedës në Prizren shkrimtari bullgar P. Cilev [5], kishte vizituar më 1911 shumë vende në argjipeshkvinë Shkup-Prizren dhe përmend raste shumë interesante lidhur me laramanët dhe festimin e festave dhe mënyrën e praktikimit të fesë katolike fshehurazi në këto troje. Shumë informata kishte marrë edhe nga bashkëpunëtori i Lazër Mjedës, Dom Luka Filiq. Në kohën e Lazër Mjedës kishte shumë fshatra laramane, që sot nuk janë të islamizuar, sikur ato në zonën e Karadakut të Shkupit dhe përreth Ferizajit. Po ashtu kishte edhe në Pushnik laramanë. Kurse në rrethin e Pejës kishte në këto vende laramanë: në Belaj, Lumbardhë e Rashiq. Afër Ferizajit kishte familje laramane sikur Talinovci, Jerliu, Muhovci, Koshare. Këto vend i kishte vizituar deri vonë prifti i Ferizajit. Është interesant se këto vende i kishte vizituar laramanët priftërinjtë katolik, por nuk ishte hetuar fare se është priftë nga rrethi, sepse ai ishte veshur sikur fshatar i thjesht dhe kishte çantën në krah, ku kishte një armë për gjueti dhe disa pëllumba të mbytur në krah, kështu që në çantë kishte të gjitha përgatitjet e veta për meshë dhe ceremoni të tjera fetare dhe shkonte e kremtonte meshën në këto vende. Këtë e bënte edhe bashkëkohësi i Lazër Mjedës Don Bartollome Fantela i njohur sikur Don Bata.

Në kohën kur Lazër Mjeda ishte argjipeshkëv në Prizren, po ashtu edhe Atë Gjergj Fishta sipas dëshmisë së tij, kishte pasur ndërmend të shkruan një vepër letrare lidhur me Martirët e Zonës së Karadakut të Shkupit, që më parë kishin jetuar si laramanë të fshehtë dhe ishin deklaruar si të krishterë. Atë Gjergj Fishta shkruan më 11 mars 1911 kështu: “…Edhe unë e kam një dorëshkrim në gjuhën frengjishte mbi persekutimet e familjeve katolike nga Stublla në Karadak. Me të vërtetë ky dorëshkrim është tejet interesant: duke e lexuar kam qarë me lot për faqe për ata MARTIRË TË SHKRETË, të cilët me një përulje aq të madhe të krishtere dhe duke iu nënshtruar vullnesës së Zotit i kanë bartur mizoritë e padegjuara të bëra nga ana e persekutuesëve barbare. Nga kjo histori mund të shkruhet nje vepër me karakter të rendit të parë letrar; sepse do të ishte tejet karakterstike dhe patetike, e po ashtu edhe indikative për aktualitetin e saj….

…Edhe unë e ushqej idenë që nga kjo histori ta bëj një vepër letrare, por Zoti e di se kur do të mund të merrem me këtë çështje.“ shkruan At Gjergj Fishta[6]

Është interesant të cekët se sikur në shumë vende të krishtera, edhe në Argjipeshkvinë Shkup-Prizren, ishin kalitur me dekada, madje me shekuj lutje – uratë që ishin në formë të poezisë apo edhe gati se këndoheshin si lloj këngë, pra me një melodi të caktuar e të njëjtë deri në fund të uratës. Të njohura janë disa prej uratash nga këto troje, si p.sh. “Kujto mirë, o njeri shkretë” (Qëllimi i njeriut)”, “Un` prej Zotit jam i kështenë” “Dhetë urdhnimet e Tënzot” (forma e zgjeruar e dhjetë urdhërimeve etj. Këto gjëra i ka përmbledhur Dom Gaspër Gjini në librin “Shujta Shpirtnore”[7]. Është e njohur edhe “N`Cernagore kem nji Nanë“ apo siç quhej edhe “Kanga e popullit“[8], e ka shumë të tjera që publikoi për të parën herë poeti Dom Ndue Bytyqi, por kjo këngë këndohet me shekuj në popullatën e Karadakut, si tek të krishterët, poashtu edhe tek myslimanët.

Ka mendime se uratën “Un`p prej Zotiti jam i kështenë” e ka shkruar Lazër Mjeda. Më uratë, lutje të ndryshme e këngë të ndryshme në formë poezie në argjipeshkvinë Shkup-Prizren është marrë Dom Ndue Bytyqi dhe mendoj personalisht se më shumë do të ishte natyra e Dom Ndue Bytyçit sesa e Lazër Mjedës. Nuk do të diskutoj për “autorësinë” e kësaj urate, sepse këtë punë duhet të bëjnë ekspertët e kësaj fushe, por këtu është me rëndësi se kjo uratë është shumë e njohur në Kosovë edhe deri gjeneratat e vonshme e kanë ditur përmendësh këtë uratë dhe ka disa që ende e dinë. Dihet se këto uratë quhen edhe “lutje të moçme” e siç shprehet edhe dom Gapsër Gjini “që populli i ka ruejtë e i përdorë.. dhe përdorën me andje dhe trashëgohen breznive të reja” [9].  Strofa e parë e uratës “un` p prej Zotit jam i kështenë” ka të bëjë shumë me fenomenin e laramanizmit apo kriptokrishtenizmit në Argjipeshkvinë Shkup-Prizren, fenomen që shekuj më radhe ishte prezent në këto troje. Në këtë uratë është një lloj formë e thjeshtë e besojmës, në formë ashtu popullore, por për në këtë rastë është shumë me rëndësi strofa e parë dhe e dytë:

“Un` prej Zotit jam i kështenë

E kështu due gjithmonë me kenë;

Qysh m`at ditë qi m`anë pagëzue

N`këtë fe shejte jam i shkrue.

 

E n`ket fe un due me rrnue,

Kam me dekë e s`kam me lshue,

Pse e dij mirë se s`ka shelbim

Për ata qi s`janë kështenim.”

Kjo duhet të ketë me laramanizmin madje edhe me islamizmin e popullit shqiptar, pasi që në këto troje kishte shumë laraman, kjo uratë mund të kishte buruar qysh atëherë. Pra fjalët “E n`ket fe un due me rrnue, kam me dekë e s`kam me lshue” mund të kenë të bëjnë vuajtjet e të krishterëve të këtyre trojeve, edhe ata që dëshironin të mbetnin haptas katolik. Ishin pra në gjendje edhe të vdesin për fenë e vet e nuk do ta lëshonin siç thuhet në këto fjalë. Kurse fjalët: “Pse e dij mirë se s`ka shelbim, për ata qi s`janë kështenim.” Duhet të kenë të bëjnë me ata që kishin “braktisur” fenë krishtere dhe ishin islamizuar apo edhe ata që ende nuk janë deklaruar haptas si të krishterë.

Më dobësimin dhe ramjen e Perandorisë osmane, gjendja e të krishterëve të fshehët apo kriptokrishterëve (laramanëve) duhet të ishte më ndryshe, sepse ata tash kishin mundësi që të deklaroheshin të krishterë haptas. Siç shihet qartë, tash ka të bëjë me një problem tjetër, sepse Serbia nuk dëshironte që laramanët të deklaroheshin katolikë, por nëse dëshirojnë të deklarohen si të krishterë atëherë kanë një mundësi, të deklaroheshin ortodoks apo të mbesin “myslimanë“. Për këtë raporton edhe gazeta krishtere vjeneze “Reichspost” më 27 dhjetor 1912 (botimi i pasditës), duke iu referuar Lazër Mjedës, konkret gazetës sllovene “Slovenec“, sepse Mjeda në dhjetor të vitit 1912 gjendej në Lubjanë. Në artikullin “Serbien und die Katholiken“ shkruhet se laramanët apo katolikët e fshehur ishin deklaruar para serbivë se dëshirojnë haptas të jenë katolikë. Kurse Serbia u kishte thënë laramanëve se “ose duhet të bëheni ortodoks (shizmatik) ose të muhamedan, kurrsesi katolik“. [10]

Po ashtu gazeta vjeneze “Wiener Sonn- und Montags-Zeitung”[11] shkruan për konvertimin e dhunshëm të shqiptarëve në ortodoksi dhe rolin e argjipeshkvit Mjeda për rikthimin e besimtarëve. Në këtë artikull shihet se konvertimi i shqiptarëve ishte me dhunë dhe se Mali i Zi nuk kishte tolerancë fetare ndaj shqiptarëve.

Më 21. 12. 1912 Imzot Lazër Mjeda gjendej në Lubjanë të Sllovenisë dhe prej aty i drejtohet Kongregatës Propaganda Fide, përkatësisht Kardinalit Girolamo Gotti me një letër lidhur me laramanët. Ai ndër të tjera thekson:

“Lartësia Juaj e di se në Kryepeshkopatën time kishte të krishterë të fshehur (laramanë); ata duke përfituar nga ardhja e pushtuesve të rinj që “krenohen me emrin kristian”, menduan se erdhi koha te shpalleshin hapur se ç`dëshironin të ishin; dhe të gjithë fshatrat në Mal të Zi të Shkupit, Janjevës dhe Ferizajt u shpallëm hapur katolikë. Nuk dihet asgjë për ata që banonin në krahinën e Prizrenit, por ka mundësi që edhe ato të kenë bërë të njëjtën gjë, pasi ishin lidhur ngushtë me të tjerët. Se ç`numër kishin, s`mund t’jua them tani, por është e sigurt se duhet të jenë disa mijëra. Porse për serbët, që ndërkohë mburren se kanë ardhur të çlirojnë të krishterët nga zgjedha myslimane dhe t`i japin liri të gjithëve, ky fakt bie ndesh e t`i acaron nervat, u thirr famulltari i Janjevës për t`i treguar se si është bërë ky kthim. Famullitari u përgjigj se ato kishin qenë gjithnjë katolikë, por nga frika e turqve kishin qëndruar fshehur deri atëherë. Komandanti shtoi: “Nëse turqit duan të ndërrojnë fe, duhet të bëhen ortodoksë, e jo katolikë, përndryshe është më mirë të rrinë turq”. Këto fjalë tregojnë mjaft qartë se ç`kriter kërkon të ndjekë qeveria e re dhe si shtypjet dhe përndjekja turke të lë të kuptosh atë të skizmatikëve (serbëve). Ia them këto Lart. Suaj sepse nën kujdesin Tuaj të lartë dhe mjetet e mundshme, të përpiqeni për liritë tona.”[12]

Lazër Mjeda kishte arritur në janar të vitit 1913 në Vjenë. Prej aty i shkruan edhe me letër më 09. 01. 1913 ministrit të punëve të jashtme austro-hungarez Leopold (Graf) Berchtold von und zu Ungarschitz lidhur më gjendjen shqiptare dhe në Argjipeshkvinë Shkup-Prizren. Ndër të tjera Mjeda shkruan edhe për laramanët kështu:

“Prej shumë kohësh në Kryepeshkopatën time kishte të krishterë të ashtuquajtur të fshehtë, që fshehurazi ushtronin kristian dhe ishin të pagëzuar, por publikisht, për arsye frike dukeshin myslimanë. Kur erdhën serbët në këto krahina, disa fshatra të këtyre të fshehurve menduan se erdhi koha të shfaqen dhe u shpallën hapur katolikë. (Këto fshatra janë arbërorë e flasin atë gjuhë, jetojnë në Ferizaj e rrethinë, Janjevë e rrethinë dhe në të gjithë Malin e Zi të Shkupit. Ka edhe të tjerë në krahinat e Prizrenit dhe të Pejës, por për to nuk di gjë ç`kanë bërë). Kam dëgjuar që qeveria Serbe thirri delegatin tim Imzot Gllasnovic, dhe kërkoi të dinte si ishte bërë ky kthim i muhamedanëve. Prifti iu përgjigj se nuk kishte ndodhur asnjë kthim i muhamedanëve, por vetëm një manifestim i hapur (publik) i katolikëve, të cilët deri në atë kohë nga frika e “turqve“ kishin qëndruar të fshehur.

Megjithatë, ky shpjegim nuk e kënaqi komandantin serb, i cili i tha priftit se, nëse myslimanët duan të ndryshojnë fe, duhet të bëhen ortodoksë, por jo katolikë: përndryshe le të qëndrojnë myslimanë. Dhe di nga vende të tjera që myslimanë që donin të përqafonin krishterimin, u ndaluan nga qeveria serbe“. [13]

Më 20 dhjetor 1912 kishte raportuar nga Lubjana Lazër Mjeda Kardinal Gottin lidhur me laramanët në argjipeshkvinë e vet dhe kishte njoftuar se qeveria serbe nuk i lejon që ata të jetonin haptas si katolikë, por ata duhet të mbeteshin muhamedanë ose të kalojnë në ortodoksi.[14]

Më 29 shtator 1913 imzot Mjeda i shkruan kardinalit Gotti lidhur me laramanët kështu:

“Në të vërtetë këto ditë e para u bë një lëvizje e madhe sidomos në anët e Cërnagorës (Mali i Zi i Shkupit), ku pothuajse të gjithë të fshehurit ishin shfaqur tek famullitari i Stubllës dhe i kishin kërkuar një letër, ku të dëshmojnë se ishin katolikë. Famullitari nuk kishte kundërshtuar dhe njëri prej tyre, një farë Jetishi nga Dunavi, ishte shpallur i pari katolik me të gjithë familjen. Por qeveria, pasi mori njoftimin, kishte dërguar t`i thonin që, ose të bëheshin ortodoksë, ose i priste vdekja. I shkreti ishte endur si shtegtar nëpër shpella e ferra për disa kohë, por pastaj, duke parë që familja kontrollohej çdo ditë dhe turbullohej nga serbët, ishte kthyer në shtëpi, duke u shtirur se ishin dakord me dëshirat e tyre.

Ndërsa një tjetër, megjithëse kërcënuar dhe rrahur, qe më i patundur dhe vazhdonte të mbetet katolik.

Kështu edhe ata të Androcit të Janjevës. Aty, nga gjashtëmbëdhjetë familje, vetëm pesë dezertuan; të tjerat i rezistuan me kurajo të gjitha kërcënimeve të qeverisë. Por patën favorin se në krye të komunës së Janjevës në atë kohë ishte famullitari lokal dhe këta mund të kishin kurajo dhe të mbroheshin nga reprezaljet e serbëve. Kështu që deri tani nga ata që ishin të fshehur kemi vetëm nja shtatëdhjetë vetë që janë shpallur dhe qëndrojnë hapur katolik. Të tjerët, nga frika, fshihen përsëri dhe kur u bë regjistrimi, u shkruan muslimanë”.[15]

Është interesant se qeveria serbe në atë kohë nuk lejonte që priftërinjtë katolikë të kenë kontakt të drejtpërdrejt me kriptokrishterët apo laramanët në Argjipeshkvinë Shkup-Prizren, duke etiketuar priftërinjtë se bënin propagandë austriake, por Mjeda i viziton laramanët në Karadak apo në Malin e Zi të Shkupit dhe u jep kurajo që të deklarohen publikisht si katolikë e mos të mbesin të fshehur apo zyrtarisht të deklarohen myslimanë. Për fat të keq, kishte edhe myslimanë fanatik shqiptarë që këta laramanë i friksonin se së shpejti do të kthehet Turqia në këto troje.

Lazër Mjeda shkruan për këtë gjë kështu: “Qeveria i ndaloi priftërinjtë të shkonin tek ata dhe të komunikonin me ta, me pretekstin se bënin propagandë austriake”.[16]

Pastaj Mjeda vazhdon në të njëjtin raport:

“Duke qenë në këtë gjendje gjërat, mendova të shkoja në këto vende e të shikoja se ç`mund të bëhej. E në fakt, në ditën e shtatë të këtij muaji shkova në Letnicë e dërgova të thirrnin njerëzit e njohur të fshatrave të ndryshëm. Ata erdhën. I pyeta pse donin të ishin katolikë e ç`mendonin të bënin. M`u përgjigjën me një zë se ishin katolikë dhe katolikë donin të mbeteshin; por të frikësuar nga njëra anë nga kërcënimet dhe ngacmimet e serbëve, e nga ana tjetër nga mburrjet e myslimanëve, të cilët thonin se së shpejti qeveria turke do të merrte këto krahina dhe do të hakmerrej egërsisht nga tradhtia e tyre, ishin tërhequr e s`ishin shfaqur publikisht katolikë, se prisnin kohë më të mira atje.

Iu përgjigja të mos i dëgjojnë myslimanët, se nuk kishin asnjë mundësi se mund të merrnin  qeverinë, nga serbët të mos trembeshin shumë, meqë në atë kohë nuk kishin mundur t`i kryenin të gjitha kërcënimet e tyre, por po të ndodhte, do të vihesha përbri tyre, për t`i mbrojtur dhe për të vdekur me to. Fituan besimin në vetvete e kërkuan se ç`duhej të bënin. U shtova atyre: Tani unë nuk ua kërkoj të shkoni shpejt tek qeveria për të bërë rrëfimin tuaj të besimit e të nënshkruheni katolikë, sepse ka të ngjarë që tani nuk do të pranoni, e nga ana tjetër mund të përbënte rrezik, meqë jemi në rrethanat e gjendjes së luftës. Për t`u njohur katolikë, unë ju kërkoj juve që deri në një urdhër të ri, të shkoni në kishën katolike një nga një, por ditën, që t`ju shohin të gjithë; që t`i merrni Sakramentet e Shenjta, e se lipset ta thirrni ditën priftin, e jo natën. Kështu, në mënyrë indirekte, mund të ndreqni regjistrimin myslimanë të bërë pranë qeverisë. Për të dhënë këto shenja të rezistencës, ju jap kohë deri ditën e Shën Kollit (6 dhjetor); ndërkohë lidhuni me të fshehurit (laramanët) e tjerë që njihni dhe kërkoni që edhe ata të bëjnë të njëjtën gje e të jenë solidarë, nëse qeveria do t`i krijonte ndonjë shqetësim. Mbetën të kënaqur nga kjo zgjidhje dhe premtuan të bënin ç`i thashë.”[17]

Në këtë raport kërkon Mjeda nga kardinali Gotti këshilla se si duhet të sillet si ipeshkëv rreth sakramenteve me laramanët në argjipeshkvinë e vet.

Qeveria beogradase në atë kohë dhe më vonë kishte kërkuar nga priftërinjtë e Argjipeshkvisë Shkup-Prizren emrat që janë të pagëzuar dhe që janë të shënuar në këtë libër, duhet të fshihen dhe kjo punë të mos ndodh më. Pagëzimi apo deklarimi haptas i kriptokatolikëve si katolikë në Argjipeshkvinë Shkup-Prizren shihej me sy të keq nga ana e politikës së Beogradit, shihej si akt kundërshtetëror dhe kërkohej nga priftërinjtë që këto gjëra mos të ndodhnin apo ata persona që dëshirojnë të dalin haptas si të krishterë, të deklarohen ortodoks. Kurse të njëjtën kohë, edhe përfaqësuesit fetarë të besimit myslimanë kërkonin nga Beogradi që kjo gjë të mos ndodhë më dhe e alarmojnë Beogradin për këtë akt “jopatriot”[18], që kleri katolik po pagëzon ata persona.

Për kohën kur L. Mjeda ishte argjipeshkëv në Prizren misionet lëvizëse të jezuitëve kishin përshkruar edhe detaje për gjendjen e laramanëve në këtë argjipeshkvi[19]. Një libër në gjuhën kroate mbi veprimtarinë e Jezuitëve në Kosovë e Maqedoni prej 1888-1912 është përgatitë nga autori i këtyre rreshtave dhe i është dorëzuar Don Ndue Ballabanit në Zagreb për botim, dhe rreth veprimtarisë së jezuitëve mes laramanëve në Argjipeshkvinë Shkup-Prizren mund të lexohen shumë detaje në atë dorëshkrim. Sipas letrës së Genovizzi-t dërguar provincës së vet në Milano më Skoplje, 28. janar 1912 shihet se autoritete turke kërkonin nga laramanët e Argjipeshkvisë Shkup-Prizren që së paku kryefamiljari të shkon haptas në xhami.[20] Në këtë letër shihet shumë qartë se jeta e laramanëve në këto troje, sidomos në Karadakun e Shkupit nuk ishte aq e lehtë.

Është interesante se në misionin lëvizës të Jezuitëve ishte edhe një misionar nga Stublla e Kosovës që quhej Fratel Zef Antunoviqi[21]. Zef Valentini ka shkruar një shkrim për fratel Zefin dhe cek se ai vjen prej rrethit laraman.[22] Dhe ishte me rëndësi që ai iu bashkëngjit misionarit Domenico Passi, sepse njihte shumë mirë mentalitetin e laramanëve në trojet e Argjipeshkvisë Shkup-Prizren. Fratel ishte bashkangjitur misionarëve jezuit jo vetëm për tërritor të Kosovës, por edhe të Shqipërisë. Ketë e përshkruan shumë mirë edhe Cordignano në librat e tij “L`Albania“ Fratel Zefi kishte jetuar kohë të gjatë në Shkodër, ku më 1936 kishte vdekur.

Në kohën e Lazër Mjedës kishte edhe priftërinjtë katolik që vinin nga vendet laramane, sidomos të Zonës së Karadakut të Shkupit, sikur fshatrat Lubishte e Zhegër, në afërsi të Gjilanit. Ato vende ishin gati “krejtësisht“ myslimane apo laramane, sikur Viktor Pashku që zyrtarisht quhej Shahin Ferizi apo siç dihet me emrin Atë Viktor Pashku apo Viktor Paskes nga Selishta e Gjilanit dhe që më vonë nga qeveria franceze kishte marrë çmimin shumë të njohur “Palmes d`officier d`Accademie” për përhapjen e kulturës franceze. Nga Zhegra kishte edhe një tjetër meshtar që quhej Ahmet Fazlija[23]. Viktor Pashku shkruan për vendlinjen e vet kështu:

“Pasi që myslimanët e fshatit tonë ishin tejet fanatik, ne s`mund të shpallnim haptas fenë tonë të shenjtë. Para syve të mi ra viktimë vëllau im kur morën vesh se jemi katolikë. Nga frika prej hakmarrjes, si është adeti tek ne, deshëm të më vrasin edhe mua. Miqtë tanë më fshehën dhe më çuan në Cërnagore, pastaj në Prizren te famullitari Simon Lumezi….

Të gjithë e din se isha detyruar të braktisi Selishtën në moshën 6 vjeçare për të shpëtuar nga masakri, viktimat e të cilit ranë ati im i mjerë, nëna ime dhe sa mija të tjerë shqiptarë katolikë nga fanatizmi turk. Fshati ynë e kujton përherë vdekjen e babës dhe të nënës sonë, si dhe të mijëra shqiptarë të tjerë që i mbytën turqit fanatik vetëm përse janë `Katolik`.”[24]

Për persekutimin e katolikëve në Kosovë e Maqedoni ishin marrë edhe shumë revista europiane, jo vetëm ato vjeneze, si edhe për çështjen e laramanëve në këto troje. “Le Missioni Cattoliche“ e Milanos kishte shkruar që ata dëshironin të deklaroheshin haptas si katolikë. Gazeta e cekur milaneze kishte shkruar një shkrim tejet interesant për gjendjen e Kishës katolike në Kosovë më 20. VI. 1913 dhe trajton temën se si është e mundur që Serbia kishte luftuar kundër turqve, pra myslimanëve, dhe si të krishterë tash luftojnë kundër krishterëve katolikë shqiptar dhe aktet barabare ndaj popullatës shqiptare, dhe se duket ky të jetë vetëm fillimi. Në këtë shkrim ndër të tjera shkruhet edhe për laramanët e Argjipeshkvisë Shkup-Prizren.

Kur Mbreti serb Peter I. kishte shkuar në Shkup më 24 janar 1913 dhe kishte takuar 50 familje laramane që i kishin deklaruar atij haptas se dëshirojnë të jenë katolik. Mbreti i zëmëruar u kishte thënë: “Katolikë! Keq e shumë keq! Ose ortodoks ose muhamedan, e kurrsesi katolik“. Shkrimin e ngjashëm e shkruan edhe gazeta katolike e Splitit të Kroacisë “Dan”, më 2 korrik 1913, e cila shtjellon të njëjtën temë me titull “Mëshoju katolikëve dhe lirisë së tyre”.

Dihet se Serbia, sidomos gjatë luftërave ballkanike dhe të parës botërore, kishte problem të madh me klerin katolik dhe besimtarët e tyre, sidomos për shkak që katolikët shqiptarë trajtoheshin gati njëjtë sikur austro-hungarezët. Kështu që laramanët e këtyre trevave me dashje apo pa dashje për shkak të politikës ditore ishin të detyruar që edhe më tutje mbesin laramanë e nuk i lente që të deklaroheshin haptas katolikë, pra, ashtu si ata dëshironin vetë. Serbia dhe Mali Zi kishin qëllim tjetër, pra që të konvertonte (me dhunë) edhe jo ata laraman shqiptarë, por edhe katolikë dhe myslimanë shqiptarë në ortodoksizëm. Këtë qëllim tentuan Mali i Zi e Serbia sidomos në vitin 1913, sidomos në pjesën e Pejës, Gjakovës dhe të Malit e Zi të sotëm.[25]

Atë Luigj Palaj nuk i lentë besimtarët e vetë që të konvertoheshin në ortodoksizëm dhe për këtë arsye u vra nga forcat malazeze më 1913 në Janosh afër Gjakovës. Lazër Mjeda përballej jo më vetëm me problemin e laramanëve në këto troje, por edhe të besimtarëve që prej represalieve, torturave, dhunës e mundimeve të llojllojshme ishin të detyruar se paku që sipërfaqësisht shqiptarë edhe të besimit katolik e myslimanë të deklaroheshin si ortodoksë, sepse nuk mund t’i përballonin gjithë atyre hjekave të mëdha që i bëhej popullit shqiptarë.

Lazër Mjeda, si bari i mirë, i vizitonte këto vende dhe u jepte kurajo që mos të bëjnë një gjë të tillë. Më 27 maj kishte vizituar Gjakovën dhe kishte biseduar me besimtarët e vet për deklarimin e dhunshëm të tyre[26]. Për konvertimin e shqiptarëve (myslimanë e katolikë) në ortodoksizëm Noel Malcolm thotë: “this was applied with peculiar vigour by the Montenegrins“.[27] Është shumë e vërtetë se Lazër Mjeda nuk ishte angazhuar vetëm për katolikët e konvertuar në territorin e okupuar nga Mali i Zi më 1913, por siç cekët “për të gjitha konvertimet tjera me dhunë“[28], pra edhe për myslimanët dhe laramanët shqiptarë.

Më 19. 03 1913 lidhur me këto probleme shkruan Lëzër Mjeda kështu: “me shëndet jam mirë; shumë gjera të këqija, të vështira i kam pasur këto ditë, arsyeja kryesore/salvimet e trishtueshme, të hatashme të shpërthyera kundër katolikëve nën pushtetin malazez. Më se 70 familje fand kanë kalua në skizmë dhe ekziston rreziku me arsye që edhe të gjitha familjet tjera të veprojnë në të njëjtën mënyrë, duke mos pasur rrugëdalje. Tri fshatra kanë pasur mundësi natën të ikin në territorin nën pushtetin serb, duke lënë çka kanë pasë e tjerët s`kanë pasë mundësi ta kalojnë kufirin…”[29]. Lazër Mjeda, përnjëmend bari i mirë për besimtarët e vet, ai u jepte guxim që mos të lëshonin fenë e vet, i vizitonte ata rregullisht në kohët më të vështira.

Më 16.III.1913 shkruan: “Tash jam vetë i nevojshëm për të holla, pasi kam pasur detyrë të kujdesohem për refugjatët e Gjakovës… Dje për Rrëshajë jam kthyer nga Gjakova, e nesër prapë do të kthehem për tri-katër ditë. Pasi çështja e refugjatëve ende nuk u zgjodh, dhe populli asht në lëvizje tash këtu e tash atje, është e nevojshme kohë pas kohe t`i vizitoj dhe t`i ngushëlloj, duke u dhënë zemër dhe duke u ndihmuar materialisht, se kanë humbë çdo gjë dhe janë pa bukë. Kjo është arsyeja pse tani nuk mund të largohem, se përndryshe tani isha në ato anë.”[30]

Më 1913-14 zhvilloheshin bisedimet mes Vatikanit dhe Serbisë lidhur më një marrëveshje zyrtare apo konkordatit. Përfaqësuesi zyrtar (ambasadorit) i Austrohungarisë në Vatikan Alois (Fürst) Schöngurg-Hartenstein dhe ministri i punëve të jashtme austro-hungarez Leopold (Graf) Berchtold von und zu Ungarschitz jo që angazhoheshin për përmirësimin e gjendjes shqiptare dhe ruajtjen e protektoratit austro-hungarezë, por ishin të vetëdijshëm edhe për shumë imtësi për popullatën shqiptare, pra edhe për laramanët e këtyre vendeve dhe nga bisedat e shkrimet që shndërroheshin mes zyrtarëve austro-hungarezë dhe të kardinalit Merry de Val kërkohej që nga Vatikani të bisedon edhe për lirinë fetare të laramanëve në Argjipeshkvinë Shkup-Prizren. Më 12. mars 1913[31] lajmëron ambasadori i Austro-HUngarisë në Romë Schönburg se kishte biseduar me Vatikanin lidhur më lirinë fetare të laramanëve në Argjipeshkvinë e Kosovës. Kështu, qysh në fazën e parë të bisedimeve lidhur me konkordatin kishte shprehur dëshirën për të siguruar lirinë fetare të laramanëve. Në qarqet e Vatikani ishin të brengosur për laramanët. Vjena dhe Roma ishin të njoftuar për gjendjen e laramanëve pas largimit të Turqisë nga Ballkani, por tash kishin lindur probleme të reja për ta, pra ishte shfaqur me probleme të mëdha Serbia. Në këtë letër ceket se për gjendjen a laramanëve në Argjipeshkvinë Shkup-Prizren ishin njoftuar nga raportet e ndryshme, pra të argjipeshkvit Lazër Mjeda.

Këtë e dëshmon edhe letra e ministrit të punëve të jashtme Leopold (Graf) Berchtold më 02. VI. 1914 dërguar përfaqësuesit Alois (Fürst) Schöngurg-Hartenstein. [32]

Dihet se raportet e Mjedës ishin ato që kishin nxitur këtë bisedë, sidomos nga letra e Mjedës më 09. 01. 1913 dërguar ministrit të punëve të jashtme austro-hungarez Leopold (Graf) Berchtold von und zu Ungarschitz, ku i shpjegon gjendjen e laramanëve në argjipeshkvinë e vet. Sipas kësaj shkrese ministri Berchtold për gjendjen e laramanëve në Argjipeshkvin Shkup-Prizren është “formalisht” i kënaqur prej asaj që është biseduar dhe është shkruar mes kardinalit Merry de Val dhe Alois Schöngurg-Hartenstein, pra Serbia ishte e obliguar që t’u jep të drejtën e lirisë fetare laramanëve në këto troje.

Gazeta “Reichspost” e 20 marsit 1913 shkruan po ashtu për laramanë dhe gjendjen të tyre në Argjipeshkvisë Shkup-Prizren. Thuhet se ata deri më tash nuk kishin mund të deklaroheshin haptas për shkak të turqve, kurse tash e kanë problem prej Serbisë, ndërsa qarqet e Beogradit u kishin ndaluar laramanëve të deklaroheshin haptas si katolik, ose duhet të bëheshin myslimanë e nëse dëshirojnë të bëhen të krishterë atëherë ortotoksë.[33]. Gjithashtu edhe Leo Freundloich e merr këtë artikull dhe e riboton në librin e tij “Albaniens Golgotha[34]

Më 31 janar 1911[35] njofton konsullata austriake e Shkupit se kishte pasur një grup ortodoks nga Maqedonia, më saktë nga Kumanova që kishin shkuar tek argjipeshkvi Lazër Mejda dhe tek famullitari i Ferizajit Dom Pashk Krasniqi dhe u kishin kërkuar ndihmën e tyre që ata të kalojnë në katolicizëm. Pra ishte fjala për besimtar ortodoks maqedonë e që dëshironin të kalonin në katolicizëm. Është e njohur komuniteti greko-katolik me kombësi maqedone në Maqedonin e jugut, pra në Strumicë e rrethinë, por këta ishin taman ortodoksë. Nuk është fjala për komunitetin katolik të ritit bizantin që jeton edhe sot e kësaj dite në territorin e Maqedoniës, por është fjala për ortodoks të vërtetë.

Komunitetin greko-katolik në Maqedoninë e sotme ia kishte besuar Papa Benedikti më 1915 argjipeshkvit të Shkupit L. Mjeda. Argjipeshkvi Mjeda ishte pra edhe argjipeshkëv i katolikëve të ritit bizantin në Maqedoni, që më komb janë maqedonas. Argjipeshkvi Mjeda dëshironte që këtë komunitet të vizitonte vetëm dhe të shihte taman se si është gjendja e këtyre shpirtrave që papa ia kishte besuar. Organet e atëhershme bullgare nuk i dhanë Mjedës leje që të viziton këtë komunitet. Viti 1915 ishte shumë vit i vështirë edhe për katolikët e ritit bizantin, sepse bullgarët kishin vra e mbytë dhe kishin shkatërruar gati çdo gjë që ata kishin, shtëpia e pasuri tjera. Pasi që Mjeda nuk mund të shkonte në këtë zonë, ai organizoi që ndihmat t’u dërgonte gjithsesi dhe përmes meshtarit P. Nedeljko, i cili më 20 mars 1916 i shkruan një letër falënderimi Mjedës për këto ndihma të rëndësishme.[36]/drita.info

(Marre nga shkrimi “Lazër Mjeda në argjipeshkvinë Shkup-Prizren mes 1909-1921 (Sipas arkivit Austriak, emërimi tij, laramanizmi, largimi nga Prizreni, në: Imzot Lazër Mjeda – Mbrojtës dhe lëvrues i identitetit shqiptar. Albanisches Institut, St. Gallen 2011, ISBN 978-3-9523077-7-9, fq. 115-133.)


[1] Mbi këtë fenomen shif më shumë. BARTL Peter, Kryptochristentum und Formen…, paoshtue dhe shqip: Kriptokrishtenizmi dhe format e religjionit…, Albert Ramaj, Burime dhe dëshmi, kriptokrishtenizmi…

[2] Më shumë te Albert Ramaj, Burime e dëshmi, fq. 167-174

[3] Krahaso Albert Ramaj. Burime dhe dëshmi faqe 131-166.

[4] Për këso raste lajmron L. Mihacevic, Durch Albanien. Prag 1913, fq. fq. 34-35

[5] Cilev P., Obikolka iz albanski seliste, poashtu Albert Ramaj, Burime e dëshmi, fq. 148, poashtu Gaspër Gjini fq. 153

[6] Albert Ramaj, Burime dhe dëshmi, fq. 190-193, poashtu shif edhe GJERGJI, Gj: Martirët shqiptarë gjatë viteve 1846-1848, in Drita, 3-4, 1983 fq, 22.

[7] Shujta shpirtnore (përpiloi Gaspër Gjini), Ferizaj-Zagreb 1978, krahaso fq. 205-222

[8] BYTYQI Nue dom, Kanga e popullit. N`nderr t`Zois Zernaghores, in: Elçija e Zemrës së Krishtit, Shkodër, qershor 1894, fq, 6-9.

[9] Shujta shpirtnore, fq. 205.

[10] „Serbien und Katholiken“, in: Reichspots (Nachmitagausgabe) 27. 12. 1912, fq, 1

[11] Wiener Sonn- und Montags-Zeitung, artikulli „Die Anëort Montenegros ist ausständig“ 24 mars 1914, fq 1.

[12] GASHI Gj. Kosova Altari i Arbërisë, II, fq. 35.

[13] Gjergj Gjergji, Kosova II., fq, 39-40

[14] Krah. GjERGJ Gashi, Kosova II., fq 66.

[15] Gjergj Gashi, Kosova II. fq. 66

[16] Gjergj Gashi, Kosova II. fq. 66

[17] GASHI Gj. Kosova Altari i Arbërisë, II, fq. 66-67.

[18] Krah. ZUTIC Nikola: Rimokatolicka misija i klerikalizam na Kosovu, fq. 108

[19] Mbi laramanët në argjipeshkvinë Shkup-Prizren gjatë kohës kur L. Mjeda ishte argjipeshkëv shif edhe raportin e atë Giovanni Battista della Pietra për misionin fluturues të mbajtur në argjipeshkvinë Shkpup-Prizren më 1911 në: Lettere edificanti dei padri della Compagnia di Gesu della Provincia Venta, Serie XXII, Venezia 1912, fq. . 20-31 dhe raportin e Atë Francesco Genovizzi për misionet në këtë argjipeshkvi më 1911 dhe 1912 në Lettere edificanti dei padri della Compagnia di Gesu della Provincia Venta, Serie XXII, Venezia 1913, fq.. 3-20. Këto detaje janë poashtu në librin e përgatitur nga Albert Ramaj (ende pa botuar) që duhet të botohet në gjuhën kroate nga Misioni Katolik Shqiptar në Zagreb.

[20] Shif: Lettere edificanti dei padri della Compagnia di Gesu della Provincia Venta, Serie XXII, Venezia 1913, fq. 3

[21] M bi jetën e Zef Antunoviq shif A. Ramaj, Burime dhe dëshmi, fq. 108-118

[22] Giuseppe Valentini “Il Fratel Zef e la Missione volante” in Notizier agli Amici dei gesuiti lambardo-veneto-emeliani, Milano, 2 (1972), fq. 36-41.

[23] DJURIC F.: Die Geschichte der Krypto-Katholiken fq. 204

[24] Shih. KRONIKU, in: Drita XV, 11-12 (107), 1984, fq. 8-9.

[25] Për këto gjëra shif mnë shumë Zekeria Cana Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913 (Dokumente). Falenderoj Atë Ndue Kajtazin, frat në Gjakovë që ma dërgoj me postë këtë libër në Zvicër.

[26] Zekeria Cana, Gjenocidi i Malit të Zi… fq. 216

[27] Malcolm Kosovo, short story, fq. 254

[28] Cana, Gjenocidi fq. 165

[29] Mark Sopi. Shembulli i Bariut të mirë dhe atdhedashës, arritja e imz. Lazër Mjedës në Prizren, in Drita, viti XIII, nr 3-4 (95) 1982, fq. 8.

[30] Mark Sopi. Shembulli i Bariut të mirë dhe atdhedashës, fq. 8.

[31] ÖStA. PA, XIII, 314 Türkei, XXXIV / 5 A, më 12. shkurt 1913

[32] Shif Östa. PA. XIX, 93, Serbien XVIII/ (Rom – V.) 2480, më 02. VI. 1914

[33] Der Konflikt mit Montenegro, Reichspost 20 mars 1913, fq. 2

[34] Leo Freundlich, Albaniens Golgotha fq. 27

[35] HHSTa XXXVIII PA. 441, Konzullate Üskuüb 1911-1913 të datës 31 janar 1911, fq. 293-294

[36] Shif më shumë Rudolf Grulich, Die unierte Kirche in Maqedonien (1856-1919), fq. 91.

Shpëndaje: