Nga Kujtim M. Shala
Kur e zbuloi Bogdanin, Ibrahim Rugova ishte një dijetar i kulturës e i literaturës. Vetë e dëshmon se po kërkonte rrënjët e mendimit shqiptar për letërsinë, kur gjeti Bogdanin e tërë, të shkrirë në veprën e tij, në shkrimin e bukur shqip dhe në rrjetin e madh të ideve universale.[…] Në zjarrminë e zbulimit të rrallë, Bogdani hapej në letrat e Rugovës si dijetar i krishterë, d.m.th. evropian, humanist e veprimtar shqiptar. Me të, Rugova po zbulonte shenjat e një epoke, në të cilën, bashkë me shpirtin (religjioni), duhej të mbrohej edhe trupi (qenia etnike fizike).
I
HOMO POETICUS vs. HOMO POLITICUS
Homo poeticus vs. Homo politicus e bën formulë raportin e vjetër e të ri ndërmjet diskursit poetik e Politea-s, raport në të cilin kjo e dyta, përmjet një reduktimi të fortë, tradicionalisht është identifikuar me Polisin e me veprimin politik.
Vënia përballë apo në raport përjashtimi e gjymtyrëve të formulës, Homo poeticus vs. Homo politicus, vetëm sa e provon një keqkuptim të vjetër. Këto dy gjymtyrë, të lexuara si shenja të dy fushave, estetika e politika, në diakroninë e gjatë të letërsisë, arteve e të Politea-s, shenjojnë një nga raportet më të kërkuara e më të përshkruara, për të provuar edhe kështu ndërliqësinë e tij.
Raporti i tillë, i lexuar nën shenjën etimologjike të termit Politea dhe nga shtrirja kulturologjike, e provon se natyra e tij është tjetër nga ajo që ka dhënë teoria (ideologjike) përmjet një keqkuptimi e reduktimi fillestar, të përsëritur në rrjedhë të shekujve.
Përtej reduktimit të parë, të shenjuar nga Platoni, apo të lexuar tek ai, Homo politicus-i s’e përjashton a priori Homo poeticus-in, meqë nuk ka etikë jete që a priori përjashton estetikat. Këto janë dy aktivitete, që rrinë përkrah e përballë e që komunikojnë përmjet procesit të krijimit të përgjasimeve. Letërsia i ngjan jetës, po ajo ndërton ontos-in e vet, ashtu siç ndodh që jeta t’i ngjajë letërsisë, po s’ka si ta tretë ontos-in e vet. Letërsia mbaron, ndoshta nis, në dhimbje shpirti. Në jetë dhemb trupi, bashkë me shpirtin. Në këtë zinxhir figurash, jeta do të ishte trupi, letërsia fryma, po që ndërrojnë vendet paprerë, pa u bërë një asnjëherë. Një trup në kërkim të frymës a një frymë që do një trup, po që s’e duron përfundimisht.
Po çfarë ndodh kur Homo poeticus-i bëhet Homo politicus përmjet një zgjedhjeje, përcaktimi a kapërcimi konkret? Si duket kjo në kulturën e në jetën shqiptare?
Provën e madhe në historinë shqiptare e japin dy dijetarë të mëdhenj, Pjetër Bogdani e Ibrahim Rugova, të cilët u bënë veprimtarë e prijës të mëdhenj në stuhitë e shekujve të tyre.
II
ZBULIMI I BOGDANIT
Duket si mitologji, por e ka provën.
Pjetër Bogdanin, dijetarin e veprimtarin e madh, njeriun e besës e të etikës që s’lë hije, në shekullin e tij, e endnin të zhveshur rrugëve të Prizrenit, për ta vrarë politikisht. Vetëm politikisht – si Homo politicus? Këtu hyjnë në lojë etika e politika, etika e religjioni, etika e fjala.
Ibrahim Rugovën, dijetarin e prijësin e madh, shekuj më vonë, në luftën e Kosovës, e dërguan në Beograd, për ta vrarë politikisht. Vetëm politikisht – si Homo politicus? Këtu hyjnë në lojë etika e politika, etika dhe figura e prijësit, politika e fjala e prijësit që do e ka besë.
Kështu u sprovuan ashpër në fushë të jetës, të kulturës e të historisë politike dijetarët që u bënë veprimtarë. Por, të dy ata sot janë ikona të kulturës e të jetës nacionale të shqiptarëve; ata nuk u vranë.
***
Kur e zbuloi Bogdanin, Ibrahim Rugova ishte një dijetar i kulturës e i literaturës. Vetë e dëshmon se po kërkonte rrënjët e mendimit shqiptar për letërsinë, kur gjeti Bogdanin e tërë, të shkrirë në veprën e tij, në shkrimin e bukur shqip dhe në rrjetin e madh të ideve universale.
Në aventurën e tillë të kërkimit, të cilën Rugova e jetoi sa ishte gjallë, zbulojmë një determinizëm romantik, i cili përherë e bëri atë të mendojë se kur kemi sot diçka, do të kemi patur dhe dje. Ndaj, s’iu nda kërkimeve kurrë, në jetën nacionale, në histori, kulturë e letërsi, në historinë politike shqiptare, që bashkë e vetiu lidhen si identitet, ndërsa Rugovën e provojnë kërkues të tij.
Në zjarrminë e zbulimit të rrallë, Bogdani hapej në letrat e Rugovës si dijetar i krishterë, d.m.th. evropian, humanist e veprimtar shqiptar. Me të, Rugova po zbulonte shenjat e një epoke, në të cilën, bashkë me shpirtin (religjioni), duhej të mbrohej edhe trupi (qenia etnike fizike).
Kështu, kur e lexoi Bogdanin, Rugova lexoi një epokë. Kur nisi ta rikujtonte, u bë vetë një autor bogdanian, që do të thotë dijetar e përnjëherë veprimtar, një skemë kjo e njohur e jetës së shqiptarëve. Si për ta përsëritur deri në fund skemën, Rugova u bë prijës, madje misionar, dhe u nis rrugës së egër për ta shpëtuar shpirtin e trupin e shqiptarëve të Kosovës.
I zënë nga Dielli i Bogdanit, vërtet i larë nga drita e fotologjisë (Zhak Derrida) së veprës së tij, Rugova e lexoi Bogdanin si ta kishte bashkëkohës. Paradoksale? Aspak, meqë veprat e mëdha çlirohen nga veprimi i ideologjisë së tyre dhe universalizohen, për t’u hapur në çdo kohë.
Rugova e provoi se Bogdani do përsëritur si frymë e veprim. Po fryma e veprimi i tillë janë konstanta identiteti. Rugova e të tjerët që duan apo përsërisin Bogdanin, e provojnë një identitet të rrallë, të lidhur me frymën e Hyjit e me stuhitë e tokës së shqiptarëve.
Si për ta provuar këtë, françeskanët tanë të mëdhenj, mësimin me vepër të sivëllait të tyre të hershëm, e patën dhënë në formulën lapidare Atmé e Fe. Kjo është shqiptarizma e kryqëzuar me universalizmë, që lidhet herët në paradigmë kulturore te vepra dhe te veprimet e Pjetër Bogdanit.
Po, të ndalemi këtu, në majë, vërtet në rrënjët e dijes e të veprimit të Bogdanit, jo për të pushuar, po për t’u përndriçuar!
III
RUGOVA – DIJETARI PRIJËS
Ibrahim Rugova së pari ishte dijetar, pastaj u bë prijës. Vepra letrare dhe veprimi i tij politik e nacional e bënë atë figurën më të madhe të historisë së re të Kosovës, njeriun që arriti t’i bëjë e t’i mbajë bashkë shqiptarët.
Në botën e letërsisë e të dijes, Rugova hyri me vjershat e hershme, por vepra e madhe e tij është diskursive. Kjo vepër e bëri atë dijetar të letërsisë e të kulturës dhe, me temat e mëdha të letërsisë, kulturës, madje të jetës shqiptare, pashmangshëm e çoi drejt veprës nacionale.
Vepra kërkimore e Ibrahim Rugovës, e shkruar dhe e botuar në Prishtinë, anticipon e rrezaton thellë frymën, mendimin dhe veprimtarinë e Qarkut të njohur letrar të Prishtinës, të qarkut të autorëve që zbuluan traditën nacionale nga fillimi dhe morën dijet moderne universale si shpëtim nga skema ideologjike. Vetë Rugova është ikona e këtij qarku.
Rugova zbuloi nga fillimi traditën letrare shqipe dhe u mrekullua me Bogdanin. Tradita e tillë është një paradigmë për autorët e këtij qarku.
Rugova u bë dijetar i frymës evropiane, madje shkoi e studio në Paris, te Rolan Barti, dhe njohu për së gjalli dijetarët e mëdhenj frëng.
Rugova bëri teorinë e letërsisë si një differentia specifica, si botë në vete, fiksion, strukturë e figurë, ide e kuptime, që lidhen në një univers nën shenjën e differentia-s. Kështu menduan autorët e Qarkut të Prishtinës kur shkruan letërsi dhe kur ligjëruan plot pasion e dije për të.
Rugova e dinte se autorët s’duhet t’i mësosh, por t’i lexosh. Autori shkruan ato që jeton e imagjinon, mendon e ndjen, do e zgjedh. Ai është mbret i veprës e vepra mbretëria e tij. Kjo mbeti një zbulesë e përjetshme e autorëve të Qarkut të Prishtinës.
Si Rugova, autorë të Qarkut të Prishtinës, kur po rrezikohej qenia nacionale e shqiptarëve të Kosovës, nga shkrimtarë e mendimtarë, u bënë veprimtarë. Prijës – Ibrahim Rugova, njeriu që ëndërroi/projektoi dhe e ndërtoi politikën autentike të Kosovës.
***
Është tepër e njohur, në fundin e viteve ’80-të të shekullit të kaluar, Rugova meditans, u vu në krye të lëvizjes shqiptare të Kosovës, si njeri e dijetar që tashmë kishte artikuluar publikisht interesat nacionale të Kosovës, si kryetar i shkrimtarëve të Kosovës. Rugova – një shkrimtar që fliste në emrin e popullit të tij, po përsëritej skema shqiptare që dijetarët i bën veprimtarë, militans, e misionarë.
I shenjuar me shenjat e tilla, Rugova shpejt u bë prijësi i shqiptarëve të Kosovës, që i udhëhoqi ata drejt lirisë e pavarësisë, u bë figura themelore e historisë së re të Kosovës, një figurë që mbush kulturë Politea-n, që zbut egërsinë e veprimit politik, që rritet përtej grindjeve e që i do shqiptarët njësoj.
Në diskursin politik shqiptar, ideologjia dhe veprimi politik i Ibrahim Rugovës tashmë janë identifikuar dhe emërtuar rugovizëm, term i cili bën bashkë dijen e maturinë, trimërinë, humanitetin e urtësinë, veprimin nacional që bashkon njerëzit, besëtarët që s’largohen kurrë.
I lidhur fort edhe me butësinë e diskursin e matur të Rugovës, elipsat e tij të njohura, kuptimet e thella, madje zërin e thellë, si fytyrë e të gjitha thellësive të tij, rugovizmi reflekton kulturë e bëhet shkollë politike nacionale që na sprovon edhe sot në kulturën politike.
I tillë, rugovizmi, domosdoja politike, etike e nacionale, tashmë manifestohet si një njësi politike e nacionale.
Një rrugë për sot e për nesër.
Frymë që mbështjell me qetësi jetën shqiptare të çuar peshë.
IV
PORTRETI
Portreti i Rugovës në vete, ndoshta, më së miri do të bëhej me të gjitha shenjat dhe me gjuhën e Át Zef Pllumit, qoftë dhe për t’i kujtuar të dy përnjëherë, ashtu siç e kujton Pllumi Rugovën bashkë me Bogdanin, “zotnuesin e shpirtit” të tij.
Át Zef Pllumi: Ibrahim Rugova
Nji ndër burrat e rrallë të kombit shqiptar. Ndoshta ma i rralli ndër shekujt e fundit. Sepse na cilsohemi, simbas tjerve, popull hakmarrës, i pamëshirshëm e shkatrrimtar. Ai u përpoq me spjegue shkrimtarin e madh kosovar Pjetër Bogdanin, ndërkaq Pjetër Bogdani zotnoi shpirtin e Ibrahim Rugovës. I përpoq mendimi i tyne i perbashktë: liria e popullit kosovar. Caktoi me ndjekë rrugën e tij si ma të drejtën për nji Kosovë të lirë e të pamëvarun prej gjithkujt. Ai pati vizionin e themeluesve të Europës së bashkueme. Atje mendonte me shti edhe vendin e vet Kosovën, por pa i shkaktue vuejtje as gjak kurrkuj, prandej edhe kje thirrë “Gandi kosovar”. U sha e u luftue nga serbët, u sha e u luftue nga shqiptarët, u sha e u luftue edhe nga kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm vizionin europjan. Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dijtuni, e ma i urti i të gjithve. Vazhdimisht pat kritika në shtypin Kosovar për dy fotografi që mbante në zyrën e tij: atë të Nanë Terezës, si dhe atë të Gjon Palit të dytë ose Woitil-ës Papë. Mbas të gjitha kritikave, ai vazhdoi t’i mbante deri ditën e fundit të jetës, jo vetëm se i kishte zgjedhë si model të jetës s’vet sepse Gjon Pali i dytë kje luftari ma paqsor mbi tokë, i cili ia duel me shkatrrue dy ideologjitë ma kriminale të shekujve, nazizmin e komunizmin internacional, ndërsa Nana Terezë shqiptarja qi mori çmimin “Nobel për paqen”, e propozueme nga nji komb i largët për të mirat që i kish dhanë njerëzimit, nji kohë kur në vendin e vet nuk lejohej me ardhë as sa me nderue vorrin e nanës së vet. Mjerisht, Ibrahim Rugova nuk arriti me i pa të realizueme idealet e veta për Kosovën.
Vdekja e parakohshme ia mungoi veprimtarinë qi n’at kohë ai duhej t’ishte për Kosovën si drejtues jo vetëm politik, por edhe shpirtnor, tue drejtue me shemullin e vet personal.
Kujtimi i tij kjoftë i përhershëm!
V
REFUZIMI ESTETIK
Më 1987, Ibrahim Rugova shkroi e botoi tekstin e tij të njohur Refuzimi estetik, që u bë edhe titull libri. Ky tekst u bë i njohur për frymën e lirë që çlironte, për manifestimin e fortë të lirisë së brendshme të autorit dhe për shtruarjen e lirisë sociale e madje nacionale ashtu siç nuk ishte parë me dekada në jetën sociale, politike e kulturore të shqiptarëve. Rugova, duke përvijuar teorinë e kategorinë e lirisë, të prijësit nacional, vërtet, jepte shenjat e veprimit të tij për liri dhe fliste si prijës i ri i shqiptarëve dhe përsëriste skemën autentike që dijetarët e zgjedhur shqiptarë i bën prijës nacionalë e shpirtërorë.
Teoricieni Rugova shenjat e para të forta të një teorie letrare, që kap letërsinë e metodologjinë përnjëherë, i dha te Kah teoria, i forcoi te Strategjia e kuptimit, i lakoi në praktikë kërkimi te Vepra e Bogdanit, po edhe te Kahe dhe premisa… Refuzimi estetik është vepra e fundit kërkimore letrare e tij, ndërsa eseja me të njëjtin titull – një kulm i kulturës letrare, stili e humaniteti të dijetarit Rugova.
Në teorinë e Rugovës, refuzimi është një kategori themelore në jetë dhe në arte. Në jetë, refuzimi është guxim e manifestim i natyrës individuale, përballë imponimeve politike e sociale. Refuzimi është mospranim, hudhje poshtë, çlirim e manifestim i natyrës autentike të individit. Më i nevojshëm bëhet në shtetet nën pushtetet totalitare. Ndërsa, në arte refuzimi estetik, si kategori e estetikës negative, fondamentuar nga Shelingu, është esencë që jep e garanton qenësinë estetike, ontos-in e veprës artistike. Vetëm veprat që kanë qenësi të fortë estetike, janë më të qëndrueshme, më të vlershme, estetikisht më të dobishme. Qenësia estetike bën që veprat letrare artistike të kalojnë kohë e vende dhe të jetojnë në një kohë universale. Qoftë dhe veprat e autorëve prijës, si De Rada, Naimi e Fishta, qenësinë e jetojnë dhe e manifestojnë jo nga dobia pragmatike, por nga qenësia estetike.
Në rrjetin e diskutimit të refuzimit estetik në jetë dhe në arte, Rugova arrin te teoria përkufizuese e qenësisë estetike, që bën esencën e veprës letrare, garanton karakterin e saj dhe kushtëzon fuqinë e ndikimit (estetik) të saj. Për të siguruar qenësi estetike, në përballjet me politikën, letërsia tradicionalisht ka vepruar estetikisht me anë kategorish të brendshme: satira, sarkazma, grotesku, ironia e angazhimi dhe duke marrë realitetin në jetë ose me anë të realitetit të vet, që, vërtet, është refuzim filozofik/ontologjik. Në të dy trajtat, letërsia konstituohet dhe e provon veten si të ndryshme e të ndarë nga politika. Me shumë qenësi estetike, refuzimi më i fortë për politikën, më shumë liri e çlirim për individin, përfundimisht ndikim më i fortë nga vepra.
Gjithë kjo hap kontekstin e esesë së Rugovës, ai fliste në një pushtet të njësh-it. Ndarja që projekton Rugova, vërtet është kërkesë për liri shkrimi e krijimi, për ndarje nga politika që do propagandën, drejt një letërsie të autorëve, të brendisë e imagjinatës së tyre, madje të jetës së tyre, me politikën ‘e tyre’. Politika që ndan Rugova, nuk është ajo e rrënjëve të Politea-s, po e shtetit që lidhet me regjime.
Nga kjo pikë, kërkesa e Rugovës projektohet në jetën nacionale dhe merr trajtat e kërkesës së lirisë. Plebishiti, si formë që nxjerr e jep direkt vullnetin politik, është trajtë e thellë e lirisë, e manifestimit të saj. Ai e kërkonte, sepse ajo mungonte.
VI
HOMO POETICUS-i HOMO POLITICUS
(Politika e kulturës)
Si rrallë herë, Pjetër Bogdani e Ibrahim Rugova veç e veç e së bashku provojnë kapërcimin e keqkuptimit të vjetër që ndan Homo poeticus-in nga Homo politicus-i ashtu që të jetojë njëri, kur vdes tjetri.
Të dy u bënë prijës, sepse ishin shkrimtarë e dijetarë. Homo poeticus-i dha shenjat e një Homo politicus-i të zgjedhur, përcaktoi frymën dhe veprimin politik dhe e provoi politikën jo vetëm si mjet, por si kulturë, që do të thotë esencë.
Vërtet, Bogdani thirri kryengritjen për liri, po ai shkroi dhe librin shqip. Ndërtoi raporte politike me të tjerët përmjet bindjes, se ai kishte vetëm fjalën, dhe ata që bindi fjala e tij, u determinuan politikisht. Ai i printe kryengritjes për liri, kur vepra s’kishte si të ligjërohej.
Rugova donte dialogun, si esencë të jetës njerëzore, për të kaluar nga ndarjet e tmerri i armiqësisë, në marrëveshje e pajtim. Ai kishte fjalën dhe fjala e tij u bë një lloj kanuni politik e etik për ne. Në egërsinë më të madhe, Rugova i drejtoi shqiptarët drejt shpëtimit e jetës. Veprimi i tij politik, ishte një veprim ekzistencial. Ndërsa, humanizmi i thellë nuk e lejonte të kërkonte zgjidhje te dhuna, ndonëse ai aprovonte politikat e mbrojtjes së pragut, familjes e të nderit, si pjesë e kësaj kulture dhe natyre humane.
Prandaj, lëvizja që udhëhoqi Rugova kryengritje ishte, veçse ai dëshironte shmangien e gjakut dhe tmerreve të fushëbetejave, besonte te njeriu si zoon politicon, që i thërret racios, e të shpirti njerëzor, që mbështillet me humanizëm e kulturë, deri në atë moment kur vjen puna e mbrojtjes së pragut. Sepse vetë ishte i tillë: Homo politicus me rrënjë në frymën e veprën e një Homo poeticus-i të rrallë.
Ai u bë prijës, kur në Kosovë vepra s’mund të lexohej, por Rugova e dinte se vepra nuk mund të zhbëhej.
***
Homo poeticus-i Homo politicus, qoftë dhe kur njohim Rugovën, bashkë me zbulesën e Bogdanit, vërtet e provon se Homo politicus-i që vjen nga dija ka gjasën të ruajë e të projektojë shenjat e të parës tek e dyta, te politika e te veprimi politik.
Dijetarët e kulturës politikën e lexojnë si veprimtari me rrënjë në kulturë e të identifikueshme me kulturën. Idetë e tyre mbështillen me humanizëm, ndërsa vepra (politike) e veprimi (politik) bëhen akte qytetarie.
Ata ruajnë gjasën që politikën ta drejtojnë drejt lumturisë, siç e përcaktonte që në krye të herës filozofia (politike), por që shpejt e harroi politika.
Mësimi i duhet thënë e dhënë jo Poetikës, por Politikës, që të nisë kërkimin për rrënjët e veta, jo vetëm drejt Polis-it (që është një strukturë politike), por drejt Politeas, si frymë e si kulturë./drita.info