DHURATA E ÇMUAR E LIRISË

Nga m.Franciska (Suzana) Lekaj

 

Liria, një fjalë madhështore dhe një temë shumë e gjerë dhe e diskutueshme brez pas brezi, nga figura të ndritura të filozofisë, teologjisë, psikologjisë, por edhe të fushave të tjera. Mund të themi, që ekzistenca njerëzore dhe liria janë të pandara. Zoti, që në krijim, i dha njeriut dhuratën e lirisë, që ai të ketë mundësi, ta modelojë dhe realizojë vetveten dhe qenien e tij në tërësi. Pa dyshim Ai ka dashur dhe do që njeriu të jetë i lirë. “Aty ku është shpirti i Zotit, aty është edhe liria.” (2 Kor 3,17). Angelus Silerius thotë: Kush e do lirinë, do Zotin.. Nga gjithë kjo arrijmë në një pikë që idea e lirisë, është shenja dalluese e besimit të krishterë në Hyjin.

Gjatë gjithë historisë, njeriu ka shfaqur dëshirën dhe nevojën që të flasë e të dëgjojë për rëndësinë e lirisë, e gjithashtu të kërkojë, e të dëshirojë të jetë i lirë, sepse është një forcë e rëndësishme dhe një parakusht që e ndihmon të rritet. Mirëpo, pavarësisht kësaj dëshire, që secili person mbart brenda vetes, lihet në harresë, se liria ka një lidhje të ngushtë me përgjegjësinë. Që do të thotë, nuk mund ta kërkojmë apo të flasim për një liri që nuk përmban përgjegjësi. Nga kjo e fundit të gjithë shmangemi, kemi frikë dhe nuk e duam.

Gjithashtu, nuk mund të flasim vetëm për një liri të jashtme, por duhet të angazhohemi për një liri të brendshme, sepse nëse nga brenda jemi të lirë nuk do e rrezikojmë as lirinë e jashtme. Liria nuk është vetëm në nivelin trupor, por edhe në atë shpirtëror. Sidoqoftë ajo shtrihet edhe në fisnikërinë e brendshme të personit. I gjithë qëllimi është që të bëhemi njerëz të lirë nga brenda.

Ne mund të jemi të lirë fizikisht, por asnjëherë nuk jemi ndalur për të menduar se sa qeli burgu ndodhen në zemrën, mendjen dhe shpirtin tonë. Të gjitha këto qeli i krijojmë ne vetë nga varësi të ndryshme. Sa herë ndalemi duke vajtuar të kaluarën e sa herë bëhemi skllav të drogës, pornografisë, fajdesë, bixhozit, bestytnive, shoqërisë, punës, profesionit, karrierës… Sa herë jemi të burgosur nga opinioni, çfarë thonë njerëzit, ose sa herë jemi të burgosur prej thashethemeve etj. Këto e shumë të tjera na skllavërojnë e nuk na lejojnë të jemi të lirë. Mirëpo, ne nuk mund të arrijmë lirinë, nëse me forcë luftojmë kundër këtyre apo mendimeve dhe ndjenjave tona, por ajo arrihet vetëm nëse ndalemi, i shikojmë mirë në qetësi dhe pastaj i trajtojmë në mënyrë korrekte secilën një nga një. Pa diskutim, vetëm kështu mund të arrijmë diçka. Liria varet nga vullneti i lirë dhe nga korrektësia e njeriut. “Sepse ky është vullneti i Hyjit: Duke bërë mirë t’ia mbyllni gojën padijes së njerëzve të pamend. Porsi njerëz të lirë- por jo si ata që lirinë e kanë porsi mbulesë të veprave të këqija.” (1 Pjt 2. 15-16). Pra liria e vërtetë është e lidhur ngushtë me vullnetin e Hyjit.

Të gjitha këto,  duhet të na ndihmojnë të reflektojmë e të kuptojmë se nuk është vetëm burgu fizik, ligji apo tjetri ai, i cili na skllavëron, na burgos, por jemi ne që i përkulemi, i bindemi dhe e përqafojmë këtë skllavëri çdo ditë. Shën Pali në letrën drejtuar Galatasve, por që na drejtohet edhe ne, shkruan : “Krishti na liroi që të mbeteshim vërtet të lirë. Qëndroni, prandaj, e mos lejoni t’ju zënë në zgjedhën e skllavërisë!” (Gal 5, 1). Na kërkon që të jemi të qëndrueshëm dhe të paluhatshëm.

Mirëpo, duhet kuptuar se nuk jemi të lirë derisa jemi të lidhur nga disa gjëra që u thanë e të tjera që nuk u thanë. Derisa nuk jemi vetvetja, të sinqertë të pranojmë e të themi të vërtetën, do vazhdojmë të jemi skllevër e të burgosur. Të lirë bëhemi kur dimë të përballemi me të vërtetën tonë. “E vërteta do t’ ju bëjë njerëz të lirë.” (Gjn 8. 32). Është Gjoni ungjilltar, që na ndihmon të kuptojmë se ku mund ta gjejmë lirinë. Nuk na thotë kërkoni atje, ose është këtu, apo drejtohuni tek ky institucion se aty do ta gjeni, por ai thotë vetëm një fjalë e vërteta”, që do të thotë se kur jetojmë në harmoni me qenien tonë të vërtetë, mund të jemi të lirë e të veprojmë të lirë. Pra nuk mund të kërkohet o të supozohet një liri tjetër.

Me plot bindje e them se kjo liri themelin e ka në mendjen tonë, në emocionet tona, në zemrën tonë dhe në thellësinë e shpirtit. Kështu që, kur ne jemi të lirë në mendje dhe në zemër nuk na pengon dhe nuk duhet të na pengojë asgjë. Liria nuk ka të bëjë me vendin, por ka të bëjë me brendësinë tonë, sepse ajo buron nga zemra. Nëse unë, ti, ne jemi të lirë në brendësinë tonë kush mund të na pengojë të mendojmë, të duam, të lutemi, të ndihmojmë, të punojmë, të respektojmë tjetrin etj. Por nëse këto na mungojnë, atëherë vërtet jemi të burgosur dhe skllevër. Sepse liria e vërtetë është ajo që qëndron në zemër, e nuk kërkohet diku tjetër dhe nuk duhet ta presim në botën e jashtme që na rrethon. Nëse nuk zotëron lirinë e brendshme, ç’liri tjetër shpreson të arrish?! (Arturo Graf)

Pra, lira është një temë shumë e diskutueshme,  pothuajse nga të gjithë, mendoj se është e nevojshme dhe e dobishme që të hedhim pak dritë mbi këtë, e të kuptojmë më mirë se çfarë përmban në thellësi ky term.

 

Çfarë është liria?

Liria është një nga vlerat dhe aspektet  themelore që karakterizon ekzistencën njerëzore. Është një nga dëshirat e shumta që e kanë frymëzuar gjithmonë qenien njerëzore. Pa hezituar mund të themi se liria është kushti kryesor për rritjen dhe zhvillimin njerëzor. Po ashtu është  një mundësi për të zgjedhur se cilin drejtim do të marrësh. Liri është të pranosh e të shfaqesh veten ashtu si je, është aftësia për të rifituar dhe formësuar marrëdhënien me veten dita ditës. Liria, është aftësia e personit, për t’u distancuar nga ato situata që e pengojnë për t’u rritur e zhvilluar në të gjitha aspektet. Është të dish ta zotërosh vetveten.

Në mënyrë që ta kuptojmë më mirë dhe të bëjmë një përmbledhje më të saktë, liri do të thotë të jesh i aftë për të shfrytëzuar çdo gjë në mënyrë kreative dhe me përgjegjësi. Ajo është një llampë në të cilën përmblidhet e gjithë energjia e të qenit person. Është aftësia e njohjes së kufijve të vetes dhe tjetrit. Është ajo forcë e brendshme që nuk mund të ta marrë askush.  Liria, vlerë themelore për jetën e njeriut, e cila qëndron në parimin e pranimit të tjetrit duke mos e ofenduar, lënduar dhe keqtrajtuar. Ajo është forma strukturore e të gjithë ekzistencës.

 

Çfarë do të  thotë të jesh i lirë?

Shpesh mendohet, se të jesh i lirë do të thotë të bësh e të thuash çfarë të duash, apo çfarë të vijë në mendje. Por, kjo sigurisht se nuk është liri, sepse liria e vërtetë ka arsye, vullnet  dhe përgjegjësi. Dhe, këto janë pikat esenciale që e dallojnë njeriun nga kafshët.

Pra, liri nuk do të thotë  të veprosh pa menduar dhe pa vetëpërmbajtje, apo mundësi për të kënaqur instinktin, impulset etj. Sepse Shën Pali në letrën drejtuar Galatasve shkruan: “Vërtet, vëllezër, ju jeni të grishur në liri! Por, kini kujdes që kjo liri të mos bëhet shkak të jetoni si don trupi, por me dashuri shërbeni njëri-tjetrit!” (Gal 5. 13). Pra, tashmë është  e ditur,  se njeriu ka arsye e nuk duhet të veprojë sipas instinktit. Sepse të jesh i lirë do të thotë të veprosh në përputhje me vlerat dhe parimet e tua, e jo të dalësh jashtë tyre. Po ashtu, të jesh i lirë nuk do të thotë ta keqpërdorësh ambientin, shoqërinë, tjetrin, por ta nderosh dhe ta ruash atë.

Të jesh i lirë do të thotë të jesh përgjegjës për sjelljen veprimet dhe qëndrimet. Ai që nuk di të jetë përgjegjës, nuk di të jetë i lirë. Liria dhe përgjegjësia janë të pandashme. Gjithashtu, të jesh i lirë do të thotë të kesh disiplinë, vetëkontroll, vetëpërmbajtje. Njeriu me liri bëhet autor i veprave të veta. Shën Pali  thotë: “Gjithçka është e lejueshme! Por gjithçka nuk ka hije! Gjithçka është e lejueshme! Por gjithçka nuk na ndërton!“ (1Kor 10. 23). Është më se e vërtetë se çdo gjë kemi të e drejtë dhe çdo gjë thuajse sot është bërë normale, por, jo gjithçka na ka hije dhe jo gjithçka na ndihmon në ndërtimin dhe formimin njerëzor. Një njeri i lirë është i drejtë, i mençur i urtë dhe i virtytshëm. Këto janë “armët” që e mbrojnë një njeri të lirë. Sigurisht, se të jesh i lirë nuk duhet kuptuar dhe nuk duhet përdorur si një mundësi për të vepruar çfarë të duam, por çfarë është e mirë dhe e nevojshme të bëjmë. Të jesh i lirë, do të thotë të kesh aftësi për të menaxhuar emocionet e të  mbash një ekuilibër përballë shumë gjërave e situatave.

Pra, nuk mund të flasim për lirinë nëse e shohim të ndarë nga përgjegjësia, arsyeja dhe vullneti. Nëse kërkojmë liri pa këto, do të thotë se bëjmë një jetë pa kuptim, jetojmë sipas instinktit ( kështu veprojnë vetëm kafshët.) Liria konsiderohet një vlerë dinamike që vë në lëvizje qenien njerëzore. Njeriu mund të jetë i lirë vetëm atëherë kur arrin të njohë veten, ta pranojë veten, të jetë vetvetja dhe të veprojë sipas natyrës së vet, si person i pajisur me arsye dhe me liri.

Echart Toll thotë: Ti nuk mund të jesh i lirë në të ardhmen. E sotmja është çelësi i lirisë, ndaj ti mund të jesh i lirë, vetëm tani./drita.info

 

————————

Referenca:

Anselm Grün, Putovi k slobodi\ Duhovni život kao ostvarivanje unutarnje slobode, Teovizija, Zagreb, 2001.

Erich Fromm, Arratisja nga liria, Plejad, Tiranë, 2011.

Shpëndaje: