Familja dhe Puna

Nga Papa Françesku

 

Pasi kemi reflektuar mbi vlerën e festës në jetën e familjes, sot do të ndalemi në elementin përplotësues të saj, që është puna. Këto dyja, festa dhe puna, bëjnë pjesë në planin krijues të Hyjit.

Zakonisht thuhet se puna është e nevojshme për të mbajtur familjen, për t’i rritur fëmijët, për të siguruar një jetë të dinjitetshme për më të dashurit tanë. Gjëja më e bukur që mund të thuhet për një njeri serioz, fisnik, është: “është punëtor”. Një punëtor është ai që nuk bëhet barrë e askujt në bashkësi. Sot në shesh ka shumë argjentinas, e do ta them një thënie që ne e përdorim: “non vivo de arriba” (shq. jeton kot).

Në fakt, puna, në mijëra forma të saja, që nga punët shtëpiake, është për të mirën e përbashkët. Ku mësohet ky stil i jetës punëtore? Para së gjithash mësohet në familje. Familja edukon për punë me shembullin e prindërve: është i ati dhe e ëma që punojnë për të mirën e familjes dhe të shoqërisë.

Në Ungjijtë, Familja e shenjë e Nazaretit, na shfaqet si një familje e përbërë prej punëtorëve. Vetë Jezusi do të quhet “i biri i zdrukthuarit” (Mt 13, 55), madje “zdrukthuari” (Mk 6, 33). E  Shën Pali nuk do të ndalet të grishë të krishterët: “Kush nuk do të punojë, as mos të hajë” (2 Sel 3, 10). – Kjo do të ishte një recetë e mirë për tu dobësuar, mos puno, mos ha! – Apostulli i referohet qartazi një spiritualizmi të rremë të disave që, në fakt, jetojnë mbi shpatullat e vëllezërve dhe motrave “pa punuar asgjë” (2 Sel 3, 11). Angazhimi në punë dhe jeta e shpirtit, në konceptimin e krishterë, nuk janë në kundërshtim mes tyre. Është e rëndësishme të kuptohet kjo! Lutja dhe puna munden dhe duhet të bashkëjetojnë në harmoni, ashtu siç mëson Shën Benedikti. Mungesa e punës i bënë dëm edhe shpirtit, ashtu si mungesa e lutjes i bënë dëm aktivitetit praktik.

Të punosh – në mijëra format e saja, po e përsërisë – është veti e personit njerëzor. Puna shpreh dinjitetin e tij e të qenit të krijuar në shëmbëlltyrën e Hyjit. Për këtë arsye thuhet se puna është e shenjtë. Prandaj, mbarështimi i punësimit është një përgjegjësi e madhe njerëzore dhe shoqërore, e që nuk mund të lihet në duar të të paktëve apo të shkarkohet mbi një “treg” të hyjnizuar. Të shkaktosh humbje të vendeve të punës, do të thotë të shkaktosh një dëm të rëndë shoqëror. Unë trishtohem, kur shikoj se ka njerëz pa punë, që nuk gjejnë punë, e u mungon dinjiteti i njeriut të aftë për të çuar në shtëpi bukën e përditshme. E gëzohem shumë, kur shoh se qeveritarët bëjnë përpjekje për të gjetur vende të reja pune dhe për të siguruar që të gjithë të kenë punë. Puna është e shenjtë, puna i jep dinjitet familjes. Duhet të lutem që mos të mungojë puna në familje.

Pra, edhe puna, ashtu sikurse festa, bën pjesë në planin e Hyjit Krijues. Në librin e Zanafillës, temës së tokës si një shtëpi – kopsht, e besuar kujdesit dhe punës së njeriut (2, 8.15), i paraprinë një pasazh shumë i prekshëm: “Atë ditë, kur Zoti Hyji krijoi tokën e qiellin, para se të mbinte në tokë një shkurre fushe, para se të gjelbëronte ndonjë bimë tokësore: sepse Zoti Hyji nuk kishte lëshuar ende shi mbi tokë e nuk kishte njeri që ta punonte tokën; megjithatë, një burim dilte nga toka dhe e ujiste mbarë sipërfaqen e saj.” (2, 4b-6a). Ky përshkrim nuk është romaticizëm, është zbulesa e Zotit; e ne kemi përgjegjësinë ta kuptojmë e ta përvetësojmë deri në fund. Enciklika “Lëvduar qofsh”, që propozon ekologjinë integrale (të tërësishme), e përmban edhe këtë mesazh: bukuria e tokës dhe dinjiteti i punës u bënë për të shkuar krah për krah. Duhet të shkojnë bashkë, pra: toka bëhet e bukur, kur e punon njeriu. Kur puna shkëputet prej besëlidhjes së Hyjit me burrin dhe gruan, kur ajo shkëputet nga cilësitë e tyre shpirtërore, kur bëhet peng i logjikës që vlerëson vetëm fitimin dhe i përbuzë ndjenjat e jetës njerëzore, prishja e shpirtit ndot gjithçka: ajrin, ujin, barin, ushqimin… Jeta qytetare prishet dhe habitati rrënohet. Pasojat e gjithë kësaj i vuajnë më së tepërmi skamnorët dhe familjet më të varfra. Organizimi modern i punës tregon jo rrallë një tendencë të rrezikshme kur e konsideron familjen si një pengesë, një barrë, apo një pasivitet për prodhimin e punës. Porse të pyesim: çfarë prodhimi? Për kë? I ashtuquajturi ‘qytet inteligjent’ është, pa dyshim, shumë i pasur me shërbime e organizim: por, për shembull, është shpesh armik i fëmijëve dhe i pleqve.

Nganjëherë kush projekton, interesohet vetëm për mbarështimin e fuqisë punëtore individuale, për grumbullimin e përdorimin ose flakjen tutje të tij, sipas leverdisë ekonomike. E këtë e vërteton vetë jeta në familje. Kur organizmi i punës e mban peng, ose arrin deri atje, sa ta pengojë të ecë, atëherë duhet të jemi të sigurt se shoqëria njerëzore ka nisur të punojë kundër vetvetes!

Kjo situatë krize për familjet e krishtera është një sfidë dhe një mision i madh. Këto familje mbartin në këso situatash bazat e krijimit të Hyjit: identitetin e lidhjes së burrit dhe gruas, lindjen e fëmijëve, punën që e bën të butë tokën dhe të banueshme botën. Humbja e këtyre bazave, themeleve, është një gjë shumë serioze, e në shtëpinë tonë të përbashkët tashmë kemi mjaft plasaritje. Detyra nuk do të jetë e lehtë! Për disa familje kjo ngjan nganjëherë sikur të jesh si Davidi para Goliatit… por e dimë si ka mbaruar ai dyluftim! Kemi nevojë për fe dhe mendjemprehtësi. Hyji do të bëjë që të pranojmë me gëzim dhe shpresë thirrjen e tij, në këto çaste të vështira të historisë sonë, thirrjen për punë, që t’i japim dinjitet vetvetes dhe familjes sonë.

(Teksti i plotë nga Audienca e Përgjithshme e të Mërkurës, 19 gusht 2015. Përkthimi: Rev. Drita)

Shpëndaje: