E Diela XIX gjatë vitit – viti A
Leximi i parë 1 Mbr 19, 9.11-13
Pas udhëtimit në shkretëtirë, Elia arrin në malin Oreb. Këtu Hyji i jep zemër profetit që të vazhdojë misionin e tij. Hyji i Elisë dhe i Jezusit nuk shfaqet në stuhitë dhe tërmetet, por në gjëra të përvuajtura dhe të thjeshta. Ai ka zgjedhur varfërinë dhe dobësinë për t’ua zbuluar atyre që besojnë në të.
Lexim prej Librit të parë të Mbretërve
Në ato ditë, si arriti në malin Horeb, Elia natën e kaloi në shpellë. Dhe, ja, iu drejtua fjala e Zotit e i tha: “Ç’bën këtu, Eli? Dil jashtë e qëndro në mal para Zotit.” Dhe ja po kalonte Zoti! Para tij e çua një stuhi: erë e fortë! Tundte malet e thërrmonte qetat para Zotit: por Zoti nuk ishte në stuhi! Pas stuhisë ra tërmeti! Por Zoti nuk ishte në tërmet! Pas tërmetit erdhi zjarri! Por Zoti nuk ishte në zjarr! Pas zjarri një puhi fryme të hollë. Kur e dëgjoi këtë, Elia e mbuloi fytyrën me leshnik, doli jashtë dhe qëndroi në derën e shpellës. Fjala e Zotit.
Psalmi 85
Ref: Na e jep, o Zot, paqen e pranisë sate
————————————
Do të dëgjoj çka thotë Zoti Hyj,
ai premton paqe për popullin e vet,
për të dashurit e vet e për ata që me gjithë zemër kthehen.
Shpëtimi i tij është afër atyre që e druajnë,
lavdia e tij do të banojë në vendin tonë.
————————————
Mëshira dhe e vërteta do të përpiqen,
drejtësia e paqja do të merren ngrykë.
E vërteta do të mbijë nga toka
e drejtësia do të shikojë prej qiellit.
————————————
Sepse Zoti ka për të dhënë çdo të mirë
edhe toka jonë do ta japë frytin e vet.
Drejtësia do t’i shkojë përpara
dhe do t’u tregojë udhën hapave të tij.
————————————
Leximi i dytë Rom 9, 1-5
Shën Pali pranon që hebrenjtë nuk janë më të mirë se popujt e tjerë dhe nuk kanë asnjë të drejtë mbi Hyjin. Populli i Izraelit ka marrë nga hiri i Hyjit përparësi që nuk do t’i hiqen kurrë më, mbetet populli që Hyji ka dashur të parin. Kisha nuk mund të harrojë që e ka marrë Krishtin nëpërmjet Izraelit.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, them të vërtetën në Krishtin – nuk rrej – dëshmitare e kam ndërgjegjen time bashkë me Shpirtin Shenjt: ndiej në zemër një trishtim të madh dhe dhimbje të vazhdueshme. Po, do të dëshiroja unë vetë të isha i mallkuar, i ndarë prej Krishtit, në vend të vëllezërve të mi, në vend të bashkëkombëtarëve të mi për kah gjaku. Këta janë izraelitët! Atyre u përket adoptimi, lavdia, besëlidhjet, ligji, kulti, premtimet; të tyre janë edhe patriarkët, prej tyre, si njeri, është edhe Krishti, i cili është mbi çdo gjë, Hyj i bekuar në shekuj. Amen. Fjala e Zotit.
Aleluja
Shpresoj në Zotin, shpresoj në fjalën e tij.
Aleluja
Ungjilli Mt 14, 22-33
Ngjarja e Pjetrit të shpëtuar nga ujërat tregon që forca e dishepullit dhe e Kishës qëndron në besimin. Në mes të valëve të dhunshme dhe erërave të forta Krishti afrohet afër nesh. Është e nevojshme të braktisim, ashtu si Pjetri, sigurinë formale të barkës dhe të takojmë Krishtin në det të hapur. Pjetri po fundoset në valët e dyshimit, por pikërisht atëherë zbulon britmën e besimit. Besimi i të krishterit ecën drejt takimit me Zotin e ngjallur në mes rreziqeve të botës.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Pasi që e ngiu turmën, Jezusi u urdhëroi nxënësve të hyjnë në barkë e të kalojnë para tij në anën tjetër derisa ai ta shpërndajë popullin. Jezusi, si nisi popullin, u ngjit vetëm në mal për t’u lutur. Ishte bërë natë e ai ende gjendej aty vetëm. Barka, që tashmë ishte shumë stadje larg tokës, përplasej prej valësh, sepse frynte era e kundërt. Në rojën e katërt të natës erdhi Jezusi tek ata duke ecur përmbi det. Kur nxënësit e hetuan duke ecuri përmbi det, u frikësuan e thanë: “Diçka po na shtihet!” e prej frikës bërtitën. Por, menjëherë Jezusi u tha: “Zemër, jam unë, mos kini frikë!”. Pjetri përgjigji: “Zotëri, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti përmbi ujë!” “Eja!” – i tha. Atëherë Pjetri zbriti nga barka e po ecte nëpër ujë për të shkuar te Jezusi. Porse, kur e pa erën e fortë, u frikësua, filloi të humbasë në ujë, dhe bërtiti: “Më shpëto, o Zot!” Jezusi përnjëherë shtriu dorën, e kapi dhe i tha: “Fepakët! Përse dyshove?!”. Kur hynë në barkë, pushoi era. Ata që ishin në barkë u përkulën me nderim para tij e thanë: “Me të vërtetë je Biri i Hyjit!” Fjala e Zotit.
POROSIA
Frika dhe mungesa e guximit janë një pengesë e madhe në jetën e besimit dhe të dashurisë. Edhe ne, si apostujt mbi barkë, mund të paralizohemi nga frika, që na pengon të shohim praninë e Jezusit. “Jezusi u urdhëroi nxënësve të hyjnë në barkë”.
Largon dishepujt nga turma, që ka keqkuptuar mrekullinë e shumimit të bukëve dhe do ta bëjë mbret. “Jezusi, si nisi popullin, u ngjit vetëm në mal për t’u lutur”. Në vetminë e mbushur me praninë e Atit dhe në dialog me Të, Jezusi ripërtërin bindjen e vet ndaj vullnetit të tij. Është një shembull për ne të kërkojmë kohë për të qëndruar vetëm me Hyjin. “Barka përplasej prej valësh, sepse frynte era e kundërt”.
Dishepujt pa Jezusin, janë vetëm me veten e tyre. Nuk është e vështirë të njohim këtu një imazh të Kishës që në kohën e provës ndihet e sulmuar nga valët e persekutimit dhe të indiferencës në misionin e saj. “Në rojën e katërt të natës erdhi Jezusi tek ata duke ecur përmbi det”. Jezusi nuk i braktis të tijtë, edhe pse ata e mendojnë kështu. Duke ecur mbi ujërat e tra-zuara të detit, që tregojnë një forcë armiqësore ndaj Hyjit e ndaj njerëzve, Jezusi zbulon që vetëm Hyji ka fuqinë t’i zotërojë. “Jam unë, mos kini frikë!”, që domethënë “Unë jam Ai që jam”. Ai që është këtu me ju. Ai që ju do e ju shpëton. “Me të vërtetë je Biri i Hyjit”.
Dishepujt, janë besimpakët edhe mendojnë se është një “fantazmë”, por më në fund besojnë në Të. Edhe ne duhet të kalojmë nga mosbesimi tek besimi.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër e motra, të tërhequr nga shembulli i Jezusit që tërhiqet për t’u lutur, edhe ne jemi të thirrur tani t’ia paraqesim Hyjit Atë në lutje, nevojat tona për jetën e çdo dite.
L. Të lutemi së bashku e të themi: O Zot, na shpëto.
L. Për Kishën, që u përhap Ungjillin të gjithë popujve të tokës, që ashtu si Pjetri, e mbështetur nga Jezusi të ecë mbi detin e stuhishëm të historisë duke besuar në praninë e Zotit të saj Mësues. Të lutemi.
L. Për ata që vuajnë si shkak i dhunës dhe i shtypjes, që atyre t’u njihet e drejta për të ndërtuar me dinjitet të plotë të ardhmen e tyre, sipas planit të Hyjit. Të lutemi.
L. Për të gjithë ata që jetojnë në provë dhe humbasin besimin, që të jenë të inkurajuar nga fjala e Jezusit drejtuar apostujve: “Jam unë, mos kini frikë”. Të lutemi.
L. Për të gjithë ne, që në familje dhe në punë, në kënaqësi dhe në pushim të ndjejmë gjithmonë praninë ngushëlluese të Hyjit Atë. Të lutemi.
M. O Atë, që dëgjon gjithmonë bijtë e tu dhe shtrin dorën mbi ata që kanë nevojë që jetojnë në ujërat e vështira të provës, bëj që të përjetojmë mirësinë tënde të pafund dhe dhuratën e Pranisë sate të shenjtë. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.
(ecclesia.al)