E diela XVIII gjatë vitit – viti A
Leximi i parë Dan 7, 9-10.13-14
Profeti Daniel kundron figurën misterioze të një “Biri njeriu” që paraqitet përpara Birit të Hyjit dhe nga Ai fuqi dhe lavdi. Ky personazh misterioz, që do të realizojë Mbretërinë e të Tejlartit do të shfaqet në personin e Jezusit të Nazaretit, Birit të Hyjit. Është Ai që mban në vetvete të gjithë ata që vuajnë për besimin dhe do t’u japë atyre lavdinë qiellore.
Lexim prej Librit të Danielit profet
Vrojtoja dhe ja, u shtruan fronet dhe i Tejetlashti u ul. Petku i tij i bardhë porsi bora, flokët e kokës së tij porsi leshi i pastër; froni i tij porsi flaka e zjarrit, rrotat e tij zjarr i ndezur flakë! Lumë i zjarrtë rridhte e dilte përpara tij, mijëra mijërash i shërbenin e miriada miriadash qëndronin përpara tij: po bëhej gjyqi, u hapën librat! Unë po shikoja kështu në vegimin e natës: kur qe, në retë e qiellit, po vinte dikush si Biri i njeriut! Arriti deri tek i Tejetlashti i motit dhe qe paraqitur para tij. Ai i dha pushtetin, nderin e mbretërinë. Të gjithë popujt, fiset e gjuhët u shtruan nën shërbimin e tij: pushteti i amshuar që kurrë s’do të merret, mbretëria e tij kurrë nuk do të prishet. Fjala e Zotit.
Psalmi 97
Ref: Zoti mbretëron, le të galdojë toka
—————————————-
Zoti mbretëron! Le të galdojë toka,
le të gëzohen ishujt e shumtë!
Re e errësirë janë rreth tij, e drejta
dhe drejtësia janë themeli i fronit të tij.
—————————————-
Para fytyrës së Zotit si dylli
shkrihen malet,
para fytyrës së Zotit të mbarë botës!
Qiejt e shpallin drejtësinë e tij,
të gjithë popujt e shohin lavdinë e tij.
—————————————-
Sepse ti je, o Zot,
i Tejetlarti mbi mbarë dheun,
ti je tejet i lartë mbi të gjithë zotat.
—————————————-
Leximi i dytë 2Pjt 1, 16-19
Pjetri pohon se njohja dhe besimi në Krishtin nuk mbështetet mbi mitet dhe legjendat, por mbi një person që ka jetuar në histori dhe që apostujt e kanë parë të shndërruar: Jezusi, Njeriu-Zot. Në të janë realizuar profecitë që vazhdojnë të ndriçojnë njeriun deri në ardhjen përfundimtare të Mbretërisë.
Lexim prej Letrës së dytë të Shën Pjetrit apostull
Fort të dashur, ne nuk ju shpallëm fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit të bazuar në përralla të trilluara, por pse e kemi parë me sy të tanë shkëlqimin e tij. Sepse prej Hyjit Atë mori nder dhe lavdi, kur zëri që vinte nga lavdia e madhërueshme i tha: “Ky është Biri im, i Dashuri, në të cilin unë u kënaqa” – të cilin zë, që zbriste nga qielli, e dëgjuam edhe ne që ishim bashkë me të në malin e shenjtë. Kështu u vërtetua fjala e profetëve, dhe bëni shumë mirë që mbështeteni në të si në dritën që ndriçon në vend të errët – deri të zbardhë dita e të lindë Ylli i Dritës në zemrat tuaja. Fjala e Zotit.
Aleluja.
Prej resë u dëgjua zëri: Ky është Biri im, djali i Dishiri! Atë dëgjoni!
Aleluja.
Ungjilli (Mt 17, 1-9)
Fytyra e tij shkëlqeu porsi dielli. Shndërrimi shpall përpara lavdinë e të Ringjallurit. Na ndihmon të mos harrojmë që ky njeri në ecje drejt një vdekjeje të turpshme është Biri i dashur nga Ati. Fjala që dëgjohet nga reja është zbulimi hyjnor, tregon që Jezusi është Biri i dëshirit që duhet ta dëgjojmë, edhe kur fjala e tij na fton në rrugën e kryqit.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij, e i çoi në vetmi në një mal të lartë. Atëherë u shndërrua ndër sy të tyre: fytyra i shkëlqeu porsi dielli e petkat iu bënë të bardha porsi drita. Dhe ja, atyre u dukën Moisiu dhe Elia e flisnin me të. Atëherë Pjetri i tha Jezusit: “Zotëri, është mirë për ne të rrijmë këtu. Nëse do ti, po i ngreh këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.” E ende pa e kryer fjalën, ja, i mbuloi një re e shnditshme dhe u dëgjua një zë nga reja që tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjoni!” Nxënësit, posa e dëgjuan këtë zë, ranë me fytyrë për dhe e u trembën për së tepërmi. Jezusi u afrua, i preku e tha: “Çohuni e mos u trembni!” Ata kur i çuan sytë, s’panë tjetërkënd, përveç Jezusit vetëm. Ndërsa po zbrisnin nga mali, Jezusi u urdhëroi: “Mos i tregoni askujt çka patë, para se Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekuri.” Fjala e Zotit.
POROSIA
Shndërrimi është shfaqja e dytë e madhe e hyjnisë së Jezusit pas Pagëzimit dhe para Ringjalljes. Në qetësi, larg nga bota tre dishepuj kundrojnë një shkëndijë të am-shimit. Jezusi bëhet i gjithi dritë, gjithçka në të shkëlqen. Drita që ndriçon trupin e tij parashpall lavdinë e Pashkës. Ai u komunikon besim atyre që do të duhet të përballojnë skandalin e kryqit. Shndërrimi do të forcojë besimin e dobët të dishepujve, vënë në provë pas shpalljes të mundimeve të tij dhe vdekjes në kryq. Këtu është Hyji që u zbulon dishepujve identitetin e vërtetë të Jezusit: “Ai është Biri im i dëshirit”. Në Të Ati gëzohet sepse realizon projektin e shpëtimit. “Dëgjojeni”: mbarë njerëzimi duhet të dëgjojë Jezusin, Fjalën e jetës, që u zbulon atyre dashurinë e pafundme të Atit. Prania e Moisiut dhe Elisë tregon që plotësia e zbulimit hyjnor të Besëlidhjes së Vjetër, plotësohet në misionin e Birit të Hyjit, tashmë të shndërruar. Kur Jezusi kthehet në gjendjen e tij normale, prek dishepujt e Tij, që kishin mbetur si të vdekur, e u thotë: “ngrihuni”, që domethënë kthehuni të jetoni jetën e përditshme. Shndërrimi është një vaksinë për dishepujt kundër dëshpërimit para dramës së kryqit. Atë ditë dishepujt kanë përjetuar një shkëndijë të mëngjesit të Pashkëvë. Zoti i shndërruar është shpëtimi i njeriut, e do ta shoqërojë në lumturinë e tij të amshuar. Çdo njeri që e dëgjon dhe e ndjek mund të marrë të mirat e ardhshme të mbretërisë së tij.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër e motra, mbi malin Tabor Jezusi është drita. T’i kërkojmë Atit që të na shfaqë dritën e Birit të tij të dëshirit.
L. Të lutemi së bashku e të themi: Ndriçoje, o Zot, jetën tonë.
L. O Zot Jezus, drita e botës: kush të ndjek ty nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës. Ripërtërije ekzistencën tonë. Të lutemi.
L. O Zot Jezus, Ti je shkëlqimi i plotë i diturisë së lavdisë së Hyjit Atë. Bëj që qeveritarët të mos kenë frikë nga drita që vjen nga Krishti. Të lutemi.
L. O Zot Jezus, nëpërmjet veprës sate jemi paracaktuar të bëhemi bij të adoptuar të Hyjit. Bëj që ta pranojmë me besim këtë dhuratë. Të lutemi.
L. O Zot Jezus, veprat e tua janë shpirt dhe jetë. Bëj që të tërheqim nga Ti ujin e gjallë që shuan etjen tonë. Të lutemi.
M. O Hyj, që në Fjalën tënde bërë njeri ke ndriçuar botën me shkëlqimin e lavdisë sate, dëgjoji lutjet e atij që beson në ty e bëj që thellësisht të ndriçuar nga e vërteta ungjillore të veprojmë në çdo rrethanë si bij të dritës. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.
(eccesia.al)