Hyji dërgoi Birin e vet të lindur prej Marisë Virgjër

Shën Maria Hyjlindëse – viti B

 

Leximi i parë   Nr 6, 22-27

Ky lexim tregon bekimin që priftërinjtë hebrenj i jepnin popullit në fund të festave të mëdha liturgjike, në veçanti në festën e Vitit të Ri. Të bësh urimet apo të bekosh dikë do të thotë se lumturia e një njeriu nuk varet vetëm nga ai. Nuk është e mjaftueshme të urosh të mirën, por sidomos ne duhet ta bëjmë të mirën. Mund të bekojë apo të bëjë urime vetëm ai që bën të mirën. 

 

Lexim prej Librit të Numrave

Zoti foli me Moisiun e tha: “Thuaju Aronit dhe bijve të tij: Kështu bekoni bijtë e Izraelit e thuani: Zoti të bekoftë e të ruajtë! Të ndriçoftë Zoti me fytyrën e vet, e pastë mëshirë për ty! E sjelltë Zoti fytyrën e vet drejt teje e ta dhashtë paqën! Kështu ata le ta vënë emrin tim mbi bijtë e Izraelit e unë do t’i bekoj.” Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi 67

 

Ref: Zoti na bekon me dritën e fytyrës së vet

——————————————-

Hyji pastë mëshirë për ne e na bekoftë,

bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne,

që në tokë të njihet udha e tij,

në të gjitha kombet shpëtimi i tij.

——————————————-

Le të galdojnë e le të brohorisin popujt,

sepse popujt i gjykon me drejtësi,

sepse kombet mbi tokë ti i sundon.

——————————————-

Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj,

mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!

Na bekoftë Hyji!

Frikë e paçin mbarë skajet e botës!

——————————————-

 

Leximi i dytë   Gal 4, 4-7

Shën Pali shpall që me lindjen e Krishtit, Birit të Hyjit, historia e njerëzve ka arritur plotësinë dhe përsosmërinë e saj. Pa të ishim skllevër, tani jemi bërë bij të Hyjit. Krishti është bërë njeri që edhe ne të mund të themi me të: “Ati ynë”

 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve

Vëllezër, kur erdhi koha e caktuar, Hyji dërgoi Birin e vet, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit, që t’i shpërblente të nënshtruarit e ligjit, që na ta fitonim bijësinë në shpirt. E, prejse vërtet jeni bij, Hyji e dërgoi në zemrat tona Shpirtin e Birit të vet, i cili gërthet: Abba – o Atë! Këndej, më nuk je skllav, por bir; e, mbasi je bir, atëherë, për vullnet të Hyjit, je edhe trashëgimtar. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja

Herë mbas here dhe në mënyrë të ndryshme, Hyji u foli etërve me anë të profetëve; së fundi sot, na foli edhe neve me anën e Birit.

Aleluja

 

 

Ungjilli   Lk 2, 16-21

Ungjilli paraqet takimin e barinjve me Jezusin në krahët e Marisë, gruan e dëgjesës dhe të meditimit. Pastaj tregohet që tetë ditë pas lindjes fëmija rrethpritet. Rrethprerja ishte riti me të cilin mund të bëhej pjesëtar i popullit të zgjedhur, duke marrë një emër që shprehte tamam projektin e Hyjit për këtë person në  popullin e Izraelit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Atëherë barinjtë shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin, e foshnjën të vënë në grazhd. Kur e panë, u treguan ç’u tha engjëlli për foshnjën. Të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga ato që thanë barinjtë. Maria i mbante mend me kujdes të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemrën e vet. Barinjtë mandej u kthyen duke lëvduar e madhëruar Hyjin për gjithçka kishin dëgjuar e parë, pikërisht ashtu siç u tha engjëlli. Kur u mbushën tetë ditë për të rrethprerë foshnjën, ia ngjitën emrin Jezus, sikurse e quajti engjëlli para se të zihej në kraharor të s’ëmës. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Sot fillon një vit i ri, por nuk festojmë të shenjtin Vit të Ri. Jemi bashkuar për të thirrur mbi ne bekimin e Hyjit, për të imituar sjelljen e Marisë dhe për të kërkuar për botën dhuratën e paqes. Neve na mbetet detyra të mos qëndrojmë pasivë, por të veprojmë për të vlerësuar kohën që na dhurohet e për të ndërtuar të ardhmen tonë. Maria, Nëna e Hyjit është gjithmonë e gatshme për të interpretuar planet e Hyjit, dhe për t’iu përgjigjur plotësisht vullnetit të Tij. 

Në tetëditëshin e Krishtlindjes kremtohet festa e Marisë, Nënës së Hyjit.  Maria është thellësisht nënë, sepse u krijua për të qenë Nëna e Krishtit; për këtë duke nderuar atë lavdërojmë më shumë Birin. 

Bekimi i mrekullueshëm i leximit të parë është urimi më i mirë që mund të bëjmë: “Na ndriçoftë Zoti me fytyrën e vet!  Ky bekim shpreh se gjithçka është hir”.  Orët, ditët, muajt janë nën shenjën e fytyrës së Hyjit. 

Duke u shkruar galatsve Shën Pali na zbulon planin e Hyjit: Ai ka dashur që Biri i tij të bëhej njeri duke lindur nga një grua. Kjo ka ndodhur që njerëzit të bëheshin bijtë e tij dhe të jetonin si të tillë.

Ungjilli tregon se barinjtë, pasi kanë gëzuar për zgjedhjen që Hyji kishte bërë duke i ftuar në shpellën e Betlehemit, ua shpallën të gjithëve. Maria dhe Jozefi luten dhe meditojnë në zemrën e tyre mrekullitë e mëdha të realizuara nga Hyji.

Sot në emër të Marisë, nënës së Zotit dhe nënës së njerëzve kremtojmë në të gjithë botën Ditën e Paqes.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër dhe motra, të thërrasim mbrojtjen e Marisë, Nënë e Hyjit dhe Mbretëreshë e Paqes, që në vitin që sapo ka filluar të zbresë çdo plotësi hiri dhe bekimi.

L. Të përsërisim:  O Zot, jepu paqe ditëve tona.

L. O Atë i Shenjtë, mbështete Kishën tënde në angazhimin e saj të vazhdueshëm për paqen në një botë të shkatërruar nga luftëra dhe ndarje. Të lutemi

L. O Atë i Shenjtë, udhëhiqi kryetarët e shteteve në angazhimin e tyre që të jenë ndërtues të paqes. Të lutemi

L. O Atë i Shenjtë, nxit në të rinjtë dëshirën për të reflektuar në zemrën e tyre fjalën tënde të jetës. Të lutemi

L. O Atë i Shenjtë, dërgoje Shpirtin tënd ngushëllues mbi ata që vuajnë në trup dhe në shpirt. Të lutemi

L. O Atë i Shenjtë, bëj që të rritet në dashuri, në mirësi e në paqe kjo bashkësi e mbledhur rreth tryezës së Fjalës dhe tryezës së Bukës së jetës. Të lutemi

M. O Atë, fillimi dhe fundi i çdo gjëje, pranoji me mirësi lutjet që të drejtojmë, për ndërmjetësinë e Nënës së Birit tënd; jepi njerëzimit paqen të cilën bota nuk mund t’ia japë e bëj që të shërbejmë me gëzim në të gjitha ditët e jetës sonë. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: