Jezus, ti je drita ime!

E diela IV e Kreshmës – viti A

 

 

Leximi i parë: 1 Sam 16, 1.4.6-7.10-13

 

Lexim prej Librit të parë të Samuelit

Në ato ditë Zoti i tha Samuelit: “Deri kur do ta vajtosh Saulin pasi unë e flaka tej që të mos mbretërojë mbi Izrael? Mbushe bririn tënd me vaj e eja që të çoj tek Jeseu betlehemas: sepse gjeta për vete mbretin ndër bijtë e tij.”  Samueli bëri sikurse i kishte urdhëruar Zoti dhe erdhi në Betlehem. Kur hynë, Samueli e pa Eliabin e tha: “S’ka dyshim se para Zotit është i shuguruari i tij.” Por Zoti i tha Samuelit: “Mos i shiko fytyrën e tij dhe lartësinë e shtatit të tij, sepse e kam përjashtuar. Unë nuk gjykoj sipas pamjes së njerëzve: njeriu sheh çka duket përjashta, kurse Zoti vëren zemrën.”  Kështu Jeseu i solli shtatë djemtë e vet para Samuelit dhe Samueli i tha Jeseut: “Prej këtyre Zoti nuk ka zgjedhur asnjërin.” Samueli i tha përsëri Jeseut: “A janë vetëm këta bijtë e tu?” Ai iu përgjigj: “Kam edhe një, më të voglin, është duke kullotur delet.” Samueli i tha Jeseut: “Ço e sille këtu! Nuk do ta shtrojmë bukën derisa mos të vijë ai këtu.” Dërgoi pra, dhe e solli. Ishte kuqlosh, i bukur e i hijshëm nga pamja. Zoti i tha: “Çohu e lyeje, sepse ky është.” Atëherë Samueli e mori bririn dhe e shuguroi midis vëllezërve të tij. Shpirti i Zotit e pushtoi Davidin prej aso dite e më tutje. Samueli u ngrit e shkoi në Ramë. Fjala e Zotit.

 

Psalmi 23

 

Ref: Zoti është bariu im, asgjë nuk  më mungon

————————————————–

Nëpër fusha të gjelbra Ai më jep pushim,

më prin në ujëra të qeta, shpirtin ma përtërin.

Ai më prin shtigjeve të drejta

Në saje të dashurisë së Emrit të vet.

————————————————–

Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes,

s’trembem nga e keqja sepse ti je me mua:

thupra jote dhe kërraba

për mua janë ngushëllim.

—————————————————

Ti ma shtron tryezën përpara ndër sy të armiqve të mi,

me vaj erëmirë kryet ma lyen, gotën ma mbush plot e përplot.

Hiri dhe mirësia do të më përcjellin

Në të gjitha ditët e jetës sime,

do të banoj në shtëpinë e Zotit derisa të jem gjallë.

—————————————————

 

Leximi i dytë Ef 5, 8-14

 

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotërinë. Jetoni porsi bij të dritës. Fryti i dritës është: mirësia, drejtësia, e vërteta – vendosuni të bëni çka i pëlqen Hyjit! Mos kini pjesë në veprat e pafrytshme të errësirës, por përkundrazi, më mirë zbuloni! Sepse veprat që këta njerëz i bëjnë fshehtazi është turp edhe të flitën! E çdo gjë që zbulohet, del në dritën e vërtetë të veten, sepse çdo gjë që është e zbuluar, është dritë. Prandaj thotë: “Zgjohu ti që fle, ngritu nga të vdekurit, dhe do të të shndrisë Krishti!”   Fjala e Zotit.

 

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Unë jam drita e botës, thotë Zoti, kush vjen pas meje, nuk do të ecë në errësirë, por do ta ketë dritën e jetës.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

Ungjilli    Gjn 9, 1.6.13-17.34-38

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi duke kaluar rrugës pa një njeri të verbër, Duke kaluar rrugës pa një njeri të verbër, që kishte lindur i verbër. Nxënësit e tij e pyetën:  “Rabbi, kush mëkatoi, ky apo prindërit e tij që lindi i verbër?” “Nuk mëkatoi as ky as prindërit e tij ‑ u përgjigj Jezusi ‑ por ndodhi kështu që në të të dëftohen veprat e Hyjit. Derisa të jetë ditë na duhet t’i kryejmë veprat e Atij që më dërgoi. Po vjen nata, kur askush s’mund të punojë. Derisa të jem në botë,  jam drita e botës.” Si tha kështu, pështyu në dhe, bëri baltë me pështymë, ia leu sytë me baltë dhe i tha: “Shko e lahu në banjën Siloam (që do të thotë; I dërguari)”. Ai shkoi, u la dhe, kur po kthehej, shihte. Fqinjët e tij dhe ata, që më parë e kishin parë duke lypur, thoshin: “Po a nuk është ky ai që rrinte e lypte?” “Ai është” ‑ thoshin disa.

“Jo, por është një që i përngjan atij ‑ thoshin disa të tjerë. Ai vetë thoshte: “Unë jam” Atëherë i thanë: “Po si (atëherë) të erdhi drita e syve?” Ai u përgjigj: “Njeriu që quhet Jezus, përzjeu baltë, m’i leu sytë dhe më tha: ‘Shko në Siloam dhe lahu!’ Shkova, pra, u lava dhe pashë.”  “Ku është ai?” ‑ i thanë. “Nuk di” ‑ u përgjigj. Atëherë e çuan atë, që përpara ishte i verbër, te farisenjtë. Ajo ditë kishte qenë e shtunë, kur Jezusi përzjeu baltën dhe ia dha dritën e syve. Edhe farisenjtë filluan prapë ta pyesin si e fitoi të pamit e syve. Ky u përgjigj: “Më vuri baltë në sy, unë u lava ‑ dhe, ja, tani shoh!” Atëherë disa prej farisenjve thanë: “Ky njeri nuk është prej Hyjit, sepse nuk e mban të shtunën!” Por disa të tjerë thoshin: “Një mëkatar si mund të bëjë shenja të tilla?”

Dhe u bë përçarje ndër ta. Pastaj e pyetën prapë të verbërin: “E ti, çfarë thua për atë njeri që ta dha të pamit e syve?” “Është profet” ‑ iu përgjigj. Judenjtë nuk besuan se kishte qenë vërtet i verbër dhe se iu shëruan sytë, derisa thirrën prindërit e atij që u shërua, dhe i pyetën: “A është ky djali juaj, për të cilin pohoni se lindi i verbër? E si sheh tani?” Atëherë prindërit e tij u përgjigjën:

“E dimë se ky është djali ynë dhe se lindi i verbër. Si sheh tani, nuk e dimë. As nuk dimë se kush ia shëroi sytë. Pyetni atë: është njeri i rritur, ai do t’ju tregojë për vete.” Prindërit e tij folën kështu, sepse i druanin judenjtë. E njëmend, judenjtë kishin marrë vendim të përjashtohet nga sinagoga ai që Jezusin do ta dëshmonte për Mesi. 23 Për këtë arsye u përgjigjën prindërit e tij: ‘I rritur është, pyetni atë!’ Atëherë e thirrën për së dyti atë që kishte qenë i verbër dhe i thanë:

“Jepi lavdi Hyjit! Ne e dimë se ai është njeri mëkatar!” “A është mëkatar ‑ u përgjigj ‑ s’e di; një gjë e di: kam qenë i verbër e tani shoh!” Atëherë ata i thanë: “Çka të bëri? Si t’i shëroi sytë?”  “Tashti ju thashë ‑ u përgjigj ‑ e nuk më dëgjuat? Çka? Doni prapë të dëgjoni? A mos doni të bëheni edhe ju nxënësit e tij?” Atëherë ata filluan ta fyejnë e i thoshin: “Ti je nxënësi i tij! Ne jemi nxënësit e Moisiut!  Ne e dimë se Hyji ka folur me Moisiun e për këtë nuk dimë as prej nga është!”  “Pikërisht kjo gjë është e çuditshme ‑ u përgjigj njeriu ‑ ju s’dini as prej nga është, e mua më dha dritën e syve! E ne e dimë fort mirë se Hyji nuk i dëgjon mëkatarët, por dëgjon atë që e nderon Hyjin dhe e kryen vullnetin e tij! Që prej amshimit s’është dëgjuar se ndokush ia ka dhënë të pamit e syve të verbërit që lindi i verbër!  Po të mos ishte ky njeri prej Hyjit, s’do të mund të bënte asgjë!”  “Që kur linde, s’je tjetër veç mëkat ‑ iu përgjigjën ‑ e ti po na mëson!?” Dhe e hodhën përjashta. Jezusi e mori vesh se e kishin qitur jashtë. Kur e gjeti, i tha: “A beson ti në Birin e njeriut?” Ai iu përgjigj:

“Po kush është ai, Zotëri, që të besoj në Të?” “E pe ‑ i tha Jezusi ‑ Është ai që po flet me ty!” Ai tha: “Besoj, o Zot!” dhe ra përmbys para tij. Jezusi i tha: “Erdha në këtë botë të bëj gjyq: që të shohin ata që janë të verbër e të verbohen ata që shohin!” Disa prej farisenjve që ishin me të i dëgjuan këto fjalë dhe thanë: “Vallë, a thua edhe ne jemi të verbër?” Jezusi u përgjigj: “Po të ishit të verbër,  s’do të kishit mëkat. Porse ju thoni: ‘Shohim!’ prandaj mëkati juaj mbetet.” Fjala e Zotit.

 

 

POROSIA

Jezusi e pa një të verbër që nga lindja… Jezusi sheh. Ai sheh të hedhurit e qytetit, të fundit në rresht, një lypsar të verbër. Ai e sheh të papashmen. Nëse tjerët largohen sikur nuk shohin, Jezusi ndalet, pa qenë i kërkuar, pa qenë i lutur. Jezusi nuk kalon pa vërejtur, sepse për të çdo takim është një qëllim. Edhe për ne vlen e njëjta gjë, duhet të takohemi ashtu si jemi, të thyer: “Në Ungjill shikimi i parë i Jezusit nuk shkon kurrë te mëkati, por gjithnjë tek vuajtja e personit.” (Johannes Baptist Metz).

Apostujt që e kishin shoqëruar për vite, farizejtë që kishin mbledhur gurë për ta vrarë, të gjithë shikonin së pari për të gjetur gabimin (kush mëkatoi, ai apo prindërit e tij?), kërkojnë mëkate për të justifikuar verbërinë. Jezusi nuk gjykon, ai afrohet. Dhe pa qenë i kërkuar nga i verbëri, pështyu në dhe, bëri baltë me pështymë, ia leu sytë me baltë.

Jezusi është Hyj që ‘kontaminohet’ me njeriun, por edhe njeri që ‘infektohet’ me qiellin. Çdo njeri, çdo grua, çdo fëmijë që vjen në botë, del në dritë, është një gërshetim i tokës dhe i qiellit, një llambë argjile që e ruan shkëndijën e dritës.

Shko e lahu në banjën Siloam… Lypsari i verbër ka besim te shkopi e tij dhe te fjalët e një të panjohuri. Ai beson kur akoma s’kishte ndodh mrekullia, kur kishte vetëm errësirë përreth. Shkoj në banjë e u kthye me dritën e syve. Tani nuk mbështetet më në shkopin e tij, sepse përfundimisht është i lirë. Përfundimisht njeri. “Bir i dritës dhe i ditës” (1 Sel 5, 5), i jepet përsëri drita, rilindet në një jetë me guxim dhe mrekulli.

Për të dytën herë Jezusi shëron ditën e shtunë. Përkundër këngës së gëzimit, në Ungjill hynë një trishtim i pakufishëm. Farizejve nuk ju intereson njeriu, por rasti për t’u marr me të sipas ligjit; nuk ju intereson jeta e rikthyer që shndriste në sytë e atij njeriu, por doktrina e “shëndoshë”. Dhe ndodh një proces gjykimi si rast heretik: njeriu kalon nga personi mbi të cilin ndodhi mrekullia tek njeri i akuzuar.

Por Jezusi vazhdon të shpall fytyrën e dashurisë së Atit: Hyjit në rend të parë i intereson njeriu që ka fituar lirinë, njeriu i aftë për vetveten, njeriu në këmbë të veta; një marrëdhënie që gjeneron gëzim dhe shpresë, që sjell lirinë dhe bënë të lulëzojë njerëzorja! Jezusi e përmbys religjionin e vjetër që ishte i ndarë dhe i lënduar, e çep të shqyerën, e bashkon Hyjin e jetës dhe Hyjin e doktrinës; e këtë e bënë duke e vendosur njeriun në qendër. Lavdia e Hyjit është një njeri me dritë në sy dhe në zemër.

Njerëzit e religjionit të vjetër thonë: Lavdia e Hyjit është zbatimi i ligjit e mëkati i shlyer! Por jo, lavdia e Hyjit është një lypsar që ngritët në këmbë të veta, një njeri që sytë e tij rimbushen me dritë dhe çdo gjë shndritet. (p. Ermes Ronchi)

 

 

 

Lutja e Besimtarëve

 

M. Vëllezër e motra, po përgatitemi për Pashkët.  Krishti është drita që na udhëheq drejt tyre.  T’i kërkojmë Atit dhuratën e Shpirtit, që të mund të ecim si bij të dritës. Të lutemi së bashku duke thënë:

 Drita jote, o Zot, i ndriçoftë hapat tanë.

L. Për Kishën, që ka marrë misionin për të përhapur fjalën e Hyjit, që ta transmetojë pa e ndryshuar dhe pa e zvogëluar, të lutemi

L. Për shumë njerëz të shpërqëndruar në natën e errët të dyshimit, që secili të gjejë një përgjigje në dritën e plotë të Ungjillit, të lutemi.

L. Që Zoti të jetë dritë në zemrat e atyre që nuk shohin e që të jenë të udhëhequr nga mirësia e vërtetë të gjithë ata që punojnë në favor të tyre, të lutemi

L. Që secili prej nesh, në këtë kohë Kreshmësh, të sforcohet për të jetuar gjithnjë e më mirë hirin e Pagëzimit për të qenë kështu dëshmitar i Krishtit dhe i Ungjillit, të lutemi

M. O Zot Jezus, ti i ke hapur sytë të verbëritë të lindur në pishinën e shenjtë të Siloesë. Largoji në ne errësirat e gabimit dhe të gënjeshtrës dhe na përcill secilin deri te Ati yt, që jeton e mbretëron me ty në shekuj të shekujve. Amen.

Shpëndaje: