Jezusi është burim që shuan etjen e shpirtit

E Diela III e Kreshmës – viti A

 

Leximi i parë   Dal 17, 3-7

Shkretëtira për hebrenjtë ka qenë gjithmonë një vend prove për besimin e tyre. Në kulmin e vuajtjes është e mundur edhe për ne, të nynykasim kundër Hyjit, të humbasim besimin që kishim në të, apo të pretendojmë nga Ai një mrekulli. Është një tundim që ndodh shpesh, megjithatë jemi të thirrur çdo ditë të jetojmë një besim të fortë dhe me guxim. 

 

Lexim prej Librit të Daljes

Në ato ditë, populli hoqi keq për ujë dhe nynykaste kundër Moisiut: “Përse na bëre të dalim prej Egjiptit për të na vrarë ne, fëmijët tanë dhe bagëtitë tona?” Moisiu iu drejtua Zotit me këto fjalë: “Çka të bëj me këtë popull? Edhe pak dhe do të më vrasin me gurë.” Zoti i tha Moisiut: “Shko para popullit; merr me vete disa prej pleqve të Izraelit, merre në dorë shkopin, me të cilin e godite lumin, dhe nisu! Ja, unë do të qëndroj para teje përmbi qetën e Horebit. Ti bjeri shkëmbit e prej tij do të shpërthejë uji që populli të pijë.” Moisiu bëri ashtu ndër sy të pleqve të Izraelit. Atë vend Moisiu e quajti: Mas a dhe Meriba, për shkak të grindjes së bijve të Izraelit dhe pse e tunduan Zotin, kur thanë: “A është Zoti me ne apo nuk është?” Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi  95

 

Ref: Bëj që ta dëgjojmë zërin tënd, o Zot.

————————————-

Ejani t’i këndojmë Zotit,

t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T’i dalim para me falënderje,

t’i këndojmë këngë hareje!

————————————-

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij,

të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

ne jemi populli i kullotës së tij,

grigja që ai e ruan.

————————————-

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:

Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

kur etërit tuaj më vunë në sprovë:

më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

————————————-

 

Leximi i dytë    Rom 5, 1-2.5-8

Njeriu nuk mund të mos shpresojë edhe pse rrethanat e jetës shpesh janë dramatike dhe nuk të japin shpresë. Por themeli i shpresës së krishterë është i fortë: ne i rezistojmë frikës dhe pasigurisë së jetës, sepse Hyji na do.  Kjo bindje bazohet mbi provën e dashurisë që Krishti ka dhënë duke vdekur për ne.  Kështu shpresa bëhet forca jonë. 

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër: të shfajësuar me anë të fesë, jemi në paqe me Hyjin nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë, nëpër të cilin me anë të fesë fituam hirin, në të cilin tani jemi dhe me të cilin mburremi, sepse shpresojmë se do të kemi pjesë në lumturinë e Hyjit. E shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua. Dhe njëmend, ndërkohë, kur ne ishim të pafuqi, Krishti, në kohën e duhur, vdiq për bakëqijtë. E pra, vështirë do të pranonte kush të vdesë për njeri të drejtë – ndoshta për ndonjë njeri të mirë ndokush edhe do të merrte guxim të vdesë. Por Hyji e dëftoi dashurinë e vet kundrejt neve kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne. Fjala e Zotit.

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Zotëri, ti me të vërtetë je Shëlbuesi i botës: na jep ujë të gjallë, që të mos kemi më etje.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

 

Ungjilli    Gjn 4, 5-42

Jezusi trondit jetën dhe sigurinë e Samaritanes, duke u prezantuar si pasuria e vërtetë e njeriut dhe duke u dhënë një përgjigjje të sigurt pyetjeve më të thella të zemrës.  Ai është uji i vërtetë që dhuron jetën, Ai është ushqimi që nuk do të mungojë kurrë, Ai është bashkimi me Atin. Jezusi është ai që çliron Samaritanen dhe çdo njeri nga të gjitha traditat e rreme fetare: që tani besimi i vërtetë do të jetë ai i zemrës, secili mund të jetë i aftë ta jetojë këtë besim nëse është besnik i Shpirtit të Hyjit dhe jo i shpirtit të botës.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi arriti në qytet të Samarisë që quhet Sihar, afër pronës që Jakobi ia pati dhënë Jozefit, të birit të vet. Po i thotë gruaja: “Zotëri, më jep asi uji, që të mos etem më e të mos më duhet të vij këtu të nxjerr!”Ai i tha: “Shko, thirre burrin tënd dhe eja këtu!” “Unë nuk kam burrë!”- i përgjigji ajo. “Mirë the! – ia ktheu Jezusi – ‘S’kam burrë!’ Sepse i pate pesë burra, e ky që ke tani, nuk është burri yt! Fole të vërtetën!” Gruaja i tha: “E di se do të vijë Mesia, që quhet Krisht. Kur të vijë, ai do të na zbulojë gjithçka.” Jezusi i tha: “Unë jam, unë që po flas me ty!” Ndërkaq arritën nxënësit e tij dhe u çuditën që po fliste me një grua. Porse, prapë, askush nuk e pyeti: “Çka do?” ose: “Pse po flet me të?” Gruaja e la enën dhe shkoi në qytet. U tha njerëzve: “Ejani e shihni njeriun që më tregoi gjithçka kam bërë. A mos është ky Mesia?” Ata dolën prej qytetit dhe u nisën tek ai. Ndërkaq nxënësit po e lutnin: “Rabbi, ha!” Ai u tha: “Kam për ushqim një gjellë tjetër që ju s’e dini.” Nxënësit e pyetën njëri-tjetrin: “A mos i solli ndokush ushqim?” Jezusi u përgjigji: “Ushqimi im është të zbatoj vullnetin e atij që më dërgoi, ta kryej veprën e tij. A nuk thoni ju: ‘Edhe katër muaj, e, ja, korrja’? Qe, unë po ju them: Çoni sytë tuaj dhe shikoni: arat u zbardhuan për korrje! Tanimë korrtari po e merr pagën dhe po mbledh frytin për jetën e pasosur, që mbjellësi e korrtari të galdojnë së bashku! Në këtë gjë vërtetohet fjala: ‘Njëri mbjell e tjetërkush korr’! Unë ju dërgova të korrni atje ku ju s’derdhët djersë? Të tjerët u munduan e ju trashëguat frytin e djersës së tyre.” Shumë samaritanë prej atij qyteti besuan në të për shkak të fjalës së gruas që dëshmoi: “Më tregoi gjithçka kam bërë.” Kur, pra, samaritanët erdhën tek ai, iu lutën të rrijë te ata. Jezusi ndenj ndër ta dy ditë. Por shumë më tepër njerëz besuan në të për arsye të mësimit të tij. Gruas i thoshin: “Tani nuk besojmë vetëm pse na tregove ti: vetë e dëgjuam dhe e dimë se me të vërtetë është Shëlbuesi i botës.” Fjala e Zotit.

 

 

POROSIA

Në realitetin normal është i eturi që kërkon burimin, ndërsa sot thuhet se është burimi që kërkon të eturin për t’ia shuar etjen plotësisht.

“Më jep të pi!” Jezusi është i lodhur, ka me të vërtetë etje, por nuk kërkon vetëm pak ujë për të shuar etjen. Një kërkesë e tillë është fillimi i një dialogu, me të cilin ai udhëheq gruan drejt zbulimit të besimit. Jezusi së pari ngjall mahnitjen në “gruan samaritane”, pastaj e nxit t’i kërkojë Atij: “O Zot, më jep këtë ujë!”. Njeriu i lodhur dhe i etur, ulur afër pusit, është Hyji ynë, Jezu Krishti. Ndërsa kërkon të pijë, ai i deklaron gruas se ka diçka pafundësisht më të mirë të dhurojë: “dhuratën e Hyjit”, Vetveten. “Kush do të pijë ujin që unë do t’ia jap”. “Dhurata” e Jezusit quhet “uji i gjallë”, “burim shatërvani” që mund të shuajë etjen përgjithmonë e të japë jetën e amshuar. “Uji i gjallë” është zbulimi i Jezusit, Fjala e tij, që, e pranuar dhe e brendësuar nëpërmjet Shpirtit Shenjt, shndërron brendësinë e njeriut e i komunikon jetën hyjnore. “Etërit tanë adhuruan Hyjin në këtë mal”. Jezusi deklaron se Hyji nuk është më i interesuar për vendin e adhurimit, por për ‘mënyrën’. Nuk adhurohet në një vend, por në një marrëdhënie personale. Hyji kërkon adhurues që e adhurojnë, të frymëzuar nga Shpirti Shenjt, dhe të pranojnë e të jetojnë të Vërtetën, domethënë zbulimin e Jezusit mbi Hyjin. Në zemrën e njerëzve në dukje më të largët apo më të dëshpëruar ekziston një uri shpëtimi dhe një etje shprese.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër, sot Jezusi ofrohet si “ ujë i gjallë” për etjen tonë. Pasi kemi pranuar fjalën e Zotit me përvujtëri dhe besim, t’i drejtojmë lutjen tonë.

L. Të lutemi së bashku e të themi: Na jep, ujin e gjallë, o Zot.

L. Për Kishën: që të jetë e kujdesshme për të ofruar edhe sot dhuratën e mrekullueshme, dhuruar nga Krishti Samaritanes. Të lutemi

L. Për të gjithë njerëzit: që të ndihen të tërhequr nga Krishti, burim i jetës dhe i lumturisë së vërtetë. Të lutemi

L. Për ata që do të pagëzohen për Pashkë: që të ruajnë gjithmonë pastërtinë e hirit të pagëzimit. Të lutemi

L. Për të gjithë besimtarët që të penduar për shkak të mëkateve të tyre, t’i afrohen sakramentit të Pendesës: që të rimarrin me gëzim rrugën e së mirës. Të lutemi

M. O Zot Jezus, ti na fton të pimë në burimin e fjalës sate dhe të sakramenteve të tua. Bëj që uji që ti na jep të jetë për ne burim i jetës së amshuar. Ti je Hyji dhe jeton e mbretëron për të gjithë shekuj të shekujve. Amen.

(ecclesia.al)

 

Shpëndaje: