Jezusi e shpall vdekjen e tij në një klimë fitoreje

E Diela e Larit – Viti A

 

RITET FILLESTARE

M. Në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt.

P. Amen.

 

Përkujtimi i hyrjes së Zotit në Jerusalem

Vëllezër e motra, qysh prej fillimit të kreshmëve i përgatitëm zemrat tona me pendesë dhe me vepra dashurie; sot jemi bashkuar, që me mbarë Kishën të bëhemi gati për misterin e Pashkëve të Zotit tonë, domethënë për misterin e mundimeve dhe të ngjalljes së tij, për të cilin edhe hyri në Jerusalem, qytetin e vet. Prandaj ta ndjekim Krishtin me fe të gjallë dhe përkushti, duke e përkujtuar këtë hyrje shpëtimprurëse, pasi me anë të hirit u bëmë pjesëtarë të kryqit, të kemi pjesë në ngjalljen dhe jetën e tij.

 

Të lutemi

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shenjtëroji me bekimin tënd + këta rrema, që ne, të cilët me gëzim po e përcjellim Krishtin Mbret, nëpër të të mund të arrijmë në Jerusalem të amshuar. Ai që jeton dhe mbretëron në shekujt e shekujve.

Dhe i stërpik rremat me ujë të bekuar. Pastaj lexohet ungjilli.

 

Ungjilli   Mt 21, 1-11

Ashtu si turma e hebrenjve, edhe ne bekojmë Krishtin Zot që na prezantohet si Bari udhëheqës i popullit të tij. Ai është mbreti i ëmbël dhe i butë që do të shërbejë dhe jo të shërbehet nga populli i vet.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Kur iu afruan Jerusalemit e mbërritën në Betfage, në malin e Ullinjve, atëherë Jezusi dërgoi dy nxënës e u tha: “Shkoni në fshat që është kundruall! Aty menjëherë do të gjeni një gomare të lidhur e me të një gaç. Zgjidhni e m’i sillni! Nëse ndokush ju thotë gjë, thoni: ‘Po i duhen zotërisë’, dhe menjëherë do t’i lëshojë.” Ndodhi kështu që të shkonte në vend fjala e profetit që thotë: “Thoni qytetit Sion: Ja, Mbreti yt po vjen te ti i butë, kalor mbi gomare e mbi gaç, zog të gomares”.  Nxënësit shkuan e bënë siç u urdhëroi Jezusi, sollën gomarin e kërriçin. Mbi ta vunë petkat e veta, e Jezusi hypi mbi to. Moria e popullit shtroi petkat e veta gjatë rrugës e tjerët thenin degë lisash dhe i qitnin rrugës, e populli, që shkonte para e pas tij, brohoriste: “Hosana Birit të Davidit! Bekuar qoftë ai që vjen në Emër të Zotit! Hosana në qiejt më të lartat!”  Kur Jezusi hyri në Jerusalem, mbarë qyteti u çua në këmbë dhe pyeste: “Kush është?” E turma i përgjigjej: “Ky është Profeti, Jezusi prej Nazaretit të Galilesë!”Fjala e Zotit.

 

Fillon procesioni në drejtim të kishës; pas procesionit meshtari fillon Meshën.

 

Kolekta

O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, për t’i dhënë njerëzimit shembullin e përvujtërisë, Ti deshe që Shpëtimtari ynë të mishërohej dhe të vdiste në kryq: bëj në mirësi që t’i përngjajmë atij në duresë, e të marrim pjesë në ngjalljen e tij, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve.

 

 

Leximi i parë   Is 50, 4-7

Profeti Isaia shumë vjet më parë prezanton shërbëtorin e Zotit që pranon persekutime për dashurinë e popullit të tij. Ai mëson nga Hyji si të reagojë duke përdorur forcën e jo dhunës, ai ia beson mbrojtjen e tij vetë Hyjit.  Kështu i ndodhi Jezusit gjatë mundimeve të tij: pranoi poshtërimet për të çliruar zemrën e njeriut nga errësirat e urrejtjes.

 

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Zoti Hyj ma dha një gjuhë të ditur që të di ta përforcoj me fjalë të lodhurin. Çdo mëngjes veshin ma zgjon që të dëgjoj siç dëgjon nxënësi. Zoti Hyj ma hapi veshin, s’kundërshtova, nuk u zmbrapsa. Shpinën ua solla atyre që më rrahnin, mollëzat e mia atyre që ma shkulnin mjekrën: fytyrën time nuk e largova nga të sharat e pështymat. Zoti Hyj është ndihmëtari im, këndej edhe s’jam i tronditur, prandaj fytyrën time e bëra të fortë si stralli, pse e di se s’do të mbetem i turpëruar. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi  22

 

Ref: O Zot, o Zot, përse hoqe dorë prej meje?

——————————————–

Gjithkush më shikon, më përqesh,

shtrembërojnë buzët, luajnë me kokë:

“Shpresoi në Zotin: le ta lirojë,

le ta shpëtojë sepse i pëlqen Atij!”

——————————————–

Më rrethuan qen me shumicë,

turmë bakëqijsh më rrethuan gjithkah.

M’i shporuan duart e këmbët,

mund t’i numëroj të gjithë eshtrat e mi.

——————————————–

Petkat e mia ndër vete i ndajnë,

e mbi petkun tim qeshin short.

Por ti, o Zot, mos rri larg meje,

fuqia ime shpejto të më ndihmosh!

——————————————–

E unë do t’ua shpall vëllezërve Emrin tënd,

do të të lavdëroj në kuvendin e dheut:

“Ju që e druani Zotin, lëvdojeni atë,

mbarë fara e Jakobit, lëvdojeni atë!

Të gjithë pasardhësit e Izraelit, nderojeni atë.”

——————————————–

 

Leximi i dytë   Fil 2, 6-11

Shën Pali tregon se Jezusi ka pranuar plotësisht vdekjen në kryq. Ai u bë njeri me anë të mishërimit dhe u bë shërbëtor i njerëzve me anë të mundimeve. Jezusi duke pranuar lirisht dhe për dashuri planin e Atit gjatë mundimeve ka arritur fitoren e amshuar të ngjalljes.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filipianëve

Krishti Jezus, i cili, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të, por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri. E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër, që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë, dhe çdo gjuhë të dëshmojë: “Jezu Krishti është Zot!” Në nder të Hyjit Atë. Fjala e Zotit.

 

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Krishti për ne u bë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi, dhe i dha emrin që është mbi çdo emër.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

 

Ungjilli   Mt 26, 14 – 27, 66

Ungjilltari Mateu përshkruan dy aspekte të mundimeve të Jezusit: mundimet janë zbulimi i dashurisë së Hyjit për njeriun dhe së dyti paraqesin ndarjen përfundimtare mes botës së judenjve dhe të krishterëve të cilët duhet të bëjnë një zgjedhje, duhet të vendosin për Krishtin. Mateu do t’i bindë të krishterët e lindur nga judaizmi që plani i Hyjit mbi njeriun realizohet nëpërmjet shërbëtorit të vuajtur të kryqit. Dhe gjithashtu Mateu sheh në kryq fundin e erës së vjetër dhe fillimin e besëlidhjes së re.

 

Lexohen ose këndohen Mundimet e Zotit tonë Jezu Krishtit sipas Mateut

 

Mundimi i Zotit tonë Jezu Krishtit sipas Mateut

Lexuesi: Në atë kohë, njëri prej të Dymbëdhjetëve – ai që quhet Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë dhe u tha:

Juda: “Çka po më jepni e unë po jua dorëzoj?”

Lexuesi: Ata i caktuan tridhjetë sikla të argjendta. Qysh atëherë Juda kërkonte rastin e volitshëm për ta tradhtuar. Të parën ditë të Bukëve të pabrume, iu afruan Jezusit nxënësit dhe e pyetën:

Nxënësit: “Ku dëshiron ta bëjmë gati darkën e Pashkëve?”

Lexuesi: Ai u tha:

JEZUSI: “Shkoni në qytet te filani dhe thoni: Mësuesi thotë: koha ime është ngjat! Te ti do të kremtojë Pashkët me nxënësit e mi.”

Lexuesi: Nxënësit bënë si u urdhëroi Jezusi dhe e përgatitën darkën e Pashkëve. Kur u bë natë, Jezusi u ul në tryezë bashkë me të Dymbëdhjetët. Ndërsa po hanin, ai u tha:

JEZUSI: “Për të vërtetë po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë!”

Lexuesi: Të trishtuar për së tepërmi, zunë ta pyesnin njëri pas tjetrit:

Nxënësi: “A mos jam unë, Zotëri?”

Lexuesi: Ai u përgjigji:

JEZUSI: “Ai që po e ngjyen kafshatën për mua në pjatë – ai do të më tradhtojë. Po, Biri i njeriut patjetër po shkon sikurse është në Shkrimin shenjt për të. Porse: vaj për atë njeri që po e tradhton Birin e njeriut! Më mirë do të kishte qenë për të mos kishte lindur aspak!”

Lexuesi: Atëherë e pyeti edhe Juda, tradhtar i tij:

Juda: “A mos jam vetë, Mësues?”

Lexuesi: I përgjigji Jezusi.

JEZUSI: “E the vetë!

Lexuesi: Ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, i dha lavdi Hyjit, e theu, ua dha nxënësve të vet e tha:

JEZUSI: “Merrni, hani: ky është korpi im!”

Lexuesi: Pastaj mori kelkun, u falënderua, ua dha e tha:

JEZUSI: “Pini prej tij të gjithë, sepse ky është gjaku im – gjaku i Besëlidhjes – që do të derdhet për të gjithë  në shpërblim të mëkateve. Unë po ju them: qysh tash nuk do pi më kësi fryti hardhie deri atë ditë, kur, bashkë me ju, do të pi – një verë të re – në Mbretërinë e Atit tim.”

Lexuesi: Dhe, pasi kënduan himnin, dolën për të shkuar në Malin e Ullinjve.

Atëherë Jezusi u tha:

JEZUSI: “Të gjithë ju sonte do ta humbni besimin në mua. Sepse Shkrimi shenjt thotë: ‘Do t’i bie bariut e dhentë e tufës do të shpërndahen!’ Porse, kur të ngjallem, do të shkoj para jush në Galile.”

Lexuesi: Atëherë Pjetri i përgjigji:

Pjetri: “Po qe se edhe të gjithë do ta bjerrin besimin në ty, unë assesi nuk do ta bjerr besimin në ty!”

Lexuesi: Jezusi i tha:

JEZUSI: “Për të vërtetë po të them: shi sonte, para se të këndojë gjeli, tri herë do të më mohosh!”

Lexuesi: Pjetri i tha:

Pjetri: “Po edhe në qoftë se duhet të vdes bashkë mety, nuk do të mohoj!”

Lexuesi: Kështu thanë edhe të gjithë nxënësit tjerë.

Atëherë Jezusi mbërriti me nxënës në një kopsht, që quhej Gjetsemani dhe u tha:

JEZUSI: “Rrini këtu, derisa unë të shkojë njatje të lutem.”

Lexuesi: Mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut. Atëherë filloi të trishtohej e të ngushtohej. E u tha:

JEZUSI: “Shpirtin ma kaploi një trishtim që çon në vdekje. Qëndroni këtu dhe rrini zgjuar me mua!”

Lexuesi: Pastaj u largua pakëz, ra me fytyrë për dhe e lutej:

JEZUSI: “Ati im, nëse është e mundur, largoje prej meje këtë kelk mundimesh! Megjithatë, le të bëhet, jo si dua unë, por si do ti.”

Lexuesi: Dhe u kthye te nxënësit, i gjeti fjetur dhe i tha Pjetrit:

JEZUSI: “Si kështu s’mundët të rrini zgjuar me mua as për një orë të vetme? Rrini zgjuar e lutuni të mos bini në tundim! Shpirti, vërtet, është i gatshëm, por trupi është i ligshtë.”

Lexuesi: Prapë shkoi të dytën herë e u lut:

JEZUSI: “Ati im! Nëse s’mund të kalojë ky kelk mundimesh pa u pirë prej meje,e u bëftë vullnesa jote!”

Lexuesi: U kthye përsëri dhe i gjeti fjetur, sepse gjumi ua kishte rënduar sytë. I la, prapë u largua dhe u lut edhe të tretën herë duke përsëritur të njëjtat fjalë. Atëherë u kthye te nxënësit e u tha:

JEZUSI: “Flini tashmë e pushoni! Ja, arriti ora, kur Biri i njeriut po u bie në dorë mëkatarëve. Ngrituni të shkojmë! Ja, po afrohet tradhtari im!”

Lexuesi: Ndërsa ai ende po fliste, ja, erdhi Juda – njëri prej të Dymbëdhjetëve, e me të një turmë e madhe e armatosur me shpata e me shkopinj. E kishin dërguar kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit. Tashti tradhtari u kishte dhënë këtë shenj: “Kë unë të puth – u kishte thënë – ai është! Atë kapni!” Menjëherë iu afrua Jezusit e i tha:

Juda: “Të falem, Mësues!”

Lexuesi: Dhe e puthi. Jezui i tha:

JEZUSI: “Mik, kryej punët tënde!”

Lexuesi: Atëherë u afrua turma. Çuan dorë në Jezusin dhe e kapën. Kur qe, njëri prej atyre që ishin me Jezusin, çoi dorën, nxori shpatën e vet, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin. Atëherë Jezusi i tha:

JEZUSI: “Ktheje shpatën tënde në vend të vet! Sepse të gjithë ata që kapën për shpate, prej shpatës edhe do të vdesin. A ndoshta ti kujton se unë nuk mund t’i lutem Atit tim dhe se Ai nuk kishte për të m’i dërguar menjëherë dymbëdhjetë legjione engjëjsh? Mirëpo, si atëherë do të plotësoheshin fjalët e Shkrimit të shenjt, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?”

Lexuesi: Atëherë Jezusi iu drejtua turmës:

JEZUSI: “Dolët me shpata e me shkopinj të më zini si të isha unë cub. E pra, ditë për ditë rrija me ju duke mësuar në Tempull, e nuk më kapët. Por, të gjitha këto ndodhën për të shkaur në vend Shkrimet e profetëve.”

Lexuesi: Atëherë të gjithë nxënësit e lanë e ikën. Tashti, ata që e kapën Jezusin, e çuan te kryeprifti Kajfë, ku ishin tubuar skribët e pleqtë. Pjetri e ndoqi prej së largu deri në oborr të kryepriftit. Hyri brenda dhe po rrinte me shërbëtorët për të parë si do të merrte fund puna. Krerët e priftërinjve i tërë Këshilli i lartë kërkonin dëshmi të rrejshme kundër Jezusit për ta vrarë. Por nuk gjetën, e edhe pse u paraqitën shumë dëshmitarë të rrejshëm. Në fund u paraqitën dy e thanë:

Dëshmitarët: “Ky njeri ka thënë: ‘Unë mund ta rrënoj Tempullin e Hyjit e mund ta ndërtoj rishtas për tri ditë.’“

Lexuesi: Atëherë u çua kryeprifti e i tha:

Kryeprifti: “Ti s’po përgjigjesh fare për se këta po dëshmojnë kundër teje?”

Lexuesi Por Jezusi heshtonte. E kryeprifti i tha:

Kryeprifti: “Po të përbej me Hyjin e gjallë, na thuaj, a je ti Mesia, Biri i Hyjit?”

Lexuesi: Jezusi i përgjigji:

JEZUSI: “Ti the! E unë po ju them: Mbas tashit do ta shihni. Birin e njeriut duke ndenjur në të djathtë të të Gjithpushtetshmit dhe duke ardhur mbi retë e qiellit.’“

Lexuesi: Atëherë kryeprifti i shqeu petkate veta e tha:

Kryeprifti: “Shau Hyjin! Ç’na duhen më dëshmitarët? Qe, pra, vetë e dëgjuat blasfeminë. Ç’ju thotë mendja?”

Lexuesi: Ata përgjigjën.

Populli: “Meriton të vdesë!

Lexuesi: Atëherë filluan ta pështyjnë në fytyrë, t’i bien grushta e disa tjerë flakaresha, dhe i thoshin:

Populli: “Na trego, o Krisht, kush të ra?”

Lexuesi: Ndërkaq Pjetri rrinte përjashta, në oborr. Kur qe, iu afrua një shërbëtore e i tha:

Shëbëtorja: “Edhe ti ishte me Jezu Galileasin.”

Lexuesi: Por ai, para të gjithëve, i ra mohit me këto fjalë:

Pjetri: “Nuk di ç’po thua!”

Lexuesi: Dhe, ndërsa po i afrohej derës për të dalë jashtë, e vuri re një shërbëtore tjetër e u tha të pranishmëve:

Shëbëtorja: “Ky ishte me Jezu Nazarenin.”

Lexuesi: E ai prapë e mohoi me be:

Pjetri: “As qe e njoh atë njeri!”

Lexuesi: Pakëz më vonë, u afruan ata që ishin aty e i thanë Pjetrit:

Populli: “Vërtet, edhe ti qenke një prej tyre! Ja, edhe mënyra e të folurit tënd të zbulon!”

Lexuesi: Atëherë Pjetri ia nisi të lëshojë be e rrufe se nuk e njihte atë njeri. S’vonoi, këndoi gjeli! Atëherë Pjetrit i ra në mend fjala që ia pati thënë Jezusi: “Para se të këndojë gjeli, tri herë do të më biesh mohit.” Doli përjashta dhe qau me lotë per faqe. Kur zbardhi drita, të gjithë kryepriftërinjtë e Pleqësia e popullit u mblodhën në kuvend kundër Jezusit për ta dënuar me vdekje. E, pasi e lidhën, e çuan dhe ia dorëzuan Pilatit, qeveritarit të vendit. Atëherë Juda – ai që e tradhtoi, kur pa se e dënuan Jezusin, i brejtur nga ndërgjegjja, ua ktheu kryepriftërinjve e pleqve të popullit tridhjetë siklat e argjendta e tha:

Juda: “Mëkatova që dorëzova gjakun e pafaj!”

Lexuesi: I përgjigjën ata.

Pleqët: “Ç’na lypet neve! Punë për ty!”

Lexuesi: Juda i hodhi siklat e argjendta në Tempull, u largua dhe shkoi e u var në lak. Kryepriftërinjtë i mblodhën siklat e argjendta e thanë:

Kryepriftërinjtë: “S’është e lejueshme të shtihen në arkë të Tempullit, sepse janë çmim gjaku.”

Lexuesi: Dhe, pasi u këshilluan, blenë me to arën e një vorbëtari për varreza të shtegtarëve. Prandaj ajo arë quhet deri më sot: ‘Ara e Gjakut’. Kështu shkoi në vend fjala e Jeremisë profet: ‘Morën tridhjetë sikla argjendi, çmimin e të çmuarit, që e çmuan bijtë e Izraelit dhe e shpenzuan për arën e vorbëtarit, sikurse më urdhëroi vetë Zoti.’  E qitën, pra, Jezusin para qeveritarit. Qeveritari e pyeti:

Pilati: “A je ti mbreti i judenjve?”

Lexuesi: Jezusi i përgjigji:

JEZUSI: “Vetë po thua!”

Lexuesi: E ndërsa kryepriftërinjtë e pleqtë e paditnin, – s’përgjigji asnjë fjalë. Atëherë e pyeti Pilati:

Pilati: “A nuk po dëgjon sa rëndë po dëshmojnë kundër teje?”

Lexuesi: Jezusi nuk i përgjigji në asnjë fjalë, kështu që qeveritari u habit për së tepërmi. Për të kremten e Pashkëve qeveritari e kishte zakon t’i falë popullit atë të burogusr që populli kërkonte. Tashti, aso here, ishte i burgosur një njeri i përmendur për të keq, që quhej (Jezus) Baraba. Atëherë Pilati u tha atyre që ishin mbledhur aty:

Pilati: “Cilin dëshironi ta liroj: (Jezus) Barabën, apo Jezusin që quhet Krisht?”

Lexuesi: Sepse e dinte fare mirë se Jezu Krishtin e kishin dorëzuar prej smire. Ndërsa qeveritari po rrinte në gjykatore, gruaja e tij porositi:

Gruaja: “Mos u përziej assesi në çështje të atij të drejti, sepse sot pësova shumë në ëndërr për shkak të tij.”

Lexuesi: Por kryepriftërinjtë e pleqtë ia mbushën mendjen popullit të kërkonte çlirimin e Barabës e Jezusin ta vriste. Atëherë qeveritari e pyeti:

Pilati: “Cilin ndër këta dy doni t’jua liroj?

Lexuesi: I përgjigjën ata.

Populli: Barabën.

Lexuesi: E Pilati i pyeti:

Pilati: “Ç’të bëj, pra, me Jezusin që quhet Krisht?”

Lexuesi: Të gjithë përgjigjën:

Të Gjithë: “Të kryqëzohet!”

Lexuesi: Por ai u tha:

Pilati: “Ç’të keqe bëri?”

Lexuesi: Por ata bërtitnin edhe më fort:

Populli: “Të kryqëzohet!”

Lexuesi: Kur Pilati pa se s’po arrinte asgjë e së pështjellimi shkonte duke u shtuar, mori ujë dhe, në sy të popullit, i lau duartë duke thënë:

Pilati: “Unë jamë i pafajshëm për këtë gjak! E heqshi ju!”

Lexuesi: Mbarë populli tha:

Populli: “Gjaku i tij rëntë mbi ne e mbi fëmijët tanë!”

Lexuesi: Atëherë ua liroj Barabën, kurse Jezusin, pasi e frushkulloi, ua dorëzoi të kryqëzohet. Atëherë ushtarët e qeveritarit e shtinë Jezusin në pallatin e qeveritarit dhe mblodhën rreth tij krejt kohortën. E zhveshën dhe ia qitën krahëve një mantel të kuq. Pastaj gërshetuan një kurorë ferrash e ia vunë në krye, ndërsa në dorën e djathtë ia dhanë një kallam. Pastaj binin në gjunj para tij për ta vënë në lojë e i thoshin:

Ushtarët: “Të falemi, mbreti i judenjve!”

Lexuesi:  Dhe përshtynin, ia morën kallamin e me të i binin kresë. Pasi e vunë në lojë, ia hoqën mantelin e kuq, e veshën me petka të tija dhe e çuan për ta kryqëzuar. E ndërsa po dilnin në rrugë, takuan një njeri nga Cirena që quhej Simon dhe e detyruan ta mbarte kryqin e tij. Kur arritën në vend të quajtur Golgotë – d.m.th. Vendi i Kafkës -i dhanë të pijë verë të përzier me tëmëth, e, pasi e kërkoi, s’deshi ta pijë. Atëherë e gozhduan në kryq dhe me short i ndanë ndër vete petkat e tij. Pastaj ndenjën dhe i ruanin. Mbi krye ia vunë shkresën e arsyes së dënimit: “Ky është Jezusi, mbreti i judenjve.” Bashkë me të kryqëzuan dy cuba, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë. Kalimtarët, pastaj e shanin duke luajtur me krye në shpoti dhe thoshin:

Kalimtarët: “Ti që e rrënon Tempullin e për tri ditë e rindërton, shpëto vetveten! Nëse je Biri i Hyjit, zbrit nga kryqi!”

Lexuesi: Po ashtu edhe kryepriftërinjtë me skribë e me pleq, duke e përqeshur, i thoshin:

Të Gjithë: “Tjerët i shpëtoi, vetveten s’po mundet ta shpëtojë! Është mbreti i Izraelit! Le të zbresë tani prej kryqit e do t’i besojmë! Ka shpresuar në Hyjin, le ta lirojë tani, nëse e do përnjëmend!’ Sepse vetë tha: ‘Jam Biri i Hyjit!’“

Lexuesi: Po ashtu e fyenin edhe cubat që ishin të kryqëzuar me të. Qysh prej orës gjashtë deri në orën nëntë terri e mbuloi mbarë tokën. Rreth orës nëntë, Jezusi klithi me zë të madh:

JEZUSI: “Eli, Eli! Lema sabakthani?

Lexuesi: Që d.m.th’: Hyji im, Hyji im! Përse hoqe dorë prej meje!” Disa prej të pranishmëve, kur dëgjuan, thanë:

Populli: “Ky po thërret Elinë!”

Lexuesi: Aty për aty u turr njëri prej sish, mori një shpuzë, e zhyti në uthull, e vari në kallam e ia shtriu ta pinte. Tjerët i thoshin:

Populli: “Lëre të shohim pale a po vjen Elia për ta shpëtuar!”

Lexuesi: E Jezusi bërtiti edhe një herë me zë të madhe e – dha shpirt.

(të gjithë ulën në gjunjë)

Dhe, ja veli i Tempullit, u shqye në dy pjesë, prej majës e deri në fund; toka u lëkund e shkëmbenjtë plasën, varret u hapën e u ngjallën shumë trupa të drejtësh që kishin vdekur. Pas ngjalljes së Jezusit dolën prej varreve, erdhën në Qytetin e shenjtë dhe iu dëftuan shumëkujt. Një frikë e madhe e kapi centurionin dhe ata që bashkë me të po e ruanin Jezusin, kur panë tërmetin dhe ngjarjet tjera, thanë:

Centurioni: “Me të vërtetë ky paska qenë Biri i Hyjit!”

Lexuesi: Aty po ndodheshin e vërenin prej së largu shumë gra, të cilat Jezusin e kishin përcjellë qysh prej Galilesë dhe i kishin shërbyer. Ndër to ishte Maria Magdalenë, Maria nëna e Jakobit dhe e Jozefit edhe nëna e bijve të Zebedeut. Kur u bë natë, erdhi një pasanik nga Arimateja, që quhej Jozef. Ishte edhe ky nxënës i Jezusit. Jozefi shkoi te Pilati dhe ia lypi trupin e Jezusit. Pilati urdhëroi t’i jepej trupi. Jozefi mori trupin, e mbështolli në pëlhurë të pastër dhe e vendosi në varrin e vet të ri, që e kishte çelur në shkëmb. Pastaj rrokullisi në derë një gur të madh dhe shkoi. Aty ishin Maria Magdalenë edhe Maria tjetër rrinin kundruall varrit. Të nesërmen, që ishte dita pas Përgatitjes – u bashkuan kryepriftërinjtë e farisenjtë te Pilati dhe i thanë:

Kryepriftërinjtë: “Zotëri, na ra në mend se ai gënjeshtar, sa ishte ende gjallë, tha: ‘Pas tri ditësh do të ngjallem.’  Prandaj urdhëro të ruhet varri deri në ditën e tretë, që të mos vijnë nxënësit e tij, ta vjedhin e t’i thonë popullit: ‘U ngjall së vdekuri.’ E do të jetë gënjeshtra e fundit më e zezë se e para.”

Lexuesi: Ju përgjigji Pilati:

Pilati: “Rojën e keni! – Shkoni e merrni masat e sigurimit si jua merr mendja.”

Lexuesi: Ata shkuan dhe e siguruan varrin: vulosën gurin dhe vunë rojën.

 

………………………………………

 

POROSIA

Nuk ka lavdi pa poshtërim. Sot liturgjia na paraqet dy skena madhështore. E para e gëzimit tregon hyrjen e Jezusit në Jeruzalem, i shpallur si mbret nga një turmë e entuziazmuar. Skena e dytë e madhe tregon mundimet e Zotit sipas Mateut, që lexon në mundimet e Jezusit plotësimin e planit të Hyjit.

Ungjilli tërheq vëmendjen mbi dy çaste domethënëse: lutja e Jezusit në kopshtin e Ullinjve e britma e tij pikëlluese mbi kryq.

Jezusi jeton “mundimet e brendshme” të tij, i shtypur nga ankthi e nga një trishtim vdekjeprurës. “Ati im, nëse është e mundur, largoje prej meje këtë kelk mundimesh!”. Jezusi shfaq vetëdijen e tij se është Biri i Hyjit. Nëse Hyji është Ati i tij, përse nuk e largon nga prova? “Por jo ashtu si dua unë, por ashtu si do ti!”. E menjëherë lind besimi e dorëzimi pa rezerva. “Hyji im, Hyji im, përse më hoqe dorë prej meje?”.

Jezusi në prag të vdekjes, shpreh izolimin e tij të plotë, hidhërimin e tij të thellë. Edhe Ati hesht e duket se e ka braktisur. Vdekja e tij, atëherë, është parë si shkatërrimi e dështimi i vetë “çështjes” së Hyjit. Jezusi, duke bërtitur mbi kryq, bën të tijën britmën e të gjithë të varfërve, të vuajturve, të shtypurve të historisë. Bën të tijën britmën e njerëzimit të trishtuar dhe e drejton drejt Hyjit. Jo një britmë dëshpërimi, por besimi të pafund.

Mbi kryq gjendet Dhimbja: ja pse çdo njeri që vuan është ikona e të Kryqëzuarit. Por mbi kryq është edhe Dashuria, që ka shtyrë Jezusin të japë jetën e tij për ne.

 

Lutja e Besimtarëve

 

M. Vëllezër e motra, duke filluar javën e shenjtë të jemi të gatshëm për të ndjekur Jezusin, që hyn në Jerusalem për t’u ngjitur mbi kryq. T’i kërkojmë Atit që të dimë të pranojmë dashurinë e tij.

L. Të lutemi së bashku e të themi: Për mundimet e Birit tënd, na dëgjo, o Atë.

L. Për meshtarët, ministrat e Eukaristisë, që të ndihmojnë besimtarët për të kuptuar çfarë është flijimi e Kalvarit, që ripërtëri-het çdo ditë mbi altar. Të lutemi

L. Për përgjegjësit e shoqërisë qytetare, që të takojnë dhe të mbështesin Krishtin e pranishëm në çdo person që vuan. Të lutemi

L. Për burrat dhe gratë e kohës sonë, që të tërhequr nga Zoti i kryqëzuar, të kuptojnë se deri në ç’pikë ai i ka dashur dhe të bëhen dishepujt e tij. Të lutemi

L. Sot kremtojmë ditën botërore të rinisë: për të rinjtë, që të jenë në jetë kërkuesit dhe dëshmitarët e të vetmit Hyj të vërtetë. Të lutemi

L. Për ne këtu të pranishëm, që si dishepuj të vërtetë të Krishtit të mbajmë me guxim dhe besnikëri kryqin e tij për shpëtimin e botës. Të lutemi

M. Dëgjoje, o Atë, lutjen e popullit tënd që kremton mundimet e Birit tënd. Bëj që, pasi ta kemi thirrur në ditën e gëzimit, të dimë ta ndjekim në orën e errët dhe jetëdhënëse të kryqit.  Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: