E diela VI gjatë vitit – viti B
Leximi i parë Lev 13, 1-2.45-46
Kjo pjesë na bën të kuptojmë normat e rrepta të Ligjit kundrejt të gërbulurve. Gërbula konsiderohej një e keqe fizike, por mbi të gjitha një e keqe morale. I gërbuluri ishte i treguar me gisht si një i papastër dhe mëkatar dhe ishte i përjashtuar nga shoqëria. Edhe Jezusi do të vdesë në kryq si një i gërbulur i braktisur nga njerëzit.
Lexim prej Librit të Levitikut
Zoti foli me Moisiun e me Aronin e tha: “Nëse ndokujt i del në mish ose në lëkurë ndonjë enjtje, rrebull ose njollë e bardhemtë që mund të dyshohet se mund të jetë gërbulë, i tilli le të çohet tek Aroni ose të cilido prift prej bijve të tij. I gërbuluri që e ka kapur kjo sëmundje le t’i mbarë petkat e shqyera, flokët e shkapërderdhur, mjekrën e mbuluar e të bërtasë: ‘I ndyri! I ndyri!’ Gjatë gjithë kohës sa gerbulani është i papastër, le të jetë i papastër e le të jetojë vetëm jashte tëbanishtës.” Fjala e Zotit.
Psalmi 32
Ref: Shëlbimi yt, o Zot, na mbush me gëzim
—————————————
Lum ai që iu fal mëkati,
që iu mbulua faji!
Lum ai njeri që Zoti nuk e numëron ndër mëkatarë,
në shpirtin e të cilit nuk ka dredhi.
—————————————
Atëherë ta dëftova mëkatin tim,
fajin tim më nuk e fsheha.
Thashë: “Do t’ia rrëfej Zotit fajin tim,”
e ti ma fale fajësinë e mëkatit tim.
—————————————
Atë që shpreson në Zotin e rrethon hiri.
Gëzohuni me Zotin e galdoni, o të drejtë,
brohoritni të gjithë ju që jeni zemërpastër
—————————————
Leximi i dytë 1 Kor 10, 31 – 11, 1
Shën Pali na mëson të jetojmë me thjeshtësi ditën tonë pa moralizma të kotë. Besim nuk do të thotë të privohesh nga ushqimi. Hyji dëshiron jetën e njeriut të jetuar normalisht në një këndvështrim besimi dhe dashurie ndaj vëllezërve.
Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, në qoftë se hani, në qoftë se pini, në qoftë se edhe çkado tjetër bëni, bëni gjithçka në lavdi të Hyjit. Mos jini veç rast shkandulli as për hebrenj, as për grekë, as për Kishën e Hyjit, sikurse edhe vetë mundohem t’u pëlqej të gjithëve pa kërkuar dobinë time, por dobinë e të gjithëve, që të mund të shëlbohen. Më përngjani mua, sikurse unë i përngjaj Krishtit. Fjala e Zotit.
Aleluja
Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurëve, thotë Zoti; unë erdha të ftoj mëkatarët.
Aleluja
Ungjilli Mk 1, 40-45
Jezusi shëron një të sëmurë, të përjashtuar nga shoqëria, të shkatërruar në trup dhe në shpirt. I dhuron atij dinjitetin e tij prej njeriu dhe e dërgon të shpallë që është shëruar. Vetëm në besim jemi në gjendje të njohim mjerimet tona shpirtërore dhe që Zoti mund të na shërojë. Edhe ne, duke dalë nga Kisha, duhet të kemi sjelljen e njerëzve të shëruar.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
Atëherë Jezusit iu paraqit një i gërbulur, ra në gjunjë dhe iu lut: “Nëse do, mund të më pastrosh!” Jezusi pati dhembshuri, shtriu dorën, e preku dhe i tha: “Dua! Qofsh pastruar!” Dhe aty për aty prej tij u zhduk gërbula dhe u shërua. Jezusi menjëherë e nisi të shkojë por i urdhëroi rreptësishtë: “Shih – i tha – mos i trego askujt, por shko, paraqitu te prifti dhe, për shërimin tënd, kushto çka ka urdhëruar Moisiu atyre për dëshmi.” Por ai, posa doli, filloi të flasë e ta përflasë ngjarjen, kështu që Jezusi s’mund të hynte më haptas në qytet, por qëndronte përjashta në vende të pabanuara. E njerëzit shkonin tek ai nga çdo anë. Fjala e Zotit.
POROSIA
Çdo njeri lind ‘i sëmurë’, e gjatë jetës së tij kërkon shërimin. Por për t’u shëruar duhet të kemi vullnetin për të ndryshuar bindjet, mënyrat e të menduarit dhe të jetuarit.
“Atë-herë Jezusit iu paraqit një i gërbulur”. I gërbuluri shihej si një i vdekur i gjallë. Kjo sëmundje e rëndë ia ndalonte të sëmurit që të afrohej me personat e shëndoshë për të kërkuar shërimin. I sëmuri i ra në gjunjë Jezusit e iu lut: kam nevojë për ndihmën tënde. Vetëm ai që ndihet i sëmurë, kërkon ndihmë.
“Jezusi pati dhembshuri, shtriu dorën, e preku”. Gjithçka ndodh sepse Jezusi shfaq dashuri dhe dhembshuri. Ndjenja e Jezusit shndërrohet në veprim: e dashuria e tij bëhet veprim, e prek dhe e shëron. Të shërosh për Jezusin domethënë të rikthesh dinjitetin, sipas planit të Hyjit për njeriun. Me dashuri Ai shpëton: jemi shpëtuar vetëm kur jemi dashur, e ndihemi të vlerësuar.
“Por ai, posa doli, filloi të flasë”. Njeriu i shpëtuar përhap mrekullinë në atë pikë sa Jezusi nuk mund të qëndrojë i fshehur, e kështu dëshmia mbi Të, zbulon identitetin e tij e bën të njohur ungjillin e tij. Jezusi nuk dëshiron të krijohet ideja se ai është një mesi në kërkim të lavdisë, për këtë kërkon heshtje. Shërimi i mrekullueshëm i të gërbulurit nënvizon fort fuqinë dhe autoritetin e tij. Por Hyji nuk mund të bëjë asgjë nëse ti nuk e dëshiron. Të gjithë duan të shërohen, por jo të gjithë janë të gatshëm të pranojnë kushtet e shërimit: të pranosh dritë në errësirë dhe të zhdukësh ligësinë.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër e motra, t’ia drejtojmë me besim lutjen tonë Zotit duke i paraqitur Atij nevojat tona shpirtërore e materiale.
L. Të lutemi së bashku e të themi: O Zot, dëgjoje lutjen tonë.
L. Për Papën, ipeshkvijtë, meshtarët e diakonët: që të ndihmuar e të forcuar nga Shpirti Shenjt, në ushtrimin e misionit të tyre, të jenë gjithmonë në mes të njerëzve një dëshmi e gjallë dhe e besuar e dashurisë së Krishtit e të Ungjillit të tij. Të lutemi.
L. Për ata që janë të angazhuar në fushën shoqërore, politike e kulturore: që me zgjuarsi e ndershmëri të kenë gjithmonë si objektiv kryesor ndërtimin e një bote më të drejtë e më njerëzore.Të lutemi.
L. Për të afërmit tanë, miqtë e të njohurit, që në këtë çast po vuajnë nga sëmundje e dhimbje: që të jenë të ngushëlluar nga besimi në Zotin e nga solidariteti ynë i krishterë.Të lutemi.
L. Për të rinjtë që janë në kërkim të kuptimit të jetës, që nga Krishti, samaritani i mirë, të mund të mësojnë si të pranojnë të braktisurit në emër të dashurisë së Hyjit. Të lutemi.
L. Për ne këtu të pranishëm: që duke marrë pjesë në tryezën eukaristike, jo vetëm ta dëgjojmë Fjalën e Zotit, por të shndritur prej saj, të bëhemi në shoqërinë tonë, nxitës e ndërtues të drejtësisë, të bashkimit e të paqes. Të lutemi
M. Pranoji o Zot, Ati ynë, lutjet tona. Ti që i njeh nevojat tona, nxit në kishë, e veçanërisht në famullinë tonë, burra e gra gjithmonë e më të gatshëm ndaj nevojave urgjente të bashkësisë e të ugjillizimit. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.
(ecclesia.al)