Lum ata që nuk panë e besojnë!

E Diela II e Pashkëve – viti B – E diela e Mëshirës Hyjnore

 

Leximi i parë  Vap 4, 32-35

Të krishterët e parë jetojnë thellësisht ligjin e bamirësisë që Jezusi u ka besuar atyre. Kjo është karakteristika e krishterimit. Bota e sotme pret nga të krishterët shenja të një solidariteti të tillë, që realizohet nëpërmjet një jete që bashkëndan të mirat shpirtërore dhe materiale. 

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në bashkësinë e besimtarëve mbretëronte një përkim i plotë. Askush nuk e quante të veten çkado që kishte, por ndër ta gjithçka ishte e përbashkët. Apostujt me fuqi të madhe jepnin dëshmi mbi ngjalljen e Zotërisë Jezus e të gjithë gëzonin nderim të madh. Gjithashtu askush prej sish nuk ishte skamnor, sepse ata që kishin ara e shtëpi i shitnin e çmimin e shitjes e binin dhe e vinin te këmbët e apostujve. Atëherë secilit i jepej aq sa kishte nevojë. Fjala e Zotit.

 

Psalmi  118

 

Ref: Aleluja, aleluja, aleluja

————————————–

Lavdërojni Zotin, sepse është i mirë,

sepse e përjetshme është dashuria e tij!

Le të thotë tashti Izraeli: Zoti është i mirë,

e përjetshme është dashuria e tij!

————————————–

Le të thotë tani shtëpia e Aronit,

e përjetshme është dashuria e tij!

Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin,

e përjetshme është dashuria e tij!

————————————–

Më shtytën, më dhanë shtytje për të më rrëzuar,

por më përkrahi ndihma e Zotit.

Fuqia ime e lavdia ime është Zoti,

Ai është shpëtimtari im.

Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi

në tendat e të drejtëve.

————————————–

Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit,

erdhi e u bë guri këndit;

Zoti e bëri këtë gjë: sa mrekulli për sytë

tanë!  Kjo është dita që na e dhuroi Zoti:

të galdojmë e të gëzojmë në të!

————————————–

 

 

Leximi i dytë   1 Gjn 5, 1-6

Krishti i vdekur dhe i ringjallur na komunikon jetën e tij nëpërmjet Pagëzimit dhe Eukaristisë. Bashkimi i tij me Atin e ka shtyrë Jezusin të dojë njerëzit, bijtë e Atit. Me këtë sjellje Ai ka fituar mbi të keqen dhe ka bërë të rilindë shpresa. Edhe ne nëse jemi të bashkuar me Jezusin mund t’i pranojmë të gjithë ata që Jezusi ka dashur. Besimi bëhet atëherë një angazhim i gëzuar dhe një dashuri e efektshme që jep kuptim. 

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Gjonit apostull

Fort të dashur, kushdo beson se Jezusi është Mesia, është i lindur prej Hyjit. Kushdo e do prindin, do edhe të lindurin prej tij. Me këtë gjë e dimë se i duam fëmijët e Hyjit: nëse e duam Hyjin dhe i mbajmë urdhërimet e tija. Dashuria ndaj Hyjit është kjo: që ne t’i zbatojmë urdhërimet e Hyjit. Urdhërimet e tija nuk janë të rënda. Sepse, gjithçka lind prej Hyjit, ngadhënjen mbi botën. Dhe kjo është fitorja që e mundi botën: feja jonë! Kush është ai që e mund botën, në mos qoftë ai që beson se Jezus është Biri i Hyjit? Ky është ai që erdhi nëpër ujë e nëpër gjak: Jezu Krishti. Jo vetëm me ujë, por me ujë e me gjak. Dëshmitari i kësaj gjëje është Shpirti Shenjt, sepse Shpirti Shenjt është e vërteta. Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Pse po më sheh, o Tomë, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!

Aleluja.

 

 

Ungjilli   Gjn 20, 19-31

Jezusi i ringjallur u shfaqet dishepujve dhe u jep atyre paqen dhe gëzimin e Atit. Vetëm tani ata e njohin arsyen dhe vlerën e vdekjes së tij: në të vërtetë nga kraharori i plagosur dhe nga duart e tij të shporuara u dhurohet atyre paqja e Shpirtit.  Ringjallja e Jezusit është fitorja mbi frikën, gëzimi, paqja, dhurata e Shpirtit dhe falja e mëkateve.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në mbrëmje po të asaj dite – të parën ditë të javës – ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. Mandej u tha prapë: “Paqja me ju! Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.” Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt! Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen.”  Porsi Toma, njëri prej të dymbëdhjetëve, ai që quhet Binjak, nuk ndodhi me ta kur erdhi Jezusi. I thanë, pra, nxënësit tjerë: “E pamë Zotërinë!” Toma u përgjigji: “Pa e parë në duar të tija vragën e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vend të gozhdave; pa e shtirë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj.” Mbas tetë ditësh nxënësit e tij ishin prapë brenda në shtëpi e me ta ishte edhe Toma. Megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend midis tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” Mandej i tha Tomës: “Shtjere gishtin tënd këtu e qe, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!” Toma i përgjigji: “Zotëria im dhe Hyji im!” Jezusi i tha: “Pse po më sheh, po beson. Lum ata që nuk panë e besojnë!” Jezusi bëri ndër sy të nxënësve të vet edhe shumë mrekulli tjera, të cilat nuk u shënuan në këtë libër. Këto u shkruan që të besoni se Jezusi është Mesia, Biri i Hyjit, dhe, që duke besuar, ta keni jetën në Emër të tij. Fjala e Zotit.

 

 

POROSIA

Dy fjalë takojmë në ungjill: shoh dhe besoj. E para i përket kësaj bote të dukshme, e dyta i përket botës së padukshme të Hyjit.

“Në mbrëmje po të asaj dite”. Dishepujt panë se ishte Zoti e besuan në Të. Besimi në të Ringjallurin shndërron frikën në gëzim, dëshpërimin në qartësi. Nuk janë dishepujt që kërkojnë, por është Zoti që, duke tejkaluar murin e frikës dhe të indiferencës, vendos në zemra Paqen e tij. Prania e tij prej të Ringjalluri do t’i shtyjë dishepujt, t’i dëshmojnë botës fitoren e Krishtit.

Toma, “nuk ndodhi me ta kur erdhi Jezusi”. Nuk u besoi fjalëve të miqve të tij, e pohoi: “Pa e parë … e pa e vënë … kurrë nuk besoj”. Nuk pranon të besojë në të Ringjallurin e në dëshminë e apostujve, sepse ai nuk e ka parë Zotin e gjallë.

Por “mbas tetë ditësh” nga ringjallja, Jezusi vjen përsëri në mes tyre. Këtë herë ishte edhe Toma. Jezusi është shfaqur i gjallë, e vetëm tani mosbesuesi pranon të besojë. Kështu ai provon dashurinë e plotë të Hyjit. Të shohësh e të prekësh plagët, domethënë të vendosësh kontaktet me dashurinë e Hyjit, që jep jetën për tjetrin. Ne do të jemi të lumë nëse duam Hyjin e vëllezërit tanë. I Ringjalluri na mëson se besimi është një dhuratë më shumë se një fitim njerëzor, a një shenjë dalluese.

“Dëshiroj që e diela e parë pas Pashkëve të jetë Festa e Mëshirës Sime”. “Ai që atë ditë do të rrëfehet … do të fitojë shlyerjen e plotë të fajeve dhe mëkateve”. (Jezusi drejtuar Shën Faustinës).

 

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, me një zemër të vetme e një shpirt të vetëm, t’i drejtohemi Atit të të gjithëve, që na ka sjellë në jetën tokësore e në jetën fetare.

L. Të lutemi së bashku e të themi: O Atë i mëshirshëm, na dëgjo.

L. Që Kisha, e cila ka marrë detyrën për t’i shpallur botës mëshirën hyjnore, t’i drejtojë njerëzit drejt takimit me Zotin e Ringjallur. Të lutemi.

L. Që drejtuesit e shteteve, veçanërisht në qoftë se janë të krishterë, të frymëzohen në vendimet e tyre me mësimet e Krishtit e të Shpirtit Shenjt. Të lutemi.

L. Për ata që si Shën Toma, janë në kërkim o në krizë të besimit, të mund të gjejnë ndihmë në bashkësitë e krishtera. Të lutemi.

L. Që bashkësia jonë, e cila çdo të diele, mblidhet për të kremtuar Eukaristinë, të jetojë bashkimin vëllazëror e solidaritetin. Të lutemi.

M. Na i plotëso, o Atë, lutjet tona e na drejto drejt ndërtimit të bashkimit të vërtetë. bëj që të vijmë tek Ti me besim e dashuri të sinqertë. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: