E diela e Pashkëve – viti B
Leximi i parë Vap 10, 34.37-43
Shën Pjetri pohon përpara familjes pagane të Kornelios që Jezusin e Nazaretit, që judenjtë kishin kryqëzuar, Hyji e ngjalli, edhe apostujt janë dëshmitarë. Jezusi i ngjallur nuk është më Mesia Shpëtimtar i një populli të vogël, por është Ai që shpëton të gjithë njerëzit.
Lexim prej Veprave të Apostujve
Në ato ditë, Pjetri mori fjalën e tha: “Tani me të vërtetë po e marr vesh se Hyji nuk i mban kujt krah. Ju e dini çka ka ndodhur në mbarë Judenë, duke filluar nga Galileja, pas pagëzimit që predikoi Gjoni, sesi Hyji Jezusin prej Nazaretit e shuguroi me Shpirtin Shenjt e me pushtet; atë që e përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që kishin rënë nën pushtet të djallit, sepse Hyji ishte me të. Ne jemi dëshmitarë për të gjitha që bëri në mbarë krahinën e Judesë e në Jerusalem. E vranë duke e varur në shtyllë. Hyji e ngjalli të tretën ditë dhe bëri që të dëftohet i gjallë, jo mbarë popullit në përgjithësi, por dëshmitarëve prej Hyjit të paracaktuar, neve që bashkë me të kemi ngrënë e kemi pirë pasi u ngjall prej të vdekurish. Ai edhe na urdhëroi t’i predikojmë popullit e t’i japim dëshmi se Jezusi është prej Hyjit i caktuar Gjykatës i të gjallëve e i të vdekurve. Për të bëjnë dëshmi të gjithë profetët: në fuqi të Emrit të tij i jepet falja e mëkatëve secilit që beson në Të.” Fjala e Zotit.
Psalmi 118
Ref: Kjo është dita e Krishtit Zot: aleluja, aleluja
———————————————-
Lavdërojni Zotin, sepse është i mirë,
sepse e përjetshme është dashuria e tij!
Le të thotë tashti Izraeli: Zoti është i mirë,
e përjetshme është dashuria e tij!
———————————————
E djathta e Zotit u madhërua!
E djathta e Zotit më lartësoi!
S’do të vdes, të jetoj dua,
do t’i kumtoj veprat e Zotit!
———————————————
Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit,
erdhi e u bë guri këndit;
Zoti e bëri këtë gjë:
sa mrekulli për sytë tanë!
——————————————-
Leximi i dytë Kol 3, 1-4
Dinjiteti i çdo njeriu është shpresa në ngjallje. Njeriu është i thirrur në lumturi me Hyjin pas vdekjes së tij, por Krishti i ngjallur ndërton çdo ditë në historinë tonë planin e lumturisë së ardhshme. Krishti i ngjallur angazhohet për të dëshmuar jetën e re dhe gëzimin e shpresës që tani.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve
Vëllezër, nëse u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit. Dëshironi gjërat që janë lart e jo këto përmbi tokë! Sepse vdiqët dhe jeta juaj është e fshehur me Krishtin në Hyjin. U kur të duket Krishti, jeta juaj, atëherë edhe ju bashkë me Të do të shfaqeni plot lavdi. Fjala e Zotit.
Ndjekësorja
Flijes s’ngjallur t’Pashkëve tona
T’i këndojë t’k’shterit goja-goja;
Qengji delet i liroi,
M’katarët Krishti i shëlboi
Me Atin duke i pajtuar.
Jeta e vdekja n’dyluftim,
u përleshën mrekull, shqim:
Prisi i Jetës vdekur ra,
Por u ngjall: sundon panda.
Na trego, ti o Mari,
çka ke parë me ata sy?
Kam parë varrin e Krishtit të gjallë
dhe lavdinë e atij që u ngjall.
I pashë engjëjt dëshmitarë,
rizën, petkat t’vëna palë.
U ngjall Krishti e imja shpresë,
para u del n’rreth t’Galilesë.
U ngjall Krishti përnjëmend!
Mbret, fitues – mëshirë përgjithkënd.
Amen! Aleluja.
Aleluja
Krishti Qengji ynë i Pashkëve është flijuar; prandaj le të kremtojmë në Zotin.
Aleluja
Ungjilli Gjn 20, 1-9
Shpresa e Marisë, e Gjonit dhe e Pjetrit është vënë përpara provës së vështirë kur panë varrin bosh dhe kërkuan praninë e të ngjallurit, por përjetuan përvojën e dhimbshme të mungesës së tij. Besimi i tyre në Krishtin e ngjallur fillon me një zhgënjim, me një mahnitje, me një ngjarje të papritur. Akoma sot të krishterët duke kundruar varrin bosh të Krishtit mund të kuptojnë se Hyji është më i madh se dëshirat dhe shpresat tona njerëzore.
Leximi i Ungjillit së shenjtë sipas Gjonit
Ditën e parë të javës, në mëngjes, ende pa dalë drita, erdhi Maria Magdalenë te varri dhe pa se guri ishte hequr prej varrit. Atëherë erdhi me vrap te Simon-Pjetri dhe tek ai nxënësi tjetër, të cilin Jezusi e donte, dhe u tha: “E kanë marrë Zotërinë prej varrit e nuk dimë se ku e kanë vënë”. Atëherë dolën Pjetri dhe ai nxënësi tjetër e u nisën drejt varrit. Vraponin të dy bashkë, por ai nxënësi tjetër ia kaloi Pjetrit dhe arriti i pari te varri. Ai u përkul dhe pa pëlhurat e vëna aty, por nuk hyri. Ndërkaq mbërriti edhe Simon-Pjetri që po vinte mbas tij dhe hyri në varr. I pa pëlhurat e vëna dhe rizën që pati qenë në krye të Jezusit. Kjo nuk ishte me pëlhura, por veçmas e palosur në një vend. Atëherë hyri edhe ai nxënësi tjetër, që mbërriti i pari te varri, pa e besoi. Në të vërtetë, ende nuk e kishin kuptuar Shkrimin shenjt: se duhej që Ai të ngjallej së vdekuri. Fjala e Zotit/
POROSIA
Projektet e Hyjit janë aq të ndryshme nga tonat, saqë edhe sot nuk i kuptojmë. Maria e Magdalas ditën pas së shtunës shkon herët në mëngjes në varrin e Jezusit për të takuar personin e dashur që ka vdekur. Por varri është bosh dhe i Kryqëzuari tashmë është ringjallur.
Njeriu, Jezusi i Nazaretit që armiqtë e tij e kishin dënuar me vdekje mbi kryq nuk është më i burgosur i vdekjes, por është ringjallur. Dishepujt “nuk e kishin kuptuar akoma Shkrimin e Shenjtë”. Nuk e kishin hapur akoma zemrën ndaj dritës së ringjalljes. Edhe sot është e madhe injoranca përballë ringjalljes.
Gjoni “pa dhe besoi”. Ne duhet të themi më mirë: dhe “ai nuk pa asgjë, prandaj besoi”. Besimi në praninë e Krishtit bazohet në faktin se Ai mungon, sepse Ai nuk mund të shihet dhe nuk mund të preket me shqisat. Arsyeja nuk kupton, por dashuria ndihmon zemrën të hapet dhe të besojë. Është intuita e dashurisë që i lejon Gjonit të shohë e të besojë para gjithë të tjerëve. Të kremtojmë Pashkët do të thotë për ne të vrapojmë drejt varrit bosh dhe të zbulojmë me dritën e Shpirtit praninë e të Ngjallurit. Edhe ne jetojmë shpesh në situata vdekjeje pa shpresë, por i Ringjalluri na dhuron në Eukaristi gëzimin e shpresës. Të kremtojmë Pashkët do të thotë të kujtohemi që secili prej nesh do të shpëtohet, që asgjë dhe askush s’do mund të na vjedh atë që është mbi gjithçka: dashurinë e Hyjit për ne. Pashka na kujton se e mira dhe dashuria nuk do të vdesin kurrë.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër e motra, duke kremtuar në këtë ditë hiri fitoren e Krishtit mbi vdekjen, bashkojmë zërat tanë për të thirrur nga Ati qiellor pasurinë e dhuratave të Pashkëve.
L. Të lutemi duke thënë: Për Krishtin e ngjallur, dëgjona, o Atë.
L. Për Papën dhe barinjtë e Kishës që të drejtojnë gjithmonë popullin e të pagë-zuarve me dashuri e dituri. Të lutemi
L. Për të gjithë ata që angazhohen për të ndërtuar një botë më të mirë, që të bëhen imitues të Krishtit që ka dhënë jetën e tij për të gjithë. Të lutemi
L. Për të krishterët, që të mos harrojnë kurrë që besimi i tyre jetohet në çdo situatë. Të lutemi
L. Që pjesëmarrja në këtë Eukaristi të na rijapë forcën e nevojshme për shpalljen dhe dëshminë në jetën tonë. Të lutemi
M. O Hyj i çdo ngushëllimi, dëgjoji thirrjet e bijve të tu në këtë ditë galdimi për Kishën: jepi atij që njeh forcën çliruese të vdekjes dhe ngjalljes së Birit tënd hirin që të arrijë të shijojë përgjithmonë gëzimin e jetës së pafund. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.
(eccelsia.al)