E Diela e Larit – viti B
Ritet Fillestare dhe Procesioni – Përkujtimi i hyrjes së Zotit në Jeruzalem
Vëllezër e motra: Qysh prej fillimit të kreshmëve i përgatitëm zemrat tona me pendesë dhe me vepra dashurie; sot jemi bashkuar, që me mbarë Kishën të bëhemi gati për misterin e Pashkëve të Zotit tonë, domethënë për misterin e mundimeve dhe të ngjalljes së tij, për të cilin edhe hyri në Jerusalem, qytetin e vet. Prandaj ta ndjekim Krishtin me fe të gjallë dhe përkushti, duke e përkujtuar këtë hyrje shpëtimprurëse, pasi me anë të hirit u bëmë pjesëtarë të kryqit, të kemi pjesë në ngjalljen dhe jetën e tij.
Të lutemi
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, shenjtëroji me bekimin tënd + këta rrema, që ne, të cilët me gëzim po e përcjellim Krishtin Mbret, nëpër të të mund të arrijmë në Jerusalem të amshuar. Ai që jeton dhe mbretëron në shekujt e shekujve.
Dhe i stërpik rremat me ujë të bekuar.
Ungjilli Mk 11, 1-10
Një profet duhet të vdesë në Jeruzalem: është pikërisht kjo arsyeja që Jezusi hyn në qytetin e vet ku do të kryhet fati i tij. Paraqitet si një Mesi i varfër; nuk përdor një kalë të fuqishëm si atë të mbretërve, por një gomar të zakonshëm. Fitorja e Jezusit në thjeshtësinë dhe varfërinë e tij tërheq rreth vetes ligësinë dhe arrogancën e të mëdhenjve.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
Kur iu afruan Jerusalemit, te Betfaga e te Betania, afër Malit të Ullinjve, Jezusi i dërgoi dy prej nxënësve të vet dhe u tha: “Shkoni në fshatin që është para jush. Posa të hyni, do ta gjeni një gomar të lidhur, të cilit askush ende nuk i hypi në shpinë. Zgjidheni e ma bini. Po qe se ndokush ju pyet: ‘Çka po bëni ashtu?’ – përgjigjuni: ‘Po i duhet Zotërisë’, dhe ai menjëherë do ta kthejë prapë këtu.” Ata shkuan, e gjetën gomarin e lidhur përjashta te dera në rrugë dhe e zgjidhën. Disa që ndodhën aty i pyetën: “Çka po bëni? Pse po e zgjidhni gomarin?” Nxënësit përgjigjën si u kishte thënë Jezusi. Nuk i penguan. Ata ia çuan gomarin Jezusit, qitën mbi të petkat e veta dhe Jezusi hypi në të. Shumë njerëz i shtrinë petkat e veta udhës e disa tjerë gemat që këputnin nëpër ara. Si ata që shkonin para Jezusit, si ata që i shkonin pas, klithnin: “Hosana! Qoftë bekuar ai që vjen në Emër të Zotit! Qoftë bekuar Mbretëria që po vjen e atit tonë Davidit! Hosana në qiejtë më të lartat!” Fjala e Zotit.
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Is 50, 4-7
Profeti Isaia shumë vjet më parë prezanton shërbëtorin e Zotit që pranon persekutime për dashurinë e popullit të tij. Ai mëson nga Hyji si të reagojë duke përdorur forcën e jo dhunës, ai i beson mbrojtjen e tij vetë Hyjit. Kështu i ndodhi Jezusit gjatë mundimeve të tij: pranoi poshtërimet për të çliruar zemrën e njeriut nga errësirat e urrejtjes.
Lexim prej Librit të Isaisë profet
Zoti Hyj ma dha një gjuhë të ditur që të di ta përforcoj me fjalë të lodhurin. Çdo mëngjes veshin ma zgjon që të dëgjoj siç dëgjon nxënësi. Zoti Hyj ma hapi veshin, s’kundërshtova, nuk u zmbrapsa. Shpinën ua solla atyre që më rrahnin, mollëzat e mia atyre që ma shkulnin mjekrrën: fytyrën time nuk e largova nga të sharat e pështymat. Zoti Hyj është ndihmëtari im, këndej edhe s’jam i tronditur, prandaj fytyrën time e bëra të fortë si stralli, pse e di se s’do të mbetem i turpëruar. Fjala e Zotit.
Psalmi 22
Ref: O Zot, o Zot, përse hoqe dorë prej meje?
————————————————
Gjithkush më shikon, më përqesh,
shtrembërojnë buzët, luajnë me kokë:
“Shpresoi në Zotin: le ta lirojë,
le ta shpëtojë sepse i pëlqen Atij!”
————————————————
Më rrethuan qen me shumicë,
turmë bakëqijsh më rrethuan gjithkah.
M’i shporuan duart e këmbët,
mund t’i numëroj të gjithë eshtrat e mi.
————————————————
Petkat e mia ndër vete i ndajnë,
e mbi petkun tim qeshin short.
Por ti, o Zot, mos rri larg meje,
fuqia ime shpejto të më ndihmosh!
————————————————
E unë do t’ua shpall vëllezërve Emrin tënd,
do të të lavdëroj në kuvendin e dheut:
“Ju që e druani Zotin, lëvdojeni atë,
mbarë fara e Jakobit, lëvdojeni atë!
Të gjithë pasardhësit e Izraelit, nderojeni atë.”
————————————————
Leximi i dytë Fil 2, 6-11
Shën Pali tregon se Jezusi ka pranuar plotësisht vdekjen në kryq. Ai u bë njeri me anë të mishërimit dhe u bë shërbëtor i njerëzve me anë të mundimeve. Jezusi duke pranuar lirisht dhe për dashuri planin e Atit gjatë mundimeve ka arritur fitoren e amshuar të ngjalljes.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Filipianëve
Krishti Jezus, i cili, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të, por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri. E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër, që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë, dhe çdo gjuhë të dëshmojë: “Jezu Krishti është Zot!” Në nder të Hyjit Atë. Fjala e Zotit.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Krishti për ne u bë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi, dhe i dha emrin që është mbi çdo emër.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ungjilli Mk 14, 1 – 15, 47
Marku paraqet Jezusin në Ungjill si Mesia i rrethuar nga qetësia dhe fshehtësia. Jezusi e jeton këtë vetmi në Gjetseman, gjatë mundimeve dhe mbi kryq. Vdekja e tij është e karakterizuar nga kjo vetmi e plotë.
Mundimi i Zotit tonë Jezu Krishtit sipas Markut.
Lexuesi: Pas dy ditësh do të ishin Pashkët dhe festa e Bukëve të Pabrume. Krypriftërinjtë dhe skribët kërkonin mënyrën si ta zënë me dredhi Jezusin e ta vrasin. Sepse thoshin:
Grupi: “Jo në Festë, assesi, që të mos bëhet kryengritje në popull.”
Lexuesi: Jezusi ishte në Betani, në shtëpinë e Simonit të Gërbulur. Ndërsa ishte ulur të hajë bukë, hyri një grua me enë alabastri me erëra të mira nardi të pastër e të shtrenjtë. E theu enën prej alabastri dhe ia zbrazi Jezusit mbi kokë. Për këtë punë disa u hidhëruan dhe i thoshin njëri-tjetrit:
Grupi: “Pse të derdhet ky parfum? Parfumi mundi të shitej më shumë se treqind denarë e t’u jepeshin skamnorëve.”
Lexuesi: Dhe e prozhmonin atë grua. Jezusi u tha:
Jezusi: “Lënie! Pse po e trazoni ‑ u tha Jezusi. ‑ Ajo kreu një vepër të mirë kundrejt meje. Sepse, skamnorët do t’i keni gjithmonë me vete dhe do të mund t’u bëni mirë kur të doni, përkundrazi mua nuk do të më keni gjithherë. Ajo bëri çka mundi: që më parë ma leu trupin tim për varrim. Përnjëmend po ju them: kudo që ‑ në botën mbarë ‑ do të predikohet Ungjilli, do të tregohet edhe çka bëri kjo ‑ në përkujtimin e saj.”
Lexuesi: Judë Iskarioti, njëri prej të Dymbëdhjetëve, shkoi te kryepriftërinjtë që t’ua dorëzojë Jezusin. Kur ata dëgjuan, u gëzuan dhe i premtuan se do t’i japin të holla. Juda kërkonte rastin e volitshëm për ta tradhtuar. Ditën e parë të Pabrumeve, kur flijohej qengji i Pashkëve, nxënësit e tij i thanë:
Nxënësit: “Ku dëshiron të shkojmë e ta përgatisim darkën e Pashkëve?”
Lexuesi: Jezusi i dërgoi dy prej nxënësve të vet dhe u tha:
Jezusi: “Shkoni në qytet e atje do t’ju takojë një njeri që mbart një katrovë uji: shkoni pas tij. Ku të hyjë ai, thuajini të zotit të shtëpisë: ‘Mësuesi thotë: ku është salloni im, ku do të mund të ha Pashkë me nxënësit e mi?’ Ai do t’ju tregojë në katin e sipërm një sallon të madh, të shtruar e të përgatitur. Aty na përgatitni darkën.”
Lexuesi: Nxënësit u nisën, arritën në qytet dhe gjetën gjithçka ashtu si u kishte thënë dhe e përgatitën darkën e Pashkëve. Kur u bë natë, Jezusi erdhi me të Dymbëdhjetët. Ndërsa ishin në tryezë dhe po hanin, Jezusi u tha:
Jezusi: “Për të vërtetë po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë: njëri që po ha me mua.’“
Lexuesi: Nxënësit u trishtuan e filluan ta pyesin njëri pas tjetrit:
Nxënësit: “A mos jam unë?”
Lexuesi: Jezusi iu përgjigj:
Jezusi: “Njëri prej të Dymbëdhjetëve! Një që po ngjyen me mua në pjatë. Njëmend, Biri i njeriut po shkon, siç u shkrua për të, por i mjeri ai që po e tradhton Birin e Njeriut! Më mirë do të kishte qenë për të që as të mos kishte lindur fare!”
Lexuesi: Ndërsa po hanin darkë, Jezusi mori bukën e bekoi Hyjin, e theu, ua dha e tha:
Jezusi: “Merrni, ky është trupi im!”
Lexuesi: Pastaj mori gotën, u falënderua e ua dha. Të gjithë pinë prej saj. U tha:
Jezusi: “Ky është gjaku im, gjaku i Besëlidhjes, që derdhet për të gjithë. Për të vërtetë, po ju them: nuk do të pi më prej frytit të hardhisë deri atë ditë, kur do ta pi të ri në Mbretërinë e Hyjit.”
Lexuesi: Pasi kënduan himnin, u nisën drejt Malit të Ullinjve. Jezusi u tha:
Jezusi: “Të gjithë ju do të shkandulloheni në mua, sepse Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Do t’i bie bariut, e delet do të shpërndahen.’ Por, pasi të ngjallem do t’ju dal para në Galile.”
Lexuesi: Atëherë Pjetri i tha:
Pjetri: “Në qoftë se të gjithë do të shkandullohen, unë jo, assesi!”
Lexuesi: Jezusi iu përgjigj Pjetrit:
Jezusi: “Për të vërtetë, po të them: sot, pikërisht sonte, para se të këndojë gjeli dy herë, tri herë do të më biesh mohit.”
Lexuesi: Pjetri ngulte këmbë edhe më tepër në fjalën e vet:
Pjetri: “Edhe nëse do të më duhet të vdes bashkë me ty, unë nuk do të të mohoj!”
Lexuesi: Po ashtu thoshin edhe të gjithë të tjerët. Dhe arritën në vendin që quhej Gjetseman. Atëherë Jezusi u tha nxënësve të vet:
Jezusi: “Rrini këtu derisa të lutem.”
Lexuesi: Mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe filloi ta kapë frika dhe ta ndiejë veten ngushtë, e u tha:
Jezusi: “Shpirti im është i trishtuar për vdekje. Mos u largoni, e rrini zgjuar!”
Lexuesi: U largua pak, ra përmbys për dhé e lutej që, nëse ishte e mundur, t’i rrijë larg ai çast. E thoshte:
Jezusi: “Abba! Atë, ti mundesh gjithçka! Largoje prej meje këtë gotë, por jo çka dua unë, por çka do ti!”
Lexuesi: U kthye, i gjeti fjetur dhe i tha Pjetrit:
Jezusi: “Simon, a po fle? Po a nuk qe i zoti të rrish zgjuar për një orë të vetme? Rrini zgjuar dhe lutuni të mos bini në tundim. Shpirti është i gatshëm, por trupi është i ligshtë.”
Lexuesi: Përsëri u largua dhe u lut duke thënë të njëjtat fjalë. Kur u kthye prapë i gjeti fjetur, sepse sytë u ishin rënduar. Nuk dinin as ç’ t’i përgjigjeshin. Erdhi të tretën herë dhe u tha:
Jezusi: “Ende po flini e po pushoni? Mjaft më! Erdhi ora! Ja, Biri i njeriut po lëshohet në duar të mëkatarëve. Çohuni të shkojmë! Ja, po afrohet ai që po më tradhton!”
Lexuesi: Ndërkohë që ai ende po fliste, ia behu Juda, njëri prej të Dymbëdhjetëve e bashkë me të një shumicë e madhe njerëzish me shpata e me shkopinj, të dërguar prej kryepriftërinjve, prej skribëve e prej pleqve. Tradhtari i tij u kishte dhënë këtë shenjë:
Juda: “Kë të puth unë, ai është. Atë kapni e merreni me vete me kujdes të madh!”
Lexuesi: Si arriti, menjëherë iu afrua Jezusit, i tha:
Juda: “Rabbi!”
Lexuesi: dhe e puthi. Ata vunë dorë në të dhe e kapën. Njëri prej të pranishëmve nxori shpatën, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia shkurtoi veshin. Jezusi mori fjalën dhe u tha:
Jezusi: “Paskeni ardhur me shpata e me shkopinj të më kapni sikurse unë të isha cub! E, pra, përditë isha me ju në Tempull duke mësuar e nuk më kapët… Ani, le të shkojë në vend Shkrimi i shenjtë!”
Lexuesi: Atëherë të gjithë nxënësit e lanë dhe ikën. E një djalosh, i mbështjellë trupit vetëm me çarçaf, po shkonte pas Jezusit. Ata e kapën. Ky lëshoi çarçafin e iku lakuriq. Ata e çuan Jezusin te kryeprifti, ku u mblodhën të gjithë kryepriftërinjtë, pleqtë dhe skribët. Pjetri e përcolli prej së largu deri në oborr të kryepriftit. Po rrinte aty bashkë me shërbëtorë dhe po nxehej pranë zjarrit. Krerët e priftërinjve dhe mbarë Këshilli i lartë kërkonin ndonjë dëshmi kundër Jezusit për ta vrarë, po nuk e gjenin. Njëmend shumë vetë dëshmuan rrejshëm kundër tij, porse dëshmitë nuk ishin në përkim. Disa u çuan e dëshmuan rrejshëm kundër tij e thanë:
Grupi: “Ne e kemi dëgjuar duke thënë: ‘Unë do ta rrënoj këtë Tempull të punuar me dorë njeriu dhe për tri ditë do ta ndërtoj një tjetër që s’do të jetë i punuar me dorë. ’“
Lexuesi: Por dëshmia e tyre as në këtë pikë nuk ishte në përkim. Atëherë u ngrit kryeprifti në mes të Këshillit dhe e pyeti Jezusin me këto fjalë:
Kryeprifti: “Pse nuk po përgjigjesh asgjë? Çka po dëshmojnë këta njerëz kundër teje?”
Lexuesi: Jezusi heshte. Nuk u përgjigj asgjë. Kryeprifti prapë e pyeti e i tha:
Kryeprifti: “A je ti Mesia, Biri i Hyjit të Bekuar?”
Lexuesi: Jezusi iu përgjigj:
Jezusi: “Unë jam! Po edhe ju ‘do ta shihni Birin e njeriut duke ndenjur në anën e djathtë të Hyjit të gjithëpushtetshëm, dhe duke ardhur me re të qiellit.’“
Lexuesi: Atëherë kryeprifti i shqeu petkat e veta dhe tha:
Kryeprifti: “Ç’na duhen më dëshmitarët? Ju vetë e dëgjuat blasfeminë. Ç’ ju thotë mendja?”
Lexuesi: Të gjithë gjykuan se meritonte të vritej. Atëherë disa filluan ta pështyjnë, t’ia mbulojnë fytyrën e ta rrahin me grushta e t’i thonë:
Grupi: “Profetizo!”
Lexuesi: E shërbëtorët i binin shuplaka. Ndërsa Pjetri ishte poshtë në oborr, erdhi një shërbëtore e kryepriftit, dhe kur e pa Pjetrin duke u ngrohur, ia lëshoi mirë sytë dhe i tha:
Shërbëtorja 1.: “Edhe ti ishe me këtë Nazarenas, me Jezusin.”
Lexuesi: Ai e mohoi me këto fjalë:
Pjetri: “As s’di as s’po marr vesh se çka po flet.”
Lexuesi: Pastaj u çua e doli në treme (edhe gjeli këndoi). Shërbëtorja, kur e pa, filloi t’u flasë të pranishmëve:
Shërbëtorja 2: “Ky është një prej tyre!”
Lexuesi: Pjetri prapë mohoi. Pak më vonë edhe ata që ishin aty i thanë Pjetrit:
Grupi: “Me të vërtetë, ti je një prej tyre! Se edhe ti galileas je!”
Lexuesi: Atëherë ai ia filloi të lëshojë be e rrufe:
Pjetri: “Unë nuk e njoh atë njeri për të cilin po flisni.”
Lexuesi: Menjëherë gjeli këndoi për së dyti e Pjetrit iu kujtua fjala që Jezusi ia tha: “Para se gjeli të këndojë dy herë, tri herë do të më mohosh.” Dhe shpërtheu në vaj.
Menjëherë në mëngjes krerët e priftërinjve mbajtën kuvend bashkë me pleq e me skribë ‑ mbarë Këshilli i lartë e, pasi Jezusin e lidhën, e çuan dhe ia dorëzuan Pilatit. Pilati e pyeti:
Pilati: “A je ti mbreti i judenjve?”
Jezusi: “Ti thua!”
Lexuesi: ‑ iu përgjigj Jezusi. Kryepriftërinjtë e paditnin rëndë. Pilati e pyeti përsëri:
Pilati: “Pse s’po përgjigjesh asgjë? Shih se sa po të padisin!”
Lexuesi: Jezusi s’u përgjigj më asgjë, aq sa Pilati mbeti i habitur.
Pilati për çdo të kremte të Pashkëve u lëshonte atë të burgosur që ata kërkonin. Në atë kohë ishte në burg një njeri që quhej Barabë, i burgosur bashkë me kryengritës të tjerë, të cilët në një kryengritje kishin bërë vrasje. Njerëzit u ngjitën lart e filluan të kërkojnë prej Pilatit të bëjë atë që kishte zakon të bëjë për ta. Pilati iu përgjigj:
Pilati: “A doni t’jua lëshoj mbretin e hebrenjve?”
Lexuesi: Sepse e dinte mirë se kryepriftërinjtë e kishin dorëzuar prej smire. Por kryepriftërinjtë e nxitën turmën t’ua lëshojë më mirë Barabën. Pilati foli përsëri dhe u tha:
Pilati: “Çka (doni) të bëj me atë që (ju thoni se) është mbreti i judenjve?
Lexuesi: Ata përsëri bërtitën:
Populli: “Kryqëzoje!”
Lexuesi: Pilati u tha:
Pilati: “Po ç’të keqe ka bërë?”
Lexuesi: Por ata bërtitën edhe më të madhe:
Populli: “Kryqëzoje!”
Lexuesi: Pilati, duke dashur të kënaqë turmën, ua lëshoi Barabën, kurse Jezusin, pasi e frushkulloi, ua dha ta kryqëzojnë. Ushtarët e shtinë Jezusin brenda pallatit ‑ d. m. th. në pretorium, dhe e bashkuan mbarë kohortën. E veshën me mantel të kuq dhe në kokë i vunë një kurorë të gërshetuar me ferra. Atëherë filluan ta përshëndesin:
Grupi: “Të falemi, mbreti i judenjve!”
Lexuesi: Dhe i binin kresë me kallam, e pështynin dhe, duke u gjunjëzuar para tij, kinse e nderonin. Pasi e vunë në lojë, ia hoqën mantelin e kuq, ia veshën petkat e tij dhe e hodhën përjashta për ta kryqëzuar. Ushtarët e detyruan një kalimtar që po kthehej nga fusha, Simonin prej Cirenës, babanë e Aleksandrit e të Rufit, të mbartë kryqin e Jezusit.
Jezusin e çuan në një vend që quhet Golgota, që në përkthim do të thotë: ‘Vendi i Kafkës’. I dhanë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori. Atëherë e kryqëzuan dhe: ‘i ndanë petkat e tij, duke hedhur short’ ‑ çka t’i bjerë secilit.
Ishte ora tre kur e kryqëzuan. Ishte i shkruar mbishkrimi i fajit të tij: “Mbreti i judenjve.” Bashkë me të kryqëzuan edhe dy cuba, njërin në anën e tij të djathtë, kurse tjetrin në të majtën e tij. Kalimtarët e shanin ‘duke tundur kokën’ e thoshin:
Populli: “Hej, ti që e rrënon Tempullin dhe e rindërton për tri ditë, shpëtoje, deh, veten, zbrit prej kryqit!”
Lexuesi: Po ashtu edhe kryepriftërinjtë e skribët e vinin në lojë me njëri-tjetrin dhe thoshin:
Grupi: “Të tjerët i shpëtoi, por veten s’mund ta shpëtojë! Mesia! Mbreti i Izraelit! Le të zbresë tani nga kryqi që ta shohim e të besojmë!”
Lexuesi: E fyenin edhe ata që ishin të kryqëzuar me të. Kur u bë ora gjashtë errësira e mbuloi mbarë dheun deri në orën nëntë. Në orën nëntë Jezusi lëshoi një gjëmë të madhe:
Jezusi: “Eloi, Eloi, lema sabahthani?”
Lexuesi: Që përkthehet:
Jezusi: “Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje?”
Lexuesi: Disa prej atyre që ishin pranë, kur e dëgjuan, thanë:
Grupi: “Qe, po thërret Elinë!”
Lexuesi: Njëri prej tyre u lëshua me vrap, e lagu shpuzën në ‘uthull’, e vuri në kallam, ia dha ta ‘pijë’ duke thënë:
Grupi: “Lëreni të shohim pale a po vjen Elia ta ulë nga kryqi!”
Lexuesi:: Jezusi lëshoi një britmë të madhe ‑ e dha shpirt.
Në këtë moment meshtari së bashku me mbarë popullin bien në gjunjë dhe qëndrojnë disa minuta në qetësi.
Pastaj të gjithë çohen në këmbë dhe vazhdon leximi:
Lexuesi: Atëherë perdja e Tempullit u nda më dysh prej majës e deri në fund. Centurioni që rrinte përballë Jezusit, kur pa se si i doli shpirti, tha:
Centurioni: “Ky njeri paska qenë me të vërtetë Biri i Hyjit!”
Lexuesi: Prej së largu vërenin edhe disa gra. Ndër to ishte: Maria Magdalenë, Maria, nëna e Jakobit të Ri dhe e Jozefit, edhe Saloma, të cilat e kishin përcjellë dhe i kishin shërbyer kur ishte në Galile, edhe shumë të tjera që me të u ngjitën në Jerusalem. Kur u bë natë dhe, pasi ishte përgatitja ‑ d. m. th. nata e së shtunës ‑ erdhi Jozefi prej Arimatesë, këshilltar i shquar e që edhe ai priste Mbretërinë e Hyjit, mori guxim dhe hyri te Pilati e ia lypi trupin e Jezusit. Pilati, i habitur se kishte vdekur, thirri centurionin dhe e pyeti a kishte vdekur tashmë. Si mori vesh prej centurionit, ia dhuroi trupin Jozefit. Ky bleu pëlhurën, e uli nga kryqi Jezusin, e mbështolli në pëlhurë dhe e futi në varr të hapur në shkëmb. Pastaj rrokullisi një gur në grykë të varrit. Maria Magdalenë e Maria e Jozefit shikuan ku e vunë. Fjala e Zotit.
POROSIA
Është një dhuratë e madhe të ndalojmë në dëgjesë e në kundrim përballë Mundimeve. Zemra do të mbushet me mirënjohje. Jemi të pranishëm në dy skena: e para ajo e gëzimit, hyrja e Jezusit në Jerusalem, i brohoritur si mbret i një turme entuziaste; tjetra ajo e dhimbjes, tregimi i mundimeve të Zotit, një thesar i madh i paharrueshëm. Ditët e fundit të jetës së Shpëtimtarit vënë në dukje dashurinë e pakufishme të tij për ne.
Jezusi vetë kishte thënë: “Askush nuk ka një dashuri më të madhe se kjo: të japë jetën për miqtë e vet”. Kënga e shërbëtorit të vuajtur të Isaisë na bën të parashikojmë ndjenjat e Krishtit që përballet me mundimet e tij: ankthi dhe vetmia, por edhe guximi dhe besimi në fitoren përfundimtare. Shën Pali na flet për “poshtërimin” e Krishtit, i cili “poshtëron vetveten duke u bindur deri në vdekje dhe në një vdekje në kryq”.
Në mundimet e tij, Biri i Hyjit njeh pafundësinë e poshtërimit më të thellë: i arrestuar, i gjykuar dhe i dënuar me vdekje, i detyruar të çojë kryqin deri në Kalvar, vdes në kryq për ne. Por fitorja është tashmë shumë afër: do të ngjallet të tretën ditë! Neve Jezusi nuk na kërkon asgjë tjetër vetëm të mbajmë kryqin tonë bashkë me të. Tregimi i mundimeve sipas Markut na dërgon përpara kryqit, që edhe ne, siç i ndodh Centurionit romak, të njohim në atë burrë të kryqëzuar Birin e Hyjit. Kryqi, i mbjellë mbi tokën tonë, bëhet vegla e vetme dhe vlefshme e shpëtimit njerëzor.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër, duke filluar javën e shenjtë të jemi të gatshëm për të ndjekur Jezusin që hyn në Jerusalem për t’u ngjitur mbi kryq. T’i kërkojmë Atit që të dimë të pranojmë dashurinë e tij.
L. Të lutemi së bashku e të themi: Për mundimet e Birit tënd, na dëgjo, o Atë.
L. Për meshtarët, ministrat e Eukaristisë, që të ndihmojnë besimtarët për të kuptuar çfarë është flia e Kalvarit, që ripërtërihet çdo ditë mbi altar. Të lutemi.
L. Për përgjegjësit e shoqërisë qytetare, që të nxisin të mirën e përbashkët të qytetarëve, solidaritetin drejt atyre që janë në nevojë dhe paqen mes popujve. Të lutemi.
L. Për burrat dhe gratë e kohës sonë, që të tërhequr nga Zoti i kryqëzuar, të kuptojnë se deri në ç’pikë ai i ka dashur dhe të bëhen dishepujt e tij. Të lutemi.
L. Për të rinjtë që në jetën e tyre të bëhen ndërtues të paqes duke u vënë në shërbim të atyre që janë më të varfër, më të dobët dhe të braktisur. Të lutemi.
L. Për ne këtu të pranishëm, që si dishepuj të vërtetë të Krishtit të mbajmë me guxim dhe besnikëri kryqin e tij për shpëtimin e botës. Të lutemi.
M. Dëgjoje, o Atë, lutjen e popullit tënd që kremton mundimet e Birit tënd. Bëj që, pasi ta kemi thirrur në ditën e gëzimit, të dimë ta ndjekim në orën e errët dhe jetëdhënëse të kryqit. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.
(ecclesia.al)