E diela V e Kreshmëve – viti B
Leximi i parë Jer 31, 31-34
Pabesnikëria e hebrenjve ndaj besëlidhjes me Hyjin e ka çuar popullin në skllavëri. Por Hyji qëndron besnik, nuk e mohon popullin e tij. Por kur hebrenjtë provojnë përsëri përvojën e internimit, profeti paralajmëron një marrëveshje të re të Hyjit me popullin e vet. Ligji nuk do të jetë më i shtypur mbi tavolinën prej guri, por në zemrën e njeriut.
Lexim prej Librit të Jeremisë profet
Ja, po vijnë ditët – është fjala e Zotit – kur do të lidh me shtëpinë e Izraelit e me shtëpinë e Judës një Besëlidhje të re. Jo si Besëlidhja që e pata bërë me etërit e tyre, atë ditë kur i mora për dore, për t’i nxjerrë nga toka e Egjiptit. Këtë Besëlidhje ata e thyen. Atëherë unë u dëftova se jam zotëria i tyre – është fjala e Zotit. Por ja Besëlidhja që unë do ta lidh pas këtyre ditëve me shtëpinë e Izraelit – është fjala e Zotit: Në shpirtin e tyre do ta fus Ligjin tim, do ta shkruaj në zemrën e tyre. Atëherë do të jem Hyji i tyre e ata do të jenë populli im. Dhe atëherë s’do të kenë nevojë ta mësojë njëri-tjetrin e vëllai vëllanë: ‘Njihe Zotin!’, sepse të gjithë do të më njohin, prej më të voglit e deri në më të madhin – thotë Zoti – sepse do ta fal fajësinë e tyre e s’do ta kujtoj më mëkatin e tyre.” Fjala e Zotit.
Psalmi 51
Ref. Krijoje në mua, o Hyj, një zemër të pastër
——————————————-
Ki mëshirë për mua, o Hyj,
sipas mëshirës sate,
pashë mirësinë tënde shlyeje mëkatin tim!
Më laj krejtësisht prej mëkatit tim
e më pastro prej fajit tim.
——————————————-
Krijoje në mua, o Hyj, zemrën e pastër,
përtërij në mua një shpirt të qëndrueshëm!
Mos më flak larg fytyrës sate,
mos e hiq prej meje shpirtin tënd të shenjtë.
——————————————-
Ma kthe gëzimin e shpëtimit tënd,
dhe më forco me shpirt të gatshëm.
E unë do t’ua mësoj mëkatarëve udhën e shëlbimit,
e fajtorët do të kthehen tek ti.
——————————————-
Leximi i dytë Heb 5, 7-9
Pali na përshkruan agoninë e Jezusit në Gjetseman dhe na shfaq Jezusin, njeriun e vuajtur që i lutet Atit. Në atë natë ankthi, Krishti është bërë kryetar dhe meshtar i një njerëzimi të ripërtërirë. Hyji fton të gjithë të krishterët të marrin mbi vete peshën e dhimbjes njerëzore, për të qenë si Krishti njerëz që u dhurohen të tjerëve.
Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
Krishti, në ditët e jetës së vet këtu mbi tokë, i kushtoi urata dhe lutje me ofshame të mëdha dhe me lot Atij që mundte ta shpëtonte nga vdekja, dhe qe vështruar për shkak të nënshtrimit të vet. Ai, megjithëse ishte Bir, mësoi nga ato që pësoi të jetë i dëgjueshëm dhe, pasi e fitoi përsosmërinë, për të gjithë ata që e dëgjojnë, u bë shkaku i shëlbimit të amshuar. Fjala e Zotit.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Kush do të më shërbejë, le të vijë mbas meje. Ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ungjilli Gjn 12, 20-33
Në këtë pjesë është përshkruar paradoksi i Ungjillit: për të fituar mbi vdekjen është e nevojshme të lejojmë që të shtypemi nga vdekja; për të arritur fitoren është e nevojshme të jetojmë momentin e mundimeve; për të jetuar është e nevojshme të vdesësh. Jezusi nuk vdes për t’u dekompozuar, por për të rikrijuar një shumicë personash. Zgjedhjet e dhimbshme të tanishme nuk janë vetëm humbje, por i japin jetë një të ardhmeje më të bukur.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në atë kohë, ndër ata që kishin ardhur në festë për të adhuruar, ishin edhe disa grekë. Ata iu afruan Filipit, që ishte prej Betsaidës së Galilesë, dhe iu lutën: “Zotëri, dëshirojmë ta shohim Jezusin.” Filipi shkoi dhe i tha Andreut; Andreu e Filipi shkuan e i treguan Jezusit. Jezusi u përgjigji: “Arriti ora të lavdërohet Biri i njeriut. Përnjëmend, përnjëmend po ju them: nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes, jet e vetme; po nëse vdes, jep shumë fryt! Kush e do jetën e vet, do ta humbë. Ai që e urren jetën e vet në këtë botë, ai do ta ruajë për jetën e pasosur. Kush do të më shërbejë, le të vijë mbas meje. Ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im. Atë që do të më shërbejë, do ta nderojë Ati im. Tani shpirtin e kam të tronditur, e ç’të them? O Atë, më shpëto nga kjo orë? Porse, fill për këtë erdha në këtë orë! O Atë, jepi lavdi Emrit tënd!”. Ndërkaq jehoi një zë prej qiellit: “E lavdërova dhe prapë do ta lavdëroj!” Tashti, populli që ishte pranë dhe po dëgjonte, thoshte: “Bubulloi!” Tjerë thoshin: “Engjëlli foli me të!” Jezusi u përgjigji: “Ky zë nuk jehoi për mua, por për ju! Tani erdhi dita të gjykohet kjo botë, tani princi i kësaj bote do të hidhet jashtë! E unë, kur të jem lartësuar nga toka, do t’i tërheq tek unë të gjithë njerëzit.” Foli kështu për të shënuar se me ç’vdekje do të vdiste. Fjala e Zotit.
POROSIA
Në jetë të rritesh është e dhimbshme dhe e lodhshme, është pak a shumë si të vdesësh. Një jetë ka kuptim vetëm nëse dhurohet, përdoret për diçka të madhe, përndryshe është e dështuar.
“Ndër ata ishin edhe disa grekë”. Ata megjithëse nuk bënin pjesë në popullin e Izraelit, nderonin Hyjin duke respektuar fenë hebraike. Prania e tyre tregon se shpëtimi është universal. Ata dëshirojnë ta shohin Jezusin e shkojnë te Filipi dhe Andrea, që i shoqërojnë drejt Jezusit: kjo është ecja e fesë.
“Arriti ora të lavdërohet Biri i njeriut”. Jezusi është plotësisht i vetëdijshëm për vdekjen e tij tragjike, e që ajo përputhet me çastin e lavdisë së tij. “Nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe …”. Kokrra e grurit që duhet të vdesë për të dhënë fryte nënvizon pjellorinë e nevojën e vdekjes së tij. Lavdia e tij varet nga vuajtjet dhe vdekja, pranuar me dashuri nga duart e Atit.
“Kush e do jetën e vet, do ta humbë”. Jeta e kësaj bote, është në kontrast me jetën e amshuar. Ky kontrast është përforcuar nga foljet dua/urrej dhe humb/ ruaj. “Kush do të më shërbejë, le të vijë mbas meje”. Edhe dishepujt duhet të ndjekin rrugën e kryqit si mësuesi i tyre, duke pranuar edhe të humbasin jetën për Të. “Kur të jem lartësuar nga toka …”. Lartësimi i Jezusit mbi kryq është çasti i lavdisë së tij. I kryqëzuari i lavdëruar zotëron forcën për të shkatërruar të ligun e të tërheqë ndaj vetes ata që shohin në kryqin shpresën e vetme e rizgjimin e jetës.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër, në sakrificën e kryqit, Krishti na zbulon fuqinë e dashurisë. T’i kërkojmë Atit që të na shndërrojë e të na bëjë që t’i ngjajmë atij.
L. Të lutemi së bashku duke thënë: Na jep o Atë, shpirtin e Birit tënd.
L. Që Kisha e bashkuar me Jezusin, të jetë gjithmonë dritë që drejton njerëzimin për ta njohur atë si shpëtimtar. Të lutemi.
L. Që Papa, ipeshkvijtë, meshtarët e diakonët të dëshmojnë fenë në Krishtin duke u shërbyer vëllezërve. Të lutemi.
L. Që bota të dijë të pranojë farën e grurit të fjalës së Zotit të shpallur me dëshminë e veprave që bëjmë ne, që quhemi të krishterë. Të lutemi.
L. Që pjesëmarrja në këtë Eukaristi të na ushqejë me fjalën e me trupin e Zotit, dhe të na kthejë drejt Hyjit duke na afruar me ata që vuajnë në trup e në shpirt. Të lutemi.
M. O Atë, që në Birin tënd të bërë njeri nga Virgjëra, ke inaguruar besëlidhjen e re e të përjetshme, dëgjoje lutjen tonë: bëj që ecja e Kishës sate në botë të drejtojë krejt njerëzimin drejt jetës së vërtetë. Nëpër krishtin Zotin tonë. Amen.
(ecclesia.al)