Maria, shërbëtorja e përvuajtë që do ta lind Shëlbuesin

E diela IV e Ardhjes – viti B

 

Leximi i parë   2 Sam 7, 1-5.8-12.14.16

Davidi do të ndërtojë një shtëpi për Hyjin, por Hyji deklaron se do të jetë ai që do të ndërtojë shtëpinë e Davidit. Lavdia e Hyjit nuk gjendet në monumentet e shenjta, por në njeriun, krijesë e bërë në shëmbëlltyrën e Hyjit. Davidi do të vendosë Hyjin mes katër mureve të tempullit; por Hyji është kudo atje ku njeriu kultivon dashurinë dhe jeton me shpresë.

 

Lexim prej Librit të dytë të Samuelit

Kur mbreti David zuri të banojë në shtëpinë e vet e kur Zoti i dha paqe gjithkund nga armiqtë e tij përreth, i tha Natanit profet: “A po sheh! Unë banoj në pallat prej cedri, ndërsa Arka e Hyjit qëndron e vendosur nën lëkura!” Natani i tha mbretit: “Gjithçka ke në mend të bësh, bëje patjetër, sepse Zoti është me ty.”  Porse, mu atë natë, Natanit i qe drejtuar kjo fjalë e Zotit: “Shko e thuaji shërbëtorit tim Davidit: Kështu thotë Zoti: Po a thua ti do të më ndërtosh një shtëpi për të banuar? Tani kështu m’i thuaj shërbëtorit tim Davidit: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Unë të kam marrë ty prej kullotave ku ruaje grigjat për të qenë prijës mbi popullin tim Izraelin, dhe qeshë me ty gjithkund ngado udhëtove, i zhbiva të gjithë armiqtë e tu para fytyrës sate, dhe emrin tënd e bëra të madh si emrin e të mëdhenjve që janë mbi tokë.  Unë do t’ia caktoj popullit tim Izraelit një vend dhe aty do ta ngul dhe do të banojë në të dhe nuk do të endet më prej një vendi në një tjetër. Të mbrapshtit nuk do të guxojnë ta mundojnë më si më parë, prej ditës kur i caktova gjyqtarët mbi popullin tim, Izraelin, dhe do të të jap paqe prej të gjithë armiqve të tu. Edhe Zoti të parakallëzon se Zoti do të ta ndërtojë shtëpinë. Kur të jenë mbushur ditët e tua e të kesh pushuar pranë etërve të tu, do të të ngre një pinjoll tënd pas teje, që do të rrjedhë prej teje, dhe mbretërinë e tij unë do ta bëj të qëndrueshme. Shtëpia jote dhe mbretëria jote do të jenë përgjithmonë të qëndrueshme para meje. Edhe froni yt do të jetë i qëndrueshëm për amshim.” Fjala e Zotit

 

Psalmi   89

 

Ref: Zoti është besnik për amshim

————————————–

Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj,

brez pas brezi goja ime do të shpalle besnikërinë tënde.

Sepse the: “Hiri im qëndron për amshim”,

në qiell është e themeluar besnikëria jote!

————————————–

Bëra besëlidhje me të zgjedhurin tim,

i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim:

Farën tënde do ta ruaj për amshim,

froni yt do të qëndrojë brez pas brezi.

————————————–

Ai do të më thërrasë: ‘Ati im,

Hyji im, Qeta e shpëtimit tim!’

Për të gjithmonë do ta ruaj mëshirën,

Besëlidhjen me të kurrë s’do ta thyej.

————————————-

 

 

Leximi i dytë   Rom 16, 25-27

Për shumë veta mister do të thotë diçka që s’kuptohet. Për ne misteri është Krishti. Ai është plani i Hyjit që është zbuluar përpara në Besëlidhjen e Vjetër nëpërmjet profetëve dhe më pas në Besëlidhjen e Re nëpërmjet personit të Krishtit. Krishti na është zbuluar neve me fjalë dhe shenja njerëzore për të na tërhequr drejt bindjes së besimit të lirë dhe të përgjegjshëm. 

 

Leximi prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, Atij që mund t’ju forcojë – simbas Ungjillit tim dhe predikimit të Jezu Krishtit, simbas zbulesës së Misterit, të mbajtur fshehur për kohë të amshuara, por tani të shfaqur dhe, me anë të shkrimeve të profetëve, me urdhër të Hyjit të amshuar, të lajmëruar mbarë popujve paganë për t’i sjellë në dëgjesën e fesë – Një të vetmit Hyj, të gjithëdijshmit, i qoftë, nëpër Jezu Krishtin, lavdi në shekuj të shekujve. Amen. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja.

Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!

Aleluja.

 

 

Ungjilli   Lk 1, 26-38

Engjëlli në emër të Zotit i kërkon Maries të bëhet nëna e Mesisë. Nga ajo do të lindë Jezusi, Biri i Hyjit dhe i Maries, dhe do të bëjë pjesë në pasardhësit e Davidit nëpërmjet Jozefit; mbretëria e tij do të jetë e am-shuar. Premtimet e Hyjit që realizohen në Jezusin janë vepër vetëm e Hyjit dhe jo e njeriut, edhe pse Maria bashkëpunon me Hyjin.

 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Hyji i dërgoi engjëllin Gabriel në një qytet të Galilesë, që quhet Nazaret, te një virgjër, që ishte e fejuar për një njeri, që quhej Jozef, prej fisit të Davidit. Virgjëra quhej Mari. Engjëlli hyri tek ajo dhe i tha: “Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!” Kjo fjalë e shqetësoi Marinë dhe zuri të mendojë: ç’do të thotë kjo përshëndetje. Por engjëlli i tha: “Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit! Ja, do të mbetësh shtatzënë e do të qitësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus. Ky do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Hyjit të tejet të lartë. Zoti Hyj do t’ia japë fronin e Davidit, atit të tij. Ai do të mbretërojë përgjithmonë mbi shtëpinë e Jakobit dhe mbretëria e tij s’do të ketë mbarim.” Atëherë Maria i tha engjëllit: “Si do të mund të ngjajë kjo, ndërsa unë jam virgjër?” Engjëlli iu përgjigj: “Shpirti Shenjt do të zbresë në ty e fuqia e Hyjit të tejetlartë do të mbulojë me hijen e vet; prandaj ky fëmijë do të jetë i shenjtë – Biri i Hyjit. Dhe ja, Elizabeta, kushërira jote, edhe ajo, në pleqërinë e vet, pret t’i lindë djali. Ajo që mbahet beronjë, është në të gjashtin muaj. Vërtet, s’ka gjë të pamundshme për Hyjin!” Atëherë Maria tha: “Unë jam shërbëtorja e Zotit: Më ndodhtë siç the ti!” Atëherë engjëlli u largua prej pranisë së saj. Fjala e Zotit!

 

POROSIA

Nuk jemi ne që rrisim lavdinë e Hyjit, por është Ai që bën gjithçka për ne. Është Hyji që merr nisma, e na do deri në atë pikë sa bëhet mishi i mishit tonë.

Ungjilli i Lukës tregon shpalljen e Engjëllit të Zotit dhe mishërimin e tij në kraharorin e Virgjërës Mari. Kur Hyji takon një krijesë njerëzore, në radhë të parë, dëshira e tij e parë është që ajo të jetë e lumtur: “Gëzohu”, sepse je “Hirëplote” (je e preferuara e Hyjit, Ai të do pafundësisht); e akoma “Zoti është me ty” (është afër teje me një dashuri të pafundme). 

Hyji siguron Marinë se do ta mbrojë në mënyrë të efektshme që të mund të realizojë misionin që po i beson. Në rradhë të dytë cakton thirrjen e Marisë:. “Ja, do të mbetësh shtatzënë e do të qitësh në dritë një djalë e ngjitja emrin Jezus”. 

Hyji i zbulon Marisë që e ka zgjedhur për të qenë Nëna e Mesisë, Shpëtimtari i premtuar dhe i pritur. Ajo nuk dyshon që Hyji do të bëjë atë që ka shpallur, por ka nevojë akoma për dritë: në çfarë mënyrë do të ndodhë një lindje e tillë?

Në radhë të tretë, Maria ndriçohet plotësisht mbi misionin e saj: fëmija që do të ngjizë do të jetë fryt i një ndërhyrjeje direkte të Hyjit: Shpirti Shenjt, i shpërndarë mbi Marinë, do të bëjë atë që është e pamundur nga ana njerëzore: domethënë që një virgjër të ketë një fëmijë, por sidomos vetë Birin e Hyjit të bërë njeri. Përgjigjen pa rezerva dhe për të gjithë jetën të Marisë Hyji e pret prej nesh. “Çdo besimtar ngjiz dhe nxjerr në dritë Fjalën e Hyjit”.

 

 

Lutjet e besimtarëve

M. Vëllezër e motra, të përgatitim si Maria zemrën tonë për ta pranuar Shpëtimtarin Jezus. Duke besuar në forcën e Shpirtit të tij, të kërkojmë hirin e Zotit që të dimë t’i themi Zotit çdo ditë “ja ku jam”, duke iu bindur vullnetit të tij. Të lutemi së bashku e të themi:

Eja, o Zot Jezus.

L. O Shpirt i Shenjtërimit, mbuloji me hirin tënd Papën, ipeshkvijtë, meshtarët e të gjithë popullin e Zotit, që Kisha jote të jetë e pastër dhe e shenjtë për të pranuar denjësisht Fjalën e jetës që bëhet njeri për shpëtimin tonë. Të lutemi.

L. O Shpirt i dritës, zbrit e drejto qeveritarët tanë, që të realizojnë ligje të drejta, që të mbrojnë të drejtat e çdo njeriu e të angazhohen për të krijuar një shoqëri të themeluar mbi vlerat e vërteta. Të lutemi.

L. O Shpirt i forcës, mbështete çdo njeri që vuan në trup e në shpirt, që sipas shembullit të Zojës Marie të dijë të pranojë vullnetin e Zotit me përvujtëri e thjeshtësi zemre. Të lutemi.

L. O Shpirt i paqes, frymëzo mbi këtë bashkësi ëmbëlsinë e çdo bekimi qiellor, që të dijë t’i dalë para Zotit që po vjen me një lutje më të fortë e me veprime të dashurisë vëllazërore. Të lutemi.

L. O Shpirti i dashurisë, ndriçoji gratë shtatzëna, që fëmija që mbajnë në kraharorin e tyre të konsiderohet si një dhuratë e Hyjit dhe si shpresë për botën. Të lutemi.

M. O Atë, na jep Shpirtin tënd, që nën shembullin e nënës së Krishtit të jemi të aftë për tu angazhuar përvujtërisht dhe me besim në shërbim të dashurisë sate që na shpëton. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

Shpëndaje: