Veprat tona marrin vlerë nga qëllimi

E diela XIII gjatë vitit – viti A

 

 

Leximi i parë   2 Mbr 4, 8-11.14-16

Besëlidhja e Vjetër është rruga drejt Ungjillit. Mikpritja që i bëhet profetit Elize nga ana e një gruaje pa fëmijë shpërblehet nga Hyji me lindjen e një fëmijë. Gruaja duke pranuar shërbëtorin e Hyjit, pranon Hyjin vetë. Ajo provon frytin e vizitës së Hyjit duke shijuar gëzimin e një fëmijë.

 

Lexim prej Librit të dytë të Mbretërve

Një ditë ndodhi që Elizeu të kalojë nëpër Sunam. Ishte aty një grua fisnike dhe kjo e ndali të hajë bukë tek ajo. Që atëherë, gjithsaherë kalonte atypari, kthehej tek ajo për bukë. Ajo i tha burrit të vet: “Me sa shoh unë, ky njeri i Hyjit që kalon shpesh këtupari, është vërtet njeri i shenjtë. Po i ndërtojmë një dhomë në tarracë, po i vendosim në të një shtrat, një tavolinë, një ndenjëse dhe një pishtar, që, kur të vijë tek ne, të rrijë atje.” Një ditë erdhi ai atje, u ngjit në dhomë dhe pushoi aty. Elizeu e pyeti shërbëtorin e vet: “Po ç’dëshiron që të bëj për të?” E Gjiezi tha: “E, mos pyet, nuk ka fëmijë dhe burri i saj është i moshuar.” Atëherë Elizeu i urdhëroi ta thërriste. Kjo pasi e thirrën, erdhi e qëndroi para derës. Elizeu i tha: “Në këtë kohë, sot një vit, djalin do ta shtrëngosh në parzmën tënde!” Fjala e Zotit

 

 

Psalmi  89      

 

Ref: Përgjithmonë do t’i këndoj mëshirës sate, o Zot

—————————————-

Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj,

brez pas brezi goja ime do të shpalle besnikërinë tënde.

Sepse the: “Hiri im qëndron për amshim”,

në qiell është e themeluar besnikëria jote!

—————————————-

Lum ai popull që di të brohoritë,

që ecën në dritën e fytyrës sate, o Zot!

Përherë do të gëzojë në Emër tënd,

e do të mburret në drejtësinë tënde.

—————————————-

Sepse ti je stolia e fuqisë së tyre,

e me hirin tënd rritet fuqia jonë.

Sepse i Zotit është shqyti ynë,

mbreti ynë Shenjti i Izraelit!

—————————————-

 

Leximi i dytë    Rom 6, 3-4.8-11

Shën Pali u kujton të krishterëve të Romës, që nëpërmjet Pagëzimit jemi përfshirë në Krishtin, në misterin e vdekjes dhe ringjalljes së tij. Uji i Pagëzimit, simbol i vdekjes, edhe i ringjalljes bashkohet me ngjarjen e Pashkëve të Krishtit që vdes dhe ringjallet në jetën e re. 

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, po a nuk e dini se të gjithë sa jemi pagëzuar në Jezu Krishtin, jemi pagëzuar në vdekjen e tij? Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re.

E në qoftë se vdiqëm bashkë me Krishtin, besojmë se edhe do të jetojmë bashkë me Të, mbasi e dimë se Krishti i ngjallur nga të vdekurit, nuk vdes më: vdekja nuk ka më pushtet mbi Të. Vdekja e tij qe vdekja njëherë e përgjithmonë për mëkatin, kurse jeta e Tij është jetë për Hyjin. Po kështu edhe ju: mbane veten se jeni të vdekur për kah mëkati, e të gjallë për Hyjin në Jezu Krishtin! Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja

Ju jeni fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë; shpallni veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme. 

Aleluja

 

 

Ungjilli   Mt 10, 37-42

Jezusi përmbyll diskutimin e madh drejtuar dishepujve të tij dhe na kujton përfundimin e të gjithë Ungjillit: Kryqin. Nuk ekziston një pranim i Krishtit në jetën tonë nëqoftëse nuk pranojmë kryqin: ai kërkon nga ne një ndryshim tërësor të të gjitha atyre që kemi dhe për atë që jemi. Jezusi nuk duron një dashuri të kufizuar. Kush qëndron me Jezusin nuk humb, por gjen.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Kush e do atin e t’ëmën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua! Kush e do djalin apo vajzën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua! Kush nuk e merr kryqin e vet e nuk vjen mbas meje, nuk është i denjë për mua! Kush do ta ruajë jetën e vet, do ta humbë, e kush do ta bjerrë jetën e vet për shkak tim, do ta rifitojë. Kush ju pranon ju, më pranon mua; e kush më pranon mua, pranon Atë që më dërgoi mua. Kush pranon profetin pse është profet, do të marrë shpërblimin që i takon profetit; kush pranon të drejtin pse është i drejtë, do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit. Kush ia jep ndonjërit prej këtyre të vegjëlve, madje edhe një gotë uji të freskët, pse është nxënësi im, për të vërtetë po ju them: nuk do t’i humbë shpërblimi!” Fjala e Zotit!

 

POROSIA

Ungjilli i sotëm pohon që i krishteri në vend të parë duhet të vendosë Hyjin. Pa këtë përparësi nuk mund të kuptohet dhe të pranohet ajo që Jezusi dëshiron nga dishepujt e tij. Ai na kërkon që të zërë vendin e parë në ekzistencën tonë: vetë jeta, vetë familja, vetë ndjenjat dhe planet vijnë pas tij. Vetëm Hyji mund të na kërkojë shumë. Jezusi Zot, jo vetëm na kërkon shumë, por edhe na jep shumë.

“Kush do të atin … më shumë se mua nuk është i denjë për mua”. Për të qenë si Jezusi duhet të lidhemi me të me një dashuri që tejkalon edhe dashurinë për familjarët më të afërt, duke pranuar të vuajë.

“Kush nuk merr kryqin e tij … nuk është i denjë për mua”. Dishepulli është ftuar t’i përkasë tërësisht Jezusit, duke përshkuar të njëjtën rrugë të tij të kryqit. Çdo ditë dashuria ndaj Krishtit mund t’i kërkojë sakrifica që i shkaktojnë vuajtje.

“Kush do të gjejë jetën e tij, do ta humbasë …”. Këto fjalë të Jezusit shprehin ligjin themelor të jetës së krishterë: të dhuruarit, që është thelbi i dashurisë, kërkon “të dimë të humbasim” gjëra të pafundme, të vihemi mënjanë, që tjetri të jetë. Kush është i lidhur me jetën e vet e do ta mbrojë me çdo kusht, në realitet “do të humbasë” jetën e vërtetë, atë të amshuarën. Ndërsa ai, që për të qenë besnik ndaj Ungjillit të Jezusit, humb jetën e vet, do ta gjejë në plotësi. Nën këtë dritë, Jezusi interpreton misterin e vdekjes dhe ringjalljes së tij. “Duke humbur” jetën tonë, ndihemi më të lumtur e më të gjallë!

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, fjala e Hyjit ndriçon gjithmonë jetën tonë dhe tregon rrugën që duhet të ndjekim: nën dritën e saj t’i drejtojmë, plot me besim, lutjen tonë Atit që na do dhe na dhuron urdhërimet e tij.

L. Të lutemi së bashku e të themi: O Atë, na dëgjo.

L. Për Papën, ipeshkvijtë, meshtarët dhe diakonët që janë udhëheqës dhe barinj, që të jenë të shenjtë e të mos lodhen kurrë duke u kujtuar vëllezërve që të ndjekësh Jezusin është burim paqeje dhe gëzimi. Të lutemi

L. Për ata që janë thirrur për të qeverisur popujt e tyre, që të dinë se çdo autoritet është shërbim, pranim dhe shenjë kujdesi që Zoti ka për çdo njeri, grua, fëmijë. Të lutemi

L. Për të gjitha familjet dhe bashkësitë që janë të hapura për të pranuar ata që kanë më shumë nevojë dhe që ndjehen të refuzuar, që fjala e Jezusit, “kush pranon ju pranon mua”, t’u japë atyre guxim dhe forcë. Të lutemi

L. Për të gjithë ne këtu të mbledhur, në këtë “ditë të Zotit”, për të dëgjuar Fjalën e Jezusit dhe në tryezën e Korpit, që, të vdekur në mëkat dhe të ringjallur me të në pagëzim, ta ndjekim si të vetmin Shpëtimtar dhe Hyj. Të lutemi

M. Hyj Atë, që u bën të mirën bijve të tu, dëgjoje lutjen e popullit tënd dhe jepi hirin që të dojë më shumë se jetën e vet. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: