E diela XV gjatë vitit – viti A
Leximi i parë Is 55, 10-11
Profeti Isaia na përgatit të pranojmë fjalën e Hyjit dhe na flet për efektshmërinë e saj nëpërmjet imazhit të shiut dhe të borës. Fjala, ashtu si shiu, ka një fuqi të mrekullueshme jete. Duke pranuar Fjalën ne hapemi drejt së ardhmes dhe ndriçojmë raportet tona me të tjerët në një dritë të re.
Lexim prej Librit të Isaisë profet
Kështu thotë Zoti: “Sikurse zbret shiu e bora nga qielli e atje nuk kthehet, por e ujit tokën, e zbrun dhe i jep fuqi të blerojë, i jep bujkut farën dhe bukën për ushqim, kështu edhe fjala ime që del prej gojës sime, s’do të kthehet tek unë pa fryt, pa pasë kryer gjithçka më pëlqen dhe pa pasë zbatuar atë për çka e drejtova.” Fjala e Zotit.
Psalmi 65
Ref: Vizitoje tokën tënde, o Zot, dhe bekoji të mbjellat në të
—————————————
Ti kujdesesh për tokën dhe e ujit,
e ngarkon me prodhime të begatshme.
Lumi i Hyjit është plot me ujë:
ti bën të rriten drithëra për njerëz!
—————————————
Tokën ti kështu e përgatit:
hullitë ia lag, bucat ia imtëson,
me shi e zbrun, të mbjellat ia bekon.
—————————————
E kurorëzon vitin me mirësinë tënde,
gjurmëve të tua rrjedh begatia,
kullotat e shkretëtirës rrijnë njomësi,
mballesat bregoreve ngjeshen me hare.
—————————————
Livadhet janë të veshura me dhen,
luginat mbulohen me drithëra:
gjithkah këngë e brohoritje me hare!
—————————————
Leximi i dytë Rom 8, 18-23
Edhe përballë vuajtjeve dhe paqartësive të kohës së tashme i krishteri nuk mbetet pa shpresë: zbulon në çdo vuajtje, jo dhimbjen e agonisë, por atë të lindjes dhe të ngjalljes. Ne nuk e dimë ku shkon bota, por në besim jemi të qartë që nuk mund të largohet nga duart e Zotit. Dashuria e Hyjit është fjala e fundit mbi këtë botë.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, në të vërtetë, unë mendoj se të gjitha vuajtjet e tanishme nuk janë të denja të krahasohen me lumturinë e ardhshme që do të zbulohet në ne. E njëmend, edhe vetë krijesa me afsh e pret zbulimin e bijve të Hyjit: krijesa, në të vërtetë, është e nënshtruar kotësisë – jo pse do, por për arsye të atij që e nënshtroi – porse njëmend në shpresë. Sepse edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit për të pasur pjesë në lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit. Sepse e dimë: mbarë krijesa gjëmon dhe vuan në dhimbjet e lindjes deri tani. Dhe jo vetëm ajo! Por, gjithashtu edhe ne, që kemi frytet e para të Shpirtit Shenjt, gjëmojmë në vetvete, duke pritur adoptimin – shpërblimin e trupit tonë. Fjala e Zotit.
Aleluja
Fara është fjala e Zotit, mbjellësi është Krishti: kushdo e gjenë atë e ka jetën e pasosur.
Aleluja
Ungjilli Mt 13, 1-23
Jezusi thotë se fjala e mbretërisë, Ungjilli, është një farë e përhapur kudo, por e pranuar në mënyrë të ndryshme sipas atij që e dëgjon. Një gjë është e qartë: fryti që do të mblidhet do të vijë nga forca e farës, e cila, ka aftësinë të shumohet. Si rritet Fjala e Hyjit në terrenin e zemrës? Ka vetëm një përgjigje: Jezusi vetë që është mbjellësi dhe fara.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Atë ditë Jezusi doli prej shtëpisë dhe u ul të rrijë buzë detit. Një turmë e madhe populli ngarendi tek ai kështu që hypi në barkë dhe u ul ndenjur, kurse mbarë populli zuri vend në breg. U foli për shumë gjëra në shëmbëlltyra. Kështu u tha: “Doli mbjellësi për të mbjellë. Ndërsa po mbillte, disa kokrra ranë pranë udhës, erdhën shpendët dhe i hëngrën. Disa ranë në zallinë, ku kishte pak dhe. Mbinë shpejt, sepse nuk e kishin tokën e thellë. Porse, kur doli dielli, u vyshkën prej vapës dhe u thanë, pse nuk kishin rrënjë. Disa tjera ranë në ferra. Ferrat u rritën e ua zunë frymën. Kurse disa tjera ranë në tokë të mirë e ato dhanë fryt: njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish e tjetra tridhjetëfish. Kush ka veshë, le të dëgjojë!”. Nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën: “Pse po u flet me shëmbëlltyra?” Ai u përgjigji: “Sepse ju e morët dhuratën t’i njihni fshehtësitë e Mbretërisë së qiellit, ndërsa ata nuk e morën. Për të vërtetë, atij që ka do t’i jepet edhe më dhe do të ketë me shumicë, kurse atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që ka. Për këtë arsye atyre u flas në shëmbëlltyra, sepse shikojnë e nuk shohin, dëgjojnë e nuk ndiejnë as nuk kuptojnë. Mbi ta plotësohet profecia e Isaisë që thotë: ‘Mirë do të dëgjoni, por s’do të kuptoni; mirë do të shikoni, por nuk do të shihni. Vërtet zemra e këtij populli s’ka më ndjenja, u bë i rëndë ndër veshë, sytë i janë mbyllur, që të mos shohë me sy, të mos dëgjojë me veshë, që të mos kuptojë shpirti i tyre e të mos kthehen. E unë i kisha shëruar!’ Lum sytë tuaj që shohin e veshët tuaj që dëgjojnë! Përnjëmend po ju them: shumë profetë e të drejtë dëshiruan të shohin çka ju po shihni, por nuk e panë, të dëgjojnë çka ju po dëgjoni e nuk e dëgjuan. Tani dëgjoni ç’do të thotë shëmbëlltyra e mbjellësit: Secilit që e dëgjon Fjalën e Mbretërisë e nuk e kupton, i vjen i keqi dhe ia rrëmben atë që i qe mbjellë në zemër. Ky është ai që u mboll pranë udhës. E i mbolli në zallinë, është ai që e dëgjon Fjalën dhe me gëzim e pranon, porse, për arsye se s’ka rrënjë në vetvete, pse është i paqëndrueshëm, posa të vijë ndonjë ngushticë ose salvim për shkak të Fjalës, përnjëherë e bjerr besimin. E i mbolli në ferra, është ai që e dëgjon Fjalën, por kujdesi i tepruar i kësaj bote dhe gënjimi i pasurisë, ia marrin frymën Fjalës e ajo mbet pa fryt. E i mbolli në tokë të mirë është ai që e dëgjon Fjalën, e kupton, dhe bie fryt: njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish e tjetri tridhjetëfish.” Fjala e Zotit.
POROSIA
Në jetë kur gjithçka duket një katastrofë, papritmas gjithçka rifillon në shpresë.
“Doli mbjellësi për të mbjellë”. Është një mbjellës e katër tipe të ndryshme terrenesh. Mund të jem një nga katër terrenet, ose katër terrenet, sipas çasteve.
“Ndërsa po mbillte, disa kokrra ranë pranë udhës”. Terreni i parë është fortësia, rruga, padepërtueshmëria. Në rrugë nuk lind asgjë. Disa persona janë kaq të ngurtë e të mbyllur sa nuk lind asgjë në ecjen e tyre.
“Disa ranë në zallinë, ku kishte pak dhe”. Terreni i dytë janë entuziazmet e lehta: është zjarri i kashtës. Fara bie e lind, por nuk ka thellësi të mjaftueshme në zemrën e atij që e dëgjon e gjithçka mbaron. Janë personat që entuziazmohen në një çast, por pastaj zhduken.
“Disa tjera ranë në ferra”. Terreni i mbuluar me ferra paraqet ata që përballë kërkesave të Fjalës lejojnë veten të mbyten nga joshja e parave dhe e kënaqësive, nga shqetësimet tokësore. Në të gjitha këto situata është në veprim Djalli që bën të kotë dhe pa fryte Fjalën.
“Disa tjera ranë në tokë të mirë”. Tre terrene negative dhe një pozitiv. Prodhimtaria varet nga terreni juaj. Terreni i mirë është ai që dëgjon Fjalën dhe e kupton, e lejon të depërtojë në zemrën e tij dhe e zbaton. Nëse lejoj të shndërrohem nga fara, domethënë nëse ndryshoj dhe bëhem i ri, atëherë do të jem njeri i fryteve të mëdha.
Përgjigjja e lirë e njeriut, zotëron aftësinë e tmerrshme për të kushtëzuar “gjithëpushtetshmërinë” e Fjalës së Hyjit.
Lutja e Besimtarëve
M. Hyjit që e viziton tokën, që lag plisat dhe bekon filizat, t’ia paraqesim nevojat e Kishës, të mbarë njerëzimit dhe të secilit prej nesh.
L. Të themi së bashku: Bekoje popullin tënd, o Zot.
L. Që çdo bashkësi e krishterë, çdo familje, të mësojë të dëgjojë, të lexojë dhe të dojë Biblën e të jetë një terren i mirë i aftë për të prodhuar fryte në bamirësi konkrete. Të lutemi.
L. Për paqen në vendet ku ka tingëlluar Fjala e Jezusit, në çdo kënd të tokës dhe në zemër të njerëzve. Të lutemi.
L. Që, pas dëgjimit të fjalës së Hyjit, me forcën e Shpirtit, të qëndrojmë të fortë në shpalljen e besimit tonë. Të lutemi.
L. Që dita e Diele të jetë për bashkësitë tona një festë e vërtetë, dhe Fjala, e mbjellë në zemrat, të ndryshojë jetët tona e të na bëjë të shenjtë ashtu si Hyji është Shenjt. Të lutemi.
M. Qofsh i bekuar, o Atë, për Fjalën tënde të shenjtë që shpërndan mes nesh me shumicë, që të mundet, me bekimin tënd të rritet në ne dhe të sjellë fryte mirësie. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.
(ecclesia.al)