Shën Valentini – Shenjti i të dashuruarve!

Të gjithë të dashuruarit e dinë se festa e tyre bie me 14 shkurt, dhe mban emrin Festa e Shën Valentinit, pajtori i të dashuruarve, apo siç njihet në gjithë botën edhe si “Shenjti i Dashurisë”, “Shenjti i të dashuruarve.”

Shën Valentini, ipeshkëv  i Ternit (IT), ka lindur në vitin 197 pas Krishtit. Ndonëse jeta e tij është e veshur me legjenda për shkak të dhënëve të pakta nga hagjiografia kishtare, megjithatë e dimë  sigurt se ka qenë një njeri i shenjtë dhe ipeshkëv i zellshëm në apostullatin e tij baritor. Një shenjtë që kishte bërë disa mrekulli në qytetin e tij të lindjes dhe në Romë. Ka pësuar martirizimin në kohën e përndjekjeve të të krishterëve gjatë perandorit Aurelian, saktësisht në 14 shkurt  273.

Pse Shën Valentini bëhet pajtori i të dashuruarve, me këtë titull kaq të bukur, i cili festohet prej të gjithëve, pa marrë parasysh përkatësinë fetare?

Tradita vjen nga vendet anglosaksone, të cilët janë mbështetur në tregimet e nxjerra nga jeta e Shenjtit, e posaçërisht kur thuhet se Shën Valentini kishte ndihmuar dy të fejuarve të cilët kishin pengesa për të kurorëzuar dashurinë e tyre. Këta dy të fejuar ishin Sabino, një legjionar romak dhe Serapia, një e krishtere, të cilët ishin dashuruar, porse familjet e tyre nuk i lejonin të martoheshin për shkak të përkatësive të ndryshme fetare.

Tregimi tjetër thotë se Shën Valentini kur i shihte të fejuarit të ziheshin mes veti ai iu dhuronte nga një trëndafil dhe kërkonte prej tyre të ripërtërinin dashurinë dhe besnikërinë. Ja pse trëndafili konsiderohet lulja e festës dhe dhurata më e shpeshtë që të dashuruarit dhurojnë për Shën Valentin.

Festa e Shën Valentinit është një ditë shumë e veçantë për të medituar për dashurinë, për të kuptuar këtë dhuratë hyjnore, këtë virtyt teologal që buron prej Zotit Dashuri.

Po e sjellim himnin e dashurisë të shkruar nga Shën Pali, që konsiderohet himni më i arrirë mbi dashurinë. Ky himn, në fakt, është koncepti i krishterë i dashurisë për të cilën Shën Valentini ka jetuar e vepruar në jetën e tij dhe për të cilën ka sakrifikuar edhe jetën dhe është martirizuar.

 

 

Himini më i bukur i Dashurisë, i shkruar nga Shën Pali

“Dhe ja, po ju dëftoj më të shkëlqyeshmen udhë!

Po t’i flisja gjuhët e njerëzve e të engjëjve, por po të mos kisha dashurinë,

do të isha porsi bronzi që kumbon

e porsi cimbali që tingëllon.

Po ta kisha dhuratën e profecisë

e t’i dija të gjitha misteret

e të gjitha dituritë;

po ta kisha edhe fenë e plotë,

me të cilën të mund t’u ndërroja vend maleve,

por po të më mungonte dashuria,

s’do të isha asgjë!

Po ta ndaja lëmoshë mbarë pasurinë time

dhe po ta jepja trupin tim të digjej,

por, po të më mungonte dashuria,

nuk do të më vlente asgjë!

Dashuria është zemërgjerë,

është e dhimbshme, dashuria,

nuk ka smirë,

nuk mbahet me të madh,

nuk krenohet

nuk është e panjerëzishme,

nuk kërkon interesin e vet,

nuk hidhërohet,

nuk e mban mend të keqen,

nuk i kënaqet padrejtësisë,

por i gëzohet të vërtetës.

Arsyeton gjithçka,

beson gjithçka,

shpreson gjithçka,

duron gjithçka.

Dashuria nuk mbaron kurrë.

Profecitë mbarojnë,

gjuhët shuhen,

njohuritë marrin fund.

Sepse njohuria jonë është e kufizuar

dhe e kufizuar është profecia jonë.

Por, kur të arrijë përsosmëria,

çka është e kufizuar do të marrë fund.

Kur isha fëmijë

flisja si fëmijë,

mendoja si fëmijë,

arsyetoja si fëmijë.

Kur u bëra njeri i pjekur,

flaka çka i përket fëmijërisë.

Vërtet, tani shikojmë si në pasqyrë e në mënyrë të errët,

por atëherë do të shohim faqe‑faqas!

Tani njohuria ime është e kufizuar,

atëherë do të njoh plotësisht,

siç jam i njohur.

Tani, veç, mbetet feja, shpresa e dashuria

‑ këto të tria ‑

porse më e madhja ndër to është dashuria.”

Shën Pali (1 Kor 13, 1-13)

Shpëndaje: