Shpirti Shenjt është Ai që lutet nëpërmjet nesh

Dec 24 • Meditimi i ditës

24 dhjetor 2016 – E shtunë, Nata e Krishtlindjes, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2Sam 7,1-5.8b-12.14a.16; Ps 89,2-5.27.29; Lk 1,67-79)

 

Prania e Hyjit

Tani, o Zot, të gjitha mendimet po i drejtoj kah ti.

Po i lë anash të gjitha brengat dhe interesimet e mia

dhe kërkoj pushim dhe këndellje në afërsinë tënde.

 

Liria

Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë

që të lirohem nga mërzitë dhe brengat e mia,

që t`i hapem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi

Duke iu kthyer detyrave të mia të përditshme,

më përkujto, o Zot,

se je gjithmonë pranë meje.

Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Lk 1, 67-79

 

67 Atëherë Zakaria, i ati i tij, u mbush me Shpirtin Shenjt dhe profetizoi:

68Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit,

që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!

69 Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë

në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,

70 sikurse premtoi kaherë me gojë të profetëve të tij të shenjtë:

71 se do të na shpëtojë prej armiqve tanë dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;

72 se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë e do t’i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë

73 e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë, se do të na e bëjë të mundshme 74 t’i shërbejmë pa frikë,

të çliruar nga duart e armikut 75 në shenjtëri e drejtësi para tij për çdo ditë të jetës sonë.

76 E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, sepse do të shkosh përpara Zotit për t’ia përgatitur udhët,

77 për ta vënë në dijeni popullin e tij se Hyji do ta

shëlbojë duke ia falur mëkatet e tij,

78 në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë

që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,

79 për të shndëritur ata që gjenden në errësirë dhe në hijen e vdekjes,

për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Në tregimin për lindjen si duket Shpirti Shenjt ka shumë punë. Elizabeta, Maria, tani edhe Zakaria ndjehen të mbushur me Shpirtin e Hyjit. Shpirti Shenjt është i angazhuar edhe sot këtu në “Momentin e Shenjtë”, sepse ai është i cili nëpërmjet nesh lutet. Do të ndalem duke e admiruar dhe respektuar atë.
  • Shumë njerëz sot janë duke qëndruar në errësirë dhe në hijen e vdekjes. Zakaria për ta e ka një porosi shprese. Do të lus që edhe unë të mund t`u sjell të paktën një çikë dritë njerëzve të tillë, veçanërisht në këtë kohë të shenjtë.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, gjatë qëndrimi tënd në tokë gjithmonë me gëzim i ke pranuar fëmijët e vegjël.

Më mëso që të kem besim fëmijëror në ty.

Që të jetoj me vetëdije se kurrë nuk do të më lëshosh.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »