Gjithsej 13 piktura origjinale të Shën Nënë Terezës nga pena e piktorit të njohur Agron Bytyçi janë shpalosur mbrëmë me rastin e hapjes së ekspozitës personale që vjen nën emërtimin “Homazh Nanës”. Të pikturuara enkas për 25-vjetorin e kalimit të saj në amshim, ato vijnë në një dimension më unik. Kësaj here, fytyra e saj e ëmbël, vihet në fokus, teksa sytë e saj portretizojnë gjithë dashuri e vuajtje.
Qendra “BogdaniPolis” fiks në orën 19:00 ka mirëpritur një numër të lartë të artdashësve, që me të vërtetë janë thelluar përbrenda secilës vepër të pranishme. Nga piktura në pikturë, këmbët e tyre bënin ecejake të ngadalshme por të duhura, në atë mënyrë që fokusi t’i dhurohej vetëm artit pamor.
Figura e Shën Nënë Terezës nuk kishte se si të nderohej më tepër, pos nga ngjyrat e ndezura të së kaltrës e bardhës. Herë në mendime, herë duke shikuar lart, por në të shumtën e rasteve, Nëna Terezë na shfaqet e buzëqeshur, ashtu siç ishte edhe përherë. Buzëqeshja e saj, që për shumë kë ka bërë dritë, dhe ende sot vazhdon të jetë simbol i paqes, mëshirës dhe dashurisë.
Disa nga këto piktura janë akoma në shitje dhe mjetet e mbledhura nga shitja kanë një përfundim humanitar. Ndërsa, disa nga to veçse qenë shitur akoma pa u bërë hapja e ekspozitës. Po ashtu, me hapjen e kësaj ekspozite janë mbyllur të gjitha aktivitet kulturore të vitit jubilar kushtuar Nënës Terezë për katedralen në Prishtinë – e tha Don Fatmir Koliqi, famullitari i Prishtinës, i cili udhëhoqi hapjen e ekspozitës.
Fjalën e parë e bëri kuratori Naser Shatrolli, i cili thotë se artisti Agron Bytyçi e ka të konceptuar lirinë brenda kufijve të arsyes së tij.
“Është një emocion i veçantë për mua në këtë rast për arsye se vetë fakti që është një ambient shumë unik ky këtu ku sot po hapen perdet e kësaj ekspozite universale të Nënë Terezës dhe një piktorit që vërtetë është i përmasave të këtilla si krijues artistik. Një piktor që nuk eksploron në rajonet e thella dhe të errëta të ndjeshmërive shpirtërore dhe që nuk është në harmoni me boshtin e tik-takeve të zemrës, ai nuk do të jetë në gjendje që të krijojë çudira në artin pamor. Ekspozita është e hapur në ambientet e Katedrales së qytetit të Prishtinës në muajt e dritave të vitit 2022 – aty ku frymon aromë biblizmi, ku merr shtrirje të çlirë arti, ashtu siç frymon jehu poetikës së Bytyçit. Madje, thellësia e mureve të Katedrales e bën më atraktive ekspozitën për publikun, është dhe jehona e kambanës me tingujt lirik të saj, ndërsa, gozhdimin e 13 – të portreteve të “Nënës Terezë” në muret e Katedrales, mbase, me këtë gjest, autori na dëfton për ndjeshmëritë e profilit të tij krijues; i përkushtuar ndaj natyrës së tematikës së zgjedhur, ndaj karakterit biblik të personazhit, dhe ndaj normave artistike në relacion me karakterin e ekspozitës”, thotë ai.
Sipas tij, formatet artistike me figurën e “Nënë Terezës” përkojnë me arkitekturën hapësinore të vendit, relievit, të stinëve, ndjeshmërive shpirtërore, të kon- traditave, dokeve, zakoneve, madje dhe rrethanave nëpër të cilat ka kaluar një mendësi e tërë ndër shekuj, duke marrë parasysh dhe luftërat e përgjakura prej të cilave kanë dalë ngjyrat ideale të piktorëve. Ai këto portretime unike me të cilat paraqitet autori para audiencës së Prishtinës, i konsideron si shenja të brendit të kutisë hermetike studimore – shkencore, me të cilat, në mendjet tona, krijohen iluzione për një botë tjetër. Andaj, edhe mesazhet që nxjerr Bytyçi nëpërmes ekspozitës, në relacion me njeriun e përgjumur, janë të balancuara gjersa domeni dashuri është duke u tkurrur nëpër xhepat e shterur të familjeve tona.
“Ai ka ndarë 13 punime për këtë ekspozitë, sigurisht që ky numër ka simbolikën biblike në vetvete – ndërlidhet me biblizimin e “darkës së fundit” vepër e Leonardo Da Vinçit, ndërsa, sentenca e kësaj ekspozite konoton me qëllimin dhe me humanizmin e autorit të ekspozitës. Parë me llupën e perspektivës pamore, portretet kanë thellësinë psikologjike, parasegjithash, kanë dhe urtësinë njerëzore, kanë maturinë filozofike, kanë vizionin hyjnor në relacion me qëllimin dhe me synimet artistike që ka për vetveten e tij dhe qëndrojnë brenda një metafore të caktuar, për të qenë më afër njeriut të mërdhirë, apo të lagur nga i ftohti dhe nga acari dimëror. Ndërsa, dashurinë për gruan e shikoj si mbështjellës të boshtit shpirtëror të njeriut, që pret me shekuj para një bredhi të 24 dhjetorit për të ndezur dritën e gëzimit të familjes së tij”, thotë Shatrolli.
Ai tutje shtron pyetjen se çfarë i bënë Luvrin, Firencen apo Romën të dallueshme, e që sipas tij janë piktorët dhe skulptorët e përmasave kolosale që vendin e tyre e kanë bërë të njohur dhe atraktive për botën turistike.
“Pra, arti e ngrit në shkallë kulturore varfërinë e një vendi të caktuar. Ngjyrat e tij prekun në damarët e gjakut të njeriut – ato kanë profil të posaçëm artistik, madje, secila prej tyre ka shenjat e gjakut dhe të gishtërinjve të tij. Krijimet e tij mund të përkthehen si mjet depërtues udhëtimi – figurativisht ato janë pasaportë për tejkalimin e kufijve të mendimit të izoluar. Kam parë filma që ju dedikohen piktorëve të zëshëm dhe që kanë punuar nëpër oborre mbretërore, kam parë dhe formate tjera kinematografike që trajtojnë piktorë që kanë vdekur për kafshatën e gojës por që nuk janë ligështuar para shkopit të pushtetit. Artisti i përmasave të Agron Bytyçit e ka të konceptuar lirinë brenda kufijve të arsyes së tij”, përfundon Shatrolli.
Ndërsa, i pranishëm qe edhe Don Lush Gjergji, i cili ka thënë se duart dhe zemra e madhe e Nënës Terezë, dëshmojnë dhe tregojnë sa përkushtim, sa dhimbje, sa vuajtje, aq edhe dashuri.
“Në një ekspozitë siç është kjo e profesorit Agron Bytyçit, dy gjëra më vinë në sy dhe më kujtohen. Në çdo portret po i hetoj këto dy elemente që i ka hetuar edhe kritika letrare në nivelin botërorë, në jetën, veprën e sidomos fytyrën e Nënës Terezë. Ato janë rrudhat e saj. Një shkrimtar dhe dijetar i madh thotë: Nëse doni ta përjetoni tokën e shenjtë, atëherë mjafton të përqendroheni në rrudhat e Nënës Terezë, se ato flasin më së miri dhe dëshmojnë shpirtin dhe zemrën e saj. Një shkrimtar dhe dijetar tjetër thotë: Nëse doni të takoheni me Nënën Terezë, edhe pas kalimit të saj në amshim, atëherë shikoni dhe shijoni fotografitë, portretet, pikturat, skulpturat e saj, por mbi të gjitha përqendrohuni në dy sytë, që janë si dy gaca të cilat ju flasin, thërrasin dhe dëshmojnë. Ju flasin sepse sytë e saj kanë parë çka ndoshta askush prej njerëzimit nuk ka parë kurrë, veshët e saj kanë dëgjuar edhe zhurmën edhe vajin edhe dhimbjen edhe pikëllimin e të varfërve. Nëna Terezë thotë se sëmundja më e rënda është vetmia. Në anën tjetër, duart dhe zemra e saj e madhe dëshmojnë dhe tregojnë sa përkushtim, sa dhimbje, sa vuajtje por edhe sa dashuri pati ajo, duke iu dhuruar atë se çfarë Zoti i kishte dhuruar asaj. Dhurimi i jetës, dashurisë dhe i paqes, prandaj nga zemra e uroj piktorin dhe skulptorin tonë tashmë të njohur, Agron Bytyçi për këtë dhuratë të madhe që na e ka bërë. Ta fiksojmë secilën pikturë sepse ato vërtetë na flasin dhe na thërrasin edhe neve që gjurmëve të saj të shkojmë”, ka thënë ai.
Kështu krejt në fund, për një fjalë rasti në këtë mbrëmje, doli edhe vetë autori i ekspozitës, Agron Bytyçi.
“Ju falënderoj secilin veç e veç që keni gjetur kohën e çmuar për të ardhur këtu në hapjen e kësaj ekspozite. Realisht unë kam goxha të vështirë të flas pas Dom Lushit e në veçanti për Nënën Terezë. Familja ime ka qenë së bashku me mua nga piktura në pikturë dhe e kemi bërë një punë të vogël për një njeri shumë të madh. E kam bezdi që ne që e bëjmë artin të flasim për artin. Andaj, ju falënderoj edhe njëherë shumë të gjithëve. Ne jemi të vegjël për Nënën Terezë të madhe”, thotë ai.
Kujtojmë se ekspozita “Homazh Nanës” e piktorit, Agron Bytyçi do të qëndrojë e hapur deri më 27 nëntor në Qendrën “BogdaniPolis” në Prishtinë, që gjendet në Katedralen Shën Nënë Tereza, duke filluar nga ora 09:00 – 17:30./KultPlus.com