Zbulimi i papritshëm i mosbesimit të Tomës – Shansi i fesë sonë

Nga Imzot Nikë Prela

 

“Të shkojmë edhe ne të vdesim bashkë me të!” (Gjn 11, 16). A e kishte menduar vërtetë Toma Binjak këtë gjë? Toma, si dhe apostujt tjerë nuk e kishin kuptuar Jezusin kur në lajmin e vdekjes së Lazrit kishte thënë: “Lazri ka vdekur! Jam i lumtur pse s’ndodha atje, shi për ju – që të besoni! Por, ejani të shkojmë tek ai!” (Gjn 11, 15). Jezusi nuk kishte kërkuar as prej Tomës, as prej Pjetrit e as prej apostujve tjerë të vdesin për të. Do të vijë koha për këtë vendim, edhe pse kishin pasur raste, por prej kapjes së Jezusit, mundimit dhe vdekjes deri te ringjllja, Toma kishte gjetur një streh për ta shpëtuar kryet, derisa në Mundimin e Kryqit të Krishtit ishin vetëm Gjoni me Nënën e Jezusit.

Toma kishte pak fe, kështu që Jezusi e qorton në takimin e parë mbas ringjalljes: „Mos ji njeri që s’beson, por besimtar!“ (Gjn 20, 27). Toma kishte dyshime në fe dhe në Darkën e Mbramë ia kishte ndërprerë fjalën Jezusit me pyetjen: „Zotëri – i tha Toma – ne s’dijmë ka po shkon. Si pra ne ta dimë udhën? Jezusi u përgjigj: Unë jam Udha e Vërteta dhe Jeta.“ (Gjn 14, 5-6). Vërtet, Toma ka besuar në ngjalljen e të vdekurve, ashtu si Pali ka besuar dhe është rragatur me saducejtë, por farisenjtë, që besonin në ngjallje, e kishin shpëtuar (Vap 23, 2). Por Toma  nuk zinte besë se vërtetë nxënësit e kishin parë Jezusin, duke menduar se ata kanë parë ndonjë fantazmë.

Në liturgjinë e orëve në ditën e Shën Tomës nga leximi i Shën Gregorit të Madh e lexojmë këtë konstatim: “Mosbesimi i Tomës na ka shërbyer neve shumë më tepër, në lidhje me fenë, sesa feja e shumë nxënësve tjerë.” Toma kërkonte diçka që do ta përkujtonte Jezusin, ndonjë shenjë… dhe i ra ndërmend… varret! “Pa e parë në duar të tija vrajën e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vend të gozhdave; pa e shtjerë dorën time në krahrorin e tij, kurrë nuk besoj.” (Gjn 20, 25). Ja, ky është ai “zbulimi i papritur!“. Ky është zbulim epokal! Është pohim i deklarimit solem të Jezusit: “E unë kur të jem lartësuar nga toka, do t’i tërheq tek unë të gjithë njerëzit.” (Gjn 12, 32).

Dhimbja i afron të gjithë njerëzit te Jezusi, sepse Ai i dha dhimbjes një kuptim krejtësisht të ri.

Çështja e dhimbjes që nga fillimet e historisë dhe parahistorisë është e pranishme në forma të ndryshme, dhe jo vetëm të qenit në ankth – si pasojë e mëkatit, i cili do të shkakton, ndër të tjera, revolucionin e Shëlbimit dhe Shpëtimit në njeriun dhe njerëzimin. Dhimbja ngërthen në vete përmbajtje nxitëse për vepra të mëdha.

Në kuptimin e krishterë dhimbja me intervenimin e Krishtit dhe me pranimin e saj deri në nivelin e “njeriut të dhimbjes”, bëhet vepër merite, shëlbuese dhe krijuese.

Këtu duhet të theksojmë – që është shumë simptomatike – se Jezusi zbulohet para Tomës dhe mbarë njerëzimit me varret e veta. Kisha, Krishti historik – edhe sot fenomen në botë që nuk mund të anashkalohet – thith forcën prej këtij kulmi të dhimbjes, kur Jezusi ishte i lartësuar, atëherë kur ia përgatitën kapitullimin, gjatë kryerjes së veprës së shëlbimit në flinë e kryqit. Krejt historia e Kishës në ngritjen e saj karizmatike e ripërtrinë këtë çast, këtë parim dialektik: “Fryte bie vetëm fara e plehërosur…”

Tregohet si Papa Pio X, si argjipeshkëv i Venedikut, kishte shkuar në një shkollë në orën e katekizmit. Atë ditë leksioni ishte për Kishën e Krishtit. Në heshtje dëgjonte sqarimet e mesharit dhe përgjigjet e nxënësve. Ndërkohë, argjipeshkvi kishte bërë këtë pyetje: Cilat janë tiparet e Kishës së shenjtë? Të gjithë njëzëri përgjigjen: një, e shenjtë, katolike dhe apostolike. Nxënësit pritnin buzëqeshje si shenjë e pëlqimit, miratimit, por të gjithë mbetën të shtangur kur e hetuan fytyrën e argjipeshkvit. Ai u përgjigj kështu: Është e qartë se Kisha e Krishtit është vetëm një, sepse nuk mund të jenë të gjitha kishat e Jezusit që thirrën në emrin e tij, kur bashkimin e saj e paraqet Papa. Është poashtu e shenjtë, sepse ka mjete për shenjtërimin e besimtarëve të saj dhe ka shumë shenjtër. Është katolike, sepse është e gjithmbarshme, e jo vetëm për një popull. Është apostolike, sepse apostujt e kanë përçuar me autoritetin që ju ka dhanë vetë Jezusi. Porse, tipari që asnjëherë nuk përmendet, por, vërtet, është tipar i Kishës, se ajo përherë është e salvuar! Krejt qartë na thonë fjalët e Jezusit: “Nëse mua më salvuan, edhe ju do t’ju salvojnë.” (Gjn 15, 20). Dhe: “Të lumtë ju kur, për shkak timin, t’ju salvojnë… (Mt 5, 11). Pra, aty ku janë të salvuarit – aty është Krishti! Aty ku ka varrë, aty është Krishti!

Edhe më bindës është tregimi mbi historianin Pastor, që ka shkruar historinë e papatit, i cili me mund i bindi papët që t’i hapin të fshehtat e arkivit të Vatikanit, posaçërisht epokat jo të këndshme, shkandulluese. Në vend që këto ta largojnë nga Kisha, si shoqëri njerëzore, si çdo shoqëri tjetër, ndodhi e kundërta, ai edhe më tepër u forcua në fe. Vërtet, pas sa peripecive të përjetuara nga ana e Kishës, pas sa thyerjeve e copëtimeve, skandaleve e mosmarrëveshjeve të brendshme e të jashtme, ajo nuk u zhduk – siç u zhdukën një numër i madh i ideologjive, dinastive, lëvizjeve dhe shteteve, fuqive të mëdha – por ajo ka në gjirin e vet burime që del përherë më e freskët, më e fuqishme, më me përvojë, më e madhe dhe me e shenjtë. Kush e bënë Kishën të jetë e këtillë? Zbulimi hyjnor dhe Dëftimi! Prania e Shpirtit Shenjt.

“Shtjere gishtin tënd këtu e qe, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!” (Gjn 20, 27).

Jezusi i dha shans Tomës për të pasur përvojë personale, me prekjen e varreve, që të bindet e të dëshmojë Krishtin e Ringjallur. Toma nuk “u rrit në fe” , sepse “feja është një mënyrë paseje të sendeve që shpresohen, mjet të njihen sendet që nuk shihen.” (Heb 11, 1) dhe Jezusi përgjigjet: “Pse po më sheh, po beson.” Pra, as nuk është feja, as e merituar, por janë ata të merituar që s’e përjetojnë me përvojë personale, as s’shohin as s’dëgjojnë të zbuluarën por besojnë: „Lum ata që nuk panë e besojnë!“ (Gjn 20, 29). Ta thomë më shkurtë: “Lum ata që besojnë!”. Mos të harrojmë se këtë na thotë Jezusi, Biri i Hyjit, Zoti Hyji. Zoti na thotë: “Lum ju që besoni.” Feja, pra, është shansi i lumnisë, kulmi i gëzimit e fatit tonë, lavdërimi i Hyjit.

Sa i madhe është shansi i fesë, fesë së thjeshtë – do të thoja – e çdo feje më të vogël, manifestimin më anonim të fesë në praninë e Hyjit, pa asnjë dëshmitarë, me bërjen e kryqit të përditshëm, sepse edhe kjo është dëshmi, nëse e rrëfejmë fenë tonë në Krishtin Shpëtimtar, Mundimin e Tij, Shenjtërueshmen Trini – që e shprehim me bërjen e shenjës së kryqit. Feja dëshmohet në më të voglën vepër të mirë, nëse e bëjmë ashtu, sepse Zoti na nxitë për ta bërë. Po ashtu, me çdo largim e refuzim të së keqes dhe mëkati më të vogël, vetëm pse Zoti e ndalon. E mos të përmendim manifestimet publike të fesë, ato personale apo kolektive. T’lumtë ne! Kam të drejtë t’i them vetes: “I lumi unë që besoj, që e dëshmoj fenë.”

Kemi lexuar mjaft shkrime mbi fenë nga pikëvështrime të ndryshme dhe kemi dëgjuar shumë predikime, por gati se asnjëherë nuk theksohet kjo cilësi e fesë – cilësia e meritës së saj – më karakteristikja dhe tejet e nevojshme për ne, të cilën Jezusi në shumë vende e përmend. Me këtë fe e lavdërojmë Zotin, duke ia paraqitur e dhuruar dhuratën më të madhe që na e ka dhënë, mendjen, ndërgjegjen, pra, krejt vetveten! Por, vetëm nëse rrjedh nga “zemra e çiltër”, e atillë që e kanë ata “të vegjlit”: “Të falënderoj, o Atë, që këtë ju zbulove të vegjëlve…” Feja nuk është lëndë shkollore për njohjen e të vërtetave fetare, mbi të cilat na fletë profesori, siç është lënda e gjeografisë, diturisë natyrore, matematikës etj., por feja jetohet, dëshmohet me jetë. Edhe atëherë nuk është vetëm e merituar, por edhe e frytshme edhe e fuqishme. Feja e Abrahamit u shpërblye me premtimin e madh, që vlen edhe për ne: Në ty do të jenë të bekuar popujt. Prej teje, në saje të fesë tënde, do të lindin popuj sa yjet e qiellit dhe rëra e bregut të detit. Kaq bekime e hire do të ketë feja jonë dhe mendja jonë e dëgjueshme ndaj Zotit! Ajo është aq e fuqishme, le të jetë ajo sa një farëz, sa mund të lëkund male e kodra… Mirë, t’i lëmë malet në vendin e vet. E vërtetë, çfarë krejt kemi përjetuar në jetë, e ndoshta i kemi harruar dhe as vetë nuk dimë si kemi mundur t’i përballojmë, nëse jo të përforcuar me fenë tonë.

Dikush i kishte thënë Nënës Tereze, atë që e bëni nuk do ta bëja as për njëmijë dollarë, kurse ajo i kishte përgjigjur: “As unë!” Sigurisht ka vepruar në fe e dashuri që e nxisin për të vepruar, sikur edhe Shën Palin.

Së fundi, arritja e fesë s’do të jetë pranimi (objektiv) i të vërtetave të zbuluara dhe përqafimi subjektiv i përmbajtjeve të tyre, por të përngjamit e veçantë të mendimeve, vlerësimeve dhe udhëve tona me ato të Zotit. Të përngjamit e dëshirave tona me dëshirat e Zotit – ky është kulmi i fesë. Me mendjen tonë të dëgjueshme, si akt feje, hyjmë në lidhje “farefisnore” me Krishtin dhe bëhemi vëllezërit dhe motrat e tija, madje edhe … Nëna. Kjo është ajo lidhje e ngushtë me Krishtin që na bënë të bashkohemi me Atin, që ishte edhe lutja e tij në Darkën e Mbramë.

Në një përkthim të vjetër të romanit të Tolstojit “Lufta dhe paqja”, kam lexuar se ai i vështronte punëtorët e vet sesi ishin të gëzuar për jetën edhe pse ishin të varfër dhe punonin shumë. Kur i kishte pyetur, prej nga ky gëzim, ata kishin përgjigjur: Nga feja. Kur i kishte pyetur si fitohet feja, ata kishin përgjigjur: Jeto simbas fesë e do të fitosh fenë!

Feja e kishte lëvizur Abrahamin në rrugë të largët, edhe pse të panjohur, kurse disa shekuj më vonë, nga i njëjti vend dhe në të njëjtin drejtim për në qëllimin e njëjtë të premtuar me bekimin e Abrahamit do të nisen tre dijetarët duke e ndjekur yllin e mrekullueshëm. U përkulën dhe paraqitën dhurata: ar, kem dhe mirnë për Fëmijën e mbështjellë me fenë e ngrohtë të Marisë, Jozefit dhe barinjve …

Edhe Toma u përkul në dy gjunjë dhe pranojë, besojë dhe dëshmojë: “Zotëria im dhe Hyji im!” (Gjn 20, 28)./drita.info

 

(Marrë nga: Imzot Nikë Prela, Vështrime dhe meditime, Drita, Prizren 2006, f. 29-35)

Shpëndaje: