Nga Imzot Nikë Prela
Nuk do të mund të përshkruhej jeta dhe vepra e bujshme e Shën Palit me ndonjë koncept më të mirë se sa me vetë shënimin e tij autobiografik: “Dashuria e Krishtit na nxit.” (2 Kor 5, 14). E kishte pushtuar krejtësisht dashuria ndaj Krishtit dhe për Krishtin për të mos e ndarë asgjë prej Tij… “as vështirësitë, as ngushtica, as salvimi, as uria, as zhveshtësia, as rreziku, as shpata.” (Rom 8, 35). Edhe Pali mund të thotë sikur paralajmërimi i Mesisë me Psalmin e Davidit: “…shkrihem në zell për Shtëpinë tënde.” (Ps 69, 10). Këtë zell Jezusi ua bëri të qartë apostujve kur e pastroi Tempullin. (khs. Gjn 2, 17).
Porse kjo dashuri derdhet pikësëpari në vëllezërit prej gjakut, sepse edhe vetë është “izraelas, nga fisi i Benjaminit, herbe prej hebrenjsh; sipas Ligjit farise …” (Fil 3, 5), por edhe në vëllezërit e fesë, në paganët e pagëzuar, e në gjithë njerëzit, të cilët kanë nevojë për dritën e Hyjit, për këtë edhe është “zgjedhur për ta bërë të njohur Emrin tim para popujve paganë, para mbretërve dhe para bijve të Izraelit.” (Vap 9, 15).
I lindur në Tars të Azisë së Vogël, i edukuar dhe i rrethuar me frymën e asaj kohe “e kishte kryer Sorbonën sikur në mesjetën e Parisit”, siç thotë biografi i tij Josef Holzner. Në udhëkryqin e kulturës greko-romake dhe semite-babilonike, e në anën tjetër që në fëmijëri i edukuar mirë në rrjetin e organizuar të katekizmit të Besëlidhjes së Vjetër, e më vonë në Jerusalem nën udhëheqjen e Gamalielit të ditur dhe fisnik, “të cilin e nderonte mbarë populli.” (Vap 5, 34), ka mundur ta ofron talentin e vet për të gjitha hapësirat e kohës së atëhershme.
Është e qartë Provania në planin e vet, duke e nxitur që ajo ta lëviz së pari nëpërmjet rrjetave të degëzuara të kolonive dhe tregtarëve hebrenj të mbjell nëpër Mesdhe e gjetkë në perëndim dhe në jug. Këtu do të jetë fidanizmi i përhapjes së krishterimit, që historiani Laktaciani me habitje do të ngreh pyetjen me bashkëkohësit se si papritur e përnjëherësh bota u bë e krishterë.
I flaktë deri në fanatizëm për Ligjin dhe Profetët merr pjesë në vrasjen me gur të Shtjefnit dhe e përkrah këtë vepër. Ishte ky takimi i parë ndër më të theksuarit me fenë e re, e cila bie në kundërshtim me Moisiun dhe traditat e besuara popullit të zgjedhur. Këmbëngulësia e Shtjefnit dhe inteligjenca e tij, e në veçanti dëshmia e thellë, ka gjasë që të ketë qenë për Palin zbulim, por ky fakt edhe me tepër e ka shtuar zemërimin për të vetëquajturin Mesi, Jezusin e Nazaretit. Do të radhitet në rendin e të specializuarve të inkvizicionit për të zbardhur dhe pastruar situatën, e të ndodh çfarë të ndodh. E ka përjetuar se është vështirë të kundërshtosh Shpirtin Shenjt, planin e të cilit, nën shndritjen e Tij, do ta njeh më vonë.
Me letrat e tij do të nderohen Korintasit (dy herë), Galatasit, Efesianët, Filipianët, Kolosianët, Selanikasit (dy herë), Timoteu (dy herë), Titi dhe Filemoni, patroni i Onezimit skllav. Letra e parë është rezervuar për paganët e Romës, kurse mbaron për vëllezërit Hebrenj. Krejtësisht 14 letra.
Si të sistemohet për nga përmbajtja gjithë ai material i gjerë, të cilin e patë shtjelluar në tërësi dhe në pjesëza, duke u kthyer disa herë në të njëjtat tema? Cilës temë a lëndë t’i japim përparësi?
Temës së Trupit Mistik të Krishtit apo analizës së trupit të njeriut si ilustrim të shërbimeve të degëzuara në Kishë, në të cilën njëra gjymtyrë me tjetrën ndërvaren dhe përplotësohen në një Trup, kryet e të cilit është Krishti?
T’i jepet përparësi hirit, të cilit Pali ia ka borxh vetveten dhe gjithçka që ka, sepse përmes tij të gjithat i ka fituar… (khs. 1 Kor 15, 10)?
Të fillojmë me burimin e të keqes që rrjedh prej Adamit dhe rehabilitimin e tij përmes Krishtit? Dy antipode këto në të cilat ka lindur krijimi i njeriut të parë dhe i dytë. (Rom 5, 12-21; 1 Kor 15, 20-26).
Apo me pasojat e mëkatit dhe çmimin e tij – shpëtimin me të cilin Krishti duke i marrë mbi vete në udhën deri në kryq, bëhet edhe vetë si mëkatar i mallkuar. Kjo është pasojë e dashurisë, e cila edhe vetë Palin e shtyri deri te i njëjtë barazim me vëllezërit dhe për t’i çliruar pranon të jetë “i mallkuar dhe i ndarë prej Krishtit…” (Rom 9, 3)?
Apo të lëshohemi në shtjellimin e traktatit mbi dashurinë, së cilës i këndon himn duke i radhitur cilësitë dhe shenjat e saja tipike, gjithsej 17, pa të cilat do të ishte si cimbali që tingëllon. Me atë dashuri që nuk mund të krahasohen as gjitha gjuhët dhe dituritë e botës, e as feja që do të ndërrojë vend maleve, as dhurata e profecisë, madje as veprat e mëshirës? (khs. 1 Kor 13).
Për Palin mund të flitet e të shkruhet shumë dhe gjerësisht, mbi jetën dhe karakterin e tij para dhe pas kthimit. Është shumë interesante se Pali edhe në shërbimin për të tjerët nuk dëshiron të jetë barrë për dikë. Prandaj do t’i hyjë në punë zanati i tij dhe tregtia me pëlhurë që njihej në Tars, që me siguri edhe i ati i tij do ta ketë ushtruar (të njëjtin zanat) (J. Holzner). Pali do të mbijetojë me ndërtimin e tendave (Vap 18, 3: 20, 35; 1 Kor 4, 12; 2 Sel 3, 8).
Mendjeshkathtësia e tij se si hyn në takim-bisedim me të diturit e Athinës, edhe pse e pasuksesshme, nuk lë shenja të thyerjes.
Mendjehollësia dhe shkathtësia e tij do të dalin në pah kur qëllimshëm i fut në polemikë farisenjtë dhe saducenjtë mbi çështjen e ringjalljes. Kjo bëri që ata ta lënë të qetë (khs. Vap 23, 6-10).
Ishte një potez shumë i rrezikshëm kur u thirr prej perandorisë së Romës, për t’u liruar nga gjykimi në Palestinë. Pati sukses. Por çfarë dinakërie. Me siguri Pali i kishte dy nënshtetësi, por romakët i dhanë përparësi asaj romake.
Kishte udhëtuar në rrugë të ndryshme në mbarë botën në një mision të ndërlikuar për t’i kthyer dhe për t’i forcuar vëllezërit në fe. Së pari përgatitet në mënyrë disiplinore në ushtrimet shpirtërore në Arabi, duke menduar se si Zoti e ka zgjedhur qysh në kraharorin e nënës për t’u shpallur paganëve Birin e Hyjit (khs. Gal 1, 15; 2, 16), pasi që më përpara “se si salvoja mbi çdo masë Kishën e Hyjit dhe u mundoja të shkretoj atë e, prejse tepër i dhënë mbas traditave të të parëve të mi, i tejkalova në judaizëm shumicën e meshtarëve në kombin tim…” (Gal 1, 13-14). Mandej u kthye në Damask ku, simbas Veprave të Apostujve, pasi qëndrojë disa ditë në shoqëri me apostujt, menjëherë filloi të predikoi nëpër sinagoga se Jezusi është Biri i Hyjit. Ky predikim i shtang ata që e dëgjonin, sepse ishte i njëjti ai që i dërgonte në pranga të gjithë ata që e thërrisnin këtë emër…, porse ai shumë bindshëm predikonte se Jezusi është Biri i Hyjit (khs. Vap 9, 20-22). Pas tri vjetëve në Damask, sepse ishte në rrezik për ta vrarë dhe bashkëvëllezërit e qortuan për këtë gjë, shkon në Jerusalem për ta njohur Kefën e të rri tek ai pesëmbëdhjetë ditë. I vizitoi krahinat e Sirisë dhe Cilicisë dhe prapë pas katërmbëdhjetë vjetve u kthye në Jerusalem në shoqëri me Barnabën dhe Titin, ku i justifikoi udhëtimet e tija dhe predikimin, sepse apostujt kishin një rezervë ndaj punës së tij. Atëherë në shenjë të pranimit dhe aprovimit tri shtyllat e Kishës Jakobi, Kefa dhe Gjoni ia shtrinë dorën (khs. Gal 2, 9). Më vonë e kundërshtoi Pjetrin në Antioki në lidhje me pranimin e paganëve të pagëzuar, por më vonë u miratua se paganët nuk obligohen në rrethprerje as në rregullore tjera të praktikës së Besëlidhjes së Vjetër.
Një ditë në Antioki gjatë shërbesës Hyjnore Shpirti Shenjt zbriti dhe i thirri Palin dhe Barnabën dhe pas lutjes e agjërimit vëllezërit i shtrin duart mbi ta dhe i lëshuan të shkojnë. Kështu Pali i filloi udhëtimet e tija apostolike. Si të shkruhen të gjitha ato çfarë ka përjetuar, vuajtur, vepruar dhe shpallur! Radha do të ishte kështu: Seleuceja, Antiokia, Ikonia, Listra, Antiokia, Jerusalemi (koncili apostullik) – përfundimi i udhës së parë apostolike. Mandej, Troada, Filipe, Selaniku, Bereja, Athina, Korinti – përfundimi i udhës së dytë. Efesi, Maqedonia, Greqia dhe kthimi në Milet dhe Jerusalem. Në këto udhëtime krijohet Këshilli i mbarështuesve të kishave. Palin e burgosin dhe pas shumë ndeshtrashash e rreziqesh thirret në mbretin e Romës dhe udhëton në Cezare e deri në Kretë. Këtu përjeton anijethyerje. Së fundi tfillohet nga Malta dhe mbërrin në Romë.
Flitet për tri udhët misionare, por supozohet që kishte shkuar deri në Spanjë (khs. Rom 15, 24). Posaçërisht na bëhet qejfi që e përmend se Pali i kishte në zemër edhe fqinjët tanë gjeografikë maqedonët, të cilët i përmend 15 herë. Disa me tendenciozitet flasin për vizitën e Palit në Mljet të Dalmacisë duke e zëvendësuar me Maltën. Udha e fundit e tij e çon në Romë. Kështu në Romë u gjetën Pjetri dhe Pali, në vendin ku përgjithmonë do t’i bashkojë vdekja e martire.
Janë shumë të rëndësishme analizat e Palit, apostullit dhe misionarit më të madh të të gjitha kohërave. Janë interesante veprimtarit e tija shumështresore, përvojat, përjetimet, metodologjia, qëndrimi i temperamentit kolerik, largpamësia, angazhimi për të mos i ikur asgjë që do të ishte në shërbim të qëllimit… Shpesh dëgjohet të thuhet se, po të jetonte sot Shën Pali do të ishte i pranishëm edhe në fushat e lojës (stadiume), sepse në ilustrimet e tija përmend fushëvrapimin, garat… (khs. 1 Kor 9, 24). Por kjo është, megjithatë, e tepruar për ta besuar. Porse, ai me siguri është marrë me pendë, gazetari, gjithsesi me shkrime për të përhapur Fjalën e Zotit. Nuk është e rastësishme që një shtëpi e njohur italiane e mbanë emrin e Shën Palit: “Edizione Pauline – Società editrice San Paolo”. Udhëpërshkrimet e tija edhe pse të shkurta, të mbushura me shumë mbresa dhe mendime që mbushullojnë gjallëri dhe bindshmëri, mendimet e tija të thukta, mandej fjalimet e tija të gjata dhe të ndërligjshme, flasin për talentin dhe artin e të shkruarit. Sot në Liturgji i lexojmë si porosi të frymëzuara prej Hyjit.
Përfundimet e letrave të tij janë shumë të vëmendshme. Në përshëndetje nuk dëshironte askënd ta anashkalojë apo ta harrojë. Ai ishte apostull dhe veprimtar bamirës. Ky konstatim del i qartë nga shkrimet e tija. Dimë se kishte mbledhur ndihma për vëllezërit në Jerusalem.
Me siguri se do të përkujdesej edhe për mjetet transportuese, siç janë biçikleta, motorët, veturat etj. etj., jo për pasion sportiv, por për të shërbyer në pastoral, siç i përdorim ne sot si mjete të domosdoshme për të bërë pastoral. Do të shërbehej me gjitha mjetet audiovizuele. Kush do të mund t’i numëronte të gjitha mjetet që do t’i përdorte për shërbimin e Krishtit!
Në shkrimet e veta e ka përshkruar vetveten spontanisht, sinqertë, ndershëm, pa mbuluar asgjë. Nuk donte të ishte dyfytyrësh. Kur shtronte çështjen e ushqimit të (pa)lejuar për hebrenjtë, nuk ishte dyfytyrësi apo mungesë sinqeriteti, por ishte një çështje e urtisë së tij për të shmangur shkandullin.
Dashuria për Krishtin bënë që Pali t’i ketë gjitha këto virtyte: përshpirtërinë, fenë dhe shpresën, që e kishte edhe atëherë kur nuk shpresohej (Rom 4, 18), vetëmohimin dhe durimin, edhe pse tërbohej në rastet e devijimeve morale dhe teologjike. Është edhe i përvuajtur, pendohet dhe ankohet, madje edhe lavdërohet për dobësitë e veta, që asgjë mos çojë në lavdërim të vetvetes, verbësi, smirë – mëkat. Për këtë arsye ai “lavdërohet për dobësitë e veta”. Ky është sinqeriteti i tij. Mbi të gjitha Pali ka dashuri, për të cilën fliste me mallëngjim. Po të jetonte ai sot në Gjermani, do të ishte gjerman për gjermanët, sikur që u bë grek për grekët. Ashtu disi thotë në përfundim të librit jetëshkruesi i tij Josef Holzer.
Kjo ja mundëson që me të drejtë të thotë fjalë vetlavdëruese: “Luftën e mirë e luftova, vrapimin e kreva, fenë e ruajta. Qysh tash më pret gati kurora e drejtësisë, që atë Ditë do të më jap Zoti, Gjykatësi i drejtë; dhe jo vetëm mua, por të gjithë atyre që do ta presin me dashuri Ardhjen e tij.“ (2 Tim 4, 7-8)./drita.info
(Marrë nga: Imzot Nikë Prela, Vështrime dhe meditime, Drita, Prizren 2006, f. 53-60)