Simoni i BËRË SHKËMB – Pjetri i pari

Nga Imzot Nikë Prela

 

Vërtet, ishte providenciale ideja për t’i lidhur dy pontifikate, që koordinatat e dy synimeve të kryqëzohen në një Papë. Kur në natën e 27 gushtit 1978 në ora 18 e dëgjoja Radio Vatikanin, që e transmetonte zgjedhjen e papës së ri, pas vdekjes së Palit VI, u dëgjua emri Gjon-Pali, pas zgjidhjes së papritur të kardinalit Lucjani. Spontanisht u hodha në këmbë dhe bërtita: Ky është inspirim i Shpirtit Shenjt, Origjinale, Largpamëse.

Më vonë kam menduar, pse nuk do të merrnin të gjithë papët, përveç emrit të tyre në pagëzim apo emrin e ri papal, të pranonin edhe emrin e kyeapostullit, papës së parë, Pjetrit!? Nuk do të tingëllonte keq edhe kështu: Klement Pjetri, Inocent Pjetri, Gregor Pjetri, Nikollë Pjetri, Gjon Pjetri … Nuk di pse do të ngurronin papët që ta bënin këtë gjë, kur kjo risi do të theksonte edhe më fort vazhdimësinë e një papati … Nëse nuk ngurrojnë të marrin për çdo ditë në dorë Zotin eukaristik, pse do të ngurronin për emrin e kryeapostullit? Në disa familje rregulltare – motra të nderit – është praktikë që emrit personal të motrës t’i bashkëngjitet edhe emri i Marisë: Maria Marta, Maria Klara, Maria Vera, Maria Ana etj.

Andreu apostull është në njëfarë mënyre protoapostull, sepse i dha formë korit të apostujve, kur së pari e dërgoi vëllain e tij Simonin te Jezusi, i cili në takim të parë e hetoi planin e posaçëm të zgjedhjes së Simonit, duke ja dhënë emrin e ri simbolik: “Ti je Simon, biri i Gjonit! Ti do të quhesh Kefë, që do të thotë: Pjetër – Shkëmb.” (Gjn 1, 42). Simoni, me emrin e ri Pjetër, mbeti pa gojë kur i dëgjoi këto fjalë, sikur edhe në lajmin e Andreut, vëllait të tij: “Simon, vëlla, e gjetëm Mesinë.“ (Gjn 1, 41), edhe ky në vetvete mendoi si Natanaeli: „A mund të dal gjë e mirë nga Nazareti?” (Gjn 1, 46).

Çfarë kishin parë, dëgjuar dhe përjetuar Andreu dhe Gjoni, e të nesërmen edhe Filipi, në takim me Jezusin pas thënies provanore e frymëzuese të Gjon Pagëzuesit: “Qe, Qengji i Hyjit!“ (Gjn 1, 36), që ashtu i entuziazmuan edhe të tjerët për Jezusin? (khs. Gjn 1, 37-45).

Pse Jezusi ia ndërroi emrin Simonit në Gur, Pjetër– Shkëmb? Të gjithë më vonë kështu edhe e quajtën, Simon Pjetër, dhe ungjijtë dhe Veprat e Apostujve e përmendin 27 herë, sa asnjë apostull tjetër, kurse Mateu e thekson: “Emrat e Dymbëdhjetë apostujve janë këta: i pari Simoni, që quhet Pjetër.” (Mt 10, 2).

Se Jezusi në Pjetrin e kishte zgjedhur themelin e Kishës së vet, vërtet, kjo shihet në inaugurimin e tij: “Ti je Pjetër – Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj!” (Mt 16, 18). Kjo ndodhi në Cezarenë e Filipit.

Po të ishte mbështetur Jezusi në fenë e Pjetrit, e jo në personin e tij si themel të Kishës së tij, siç pohojnë kundërshtarët e primatit të Pjetrit, këtë do ta thonte Jezusi. Neve e kemi fortë të qartë se si feja e Pjetrit ishte e pakët dhe sentimentale, siç ndodhi në Tiberiadë: “Zotëri, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti përmbi ujë! Eja – i tha. Atëherë Pjetri zbriti nga barka e po ecte nëpër ujë për të shkuar te Jezusi. Porse, kur e pa erën e fortë, u frikësua, filloi të humbasë në ujë dhe bërtiti: Më shpëto, o Zot! Përnjëherë Jezusi shtriu dorën, e kapi dhe i tha: Fepakët! Përse dyshove!” (Mt 14, 28-31).

Më thonte një meshtar i njohur e veprimtar kulturor, ekumenist i hapur, shumë i afërt me vëllezërit e ndarë, se nuk habitet pse e kundërshtojnë primatin e Pjetrit dhe Papës po mos të kundërshtonte arsyeja, derisa e pranojnë Misterin e Shndërrimit të Eukaristisë që do të mund të ishte arsyeja kundër. Ata mendojnë se Jezusi e kishte ndërmend fenë e Pjetrit si themel të Kishës, e jo personin e tij. Vërtet, ata mendojnë në fenë çfarë Jezusi e kërkoi prej Pjetrit. Tek e fundit Jezusi krejt qartë ju drejtua Pjetrit personalisht dhe drejtpërdrejtë: “Ti je Pjetër-Shkëmb …, Ty do t’i jap çelsat …, gjithçka (Ti) të lidhësh …, gjithçka (Ti) të zgjidhësh … (Mt 16, 18-19). Pjetri i vetëdijshëm për këtë zgjedhje të tijën në mënyrë autoritative flet në Kuvendin e Apostujve në Jerusalem, kur debati ishte bërë i nxehtë në lidhje me atë se a duhet paganët e posakthyer ta zbatojnë ligjin e Moisiut dhe rrethprerjen. Atëherë Pjetri e mori fjalën e tha:

“Vëllezër, ju e dini mirë se, që prej ditëve më të para, këtu në ju, më zgjodhi mua Hyji, që prej gojës sime ta dëgjojnë paganët fjalën e Ungjillit e të besojnë.” (Vap 15, 7).

Pjetri ishte peshkatar dhe tregtonte peshq, sepse me këtë punë e mbante vetën dhe familjen, e me siguri ishte tregtar i mirë dhe e shiste mirë mallin e vet. Ai vërtet dëshironte të dinte se çka do të fitonte në kthim pas të gjitha peripecive, flijimeve dhe vetëmohimeve për shkak të Jezusit. Kjo ishte një fjalë e rëndë. Llogaritje. Tregti (khs. Mt 19, 27). Premtimi i Jezusit për dymbëdhjetë fronet në të cilat do të ulen apostujt për t’i gjykuar 12 fiset e Izraelit, dukej mjaft e mjegulluar. Shtrohet pyetje se sa ky premtim e kënaqi Pjetrin … (khs. Mt 19, 27-28).

Pjetri në Gjetseman e nxori shpatën dhe u vërsul të mbrojë Jezusin, por Jezusi e qetësoi. Natyrë e çuditshme dhe e papeshuar që pas pak orëve do t’i bie mohit tri herë Jezusit. Megjithatë Jezusi do t’ia fal mbas Ringjalljes së vet, duke mos ia përmend aspak, por në mënyrë atërore ia vë në shqyrtim ndërgjegjen duke e vetëdijesuar për mëkatin e mohimit me pyetjet e befasishme për të: “A më do?” (khs. Gjn 21, 15. 16. 17). Tri herë! Vetëm Pjetrin! Pjetri e kuptoi Jezusin, por ndoshta nuk ka menduar se mohimi mund të jetë mëkat, apo jo edhe mëkat i rëndë, apo ka menduar që edhe këtë ta mohojë, duke menduar se për mohim askush nuk e di, madje as Jezusi! “Simon Gjoni!” pse Jezusi iu drejtua Pjetrit kështu, e jo me emër të cilën vetë ia dha, “Pjetër”! Mu për atë se ndoshta ende nuk është “bërë shkëmb”, përforcuar, as pas tri viteve, kurse koha tanimë ka ardhur. “A më do ti më shumë se këta?” – Atëherë Pjetri u shndrit, e pranoj mohimin edhe thotë: “Zotëri, Ti di gjithçka! Ti e di se të dua!” (Gjn 21, 17). Kjo do të dëshmohet në amfiteatrin e Romës kur do të kryqëzohet me kokë poshtë; edhepse, sipas një legjende, nën trysnitë e ushtarëve romak, kishte menduar ta lëshojë Romën në kohën e salvimeve të Neronit, por Jezusi e ktheu kur u takuan në rrugën Apia: “Quo vadis, Domine?”

Jezusi i kishte njohur dobësitë dhe mangësitë e Pjetrit, për këtë arsye Jezusi i premton, pak para mohimit, se do të lutet për të „ … unë u luta për ty, që feja jote të mos mungojë. Por ti, kur të kthehesh, forcoj vëllezërit e tu.“ (Lk 22, 32).

Për sa i përketë arsyes së zgjedhjes së Pjetrit të parin e apostujve – kryeapostull, e jo një tjetri që do të ishte, simbas syve tanë, më i përshtatshëm e më i denjë, këtë po ia lëmë planeve të Zotit, të cilat shpeshherë janë për ne të pakuptueshëm, porse kjo na përforcon edhe më tepër në besim se, në Kishën tonë është vendimtar elementi Hyjnor i udhëhequr me Shpirtin Shenjt. E dimë se Pjetri kishte mangësi, madje edhe atëherë kur kinse nga përvujtëria kundërshtojë larjen e këmbëve, ai nuk e kuptonte çka në të vërtetë do të thonë fjalët e Jezusit: “krejtësisht i pastër”.

Është fakt se Pjetri vazhdimisht gjendej përreth Jezusit. Jezusi përherë e kishte pranë. Kishte hyrë në shtëpinë e tij dhe e kishte shëruar vjehrrën e Pjetrit. (khs. Mt 8, 14; Mk 1, 29; Lk 4, 38). Kujtime të ngjashme nuk kemi për apostujt tjerë. Kur është dashur të paguhet tatimi për Tempull, Jezusi e dërgon Pjetrin për ta paguar për vete e për të në një mënyrë të çuditshme, me staterin në gojë të peshkut që do të kapet i pari në grep (khs. Mt 17, 24-27).

Figura e Pjetrit mund të kundrohet edhe në “këndvështrimin tjetër”, në periudhën pas Rrëshajëve, kur apostujt zbritën në Jerusalem dhe e zgjedhën Matinë në vend të Judës. Mbledhjen e ka udhëhequr Pjetri. Ai në mënyrë të veçantë është ndjerë i thirrur të flas në emër të apostujve pas atij “zjarri të Rrëshajëve“ dhe dridhjes së gjithë godinës së Cenakulumit, kur u afruan rreth tyre një masë e madhe njerëzish duke menduar se ata ishin të dehur kur flitnin në gjuhë të ndryshme, porse Pjetri mori fjalën dhe ua shpjegoi se kjo është vepër e Shpirtit Shenjt, që sipas fjalëve të Jonës profetë, do të ndikojë në çdo njeri mbi të cilin do të zbresë, që të profetizojnë-predikojnë e të shohin vegime dhe do të bëjnë mrekulli tjera. Kur Pjetri filloi të flas për Jezusin, të cilin e kishin kryqëzuar ata, i kapi frika, u tronditën dhe pyetshin se çfarë duhet bërë. Atëherë Pjetri i grishi në kthim për t’u pagëzuar në emër të Jezu Krishtit, që t’ju falen mëkatet dhe ta pranojnë Shpirtin Shenjt. (khs. Vap 2, 36-39).

Pjetri, me apostuj të tjerë vazhdonin të luteshin në Tempull dhe një ditë në dyert e Tempullit e shëroi një të çal në Emër të Jezusit. Këshilli i Lartë urdhëroi që të burgoset, por shumë shpejtë u lirua pas një kuvendimi me pjesëtarë të këshillit, kurse ju ndalua që mos flet më për emrin e Jezusit: “Gjykoni ju vetë a është e drejtë para Hyjit: të dëgjojmë më parë ju se Hyjin?” (khs. Vap 4, 1-22).

Qëndrimi i pamëshirshëm i Pjetrit në rastin e Ananisë dhe Safirës për qëllim të përforcimit të bashkësisë së Kishës, është vështirë të komentohet. (khs. Vap 5, 1-11).

Pjetri nuk ishte që nga fillimi elastik në çështjen e pranimit të paganëve në gjirin e Kishës. A do duhej të nënshtroheshin edhe ata ligjit të Moisiut, madje edhe rrethprerjes, gjë që kishte nxitur te Pali kundërshtim ndaj Pjetrit: “Kur Kefa erdhi në Antioki i kundërshtova ndër sy haptas, sepse e meritoi dënimin. E njëmend, para se arritën disa njerëz prej rrethit të Jakobit, hante bashkë me paganë, por, kur erdhën ata, nisi të tërhiqej e të ndahej, pse i druante të rrethprerët. Pas shembullit të tij shkuan edhe judenjtë tjerë, kështu që edhe Barnaba u gënjye prej shtirakisë së tyre. Por kur pashë se nuk po ecinin drejtë simbas së vërtetës së Ungjillit, i thash Kefës para të gjithve: ››Nëse ti, që je hebre, jeton si paganët e jo si hebre, përse paganët i detyron të jetojnë si hebrenj?‹‹“ (Gal 2, 11-14). Por me intervenimin “nga lart” Pjetri e pranoi përfundimisht tezën e Ungjillit të vërtetë, sikurse edhe Pali. Gjatë rrugës në Cezare, kur e kishte kapur të uriturit, derisa lutej kaloi në vegim: shihte katërkëmbësh të ndryshëm që i afroheshin për t’i ngrënë, por i refuzoi sepse aty kishte katërkëmbësh “të papastër” që i ndalonte ligji i Moisiut. Ndërkaqë e dëgjoi një zë nga qielli: “Çka Hyji ka shpallur të pastër, ti mos e quaj të ndytë!” (khs. Vap 10).

Dhe po i afrohej fundi. “Në ato ditë Herodi mbret filloi të salvojë disa anëtarë të Kishës. Me shpatë e preu Jakobin, të vëllanë e Gjonit. E kur hetoi se kjo gjë po u pëlqente judenjve, mendoi ta burgosë edhe Pjetrin… E pasi e kapi e qiti në burg dhe ua dha ta ruajnë katër skuadra… por urata e përzemërt e Kishës ngritej vazhdimisht para Hyjit për të.” (khs. Vap 12, 1-18). Pasi u lirua në mënyrë të mrekullueshme, Pjetri tha: “Tani me të vërtetë po e di se Zoti e paska dërguar engjëllin e vet e më shpëtoi nga dora e Herodit dhe prej të gjithsa priste populli i judenjve.” (Vap 12, 11).

Ai, me emrin Simon Pjetri, apostull i Jezu Krishtit (1 Pjt 1, 1; 2 Pjt 1, 1), do t’u drejtohej me dy letrat e veta shtegtarëve të zgjedhur të shpërndarë nëpër paganë në Pont, Galaci, Kapadoki, Azi e Bitini… Pjetri “Epror” i zgjedhur u bënë vërejtje jo vetëm besimtarëve, por edhe eprorëve të cilët së bashku me të janë dëshmitarë të mundimeve të Krishtit dhe pjesëtarë i Lavdisë… (1 Pjt 5, 1).

Kur aludon në domethënien e emrit të vet, ai nxitë të gjithë që me jetë të përkormë të ndërtohen si gurë të gjallë në shtëpinë shpirtërore Kishën, themeli i së cilës është Krishti. Për këtë ai i grishë që të mbështeten në Ringjalljen e Krishtit, të largohen prej të keqes dhe të jenë të zgjuar, sepse “armiku juaj, djalli, porsi luan ulëritës, endet këndej dhe andej duke kërkuar (kë) të përpijë.” (1 Pjt 5, 8). Porse, në fillin të letrës së dytë Pjetri na pasqyron shenjtërinë në një masë të pabesueshme të pjesëmarrjes në natyrën Hyjnore, që në saje të pagëzimit (khs. 2 Pjt 1, 4) jemi bërë „fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull që Hyji e fitoi për vete.“ (1 Pjt 2, 9).

Mendimi i të qenurit i ndërtuar në Krishtin që është Gur – themel në Pjetrin, si dhe pjesëmarrja në natyrën Hyjnore, janë këto tema të përzgjedhura edhe për Shën Palin mbi Trupin Mistik të Krishtit. Nëse me frytet e jetës sakramentale ne jemi pjesë e Trupit Mistik të Krishtit, a nuk do të mund të thuhet edhe se të qenurit i ndërtuar në Kishën në saje të pagëzimit, ne me dëgjesën tonë jemi pjesëmarrës edhe në primatin e Pjetrit, i cili nuk është karizmë personale e Pjetrit apostull, por dhuratë për tërë Kishën si shenjë e dukshme e pranisë së Hyjit të vërtetë, që nëpërmjet Kishës, jo vetëm përmes Pjetrit dhe papëve, i shfaqet botës “me fuqinë e veprës së Shpirtit Shenjt nëpërmjet të cilit krejt grigja e Krishtit mbrohet dhe rritet në njësi të fesë.” (Lumen Gentium, nr. 22).

Papa Lucjani, si kardinal dhe argjipeshkëv i Venedikut, në predikimin e tij mbi Shën Pjetrin, më 1974 thoshte: “Ipeshkvi i Romës, si pasardhës i Pjetrit është parim (nënvizoi – NP) i dukshëm i pakëputur dhe themel i njësimit të shumë ipeshkvijve dhe besimtarëve”, dhe vazhdon: “Jezu Krishti ja ka besuar papës një detyrë krejtësisht të caktuar dhe e ka vendosur në krye të Kishës… që si Bashkësi e njësuar të na ndihmojë me praninë e vet, të na ruajë dhe të na udhëheqë të sigurt”… “sepse pa papatin (lexo: Primatin – vër. NP) ne jemi pa tokën e sigurt nën këmbët tona, në rrezik për të rënë në pasiguri dhe lëkundje”, sikur Pjetri pa fenë në Krishtin, në Tiberiadë./drita.info

 

(Marrë nga: Imzot Nikë Prela, Vështrime dhe meditime, Drita, Prizren 2006, f. 43-51)

Shpëndaje: