A i vërej gjërat e mira rreth vetes?

Feb 10 • Meditimi i ditës

10 shkurt 2018 – E shtunë, Shën Skolastika, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Mbr 12, 26-32; 13, 33-34; Ps 105; Mk 8, 1-10)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment

dhe mendoj për praninë jetëdhënëse të Hyjit

në çdo pjesë të trupit tim, në gjithçka rreth meje,

në tërë jetën time.

 

Liria

Do t`i lutem Hyjin që të më ndihmojë

që të çlirohem nga ankthet dhe brengat e mia,

që të hapem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Hyjit që më njeh në mënyrë intime,
Dhe më pranon krejtësisht ashtu si jam,
Mund t`i lejoj vetes të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrën se si jam duke e ndier veten.
Si ishte dita e djeshme?
Si po e ndiej veten në lidhje me atë që kam përjetuar,
Dhe se si jam përgjigjur?
I ndaj ndjenjat e mia haptazi me Zotin.

 

Fjala

Në gjendjen momentale të shpirtit koncentrohu në tekstin e sotshëm me mirëbesim.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

dhe që ai mundet të të frymëzojë për ta zbuluar çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.

Lexo me vëmendje dhe kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.

 

Mk 8, 1-10

 

1 Ndër ato ditë u bashkua përsëri turmë e madhe populli. Pasi s’kishin çka të hanë, Jezusi i thirri nxënësit e u tha:

2 “Po më dhimbsen këta njerëz se ja, ka tri ditë që po rrinë me mua e nuk kanë çka të hanë. 3 Nëse i nisi të shkojnë të uritur në shtëpitë e veta, do të mbesin udhës. Disa prej tyre kanë ardhur prej së largu.”

4 Nxënësit e tij iu përgjigjën:

“E si mund t’i ngijë kush me bukë këtu, në këtë vend të shkretë?”

5 Ai i pyeti:

“Sa bukë keni?”

“Shtatë! ‑ iu përgjigjën ata.

6 Atëherë i urdhëroi turmës së popullit të ulet për tokë, i mori shtatë bukët, u falënderua, i ndau dhe ua dha nxënësve të vet t’ua vënë para. Ata ia dhanë popullit. 7 Kishin edhe pak peshq të vegjël. I bekoi edhe ata dhe u urdhëroi t’ua ndajnë.

8 Hëngrën dhe u nginë. Çuan copa që tepruan shtatë shporta. 9 Ishin rreth katër mijë vetë. Atëherë i përcolli të shkojnë. 10 Menjëherë hyri në barkë me nxënësit e vet e shkoi në rrethinën e Dalmanutës.

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • A jam edhe unë si nxënësit? Shumëçka kuptojnë, por kanë pak besim që Zoti mund të bëjë gjëra të jashtëzakonshme. Nuk shohin që me Zotin gjithçka është e mundshme, madje edhe pse Jezusi pak më parë e kishte bërë një mrekulli të ngjashme.
  • Zot, bëj që sot të shoh diçka nga mrekullitë që më rrethojnë. Më ndodhin aq shumë gjëra të mira që nuk është e thënë se patjetër duhet të ndodhin. Kam mjaft për të ngrënë e për të pirë gjatë kohës kur të tjerët janë “në shkretëtirë”. Dikush është i mirë ndaj meje, dikush më buzëqeshë. Edhe kompjuteri im është dhuratë e jotja.
  • Edhe unë, o Zoti im, po të takoj në këtë kohë të lutjes. Nëpër mbarë botën, po ashtu, jam i/e lidhur me të gjithë nëpërmjet Momentit të shenjtë. Ata më përkrahin mua, unë i përkrah ata. O Zot, faleminderit për gjithçka!

 

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, pa u ngutur, disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro më atë rast aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh tutje.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, po më flet personalisht në tekstin e Shkrimit Shenjt.

Bëj që të përgjigjem në thirrjen tënde të sotshme.

Më mëso ta dalloj dorën tënde në vepër në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »