Ta shikosh të ardhmen si premtim dhe mundësi

Feb 10 • Meditimi i ditës

10 shkurt 2019 – E diela 5-të gjatë vitit (C), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Iz 6,1-2a.3-8; Ps 138,1-5.7c-8; 1Kor 15,1-11; Lk 5,1-11)

 

Prania e Hyjit

Zoti është Shpirt; Shpirti jep jetë.

Hyji është burimi i gjithë jetës, ai në të cilin jetojmë, lëvizim dhe ekzistojmë.

Ndërsa shikoj përreth meje tani, njerëzit rreth meje, a mund ta ndiej praninë e Hyjit?

A mund ta ndiej Shpirtin e Shenjtë të Hyjit këtu? Te këta njerëz? Tek unë?

 

Liria

Lutem për hirin e shenjtë

që t`i harroj brengat e mia,

që të jem i/e hapur ndaj asaj çfarë Hyji kërkon prej meje,

që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto lidhje dhe falënderoj për jetën që rrjedh përmes tyre.
Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.Lutem për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Lk 5, 1-11

 

1 Jezusi një ditë ishte në bregun e liqenit të Gjenezaretit e, ndërsa populli po shtyhej rreth tij për të dëgjuar fjalën e Hyjit, 2 pa dy lundra buzë bregut të liqenit: peshkatarët kishin dalë e po lanin rrjetat. 3 Hyri në njërën prej atyre lundrave ‑ në atë që ishte e Simonit ‑ dhe iu lut ta largonte pakëz prej tokës. U ul e, prej lundrës, mësonte turmën.

4 Kur pushoi së foluri, i tha Simonit:

“Grahi në ujë të thellë e hidhni rrjetat tuaja për të zënë peshk.”

5 Simoni i tha:

“Mësues, gjithë natën u përpoqëm e nuk zumë asgjë; por pasi po thua ti, do t’i hedh rrjetat.”

6 Si bënë kështu, zunë një sasi të madhe peshqish ‑ gati po u shqyheshin rrjetat. 7 Atëherë u dhanë shenjë shokëve në lundrën tjetër të vinin e t’u ndihmonin. Ata erdhën dhe i mbushën të dy lundrat aq sa gati u fundosën.

8 Kur pa Simon Pjetri, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha:

“Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar!”

9 Vërtet, për arsye të peshkut që zunë, mbeti shtang prej habisë ai dhe të gjithë të tjerët që ishin me të; 10 gjithashtu edhe Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, bashkëgjuetarë të Simonit. Jezusi i tha Simonit:

“Mos ki frikë! Tani e tutje do të zësh njerëz.”

11 Ata, si i sollën lundrat në breg, lanë gjithçka e shkuan pas tij.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Simon Pjetri ishte gjithmonë ai që fliste para se të mendonte. Cilat janë momentet në jetën tënde kur e ke kuptuar se ke reaguar shumë shpejt dhe më pas je penduar?
  • A mund të jem më i/e hapur ndaj Hyjit dhe të përpiqem të mendoj për mundësitë në jetën time sesa për problemet … siç bën Pjetri këtu …? Çfarë dua nga Zoti në këtë kohë në jetën time …? Çfarë mendoj se Zoti do nga unë …?
  • Dëgjoje sërish historinë dhe shiko një moment kur Pjetri e kupton se si është sjellë kaq keq … por pastaj gjithashtu vëreje momentin kur Jezusi e nxjerr atë nga e gjithë kjo … dhe i thotë atij të mos ketë frikë.

 

Bashkëbisedimi

Ka një të ardhme të tërë premtimi dhe mundësie që janë duke e pritur Pjetrin dhe ty … flit me Jezusin për këtë dhe për mënyrën se si e tërhoqi Pjetrin për të parë kaq shumë mundësi të reja … dhe se si ai të fton edhe ty, që të mos kesh frikë …

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty. “Grahi në ujë të thellë!” Kam frikë nga epanjohura sikurse dikush që ka frikë nga deti, nëse s`di të notojë. O Zot, po të lutem që të kem besim si Pjetri kur të më kërkosh për ta “hedhurrrjetën” në territor të panjohur.

Mos u largo nga unë, o Zot, sepse jam një person mëkatar dhe aq shumë kam nevojë për ty! Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »